LIGJ

Nr.9948, datë 7.7.2008

PËR SHQYRTIMIN E VLEFSHMËRISË LIGJORE TË KRIJIMIT TË TITUJVE TË PRONËSISË MBI TOKËN BUJQËSORE[1]

(Ndryshuar me ligjin nr.10136, datë 11.5.2009; aktin normative nr.5, datë 30.9.2009; ligjin nr.58/2012, datë 17.5.2012; ligjin nr.176/2013, datë 16.12.2013; ligjin nr.172/2014, datë 18.12.2014; ligjin nr.62/2016, datë 2.6.2016)

(I përditësuar)

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

 Shkarkoje te plote ne PDF_1

Neni 1

Qëllimi

 

Ky ligj ka për qëllim të përcaktojë:

a) shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore;

b) strukturat shtetërore, të ngarkuara për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, të dhënë në pronësi personave fizikë ose juridikë vendas, si dhe detyrat e përgjegjësitë e këtyre strukturave.

 

KREU I

KRIJIMI I TITUJVE TË PRONËSISË MBI TOKËN BUJQËSORE

Neni 2

Objekti i vlefshmërisë ligjore të tokës në pronësi

(Shtuar shkonja “ç” me ligjin nr.58/2012, datë 17.5.2012)

 

1. Kanë vlefshmëri ligjore titujt e pronësisë private mbi tokën, të krijuar te:

a) sipërfaqet, që më 1.8.1991 kanë figuruar në regjistrat kadastralë, në zërin “Tokë bujqësore” dhe janë përfshirë në territoret e administruara nga ish-kooperativat bujqësore deri në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit nr.7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, të ndryshuar;

b) sipërfaqet e tjera të tokave bujqësore, të administruara nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore, të kaluara për ndarje për fshatrat e ish-kooperativave bujqësore vetëm me miratim të Ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit, deri në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit nr.8337, datë 30.4.1998 “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore, pyjore, livadheve dhe kullotave”;

c) sipërfaqet e tokave bujqësore të ish-NB-ve, sipas dispozitave të përcaktuara në ligjin nr.8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore”.

ç) sipërfaqet e përcaktuara me vendimin nr. 306, datë 30.6.1994 të Këshillit të Ministrave “Për masat që do të merren për zonat e përmbytura nga ndërtimi i HEC-eve në rrethet Kukës, Has, Tropojë dhe Pukë”.

2. Nuk kanë vlefshmëri ligjore titujt e pronësisë në të gjitha sipërfaqet e tjera, që më 1.8.1991 nuk kanë figuruar në regjistrat kadastralë, në zërin “Tokë bujqësore”, si pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore dhe sipërfaqe të tjera të tokës jobujqësore, pavarësisht miratimit të ndryshimeve dhe kalimeve të këtyre zërave në tokë bujqësore pas kësaj date.

 

Neni 3

Kriteret për vlefshmërinë ligjore të titujve të pronësisë

 (Ndryshuar me ligjin nr.58/2012, datë 17.5.2012)

 

1. Subjekte të përfitimit të tokës bujqësore në pronësi dhe të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore janë personat vendas, fizikë ose juridikë.

2. Titujt e pronësisë mbi tokën bujqësore janë të vlefshëm vetëm kur janë krijuar në përputhje me:

a) kriteret e përcaktuara në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, të ndryshuar, dhe në ligjin nr. 57/2012 “Për përfundimin e procesit të kalimit në pronësi përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore”;

b) kriteret e përcaktuara në vendimin nr. 255, datë 2.8.1991 të Këshillit të Ministrave “Për kriteret e ndarjes së tokës bujqësore”, të ndryshuar;

c) vendimin nr. 306, datë 30.6.1994 të Këshillit të Ministrave “Për masat që do të merren për zonat e përmbytura nga ndërtimi i HEC-eve në rrethet Kukës, Has, Tropojë dhe Pukë”; ose

              ç) vendimin nr. 413, datë 27.7.2000 të Këshillit të Ministrave “Për trajtimin e problemeve të ngritura nga familjet që u janë përmbytur tokat nga ujëmbledhësi i HEC-it të Fierzës”

 

 

Neni 4

Procedurat dhe dokumentacioni i titullit të pronësisë

(Shfuqizuar togfjalëshi në paragrafin e III-të me ligjin nr.58/2012, datë 17.5.2012)

 

Dhënia e tokës bujqësore në pronësi realizohet dhe vërtetohet vetëm me dokumentin bazë unik, që është “akti i marrjes së tokës në pronësi”.

