LIGJ

Nr.9693, datë 19.3.2007

PËR FONDIN KULLOSOR[1]

(i përditësuar)

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

 

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

 Shkarkoje te plote ne PDF_1

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Qëllimi i ligjit

 

Qëllimi i këtij ligji është të sigurojë trajtimin bashkëkohor të kullotave dhe livadheve, përcaktimin e aftësisë mbajtëse dhe ruajtjen e ekuilibrit ekologjik të fondit kullosor, nëpërmjet unifikimit të kërkesave dhe rregullave, që kanë të bëjnë me marrëdhëniet, detyrat, të drejtat dhe përgjegjësitë e institucioneve shtetërore, qendrore dhe vendore, të organeve të specializuara kërkimore-shkencore, pronarëve privatë dhe të biznesit.

Neni 2

Fusha e zbatimit

 

1. Dispozitat e këtij ligji zbatohen për të gjitha kullotat e livadhet dhe për sipërfaqet me drurë e shkurre, që përdoren për kullotë, pavarësisht nga lloji dhe format e pronësisë së tyre.

2. Nuk janë objekt i këtij ligji tokat bujqësore, arat, kopshtet frutore, pyjet, edhe pse mund të përdoren për kullotje të bagëtive apo për kositje bari.

 

Neni 3

Përkufizime

 

Në këtë ligj, termat e mposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Kullotë” është sipërfaqe toke, më e madhe se 0,5 ha, me bimësi barishtore natyrore të dendur, në formë të qëndrueshme ose me bimësi tjetër, që plotëson kërkesat për kullotje, së bashku me infrastrukturën përkatëse.

2. “Livadh” është sipërfaqe toke, homogjene, e mbuluar me bar, i cili mund të kositet për t’u përdorur për blegtorinë, ose që përdoret për kullotje e që nuk i përket fondit të tokës bujqësore.

3. “Ekonomi kullosore” është territori i ndarë në ngastra e nënngastra, që shërben si element bazë për organizimin, planifikimin dhe monitorimin e objektivave të mbarështimit të kullotës.

4. “Ngastër” e “nënngastër” janë pjesë të sipërfaqes së ekonomisë kullosore, që shërbejnë si njësi bazë për planifikimin e aftësive mbajtëse të saj, për vlerësimin e kullotës dhe mënyrën e trajtimit, në përputhje me objektivat e mbarështimit të kullotës.

5. “Burime kullosore” është tërësia e elementeve natyrore të sipërfaqes së kullotës, të vlerësueshme e të përdorshme për kullotë. Në fondin kullosor, si burime natyrore përfshihen toka, uji, bimësia barishtore, bimësia pyjore e jopyjore.

6. “Fond kullosor” është sipërfaqja e kullotave dhe e livadheve natyrore, shtetërore, bashkiake dhe private, infrastrukturat e tyre, sipërfaqet e fondit pyjor me drurë e shkurre, që përdoren si kullota, përfshirë edhe sipërfaqet e zhveshura shkëmbore në brendësi të tyre.

7. “Ekosistem kullosor” është kompleksi dinamik jetësor, bimë, kafshë, mikrobe dhe mjedisi jo i gjallë, që ndërvepron si njësi funksionale.

8. “Infrastrukturë kullosore” janë zyrat, rrjeti rrugor, lerat, koritat, çezmat, rrethimet e gardhimet, tabelat, shenjat e ndryshme treguese e sinjalizuese, si dhe ngrehinat e tjera, të ngritura në fondin kullosor shtetëror, bashkiak e privat, për vendosjen e fermave gjatë sezonit kullosor.

9. “Regjistër i fondit kullosor” është regjistri zyrtar, ku regjistrohen, ruhen e përditësohen të dhënat kryesore për çdo njësi të ekonomisë kullosore apo ndryshimet periodike të sipërfaqes, kapacitetit mbajtës, shoqëruar me hartat përkatëse.

10. “Trajtim i kullotave” janë operacionet teknike, që kryhen në kullotat, që kanë si qëllim shtimin e sipërfaqeve të dobishme, rritjen e kapaciteteve mbajtëse dhe vazhdimësinë e rigjenerimit natyror të tyre.

1l. “Dëmtim i kullotave dhe i mjedisit kullosor” është prishja e elementeve fizike, kimike e strukturore të ekosistemit kullosor, që ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e prodhimtarisë, pakësimin e shumëllojshmërisë barishtore apo cilësinë e tyre.

12. “Mbarështim kullote” është mënyra e drejtimit dhe e planifikimit, në nivel ekonomie, që siguron përmbushjen e kërkesave për administrimin teknik të kullotave, duke ruajtur integritetin ekologjik, ekonomik e shoqëror për çdo njësi mbarështimi.

13. “Mbrojtje e kullotave” janë veprimtaritë, që parandalojnë degradimin e tokës e të mbulesës bimore, ruajnë dhe përmirësojnë kullotat dhe infrastrukturën e tyre nga ndikimet negative të faktorëve njerëzorë e natyrorë.

