LIGJ

Nr. 9374, datë 21.4.2005

PËR NDIHMËN SHTETËRORE[1]

(I përditësuar)

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Shkarkoje te plote ne PDF_1

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i parimeve dhe i procedurave, sipas të cilave lejohet dhe kontrollohet ndihma shtetërore, për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit, si dhe zbatimin e angazhimeve të ndërmarra nga Republika e Shqipërisë në marrëveshjet ndërkombëtare, që përmbajnë dispozita për ndihmën shtetërore.

Neni 2

Fusha e zbatimit

(Ndryshuar me ligjin nr.10 183, datë 29.10.2009)

Ky ligj zbatohet për veprimtaritë, që ushtrohen në të gjithë sektorët e prodhimit dhe të shërbimeve në Republikën e Shqipërisë, me përjashtim të sektorëve të bujqësisë e të peshkimit.

Neni 3

Përkufizime

Shtuar pika 14 dhe 15 me ligjin nr.10 183, datë 29.10.2009

Ndryshuar pika 9 dhe shtuar pikat 17, 18, 19, 20  me ligjin nr. 21/2016, datë 10.3.2016

 

Në këtë ligj, termat e mëposhtëm kanë këtë kuptim:

1. “Dhënës të ndihmës shtetërore” (në vazhdim “dhënës”) janë organet e pushteteve shtetërore dhe të qeverisjes vendore, si dhe çdo ent tjetër, që vepron në emër të shtetit, të cilat mund ose janë të autorizuara të japin ndihmë shtetërore.

2. “Ndërmarrje” është çdo person fizik ose juridik, privat ose publik, që kryen veprimtari ekonomike.

3. “Ndërmarrje të vogla e të mesme” janë ndërmarrjet, që kanë jo më shumë se 250 punonjës dhe një xhiro vjetore jo më të madhe se 40 milionë euro ose një llogari të bilancit jo më të madhe se 27 milionë euro dhe që nuk janë të zotëruara në një masë më të madhe se 25 për qind të kapitalit ose të së drejtës së votës nga një ose disa ndërmarrje, që nuk cilësohen si ndërmarrje të vogla dhe të mesme.

4. “Produkt” është çdo mall i shitur ose i blerë apo çdo shërbim i ofruar ose i hedhur në treg nga ndërmarrjet.

5. “Përfitues i ndihmës shtetërore” është çdo ndërmarrje ose individ, që merr ndihmë shtetërore.

6. “Skemë e ndihmës shtetërore” është çdo akt normativ, mbi bazën e të cilit, në formë të përgjithshme dhe pa pasur nevojën e akteve të tjera zbatuese, mund t’u jepet ndihmë ndërmarrjeve.

7. “Ndihmë individuale” është çdo ndihmë, që i jepet një përfituesi të ndihmës shtetërore.

8. “Intensitet i ndihmës shtetërore” është ekuivalenti i grantit, i shprehur në përqindje të totalit të kostove të pranueshme ose të shpenzimeve të përfituesit të ndihmës shtetërore.

9. “Ndihmë e paligjshme” është çdo ndihmë shtetërore e dhënë dhe e zbatuar pa miratimin e Komisionit të Ndihmës Shtetërore ose çdo ndihmë, për të cilën është njoftuar komisioni përkatës, por nuk është marrë miratimi i tij.

10. “Ndërmarrje në vështirësi” është ndërmarrja, e cila nuk është e aftë që nëpërmjet burimeve të veta ose nëpërmjet fondeve, që ajo mund të përfitojë nga aksionerët ose kreditorët e saj, të pakësojë humbjet, të cilat, pa ndërhyrjen e dhënësve të ndihmës, do ta detyrojnë atë brenda një periudhe, afatshkurtër ose afatmesme, të largohet nga veprimtaria ekonomike.

11. “Ndihmë shtetërore për rastet e shpëtimit” është një mbështetje financiare për një ndërmarrje në vështirësi, për një periudhë kohore, gjatë së cilës duhet të përgatitet plani i ristrukturimit ose i likuidimit.

12. “Ndihmë shtetërore për ristrukturim” është një mbështetje financiare, që jepet për ristrukturimin e veprimtarisë së një ndërmarrjeje dhe për sigurimin, brenda një periudhe të arsyeshme, të rentabilitetit afatgjatë të saj.