“Akti i marrjes së tokës në pronësi” është i vlefshëm vetëm kur ai është krijuar sipas procedurave të përcaktuara në vendimin nr. 230, datë 22.7.1991, të Këshillit të Ministrave “Për krijimin e komisioneve të tokave”, të ndryshuar dhe në udhëzimin nr.2, datë 2.8.1991, të Këshillit të Ministrave “Për funksionimin e komisioneve të tokës në rrethe e fshatra”.

Titujt e pronësisë për tokat bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore janë të vlefshëm vetëm kur ato janë krijuar sipas dispozitave të ligjit nr.8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore”.

 

KREU II

DETYRAT DHE PËRGJEGJËSITË E STRUKTURAVE SHTETËRORE TË SHQYRTIMIT TË VLEFSHMËRISË LIGJORE TË DHËNIES SË TOKËS NË PRONËSI

Neni 5

Komisioni Qeveritar i Tokës ( KQT)

(Ndryshuar fjalia e parë me aktin normativ nr.5, datë 30.9.2009)

 

Në zbatim të këtij ligji, krijohet, si strukturë e veçantë, Komisioni Qeveritar i Tokës (KQT). Pranë ministrisë përgjegjëse për bujqësinë dhe në shërbim të KQT-së krijohet dhe funksionon sekretariati teknik.

 

Neni 6

Detyrat dhe përgjegjësitë e KQT-së

(Ndryshuar me ligjin nr.58/2012, datë 17.5.2012)

 

KQT-ja ka detyrat dhe përgjegjësitë e mëposhtme:

1. Drejton dhe mbikëqyr veprimtarinë e komisionit vendor të vlerësimit të titujve të pronësisë (KV), nëpërmjet:

a) vendimeve që merren në mbledhje;

b) akteve që përgatiten nga sekretariati i KQT-së;

c) kontrolleve që ushtrohen nga KV-të;

ç) marrjes së informacionit për ndarjen e tokës nga struktura të ndryshme shtetërore dhe nga shtetas;

d) shqyrtimit të ankimeve për vendimet që kanë marrë KV-të.

2. Merr vendime për zgjidhjen e konflikteve territoriale ndërmjet qarqeve për kufijtë e zërit kadastral të tokës bujqësore.

3. Shqyrton ecurinë e verifikimit nga KV-të për zbatimin e akteve të nxjerra gjatë periudhës së kryerjes së reformës së tokës nga Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, për kalimet ose ndryshimet e sipërfaqes së tokës bujqësore nga njëri qark tek tjetri, nga njëra komunë dhe/ose bashki tek tjetra, nga njëri fshat tek tjetri dhe të ndryshimeve të tjera të tokës së destinuar për ndarje.

4. Kërkon, në mbledhje ose ndërmjet dy mbledhjeve, raportime dhe informacione nga drejtuesit e KV-ve dhe Sekretariati Teknik për ecurinë e verifikimit të zbatimit të dispozitave për ndarjen e tokës bujqësore dhe, në përfundim të shqyrtimit të tyre, nxjerr vendimet përkatëse.

5. KQT-ja u propozon organeve eprore dhënien e masave disiplinore dhe administrative ndaj drejtuesve të organeve të qeverisjes vendore dhe strukturave të tjera shtetërore, veprimtaria e të cilave lidhet me krijimin e titujve të pronësisë mbi tokën, për çdo rast, kur vëren moszbatimin e detyrimeve të përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet e tjera nënligjore në zbatim të tij.

 

Neni 7

Komisioni vendor i vlerësimit të titujve të pronësisë (KV)

 

1. KV-ja krijohet pranë prefektit të çdo qarku dhe drejtohet nga drejtori i KV-së, nën autoritetin dhe varësinë e drejtpërdrejtë të prefektit.

2. KV-ja drejton të gjithë veprimtarinë për shqyrtimin e vlefshmërisë së krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, në juridiksionin e prefekturës, nëpërmjet:

a) shqyrtimit dhe verifikimit të ankesave, kërkesave, informacioneve, që i paraqiten nga shtetasit dhe strukturat shtetërore, veprimtaria e të cilave lidhet me pronësinë mbi tokën bujqësore;

b) kontrolleve të drejtpërdrejta, të ushtruara me nismën e vet, mbi veprimtarinë dhe veprimet e kryera nga ish-komisionet e tokës, të të gjitha niveleve, në procesin e ndarjes së tokës. Këto kontrolle kryhen të plota në sipërfaqen e tokave të ish-NB-ve dhe të zonës së zhvillimit me përparësi të turizmit, të përcaktuara sipas ligjit nr. 7665, datë 21.1.1993 “Për zhvillimin e zonave, që kanë përparësi turizmin”, të ndryshuar dhe akteve nënligjore në zbatim të tij;

c) vendimeve që merr në mbledhjet që thirren dhe drejtohen nga prefekti;

ç) zbatimit të detyrave dhe vendimeve të KQT-së.