14. “Plan mbarështimi” është dokumenti themelor për menaxhimin e kullotave, i cili përmban njësitë e ekonomisë, që shërbejnë për marrjen e të dhënave për tokën, zonalitetin klimatik, faunën, biodiversitetin, mbulesën barishtore etj., si dhe masat që parashikohen për administrimin dhe trajtimin e qëndrueshëm të ekonomisë kullosore, organizimin, planifikimin e punimeve dhe përcaktimin e kapaciteteve kullosore.

15. “Ministria” është ministria përgjegjëse për kullotat e livadhet.

16. “Ministër” është autoriteti përgjegjës për kullotat e livadhet.

 

KREU II

FONDI KULLOSOR

 

Neni 4

Përbërja

 

1. Fondi dhe burimet kullosore përmbledhin:

a) kullotat dhe livadhet;

b) sipërfaqet pyjore me drurë e shkurre, që shërbejnë si kullota;

c) bimësinë barishtore, drurët, shkurret e bimët mjekësore, eterovajore e tanifere, natyrore, që rriten në kullota e livadhe;

ç) infrastrukturën e kullotave;

d) sipërfaqet shkëmbore apo moçalore në përbërje të kullotave.

2. Fondi kullosor është burim natyror dhe pjesë e pasurisë kombëtare. Ai mbrohet, administrohet dhe përdoret sipas kërkesave të këtij ligji e të akteve nënligjore, të dala në zbatim të tij.

 

Neni 5

Pronësia

(ndryshuar pika 1, me ligjin nr. 49/2016, datë 5.5.2016)

 

1. Fondi kullosor, sipas pronësisë, ndahet në:

a) fond kullosor shtetëror, që përmbledh kullotat dhe livadhet në pronësi të bashkisë, në territorin administrativ të së cilës ndodhen;

b) fond kullosor privat, që përmbledh kullotat dhe livadhet në pronësi private.

2. Në fondin kullosor shtetëror bëjnë pjesë:

a) kullotat dhe livadhet në administrim të ministrisë;

b) kullotat dhe livadhet në administrim të bashkive dhe atyre kolektive.

3. Pronarët privatë i gëzojnë të drejtat mbi kullotat e livadhet, që kanë në pronësi, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

Neni 6

Klasifikimi

 

1. Sipas kohës së përdorimit, kullotat, livadhet dhe sipërfaqet me drurë e shkurre ose me bimësi pyjore, që përdoren për kullotje, klasifikohen në kullota verore dhe kullota dimërore.

2. Klasifikimi i tyre bëhet në përputhje me kriteret teknike të miratuara nga ministri.

 

Neni 7

Inventarizimi

(ndryshuar pika 2, me ligjin nr. 49/2016, datë 5.5.2016)

 

1. Kullotat e livadhet inventarizohen çdo 10 vjet, sipas kritereve dhe rregullave të përcaktuara në udhëzimin e ministrit.

2. Bashkitë dhe pronarët privatë të kullotave e livadheve i japin ministrisë përgjegjëse për kullotat dhe livadhet të dhëna të nevojshme për inventarizimin e kullotave që zotërojnë, në përputhje me kërkesat e udhëzimit të përmendur në pikën 1 të këtij neni.

 

Neni 8

Regjistrimi

 

1. Kullotat dhe livadhet shtetërore, së bashku me infrastrukturën e tyre, regjistrohen në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

2. Ngarkohen ministria dhe bashkitë  përkatëse që, brenda dy vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të përfundojnë regjistrimin e kullotave e të livadheve, që kanë në zotërim, në përputhje me dispozitat e ligjit nr. 8743, datë 22.2.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit” .

 

Neni 9

Regjistri i fondit kullosor

 

1. Kullotat dhe livadhet regjistrohen duke u shënuar në regjistrin zyrtar të fondit kullosor, ku hidhen edhe të dhënat e kërkuara, sipas kritereve e rregullave të miratuara.

2. Rregullat për mbajtjen e regjistrit të fondit kullosor, për regjistrimin, përditësimin dhe ndryshimet e gjendjes së kullotave e livadheve, miratohen nga ministri.

3. Regjistri i fondit kullosor krijon bazën e të dhënave për kullotat e livadhet në shkallë vendi, qarku, rrethi, bashkie dhe për çdo ekonomi kullosore.

4. Ministria, në bazë të regjistrit të fondit kullosor, përgatit dhe shpall çdo vit të dhënat për kullotat e livadhet.

5. Sipërfaqet me drurë e shkurre dhe me bimësi pyjore, të cilat, në përputhje me objektivat e planit të mbarështimit të pyjeve, përdoren për kullotë, bëjnë pjesë në fondin kullosor, për efekt të mënyrës së përdorimit, por nuk regjistrohen në regjistrin e fondit kullosor si të tilla.