13. Ndihmë për sektorë të ndjeshëm” është ndihma për ata sektorë, ku kapaciteti i prodhimit është më i madh se kërkesa në treg për produktin në fjalë.

14. “Ndihmë rajonale” është ndihma që jepet për zhvillimin e zonave të prapambetura në Republikën e Shqipërisë”.

15. “Ndihma për riskun e kapitalit” është financimi që u bëhet ndërmarrjeve, nëpërmjet pjesëmarrjes në kapital në formën e kuotave, të aksioneve ose obligacioneve të konvertueshme në aksione, në fazat e para të rritjes/themelimit dhe administrimit të tyre.

16. “Ndihma për mbrojtjen e mjedisit” është çdo veprim i ndërmarrë për të rregulluar apo parandaluar dëmet, që u shkaktohen mjedisit fizik ose burimeve natyrore nga veprimtaria e përfituesit të ndihmës, në mënyrë që të pakësohet shkalla e rrezikut, i cili vjen prej dëmit, ose të sigurohet përdorimi sa më efiçent i burimeve natyrore.

17. “Shpërdorim i ndihmës” është çdo ndihmë e përdorur nga përfituesi në kundërshtim me një vendim të marrë nga Komisioni i Ndihmës Shtetërore, në përputhje me këtë ligj.

18. “Burime shtetërore” janë burimet e Buxhetit të Shtetit, përfshirë të drejtat dhe detyrimet ndaj të tretëve, titujt shtetërorë, fondet publike, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, burimet e buxhetit të njësive të qeverisjes vendore, burimet e shoqërive shtetërore, në rastet kur këto burime nuk aktivizohen në përputhje me parimin e investitorit privat në një ekonomi tregu.

19. “Ndihmë horizontale” është ndihma për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, e dhënë në çdo formë, ndihma për kërkim, zhvillim dhe inovacion, ndihma për mbrojtjen e mjedisit, ndihma për trajnim, ndihma për punësim, ndihma për punonjësit në vështirësi dhe me aftësi të kufizuara, ndihma për shpëtim dhe ristrukturim.

20. “Ndihmë e palejueshme” është ndihma shtetërore e dhënë në kundërshtim me kriteret dhe rregullat e miratuara sipas legjislacionit në fuqi për ndihmën shtetërore.

Neni 4

Ndalimi i ndihmës shtetërore

(Ndryshuar pika 1, me ligjin nr. 21/2016, datë 10.3.2016)

1. Përveç rasteve të parashikuara ndryshe në këtë ligj, ndalohet çdo ndihmë e dhënë nga burimet shtetërore, në çfarëdo lloj forme, e cila, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, shtrembëron ose kërcënon të shtrembërojë konkurrencën, duke dhënë përparësi për një ose disa ndërmarrje të caktuara ose për prodhimin e produkteve të caktuara për aq sa mund të ketë ndikim në plotësimin e detyrimeve të ndërmarra nga Republika e Shqipërisë në marrëveshjet ndërkombëtare që përmbajnë dispozita të ndihmës shtetërore.

2. Format e ndihmës shtetërore përfshijnë kryesisht:

a) grantet dhe subvencionet;

b) përjashtimin, uljen dhe diferencimin e taksave;

c) faljen e pagesave të prapambetura dhe gjobave;

ç) faljen e borxheve ose mbulimin e humbjeve;

d) garancitë mbi kreditë ose dhënien e kredive me norma interesi të ulëta;

dh) uljen e detyrimeve të sigurimeve shoqërore;

e) uljen e çmimit të produkteve të ofruara, shitjen e pronës shtetërore nën çmimin e tregut ose blerjen e produkteve me çmim më të lartë se ai i tregut;

ë) zmadhimin e kapitalit shtetëror te ndërmarrjet ose ndryshimin e vlerës së tij në rrethana, të cilat nuk janë të pranueshme për një investitor privat, që vepron në kushte ekonomike normale.

3. Çdo ndihmë e ndaluar është e rimbursueshme.

Neni 5

Ndihma për eksport

(Shtuar me ligjin nr.10 183, datë 29.10.2009)

Ndalohet ndihma që është e lidhur drejtpërdrejt me kuotat e eksportit dhe me shpenzimet korrente, të lidhura me veprimtarinë e eksportit, si dhe ndihma, që kushtëzohet me përdorimin e produkteve vendase kundrejt produkteve të importuara.