 

Neni 8

Detyrat dhe përgjegjësitë e KV-së

(Shfuqizuar shkronja “c” e pikës 1, pika 6 me ligjin nr.58/2012, datë 17.5.2012)

 

KV-ja ka detyrat dhe përgjegjësitë e mëposhtme:

1. Zgjidh mosmarrëveshjet e evidentuara:

a) për kufijtë e tokës bujqësore, ndërmjet rretheve, brenda qarkut;

b) për kufijtë e tokës bujqësore, ndërmjet fshatrave (subjekteve), që kanë qenë në përbërje të së njëjtës ish-kooperativë bujqësore. Vendimi u njoftohet komunave dhe/ose bashkive, në juridiksionin e të cilave ndodhen këto fshatra;

c) Shfuqizuar.

Shqyrtimi i mosmarrëveshjeve bëhet me kërkesën e palëve ose me nismën e vetë KV-së.

2. Merr vendimet përkatëse për çdo mosmarrëveshje ose konflikt, të lindur ndërmjet personave fizikë ose juridikë, për bazueshmërinë ligjore të titujve të pronësisë, të krijuar mbi tokën bujqësore.

Kur objekti i konfliktit ndërmjet palëve rezulton në zona kadastrale, ku është kryer regjistrimi i tokës, me cilësinë e pasurisë së paluajtshme dhe ky regjistrim është marrë në dorëzim nga zyra vendore e regjistrimit të pasurive të paluajtshme (ZVRPP) ose kur në zonën kadastrale përkatëse ka përfunduar periudha 90-ditore e afishimit të rezultateve të regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme, vendimi i KV-së i dërgohet për veprim ZVRPP-së së rrethit dhe për informim e evidentim seksionit të administrimit dhe mbrojtjes së tokës (SAMT) në qark.

3. Kontrollon dokumentet dhe veprimtarinë, që kanë kryer komisionet e tokës së komunave dhe/ose bashkive për zbatimin e dispozitave ligjore të ndarjes së tokës, gjatë procesit të shqyrtimit të mosmarrëveshjeve dhe të konflikteve, sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni dhe, në përfundim të këtij kontrolli, merr vendimet përkatëse për korrigjimet e nevojshme, shfuqizimin e plotë apo të pjesshëm të këtij dokumentacioni dhe krijimin e dokumentacionit të ri, në bazë të kritereve të përcaktuara në këtë ligj.

4. Dërgon në seksionin e administrimit dhe të mbrojtjes së tokës (SAMT) të qarkut autorizimin për lëshimin e akteve të marrjes së tokës në pronësi, në bazë të dokumentacionit të ri ligjor të krijuar. Procedurat e krijimit të akteve të marrjes së tokës në pronësi, që vijnë si pasojë e korrigjimeve të kryera, sipas dispozitave ligjore, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

5. Shqyrton drejtpërdrejt dhe merr vendime për konflikte dhe mosmarrëveshje ndërmjet palëve, kur për to është vendosur rishqyrtimi, në rrugë administrative, me vendim të formës së prerë të organeve gjyqësore. Në këtë rast, vendimi i KV-së është përfundimtar. Ankimimi kundër këtij vendimi mund të bëhet në gjykatën që ushtron veprimtarinë në juridiksionin ku ndodhet toka bujqësore, për të cilën ka lindur konflikti.

6. Shfuqizuar.

7. Kërkon nga kryetarët e komunave dhe/ose të bashkive, në cilësinë e ish-kryetarëve të komisioneve të tokës, nga ish-kryetarët e komisioneve të tokës në fshatra, nga SAMT-et, në këshillin e qarkut, ZVRPP-të e rrethit dhe zyra rajonale e AKKP-së dokumente dhe informacione për veprimtarinë e veprimet e kryera gjatë të gjithë periudhës së ndarjes së tokës.

8. Raporton, në mënyrë periodike, para KQT-së për përmbushjen e detyrimeve, të përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij.

 

Neni 9

Vendime të KV-së për tituj pronësie të kundërligjshme

(Ndryshuar me ligjin nr.58/2012, datë 17.5.2012)

 

1. Kur gjatë verifikimit të dokumentacionit konstatohet se titulli i pronësisë mbi tokën bujqësore është lëshuar në kundërshtim me dispozitat e përcaktuara në nenet 2, 3 dhe 4 të këtij ligji, KV-ja merr vendim për pavlefshmëri të plotë apo të pjesshme të titullit të pronësisë.