 

Neni 10

Ndryshimi i destinacionit

(ndryshuar pika 2 dhe shtuar pika 2/1 dhe 2/2,  me ligjin nr. 14/2012, datë 16.2.2012)

 

1. Heqja e një kullote apo livadhi nga fondi kullosor ose ndryshimi i destinacionit për një sipërfaqe kullote bëhet:

a) për sipërfaqe deri në 1 ha, me miratimin e ministrit;

b) për sipërfaqe mbi 1 ha, me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Pjesë të fondit kullosor kombëtar kthehen në kategorinë e resursit të tokës bujqësore me kërkesën e pronarit apo bashkisë i cili e ka në pronësi këtë fond. Ndryshimi i formës së përdorimit të fondit kullosor në kategorinë e resursit të tokës bujqësore, pavarësisht nga madhësia e sipërfaqes, bëhet vetëm për mbjelljen e këtyre sipërfaqeve me kultura të drurëve, të cilët janë pjesë e programeve dhe politikave parësore shtetërore afatgjata.

2/1. Kërkesa për kalimin e pjesëve të fondit kullosor në kategorinë e resursit të tokës bujqësore paraqitet në bashkinë, në territorin e së cilës ndodhet fondi kullosor, që shqyrtohet sipas përcaktimeve të ligjit nr. 8752,  datë 26.3.2001 “Për krijimin dhe funksionet e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar.

2/2. Kalimi i resursit të tokës së pafrytshme, që është në pronësi private apo të bashkive, në fond kullosor (kullotë, livadh), dhe regjistrimi në kadastrën kombëtare të fondit kullosor bëhen me kërkesë të pronarit apo bashkisë. Kërkesa paraqitet pranë ministrisë që mbulon pyjet dhe miratohet nga ministri përkatës.

3. Heqja, shtimi dhe ndryshimi i destinacionit të kullotave dhe livadheve, pas miratimit të organit kompetent, pasqyrohen në regjistrin e fondit kullosor.

4. Rregullat dhe procedurat, që ndiqen për heqjen, shtimin dhe ndryshimin e destinacionit, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

KREU III

RUAJTJA, TRAJTIMI DHE PËRDORIMI

Neni 11

Synimet

 

Ruajtja, trajtimi e përdorimi i kullotave dhe livadheve realizohen duke zbatuar kërkesat e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm dhe synojnë:

a) ruajtjen dhe shtimin e vazhdueshëm të burimeve natyrore të kullotave e livadheve;

b) ruajtjen e një mjedisi të shëndetshëm dhe gjallërinë e ekosistemeve natyrore kullosore;

c) përmirësimin dhe nxitjen e aftësive prodhuese të kullotave e livadheve;

ç) ruajtjen dhe përmirësimin e vazhdueshëm të diversitetit biologjik të ekosistemeve kullosore;

d) përmirësimin e mënyrave të mbarështimit të kullotave, në mënyrë të veçantë për parandalimin e gërryerjes dhe të degradimit të tokës;

dh) nxitjen e shërbimeve të tjera socialekonomike dhe sigurimin e përfitimeve të shumëfishta për shoqërinë.

 

Neni 12

Strategjia dhe plani i veprimit

 

1. Strategjia dhe plani i veprimit për kullotat e livadhet janë dokumente shtetërore, që shprehin politikën e shtetit shqiptar për të sotmen dhe ardhmërinë e kullotave, ku mbështeten të gjitha veprimtaritë për ruajtjen, trajtimin dhe përdorimin e fondit kullosor.

2. Strategjia hartohet për një periudhë 10-vjeçare. Planet e veprimit, në zbatim të kërkesave të strategjisë, hartohen e zbatohen për periudha deri 3-vjeçare.

3. Strategjia e fondit kullosor pasqyron:

a) politikat për ruajtjen e mjedisit natyror të kullotave;

b) masat për rritjen e aftësive e të kapaciteteve kullosore;

c) zgjerimin e mundësive për rritjen e investimeve publike e private në kullota e livadhe dhe angazhimin e bizneseve në to;

ç) promovimin e zgjidhjeve e të rrugëve të reja, për një trajtim bashkëkohor të kullotave dhe për përdorimin racional të tyre.

 

Neni 13

Hartimi dhe miratimi i strategjisë dhe i planit të veprimit

 

Strategjia dhe plani i veprimit hartohen nga ministria, në bashkëpunim me ministritë e linjës dhe me bashkitë dhe miratohen nga Këshilli i Ministrave.

 

Neni 14

Planet e mbarështimit

(ndryshuar pika 5, me ligjin nr. 49/2016, datë 5.5.2016)

 

1. Kullotat dhe livadhet trajtohen dhe përdoren në përputhje me planet e mbarështimit dhe të inventarizimit.

2. Planet e mbarështimit hartohen nga strukturat përkatëse të pyjeve dhe kullotave, njësitë e qeverisjes vendore, pronarët privatë dhe miratohen nga drejtoria që mbulon kullotat në ministri.