Neni 6

Ndihma për sektorët e ndjeshëm

(Shfuqizohet me ligjin nr. 21/2016, datë 10.3.2016)

Shfuqizohet.

Neni 7

Ndihma shtetërore e lejueshme

Ndihmë shtetërore e lejueshme është:

a) ndihma me karakter social, që jepet për individë, nëse kjo ndihmë është dhënë pa krijuar diskriminim lidhur me origjinën e produkteve në fjalë;

b) ndihma që jepet për të shmangur efektet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore ose nga gjendja e jashtëzakonshme.

Neni 8

Ndihma “De minimis”

(Ndryshuar me ligjin nr.10 183, datë 29.10.2009 dhe nr. 21/2016, datë 10.3.2016)

1. Ndihma “De minimis” është e lejueshme nëse, pavarësisht nga forma ose qëllimi për të cilin i jepet një ndërmarrjeje, nuk kalon vlerën maksimale për një aktivitet të caktuar, për një periudhë financiare prej tre vjetësh.

2. Vlera maksimale, kushtet dhe procedurat për dhënien e ndihmës “De minimis” përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 8/1

Ndihma shtetërore për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

(Shtuar me ligjin nr. 21/2016, datë 10.3.2016)

1. Ndihma shtetërore për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme mund të lejohet, sipas këtyre kategorive:

a) ndihmë për investime;

b) ndihmë për ndërmarrjet e vogla të sapokrijuara nga sipërmarrëset femra;

c) ndihmë për këshillim;

ç) ndihma për pjesëmarrje në panaire;

d) ndihma për riskun financiar;

dh) ndihma për ndërmarrjet e vogla të sapokrijuara.

2. Kushtet, kriteret, intensiteti i ndihmës dhe procedurat për dhënien dhe autorizimin e ndihmës shtetërore për ndërmarrjet e vogla e të mesme përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 9

Ndihma në formën e shërbimeve këshillimore dhe për pjesëmarrjen në panaire për ndërmarrjet e vogla e të mesme

Ndryshuar titulli dhe shfuqizuar pika “a”, me ligjin nr.10 183, datë 29.10.2009 dhe shfuqizuar me ligjin nr. 21/2016, datë 10.3.2016)

Shfuqizuar.

Neni 9/1

Ndihma për ndërmarrjet e vogla të sapokrijuara

(Shtuar me ligjin nr.10 183, datë 29.10.2009 dhe shfuqizuar me ligjin nr. 21/2016, datë 10.3.2016)

Shfuqizuar.

Neni 10

Ndihma shtetërore për punësim

(Ndryshuar me ligjin nr.10 183, datë 29.10.2009 dhe  ligjin nr. 21/2016, datë 10.3.2016)

 

1. Ndihma për punësim mund të lejohet nëse jepet, për:

a) punësimin e punëkërkuesve të papunë në vështirësi, në formën e subvecionit të pagës, të sigurimeve të detyrueshme shoqërore e shëndetësore dhe kostove të  trajnimit;

b) punësimin e punëkërkuesve të papunë me aftësi të kufizuar, në formën e subvencionit të pagës, sigurimeve të detyrueshme shoqërore e shëndetësore dhe kostot e trajnimit;

c) mbulimin e kostove shtesë për përshtatjen e arsyeshme të vendeve të punës për punësimin e punëkërkuesve të papunë me aftësi të kufizuar.

2. Kushtet, kriteret, intensiteti i ndihmës dhe procedurat për dhënien dhe autorizimin e ndihmës shtetërore për punësim përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 11

Ndihma për trajnim

(Ndryshuar me ligjin nr.10 183, datë 29.10.2009 dhe nr. 21/2016, datë 10.3.2016)

1. Ndihma shtetërore për trajnim është ndihma e dhënë nga burimet shtetërore për trajnim të përgjithshëm dhe të veçantë.

2. Përfituesi i ndihmës, sipas këtij neni, është subjekti fizik/juridik publik ose privat që kryen trajnimin.

3. Kushtet, kriteret, intensiteti i ndihmës dhe procedurat për dhënien dhe autorizimin e ndihmës shtetërore për trajnim përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 12