2. Nëse pavlefshmëria e pjesshme vjen si shkak i mosrespektimit të normës për frymë të fshatit dhe toka bujqësore është ende në emër të mbajtësit të parë të titullit të pronësisë, përpara marrjes së vendimit për pavlefshmëri të pjesshme, sipërfaqja shtesë i ofrohet këtij subjekti përkundrejt pagesës, e cila llogaritet sipas hartës së vlerës së tokës së AKKP-së, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Sipërfaqja e ofruar nuk duhet të kalojë 10 për qind të sipërfaqes që i takon subjektit, referuar normës për frymë të fshatit.

3. Në rast se sipërfaqja shtesë në Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) e kalon 10 për qind të sipërfaqes që i takon dhe mbajtësi i titullit ka kryer pagesën për ligjërimin e titullit të ofruar, sipas pikës 2 të këtij neni, KV-ja merr vendim për pavlefshmëri, vetëm për sipërfaqen që është më tepër se 10 për qind. Në rast se mbajtësi i titullit refuzon pagesën, atëherë KV-ja merr vendim për pavlefshmëri.

4. Procedurat e njoftimit dhe mënyra e pagesës së detyrimit financiar përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

5. Vendimet për pavlefshmëri të plotë apo të pjesshme trajtohen sipas nenit 10 të këtij ligji, përveç rastit të trajtuar në pikën 2 të këtij neni.

6. Kur mbajtësi i parë i titullit të pronësisë mbi tokën bujqësore, të lëshuar në kundërshtim me ligjin, nuk e posedon më tokën në mënyrë të plotë ose të pjesshme, si pasojë e një transaksioni apo shpronësimi për interes publik, detyrohet që, për sipërfaqen përkatëse të tokës së shitur, të kryejë pagesën e kësaj toke, vlera e së cilës llogaritet:

a) sipas metodologjisë për vlerësimin e pronës, përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, për sipërfaqet e tjetërsuara si rezultat i transaksionit;

b) vlerën e kompensuar për sipërfaqet e tjetërsuara si rezultat i shpronësimit për interes publik.

Vendimi i KV-së merret pasi të jetë vënë në dijeni mbajtësi i parë i titullit të pronësisë së kundërligjshme dhe i komunikohet atij brenda 8 ditëve. Vendimi, përveç deklarimit të pavlefshmërisë, përmban edhe detyrimin e pagesës së vlerës së tokës.

7. Të ardhurat që krijohen nga pagesa e vlerës së llogaritur të tokës, vihet në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për t’i përdorur për kompensimin financiar të pronarëve.

 

Neni 9/1

Ankimi i vendimeve të KV-ve

(Shtuar me ligjin nr.58/2012, datë 17.5.2012)

 

1. Vendimet e KV-ve për korrigjim, plotësim dhe rikonfirmim të AMTP-së, brenda 7 ditëve nga marrja e vendimit, i njoftohen subjektit të interesuar, komunës/bashkisë përkatëse, si dhe Sekretariatit Teknik të KQT-së.

2. Subjekti i interesuar dhe komuna/bashkia përkatëse, brenda 30 ditëve nga marrja dijeni e vendimit të KV-së, kanë të drejtë të paraqesin ankim ndaj këtij vendimi në KQT, duke e depozituar atë pranë KV-së. KV-ja duhet ta përcjellë ankimin në Sekretariatin Teknik, brenda 3 ditëve nga depozitimi i tij, të shoqëruar me dosjen përkatëse.

3. Nëse subjekti i interesuar dhe komuna/bashkia nuk paraqesin ankim, sipas afateve të parashikuara në pikën 2 të këtij neni, dhe Sekretariati Teknik, brenda të njëjtës periudhë, nuk ka informuar komisionin vendor për ndonjë parregullsi të vendimit, atëherë pas kalimit të afatit 30-ditor, nga data e fundit e marrjes dijeni të secilit prej subjekteve të interesuara, komunës/bashkisë dhe Sekretariatit Teknik, komisioni vendor i jep atij formën e prerë.

4. Nëse subjekti i interesuar dhe komuna/bashkia përkatëse nuk paraqesin ankim, sipas afateve të parashikuara në pikën 2 të këtij neni, por Sekretariati Teknik nuk e gjen vendimin e KV-së në përputhje me ligjin, atëherë Sekretariati Teknik, brenda 30 ditëve nga marrja dijeni, i kërkon KQT-së shfuqizimin ose korrigjimin e këtij vendimi. Sekretariati Teknik njofton KV-në për këtë kërkesë. Në këtë rast KV-ja nuk i jep vendimit formën e prerë, por njofton subjektin e interesuar apo komunën/bashkinë për kërkesën që Sekretariati Teknik ka paraqitur në KQT. KQT-ja merr vendim brenda 30 ditëve nga marrja e kërkesës së Sekretariatit Teknik.