3. Planet e mbarështimit përmbajnë, të paktën:

a) kufijtë dhe ndarjen në njësi të ekonomisë, që shërbejnë për marrjen e të dhënave për tokën, zonalitetin klimatik, faunën, biodiversitetin dhe mbulesën barishtore;

b) masat, që parashikohen për administrimin dhe trajtimin e qëndrueshëm të ekonomisë kullosore;

c) organizimin, planifikimin e punimeve dhe rritjen e kapaciteteve kullosore;

ç) veprimtaritë e ndryshme, që mund të ushtrohen në kullotë e livadh;

hartografinë dixhitale dhe bazën e të dhënave;

dh) analizën ekonomike;

e) numrin e krerëve, sipas llojit të blegtorisë, që mendohet të mbahet në kullotën e parashikuar.

4. Planet e mbarështimit hartohen për një periudhë 10-vjeçare.

5. Planet e mbarështimit të kullotave, para se të miratohen nga ministri përgjegjës për kullotat dhe livadhet, shqyrtohen nga një komision teknik, në përbërje të të cilit është edhe një përfaqësues i bashkisë. Komisioni ngrihet me urdhër të ministrit.

6. Ministri miraton rregulloren e organizimit e të funksionimit të komisionit.

 

Neni 15

Përdorimi për kullotje

(shtuar pika 3/1, ndryshuar pika 6, me ligjin nr.10 137, datë 11.5.2009)

 

1. Kullotat dhe livadhet shtetërore jepen në përdorim për kullotjen e bagëtive ose për kositje të barit, përkundrejt tarifave të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Për përdorim të përkohshëm kullosor, ato u jepen personave fizikë e juridikë për një periudhë kohe deri në 3 vjet. Kur personi fizik ose juridik synon të bëjë investime për përmirësimin e kullotës apo të infrastrukturës së saj, sipas një plani mbarështimi të miratuar nga drejtoria që mbulon kullotat, marrja në përdorim mund të zgjatet deri në 10 vjet, me kusht që investimet e planifikuara të realizohen.

3. Dhënia në përdorim për kullotje bëhet në përputhje me aftësitë mbajtëse kullosore, të përcaktuara në planin e mbarështimit për çdo ngastër ose nënngastër.

3/1. Dhënia në përdorim për kullotje, nëse është kompetencë e institucioneve qendrore, përfshihet në kategorinë III.4, të shtojcës së ligjit për licencat dhe miratohet sipas dispozitave të parashikuara në këtë nen dhe në nenet në vijim të këtij ligji.

4. Dhënia për kullotje e kullotave dhe e livadheve bëhet në bazë të një kontrate, që lidhet ndërmjet strukturës përgjegjëse përkatëse për pyjet dhe kullotat në bashki dhe kërkuesit.

5. Personi fizik ose juridik, që ka marrë kullotë apo livadh për kullotje ose kositje, nuk mund ta japë atë apo pjesë të saj tek të tretë me nënkontratë.

6. Rregullat e hollësishme për dhënien në përdorim të kullotave apo livadheve për kullotje ose kositje miratohen nga Këshilli i Ministrave.

 

Neni 16

Përjashtimi nga kullotja

 

1. Përjashtohen përkohësisht nga kullotja:

a) ngastrat eksperimentale të kullotave dhe livadheve;

b) ngastrat, ku kryhen punime përmirësuese;

c) ngastrat e degraduara.

2. Përjashtimi bëhet me urdhër të ministrit, ku specifikohen ngastrat, sipas të dhënave të regjistrit të fondit kullosor, si dhe shënohet periudha e përjashtimit.

 

Neni 17

Përdorimi i sipërfaqes dhe i tokës

(shtuar pika 3/1, ndryshuar pika 4, me ligjin nr.10 137, datë 11.5.2009)

 

1. Dhënia në përdorim e sipërfaqes së kullotave dhe livadheve, në radhë të parë, lejohet për ndërtime të përkohshme, si depo e qendra të staneve, qendra të përpunimit të bulmetit, për mullinj, për shtëpi të përkohshme verimi për blegtorët, gjithnjë në përputhje me funksionin themelor të saj si kullotë.

2. Personi fizik apo juridik, që merr kullotën për kullotje, sipas nenit 15 të këtij ligji, merr për objektet, që do të ndërtojë në sipërfaqen e marrë, edhe miratimin nga struktura përgjegjëse përkatëse për pyjet dhe kullotat në bashki. Për kullotat bashkiake miratimi jepet nga bashkia.

3. Sipërfaqe të caktuara dhe toka të fondit kullosor, pronë shtetërore, mund të jepen në përdorim, për të zhvilluar në to veprimtari shoqërore, shëndetësore, sportive e turistike, vetëm kur:

a) veprimtaria është parashikuar në planin e mbarështimit të kullotës apo livadhit, ose kur nuk bie në kundërshtim me synimet e kërkesat e këtij plani;

b) ushtrimi i veprimtarisë nuk e dëmton mjedisin rrethues dhe nuk ka pasoja të vazhdueshme negative mbi të;

c) subjekti realizon, në vijimësi dhe përfundimisht, rehabilitimin e sipërfaqes së marrë në përdorim, në përputhje me planin e rehabilitimit, të hartuar prej tij e të miratuar nga struktura përgjegjëse përkatëse për pyjet dhe kullotat në bashki.