Ndihma për kërkim, zhvillim dhe inovacion

(Ndryshuar me ligjin nr. 21/2016, datë 10.3.2016)

 

1. Në ndihmën shtetërore për kërkim, zhvillim dhe inovacion përfshihen:

a) ndihma për projektet e kërkimit e të zhvillimit;

b) ndihma për investime në infrastrukturën e projekteve kërkimore shkencore;

c) ndihma për klasterat e inovacionit;

ç) ndihma për nxitjen e projekteve te inovacionit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

2. Kushtet, kriteret, intensitetet e ndihmës dhe procedurat për dhënien dhe autorizimin e ndihmës shtetërore për kërkim e zhvillim përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 13

Ndihma shtetërore e lejueshme

Ndihma shtetërore mund të lejohet nëse ajo:

a) nxit zhvillimin ekonomik të rajoneve të Republikës së Shqipërisë, të karakterizuara nga standarde jetese shumë të ulëta, ose të zonave ku ka papunësi serioze;

b) nxit realizimin e një projekti të rëndësishëm për Republikën e Shqipërisë ose jepet për të mënjanuar gjendje të rënda në ekonominë e vendit;

c) lehtëson zhvillimin e veprimtarive të caktuara ekonomike ose zhvillimin e zonave të caktuara ekonomike, deri në atë masë sa kjo ndihmë nuk është në kundërshtim me detyrimet e marrëveshjeve ndërkombëtare, të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë;

ç) nxit zhvillimin kulturor dhe ruajtjen e trashëgimisë, deri në atë masë sa nuk ndikon ndjeshëm në kushtet e tregtisë dhe në konkurrencë;

d) është në përputhje me dispozitat e këtij ligji ose me aktet e tjera normative të nxjerra në zbatim të tij.

Neni 13/1

Ndihma për mbrojtjen e mjedisit

(Shtuar me ligjin nr.10 183, datë 29.10.2009)

(Ndryshuar me ligjin nr. 21/2016, datë 10.3.2016)

 

1. Në ndihmën për mbrojtjen e mjedisit përfshihen:

a) ndihma për investim për  eficiencën dhe kursimin e energjisë;

b) ndihma për investim për prodhimin e energjisë dhe për veprimtari operacionale nga burime të rinovueshme;

c) ndihma për investim për rehabilitimin e zonave të ndotura;

ç) ndihma për investim për riciklimin dhe ripërdorimin e mbetjeve;

d) ndihma për investim për infrastrukturën e energjisë;

dh) ndihma për studime mjedisore;

e) ndihma për investim në rehabilitimin e pyjeve;

ë) ndihma në sektorin e trajtimit të ujërave të zeza në zonat bregdetare.

2. Kushtet, kriteret, intensitetet e ndihmës dhe procedurat për dhënien dhe autorizimin e ndihmës shtetërore për mjedisin përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 13/2

Ndihma në formën e riskut të kapitalit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

(Shtuar me ligjin nr.10 183, datë 29.10.2009)

Skemat e ndihmës në formën e riskut të kapitalit për ndërmarrjet e vogla e të mesme lejohen vetëm nëse:

a) masa e ndihmës ka formën e pjesëmarrjes në një fond fitimprurës privat investimesh, të menaxhuar në kushtet e tregut;

b) këstet, që u jepen ndërmarrjeve përfituese nga fondi i investimit gjatë një periudhe prej 12 muajsh, nuk duhet të kalojnë vlerën 200 000 euro;

c) risku i kapitalit kufizohet vetëm në ofrimin e kapitalit bazë, kapitalit themeltar dhe/ose për zgjerimin e kapitalit;

ç) nga fondi i investimit investohet në ndërmarrjet e vogla e të mesme përfituese në formën e kuotave, të aksioneve ose obligacioneve të konvertueshme në aksione, të paktën 70 për qind e buxhetit të tij të përgjithshëm;

d) investitorët privatë mbulojnë jo më pak se 25 për qind të financimit të fondit të investimeve.

Neni 13/3

Ndihma për shërbimet e interesit të përgjithshëm ekonomik

(Ndryshuar me ligjin nr. 21/2016, datë 10.3.2016)

1. Ndihma për shërbimet e interesit të përgjithshëm ekonomik është ndihma në formën e kompensimit, e cila u jepet ndërmarrjeve të ngarkuara për kryerjen e shërbimeve me interes të përgjithshëm publik dhe ekonomik.