5. Nëse subjekti i interesuar apo komuna/bashkia kanë paraqitur ankim pranë KV-së, sipas pikës 2 të këtij neni, atëherë Sekretariati Teknik, brenda 30 ditëve nga marrja e ankimit, e paraqet atë në KQT nëpërmjet një raporti shpjegues për rregullshmërinë dhe ligjshmërinë e vendimit të KV-së, duke paraqitur edhe sugjerimet konkrete për zgjidhjen e ankimit. KQT-ja merr vendim brenda 30 ditëve nga marrja e ankimit.

6. KQT-ja, pas shqyrtimit të ankimit, vendos:

a) lënien në fuqi të vendimit të KV-së dhe rrëzimin e ankimit, në rastet kur vendimi i KV-së është në përputhje me ligjin; ose

b) pranimin e ankimit, shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të tij; ose

c) pranimin e ankimit, shfuqizimin e vendimit dhe kthimin për rishqyrtim të tij pranë KV-së, duke evidentuar parregullsitë përkatëse.

7. Kundër vendimit të KQT-së mund të bëhet ankim në gjykatë, sipas afateve dhe rregullave për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative.

8. Rregullat më të hollësishme për mënyrën e veprimit të Sekretariatit Teknik dhe për shqyrtimin e ankimit nga KQT-ja përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 9/2

Hyrja në fuqi e vendimeve të KV-ve

(Shtuar me ligjin nr.58/2012, datë 17.5.2012)

 

 

Me kalimin e afatit të ankimit, të përcaktuar në pikën 2 të nenit 9/1, si dhe në rastet kur KQT-ja vendos lënien në fuqi të vendimit të KV-së dhe rrëzimin e ankimit, vendimi i KV-së hyn në fuqi.

 

 

Neni 10

Procedurat për titujt e pronësisë, të krijuar në kundërshtim me ligjin

(Ndryshuar me ligjin nr.58/2012, datë 17.5.2012)

 

1. Kur KV-ja, gjatë verifikimit të dokumentacionit dhe të vendimeve përkatëse të komisioneve të tokës, vëren se krijimi i titullit të pronësisë mbi tokën është dhënë në kundërshtim me dispozitat e përcaktuara në nenet 2, 3 e 4 të këtij ligji dhe me vendimet e tij, të marra sipas neneve 8 pikat 2 e 3 dhe 9 pikat 3 dhe 6 të këtij ligji, i paraqet gjykatës së rrethit gjyqësor përkatës një kërkesë për anulimin e aktit administrativ, Akt i Marrjes së Tokës në Pronësi.

2. Kërkesa i paraqitet subjektit përkatës nga prefekti i qarkut brenda 7 ditëve nga data e njoftimit të vendimit për paligjshmërinë e aktit të pronësisë mbi tokën bujqësore. Objekt i kërkesës së prefektit është deklarimi i pavlefshmërisë së Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi, shfuqizimi i tij dhe kthimi i pronës në pronësi të shtetit, kur ajo posedohet ende nga mbajtësi i parë i titullit, si dhe ngarkimin me detyrimin financiar, kur ky e ka tjetërsuar apo i është shpronësuar për interes publik.

3. Gjykata shqyrton kërkesën e prefektit brenda 60 ditëve, duke thirrur në proces gjyqësor edhe Avokatin e Shtetit.

Neni 10/1

Përjashtimi nga tarifa

(Shtuar me ligjin nr.58/2012, datë 17.5.2012)

 

KV-të përjashtohen nga detyrimi për pagimin e tarifave gjyqësore dhe për veprimet e shërbimet që kryhen nga administrata gjyqësore, prokuroria dhe përmbaruesi gjyqësor.

 

Neni 11

Përbërja, mënyra e funksionimit dhe detyrat e përgjegjësitë e KQT-së, të sekretariatit teknik dhe KV-së, përveç sa përcaktohen në këtë ligj, rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

KREU III

SANKSIONET

Neni 12

Ndalimi i pushtimit (zënies) të tokës

(Shfuqizuar me ligjin nr.58/2012, datë 17.5.2012)

 

 

Neni 13

Kundërvajtjet administrative

(Ndryshuar  me ligjin nr.58/2012, datë 17.5.2012)

 

1. Sipas këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative shkeljet e mëposhtme:

a) dhënia e titujve të pronësisë në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në nenin 3 të këtij ligji;

b) dhënia e titullit të pronësisë për sipërfaqe që më 1.8.1991 nuk figurojnë në regjistrat kadastralë, në zërin “Tokë bujqësore”, sipas përcaktimit të nenit 2 të këtij ligji;

c) mosdorëzimi i dokumentacionit të ndarjes së tokës në SAMT-in (Zyrën e kadastrës) e qarkut, përcaktuar në pikën 2 të nenit 17 të këtij ligji;

ç) mosveprimi në përmbushje të detyrimeve, të përcaktuara në pikën 7 të nenit 8 të këtij ligji.