3/1. Dhënia në përdorim sipas pikës 1 të këtij neni, nëse është kompetencë e institucioneve qendrore, përfshihet në kategorinë III.4, të shtojcës së ligjit për licencat dhe bëhet sipas ligjit për licencat ose sipas dispozitave të parashikuara në këtë nen dhe në nenet në vijim të këtij ligji. Këshilli i Ministrave vendos për përdorimin e njërës nga këto dy mënyra, sipas ndarjes në nënkategori.

4. Procedurat e dhënies në përdorim të sipërfaqes së kullotës, sipas pikës 2 të këtij neni, miratohen nga Këshilli i Ministrave.

5. Personi fizik apo juridik paguan për sipërfaqen që merr në përdorim tarifën vjetore të përdorimit. Vlera e tarifave përllogaritet sipas llojit të veprimtarisë, kohëzgjatjes së saj dhe sipërfaqes së zënë. Tarifat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

6. Kur veprimtaritë, që kërkojnë të ushtrohen, sipas pikës 3 të këtij neni, janë të përhershme apo afatgjata, si poligone ushtarake, miniera, pika të përhershme turistike, llixha e pika kurative, pista e stacione skish, subjekti kërkues zbaton procedurat për heqjen e kësaj sipërfaqeje nga fondi kullosor.

 

Neni 18

(ndryshuar me ligjin nr.9996, datë 22.9.2008)

 

1. Subjektet, që kërkojnë të ushtrojnë veprimtari në fondin kullosor, sipas nenit 17 pika 3 të këtij ligji, u nënshtrohen procedurave të konkurrimit publik, i cili organizohet nga drejtoria përkatëse e shërbimit pyjor ose, për kullotat bashkiake, nga njësia e qeverisjes vendore. Me subjektin fitues lidhet kontrata, ku përcaktohen kërkesat dhe kushtet, që duhen zbatuar gjatë ndërtimit dhe ushtrimit të veprimtarisë.

2. Kërkesat  që  duhet të plotësojnë  subjektet, për pjesëmarrjen në  konkurrimin publik, miratohen me udhëzim të ministrit.

 

 

Neni 19

Rehabilitimi

 

1. Subjektet, që ushtrojnë veprimtari në fondin kullosor, kanë detyrimin të rehabilitojnë sipërfaqen e përdorur, sipas një plani rehabilitues të hartuar nga subjekti e të miratuar nga struktura përgjegjëse përkatëse për pyjet dhe kullotat në bashki.

2. Ministri miraton udhëzimin për rehabilitimin e sipërfaqeve kullosore.

 

Neni 20

Ngastrat eksperimentale

 

Ngastrat e kullotave dhe të livadheve, të caktuara për konservimin e germoplazmës, in situ dhe ex situ, për grumbullimin, përpunimin, shpërndarjen dhe certifikimin e farnave, përcaktohen dhe mbahen në administrim nga strukturat menaxhuese të kullotave, në bashkëpunim me organet e specializuara kërkimore-shkencore përkatëse.

 

 

Neni 21

Bimët mjekësore

 

Vjelja e bimëve mjekësore, që rriten në kullota e livadhe, bëhet nga persona fizikë dhe juridikë, në përputhje me dispozitat e ligjit nr.7722, datë 15.6.1993 “Për mbrojtjen e bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore” .

KREU IV

PARANDALIMI I DËMTIMEVE

Neni 22

Djegia

 

1. Djegia e kullotave dhe livadheve nga pronari, nga përdoruesi apo nga persona të tjerë është e ndaluar dhe ndëshkohet, sipas rastit, nëse është kundërvajtje administrative, në përputhje me dispozitat e këtij ligji ose, nëse përbën vepër penale, në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit Penal.

2. Djegia e kullotës apo livadhit mund të lejohet vetëm në raste të veçanta dhe me miratimin e struktursës përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në bashki, në territorin e së cilës ndodhet.

3. Struktura përgjegjëse për pyjet dhe kullotat në bashki, për djegien e kullotës, jep miratim me shkrim, në përputhje me udhëzimin e ministrit, ku përcaktohen rregullat dhe procedurat e këtij veprimi.

4. Në rast zjarri në kullota dhe livadhe, drejtoria që mbulon kullotat në ministri, bashki, pronarët privatë, Forcat e Armatosura e çdo shtetas, që ndodhet në afërsi, njoftojnë organet e mbrojtjes nga zjarri (MNZ), organet e shërbimit pyjor e të pushtetit vendor, si dhe marrin pjesë për shuarjen e tij. Shpenzimet për shuarjen e tij i ngarkohen personit që ka vënë zjarrin ose përballohen nga pronari, kur zjarri ka ndodhur për shkaqe natyrore.