2. Ngarkohet Këshilli i Ministrave për përcaktimin e kushteve, kritereve, intensiteteve të ndihmës dhe procedurave për dhënien dhe autorizimin e ndihmës shtetërore, sipas këtij neni.

Neni 14

Ndihma rajonale

1. Ndihma rajonale mund të lejohet, nëse ajo mbulon deri në 50 për qind të vlerës së investimit fillestar ose të kostos së pagave të punonjëse për dy vjet për vendet e reja të punës. Investimi dhe vendet e reja të punës duhet të ruhen për një periudhë prej pesë vjetësh. Në çdo rast, intesiteti i ndihmës nuk duhet të kalojë 75 për qind të vlerës.

2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të mbulon çështjet e ekonomisë, miraton rregulloren për kushtet dhe procedurat e dhënies së ndihmës rajonale.

Neni 15

Ndihma shtetërore për ndërmarrjet në vështirësi

1. Ndihma për shpëtimin e një ndërmarrjeje në vështirësi mund të lejohet nëse nuk kalon vlerën e nevojshme dhe jepet në formën e garancive shtetërore ose të huave me çmimin e tregut, për një periudhë 6-mujore, gjatë së cilës është përgatitur likuidimi ose një plan ristrukturimi.

2. Ndihma për ristrukturim mund të lejohet nëse mbështetet në një plan ristrukturimi, i cili parashikon masa ristrukturimi, që sigurojnë një rentabilitet afatgjatë të ndërmarrjes.

3. Në rastin e skemave të ndihmës për shpëtim dhe ristrukturim, plani i ristrukturimit miratohet nga dhënësi i ndihmës dhe i paraqitet Komisionit të Ndihmës Shtetërore.

4. Ndihma për shpëtim dhe/ose ristrukturim lejohet një herë në 10 vjet.

5. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të mbulon çështjet e ekonomisë, miraton rregulloren për kushtet dhe procedurat e dhënies së ndihmës për shpëtim dhe ristrukturim.

KREU II

STRUKTURAT E KONTROLLIT TË NDIHMËS SHTETËRORE

Neni 16

Komisioni i Ndihmës Shtetërore

(Ndryshuar pika 2 dhe shtuar pika 5, me ligjin nr. 21/2016, datë 10.3.2016)

1. Komisioni i Ndihmës Shtetërore (në vazhdim “Komisioni”) është organi vendimmarrës për kontrollin e ndihmës shtetërore. Komisioni është i pavaruar në kryerjen e funksioneve të veta.

2. Komisioni përbëhet nga pesë anëtarë, me kryetar ministrin që mbulon çështjet e ekonomisë. Anëtarët e tjerë emërohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Financave, të ministrit përgjegjës për integrimin evropian e të ministrit të Drejtësisë dhe një përfaqësues nga shoqëria civile.

3. Anëtarët e Komisionit emërohen për një periudhë 4-vjeçare dhe duhet të jenë profesionistë e me përvojë në fushën e ekonomisë.

4. Këshilli i Ministrave përcakton masën e shpërblimit të anëtarëve të Komisionit dhe burimin e mbulimit.

5. Anëtarët e Komisionit, të propozuar nga ministrat përkatës sipas pikës 2, janë nëpunës civilë.

Neni 17

Detyrat dhe përgjegjësitë e Komisionit

(Ndryshuar shkronja “b”, me ligjin nr. 21/2016, datë 10.3.2016)

Komisioni ka këto detyra dhe përgjegjësi kryesore:

a) vlerëson dhe autorizon skemat e ndihmës shtetërore dhe ndihmat individuale, në bazë të propozimeve të Drejtorisë së Ndihmës Shtetërore;

b) urdhëron kthimin e ndihmës së paligjshme dhe të palejueshme;

c) mbikëqyr përdorimin e ndihmës shtetërore dhe rezultatin ekonomik të përftuar nga dhënia e saj;

ç) merr vendime të tjera, në bazë të procedurave të këtij ligji;

d) nxjerr udhëzimet përkatëse, në zbatim të këtij ligji;

dh) harton, me ndihmën e Drejtorisë së Ndihmës Shtetërore, raportin vjetor për ndihmat shtetërore dhe e paraqet atë pranë Këshillit të Ministrave, i cili ia përcjell Komisionit Europian;

e) bashkëpunon me organizmat ndërkombëtarë, në kuadër të marrëveshjeve dhe angazhimeve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë.