2. KV-ja vendos gjobë nga 5 000 deri në 50 000 mijë lekë për kundërvajtjet administrative, të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni:

a) kundër personave fizikë ose juridikë dhe strukturave shtetërore, të ngarkuara me ligj për ndarjen e tokës, që janë shkaktare të kundërvajtjeve administrative, sipas shkronjave “a”, “b” dhe “c” të pikës 1 të këtij neni;

b) ndaj të gjitha subjekteve të përcaktuara në pikën 7 të nenit 8 të këtij ligji.

Vendimi për kundërvajtjen administrative dhe vendosjen e gjobës nënshkruhet nga drejtori i KV-së.

 

Neni 14

Ankimi

 

Kundërvajtësi, brenda 5 ditëve nga marrja e vendimit për vendosjen e gjobës nga drejtori i KV-së, mund të bëjë ankim me shkrim te prefekti, i cili shqyrton ankimin dhe brenda 10 ditëve njofton subjektin ankues.

Kundër vendimit të prefektit, subjekti ankues mund t’i drejtohet brenda 30 ditëve gjykatës së rrethit gjyqësor të qarkut.

Ekzekutimi i vendimeve kryhet sipas procedurave të përcaktuara në ligjin nr.7697, datë 7.4.1993 “Për kundërvajtjet administrative”, të ndryshuar.

 

Neni 15

(Ndryshuar fjalia e parë me ligjin nr.58/2012, datë 17.5.2012)

 

KV-të kanë detyrimin:

1. Të bëjnë kallëzim penal në organet e drejtësisë për shpërdorim të detyrës dhe shpërdorim të tokës, që ka sjellë, për pasojë, dëmtimin e rëndë të interesave të shtetit ose të shtetasve, kundër personave fizikë ose juridikë dhe strukturave shtetërore, që kanë kryer ndarjen e tokës, kur vërejnë:

a) dhënien e titujve të pronësisë (“aktit të marrjes së tokës në pronësi”) mbi sipërfaqe të tjera, që nuk janë objekt i veprimit të këtij ligji, përcaktuar në nenin 2 të tij;

b) dhënien e titujve të pronësisë (“aktit të marrjes së tokës në pronësi”) personave, që nuk përmbushin kriteret e trajtimit me tokë ose janë në kundërshtim me kriteret e përcaktuara nga ky ligj;

c) vërtetime dhe deklarata, me informacione të pasakta, të rreme ose të falsifikuara për pajisjen ose jo me tokë bujqësore për persona fizikë ose juridikë.

2. Të bëjnë kallëzim penal në organet e drejtësisë kundër personave fizikë ose juridikë, që kanë pushtuar, në çfarëdo mënyre, tokën bujqësore në pronësi të personave të tjerë ose në pronësi shtetërore dhe kanë penguar ekzekutimin e vendimeve, titull ekzekutiv, të formës së prerë të KV-së, përcaktuar në nenin 12 të këtij ligji.

 

KREU IV

DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 16

(Shtuar pika 3 me ligjin nr.58/2012, datë 17.5.2012)

 

Ngarkohet Këshilli i Ministrave:

1. Të nxjerrë akte nënligjore në zbatim të neneve 8, 9 e 11 të këtij ligji.

2. Të planifikojë financimin vjetor, si zë të veçantë, të shpenzimeve për prefekturat, Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe strukturat shtetërore të krijuara me këtë ligj.

3. Të nxjerrë aktet nënligjore brenda 2 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, bazuar në parimin e transparencës dhe të kontrollit të brendshëm administrativ, për të përcaktuar:

a) detyrat, përgjegjësitë dhe procedurat për përcaktimin përfundimtar të përdoruesve të tokave bujqësore në fshatrat e ish-kooperativave bujqësore, në komunat apo bashkitë, ku komisioni i ndarjes së tokës bujqësore nuk ka plotësuar aktet e marrjes së tokës në pronësi. Procesi duhet të sigurojë transparencë të plotë, kontroll dhe mundësi konstatimi të pavërtetësisë në çdo kohë;

b) dokumentacionin që subjekti i interesuar duhet të paraqesë, si dhe dokumentacionin dhe informacionin që duhet të kërkojë e të kontrollojë kryetari i komunës apo bashkisë, në përputhje me kërkesën që përfituesi të jetë subjekt ligjor i trajtimit me tokë bujqësore në pronësi, sipas ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”;

c) institucionet, ku zyrtarisht do të kërkohet plotësimi i kërkesave të parashikuara në pikën 1/1 të nenit 17 të këtij ligji, procedurat dhe rregullat e hollësishme të bashkëpunimit, si dhe afatet e komunikimit me këto institucione;

ç) formën e dokumentit përfundimtar të pronësisë dhe mënyrën e ruajtjes e të përcjelljes së tij pranë institucioneve që drejtojnë dhe kontrollojnë procesin, deri në dërgimin e tij për regjistrim në ZVRPP.