 

Neni 23

Veprime të ndaluara

 

1. Në fondin kullosor ndalohet çdo veprim, që dëmton mbulesën barishtore e shkurrore të kullotave, që shkakton ndotjen e mjedisit dhe prish ekuilibrin ekologjik të tyre. Veprime të tilla janë:

a) hedhja dhe depozitimi i lëndëve e i mbetjeve radioaktive;

b) hedhja dhe depozitimi i mbetjeve të çdo lloji;

c) shkarkimet e kimikateve nga industritë kimike;

ç) shkarkimet e ujërave të ndotura industriale, urbane e bujqësore;

d) veprimtaritë, që shkaktojnë gërryerjen dhe degradimin e tokës;

dh) hapja dhe shfrytëzimi i guroreve ose i karrierave të çdo lloji, që përdorin lëndë plasëse;

e) ndryshimi i destinacionit të përdorimit të ujit për pirje nga blegtoria.

2. Mund të ushtrohen me miratim paraprak të organeve përkatëse dhe nën kontrollin e tyre:

a) ndërhyrjet për pasurimin dhe përmirësimin e bimësisë dhe të kapacitetit të kullotave e livadheve;

b) ndërhyrjet për pasurimin dhe përmirësimin e infrastrukturës në tërësi apo të veprave të veçanta të saj;

c) përdorimi i plehrave kimike dhe i pesticideve;

ç) prerja e pemëve, e drurëve dhe e shkurreve;

d) pastrimi i kullotave dhe i livadheve.

 

KREU V

ADMINISTRIMI I FONDIT KULLOSOR

Neni 24

Ministria përgjegjëse për kullotat dhe livadhet

(ndryshuar me ligjin nr. 49/2016, datë 5.5.2016)

 

 

1. Ministria është organi qendror përgjegjës për mbrojtjen dhe miradministrimin e fondit kullosor, pjesë e zonave të mbrojtura.

2. Ministria është organi qendror përgjegjës për hartimin e politikave dhe kuadrit ligjor, me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm të fondit kullosor. Ajo drejton dhe organizon:

a) hartimin e politikave, të strategjive, planeve të veprimit e të mbarështimit në nivel kombëtar, për zhvillimin dhe menaxhimin e integruar të kullotave e livadheve, ruajtjen e mjedisit, të ekui-librit biologjik dhe të biodiversitetit në fondin kullosor;

b) sigurimin e zbatimit të kërkesave të këtij ligji e të akteve nënligjore të dala në zbatim të tij;

c) hartimin e programeve studimore dhe kryerjen e veprimtarive kërkimore-shkencore, në bashkëpunim me organet e specializuara kërkimore-shkencore e me departamentet e Universitetit Bujqësor;

ç) planifikimin dhe përdorimin e fondeve për studime në ekonomitë kullosore, për vlerësimin dhe rritjen e aftësisë mbajtëse të kullotave dhe livadheve, si dhe për kryerjen e punimeve e të ndërtimeve në to, sipas projekteve, në nivel kombëtar;

d) punën për përcaktimin e ekonomive kullosore dhe ndarjen e tyre në ngastra e nënngastra;

dh) zgjerimin e mundësive për rritjen e investimeve private në kullota e livadhe dhe anga-zhimin e bizneseve në to;

e) promovimin e zgjidhjeve e të rrugëve të reja, për trajtim bashkëkohor të kullotave, për rritjen e përdorimit racional të tyre.”.

Neni 25

Certifikimi i ekspertëve dhe licencimi i tyre

(ndryshuar me ligjin nr.10 137, datë 11.5.2009)

 

1. Për të siguruar asistencë të kualifikuar për hartimin e planeve të mbarështimit, të ekspertizave, të projekteve operacionale dhe zbatimin e tyre në kullotat shtetërore dhe private, ministri, që mbulon fondin kullosor, certifikon ekspertë në fushën e kullotave dhe të livadheve.

2. Kur këto veprimtari kryhen nga subjekte juridike ose fizike, tregtare, i nënshtrohen licencimit dhe përfshihen në kategorinë III.7, të shtojcës së ligjit për licencat. Licencimi i këtyre veprimtarive bëhet sipas ligjit për licencat”.

3. Këshilli i Ministrave miraton kriteret, rregullat dhe procedurat për certifikimin e ekspertëve dhe licencimin në fushën e kullotave dhe të livadheve.

 

Neni 26

Kompetencat e bashkive dhe të pronarëve privatë

(ndryshuar me ligjin nr. 49/2016, datë 5.5.2016)

 

 

Bashkitë janë pronarë të kullotave shtetërore që gjenden brenda territorit administrativ të tyre. Bashkitë dhe pronarët privatë, që zotërojnë kullota dhe livadhe, kanë këto kompetenca:

a) ruajnë, administrojnë dhe i përdorin kullotat dhe livadhet, në përputhje me kërkesat e këtij ligji e të akteve nënligjore, të dala në zbatim të tij;

b) hartojnë, me shpenzimet e veta, planet e mbarështimit të kullotës apo livadhit, të cilat miratohen nga ministri përgjegjës për kullotat dhe livadhet;

c) marrin masa për parandalimin e zjarreve dhe për shuarjen e tyre;

ç) raportojnë në ministrinë përgjegjëse për kullotat dhe livadhet të dhënat, që u kërkohen për inventarizimin dhe regjistrimin në regjistrin e fondit kullosor të kullotave dhe livadheve, në përputhje me formularët tip;

d) njoftojnë ministrinë përgjegjëse për kullotat dhe livadhet për infeksionet dhe dëmtuesit, që shfaqen në kullota e livadhe.

Neni 27

Investimet

 

1. Ministria dhe bashkitë, që zotërojnë kullota e livadhe, sigurojnë fonde dhe mbështetje financiare nga Buxheti i Shtetit e nga donacione të ndryshme, për ruajtjen dhe përmirësimin e fondit kullosor.

2. Fondet e siguruara për investime në kullota e livadhe përdoren për:

a) hartimin e planeve të mbarështimit;

b) punimet e pastrimit, të mirëmbajtjes e të përmirësimit rrënjësor të tyre;

c) ndërtimin e veprave për shfrytëzimin racional të tyre dhe për përmirësimin e infrastrukturës;

ç) mbrojtjen e mjedisit dhe të biodiversitetit;

d) parandalimin dhe shuarjen e zjarreve;

dh) studime e kërkime shkencore.

KREU VI

MONITORIMI DHE KONTROLLI

 

Neni 28

Monitorimi

 

1. Monitorimi i kullotave dhe i livadheve nënkupton përfshirjen e tyre në kërkesat e programeve të biomonitorimit, që programohet dhe realizohet si pjesë e Programit Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit dhe kryhet në përputhje me kërkesat e këtij programi. Monitorimi përfshin edhe ekonomitë kullosore, që bëjnë pjesë në fondin kullosor.

2. Të dhënat e monitorimit përpunohen nga strukturat menaxhuese të kullotave dhe shpallen çdo vit në internet.

3. Ministri miraton rregulloren e biomonitorimit.

 

Neni 29

Organet e kontrollit

(shfuqizuar pika 2,  me ligjin nr. 49/2016, datë 5.5.2016)

 

1. Kontrolli për zbatimin e këtij ligji bëhet nga Policia Pyjore dhe strukturat menaxhuese të kullotave e livadheve në nivel qendror dhe vendor.

2. Shfuqizuar.

 

KREU VII

SANKSIONET

 

Neni 30

Dokumentimi

(ndryshuar me ligjin nr. 38/2013, datë 14.2.2013)

 

1. Ushtrimi i kontrollit dhe dokumentimi i tij bëhen nga organet e kontrollit, të përcaktuara në nenin 29 të këtij ligji, në përputhje me këtë ligj dhe ligjin nr. 10 433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.

2. Të drejtën e vendosjes së gjobës, si dënim administrativ kryesor, të parashikuar në nenin 34 të këtij ligji, e kanë organet e kontrollit, të përcaktuara në nenin 29 të këtij ligji.

 

 

Neni 31

Vendimi dhe e drejta ankimit

(ndryshuar me ligjin nr. 38/2013, datë 14.2.2013, nr. 49/2016, datë 5.5.2016)

 

 

 

1. Vendimi për kundërvajtjet administrative merret nga Policia Pyjore, në zbatim të legjisla-cionit në fuqi për inspektimin në Republikën e Shqipërisë.

2. Ndaj vendimit të dhënë në zbatim të pikës 1, të këtij neni, bëhet ankim, në përputhje me legjislacionin në fuqi për kundërvajtjet administrative.

3. Procedura e ekzekutimit të vendimit të dënimit me gjobë bëhet në përputhje me ligjin për kundërvajtjet administrative.

Neni 32

Ankimi

(shfuqizuar me ligjin nr. 38/2013, datë 14.2.2013)

 

Neni 33

Vlerësimi i dëmit

 

1. Për çdo rast kundërvajtjeje administrative apo vepre penale vlerësohet edhe dëmi që është shkaktuar dhe kërkohet zhdëmtimi i tij nga personi përgjegjës.

2. Kriteret për përcaktimin e vlerës së dëmit caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 34

Kundërvajtjet administrative

(ndryshuar pika 3, me ligjin nr.9996, datë 22.9.2008)

 

Shkeljet e mëposhtme, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë, si më poshtë:

1. Kullotja pa kontratë dhe kullotja në kullota të tjera, veç atyre të specifikuara në kontratë, dënohen me gjobë nga 30 000 deri në 50 000 lekë.

2. Kositja e barit në livadhe, pa miratimin e drejtorisë përkatëse të shërbimit pyjor, dënohet me gjobë nga 30 000 deri në 50 000 lekë.

3. Ushtrimi pa kontratë i veprimtarive në sipërfaqet dhe tokat e fondit kullosor dënohet me gjobë nga 150 000 deri në 200 000 lekë.