 

 

Neni 17

(Ndryshuar me ligjin nr.58/2012, datë 17.5.2012; ligjin nr.172/2014, datë 18.12.2014; ligjin nr.62/2016, datë 2.6.2016)

 

1. Procedura e ndarjes së tokës bujqësore në pronësi, sipas dispozitave të ligjit nr.7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, të ndryshuar, rindarja e tokës sipas nenit 5 të ligjit nr.8312, datë 26.3.1998 “Për tokat bujqësore të pandara”, si dhe krijimi i titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore përfundojnë në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, me përjashtim të rasteve të parashikuara në pikat 3, 4, 5 të nenit 8 të këtij ligji.

1/1. Ngarkohet kryetari i komunës dhe bashkisë, që, për rastet kur komisioni i ndarjes së tokës nuk ka plotësuar aktet e marrjes së tokës bujqësore në pronësi, në fshatrat e ish-kooperativave bujqësore, t’i plotësojnë ato për familjet bujqësore ose individët që janë subjekte ligjore të trajtimit me tokë bujqësore në pronësi, sipas ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, dhe që faktikisht e përdorin tokën bujqësore, duke respektuar këto rregulla:

a) AMTP-ja nuk plotësohet në qoftë se:

i) toka bujqësore rezulton e regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme si pronë private;

ii) toka bujqësore rezulton e përfshirë në procesin e legalizimeve, sipas ligjit nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar;

iii) toka bujqësore është dhënë në pronësi nëpërmjet AMTP-së, të lëshuar deri në datën 15.8.2008 nga komisionet e ndarjes së tokës, pavarësisht nëse është regjistruar ose jo në regjistrin e pasurive të paluajtshme;

iv) toka bujqësore është objekt i një konflikti gjyqësor dhe komuna apo bashkia është vënë në dijeni zyrtarisht nga gjykata.

v) toka bujqësore, me vendim të Këshillit të Ministrave, ka kaluar në fondin e kompensimit fizik dhe është vënë në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

b) Institucioni i ngarkuar për lëshimin e AMTP-së, në asnjë rast nuk jep dokumentin e pronësisë, nëse nuk ka marrë përgjigje zyrtare nga të gjitha institucionet e ngarkuara, sipas kërkesave të përcaktuara në nënndarjet “i” dhe “ii” të pikës 1/1 shkronja “a” të këtij neni. Vlerësimi bëhet në datën e përpilimit të përgjigjes nga institucioni përkatës.

c) Përdorues të tokës bujqësore, në kuptim të këtij ligji, konsiderohen familjet bujqësore apo individët që kanë qenë banorë të komunës apo bashkisë në datën 1.8.1991 dhe që faktikisht e përdorin tokën bujqësore.

ç) Kryetarët e fshatrave, kryesitë e tyre, kryetari i komunës/bashkisë dhe administrata e tij, evidentojnë, përcaktojnë e saktësojnë se cilët janë përdoruesit e tokës bujqësore, vendndodhjen e saj, sipërfaqen dhe kufitarët për çdo përdorues.

Përcaktimi i përdoruesve të tokës bujqësore për çdo fshat në komunë/bashki bëhet me vendim të këshillit komunal/bashkiak, të marrë në përputhje me pikën 4 të nenit 33 të ligjit nr. 8652, datë 31.7.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, i cili përbën aktin administrativ përfundimtar për përcaktimin e përdoruesve të tokës bujqësore për çdo fshat.

Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi në asnjë rast nuk mund të plotësohet për familjet bujqësore apo individët që nuk figurojnë në vendimin e mësipërm të këshillit të komunës apo bashkisë. Personat e evidentuar si përdorues, sipas procedurës dhe sasisë së sipërfaqes së sipërpërmendur, pajisen me aktin e marrjes së tokës në pronësi vetëm nëse plotësojnë kushtet, kriteret dhe procedurat e përcaktuara në këtë ligj.

d) Ngarkohet kryetari i komunës/bashkisë për kryerjen e procedurave për pajisjen e subjekteve me akte të marrjes së tokës në pronësi, sipas kërkesave, kritereve dhe kushteve të përcaktuara në këtë ligj. Kjo procedurë fillon vetëm pasi:

i) është marrë vendimi i këshillit komunal/bashkiak, që përcakton përdoruesit e tokës bujqësore;

ii) vendimi i këshillit komunal/bashkiak është përcjellë zyrtarisht pranë institucioneve që merren me drejtimin dhe kontrollin e procesit të verifikimit të vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, si:

- Komisioni Qeveritar i Tokës dhe Sekretariati Teknik pranë tij;

- komisioni vendor i verifikimit të titujve të pronësisë pranë prefektit të qarkut;

- drejtoria e administrimit dhe mbrojtjes së tokës pranë këshillit të qarkut;

- Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

dh) Për çdo rast të mospranimit të marrjes së AMTP-së nga familjet bujqësore ose individët mbahet procesverbal për refuzim toke. Ky veprim kryhet pasi të jenë zbatuar procedurat e njoftimit, sipas Kodit të Procedurave Administrative.

e) Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore raporton çdo muaj për ecurinë e kryerjes së këtij procesi, si dhe në përfundim të tij te prefekti i qarkut. Afati i plotësimit të AMTP-ve përfundon në datën 31 dhjetor 2017. Nëse njësitë e qeverisjes vendore nuk përfundojnë procedurat për pajisjen e subjekteve me akte të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, brenda këtij afati dhe në përputhje me kriteret e parashikuara në këtë ligj, përfituesve, sipas këtij ligji, u lind e drejta t’i drejtohen gjykatës. Në rastet kur subjekti kërkon dhe gjykata konstaton se organet e njësive të qeverisjes vendore nuk kanë pajisur me aktin e marrjes së tokës në pronësi subjektin përkatës, si rezultat i shkeljes me faj të dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, gjykata vendos dënimin administrativ me gjobë të këtyre organeve në masën nga 50 000 – 100 000 lekë, në përputhje me ligjin që rregullon kundërvajtjet administrative.

2. Në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, komisionet e tokës, të krijuara në bazë të nenit 7 të ligjit nr. 7501 “Për tokën”, të ndryshuar, mbarojnë funksionimin dhe veprimtarinë e tyre për ndarjen e tokës.

Këto komisione e dorëzojnë të gjithë dokumentacionin ekzistues të ndarjes së tokës në SAMT-in në qark.

3. Të gjitha ankesat dhe kërkesat me shkrim të personave fizikë dhe juridikë, që janë bërë dhe regjistruar pranë komisioneve të tokës së komunave dhe/ose bashkive dhe komisioneve të tokës së këshillave të qarqeve, për të cilat nuk janë përfunduar procedurat e shqyrtimit dhe të marrjes së vendimeve përkatëse, i kalojnë KV-së me procesverbal brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

 

 

Neni 18

(Ndryshuar me ligjin nr.58/2012, datë 17.5.2012; ligjin nr.176/2013, datë 16.12.2013; ligjin nr.62/2016, datë 2.6.2016)

 

Verifikimi i titujve të pronësisë, sipas dispozitave të këtij ligji, përfundon më 31 dhjetor 2017.

 

 

Neni 18/1

(Shtuar me ligjin nr.10136, datë 11.5.2009)

 

Afati i përcaktuar në pikën 6 të nenit 8 shtyhet edhe 6 muaj nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

 

Neni 19

(Shtuar me ligjin nr.172/2014, datë 18.12.2014)

 

Vendimet e këshillave të komunave/bashkive dhe dokumentacioni i pronësisë mbi tokën bujqësore, i plotësuar në përputhje me përcaktimet e ligjit nr. 9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar, në periudhën nga data 31 dhjetor 2013 deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji konsiderohen të vlefshme.

 

 

Neni 19

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

Shpallur me dekretin nr.5826, datë 29.7.2008 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi

 

 

 


[1] Ligji nr. 9948, datë 7.7.2008 është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 122/2008.

Ligji nr.10136, datë 11.5.2009  është botuar në Fletoren Zyrtare nr.86/2009.

Akt Normativ nr.5, datë 30.9.2009 është botuar në Fletoren Zyrtare nr.143/2009.

Ligji nr.58/2012, datë 17.5.2012  është botuar në Fletoren Zyrtare nr.66/2012.

Ligji nr.176/2013, datë 16.12.2013 është botuar në Fletoren Zyrtare nr.209/2013.

Ligji nr.172/2014, datë 18.12.2014 është botuar në Fletoren Zyrtare nr.203/2014.

Ligji nr.62/2016, datë 2.6.2016 është botuar në Fletoren Zyrtare nr.115/2016.

 

FacebookTwitterGoogle+Share

Comments

comments

Share →