4. Kullotja e bagëtive në parcelat eksperimentale dhe në sipërfaqet, ku kryhen punime përmirësuese ose që janë të degraduara e të lëna pushim, dënohet me gjobë nga 30 000 deri në 50 000 lekë.

5. Prishja ose dëmtimi i shenjave kufidëftuese, topografike, i tabelave të vendosura në fondin kullosor dënohet me gjobë në masën 20 000 lekë.

6. Hedhja e mbeturinave apo e inerteve brenda kufijve të kullotave apo livadheve dënohet me gjobë nga 30 000 deri në 50 000 lekë.

7. Shkarkimet e kimikateve në fondin kullosor dënohen me gjobë nga 70 000 deri në 100 000 lekë.

8. Shkarkimet e ujërave të ndotura industriale, urbane e bujqësore dënohen me gjobë nga 30 000 deri në 50 000 lekë.

9. Hapja dhe shfrytëzimi i guroreve apo i karrierave të çdo lloji, që përdorin lëndë plasëse, dënohen me gjobë në masën 100 000 lekë.

10. Ndryshimi i destinacionit të përdorimit të ujërave, që përdoren për pirje nga blegtoria, pa miratimin e drejtorisë përkatëse të shërbimit pyjor, dënohet me gjobë nga 30 000 deri në 50 000 lekë.

11. Dëmtimi i infrastrukturës, si i rrugës, burimeve e veprave ujore, dënohet me gjobë nga 30 000 deri në 50 000 lekë.

12. Ndërhyrjet për pasurimin dhe përmirësimin e bimësisë dhe të kapacitetit të kullotave e livadheve, pa miratimin e drejtorisë përkatëse të shërbimit pyjor, dënohen me gjobë nga 30 000 deri në 50 000 lekë.

13. Përdorimi i plehrave kimike dhe i pesticideve, pa miratimin e drejtorisë përkatëse të shërbimit pyjor, dënohet me gjobë nga 30 000 deri në 50 000 lekë.

14. Prerja e pemëve, e drurëve dhe e shkurreve, pa miratimin e drejtorisë përkatëse të shërbimit pyjor, dënohet me gjobë nga 30 000 deri në 50 000 lekë.

15. Pastrimi i kullotave dhe i livadheve, pa miratimin e drejtorisë përkatëse të shërbimit pyjor, dënohet me gjobë nga 30 000 deri në 50 000 lekë.

16. Ndërtimi e vënia në funksionim e veprimtarive, që shkaktojnë degradimin dhe gërryerjen e tokës, dënohen me gjobë nga 30 000 deri në 50 000 lekë.

 

Neni 35

Sekuestrimi dhe masat urgjente

(ndryshuar me ligjin nr. 38/2013, datë 14.2.2013)

 

1. Mjetet dhe pajisjet, që kanë shërbyer për kryerjen e kundërvajtjes dhe çdo përfitim pasuror i siguruar prej saj, sekuestrohen dhe kalojnë në llogari të administruesit të kullotës.

2. Masa e sekuestrimit, sipas pikës 1 të këtij neni, është dënim plotësues.

3. Struktura përgjegjëse, në varësi të rastit, merr masa urgjente në përputhje me ligjin për inspektimin.

KREU VIII

DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 36

Aktet nënligjore

 

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 10 pika 4,13, 17 pika 5, 25 pika 2 dhe 33 pika 2 të këtij ligji.

2. Ngarkohet Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 6 pika 2, 7 pika 1, 9 pika 2, 14 pika 6, 17 pika 4, 18 pika 3, 19 pika 2, 22 pika 3 dhe 28 pika 3 të këtij ligji.

Neni 37

Shfuqizime

 

Ligji nr. 7917, datë 13.4.1995 “Për kullotat dhe livadhet” dhe çdo dispozitë tjetër, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.

 

DISPOZITË KALIMTARE ME LIGJIN NR. 38/2013, datë 14.2.2013

 

Neni 5

Dispozitë kalimtare

 

Organi ekzistues inspektues vazhdon të ushtrojë funksionin e vet sipas organizimit aktual deri në krijimin e organit të ri, sikurse parashikohet në ndryshimet e bëra në këtë ligj.

 

DISPOZITË KALIMTARE ME LIGJIN NR. 49/2016, datë 5.5.2016

 

Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për kullotat, brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, miraton transferimin e kullotave në pronësi të bashkive.

 

 

 

Neni 38

Hyrja në fuqi

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

Shpallur me dekretin nr.5243, datë 30.3.2007 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu

 

 

 


[1] Ndryshuar me ligjet:

nr.9996, datë 22.9.2008 ;

 nr.10 137, datë 11.5.2009 ;

nr. 14/2012, datë 16.2.2012;

 nr. 38/2013, datë 14.2.2013;

nr. 49/2016, datë 5.5.2016 .

FacebookTwitterGoogle+Share

Comments

comments

Share →