Neni 18

Drejtoria e Ndihmës Shtetërore

Drejtoria e Ndihmës Shtetërore në ministrinë që mbulon çështjet e ekonomisë (në vazhdim “Drejtoria”), si strukturë administrative për kontrollin e ndihmës shtetërore, në veçanti, kryen këto detyra:

a) grumbullon, përpunon dhe mbikëqyr të dhënat për ndihmën shtetërore;

b) merr njoftimet dhe përgatit vendimet e Komisionit;

c) merr raportet nga dhënësi i ndihmës për mënyrën e zbatimit dhe rezultatin ekonomik, të arritur nga përdorimi i kësaj ndihme;

ç) mban regjistrin e ndihmës shtetërore;

d) merr vendime, në bazë të dispozitave të këtij ligji;

dh) harton udhëzime dhe i paraqet për miratim pranë Komisionit;

e) përgatit raportin vjetor për ndihmat shtetërore;

ë) bashkëpunon me institucionet e huaja kompetente dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë për çështjet e ndihmës shtetërore.

KREU III

PROCEDURAT ADMINISTRATIVE

Neni 19

Parimi i përgjithshëm

Përveç rasteve të parashikuara ndryshe në këtë ligj, strukturat e ndihmës shtetërore, gjatë ushtrimit të funksioneve, zbatojnë Kodin e Procedurave Administrative.

Neni 20

Njoftimi i ndihmës

1. Dhënësi i ndihmës, përveç rasteve të parashikuara në nenin 7 të këtij ligji, njofton Drejtorinë për çdo plan për dhënien e ndihmës.

2. Drejtoria, brenda 15 ditëve pune, njofton dhënësin e ndihmës për marrjen e këtij njoftimi.

3. Në njoftim, dhënësi i ndihmës duhet të japë të gjitha të dhënat e nevojshme për marrjen e një vendimi, sipas nenit 22 të këtij ligji.

4. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit që mbulon çështjet e ekonomisë, miraton rregulloren për procedurat dhe formën e njoftimit.

Neni 21

Pezullimi i ndihmës

Përveç rasteve të parashikuara në nenin 7 të këtij ligji, ndihma nuk vihet në zbatim përpara se Komisioni të marrë një vendim për lejimin e saj, me ose pa kushte.

Neni 22

Procedurat e shqyrtimit dhe vendimet

(Shtuar pika 2/1, me ligjin nr. 21/2016, datë 10.3.2016)

 

1. Drejtoria shqyrton menjëherë njoftimin dhe nëse është i plotë, ia paraqet Komisionit për vlerësim.

2. Komisioni merr vendim të miratojë, me ose pa kushte, ose të mos miratojë ndihmën e njoftuar.

2/1. Komisioni, për çdo njoftim, merr një nga vendimet e mëposhtme:

a) masa e njoftuar nuk përbën ndihmë shtetërore;

b) autorizon zbatimin e ndihmës së njoftuar, që është në përputhje me legjislacionin e ndihmës shtetërore;

c) fillon procedurën e hetimit, kur ekzistojnë dyshime serioze mbi pajtueshmërinë e masës së njoftuar me legjislacionin e ndihmës shtetërore. Masa nuk zbatohet derisa hetimi të ketë përfunduar;

ç) ndalon zbatimin e ndihmës kur, pas përfundimit të hetimit, konstaton se ndihma e njoftuar nuk është në përputhje me legjislacionin e ndihmës shtetërore.

3. Vendimet e Komisionit merren brenda 60 ditëve kalendarike. Afati fillon të nesërmen e ditës së dorëzimit të njoftimit të plotë.

4. Vendimet e Komisionit merren me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të tij.

Neni 23

Propozime për masa të përshtatshme

Për skemat e ndihmës, të miratuara në mbështetje të pikës 2 të nenit 22 të këtij ligji dhe skemat e ndihmës, që kanë filluar të zbatohen përpara hyrjes në fuqi të tij, Komisioni mund të propozojë masa për përshtatjen e tyre me dispozitat e ligjit.

Neni 24

Kërkesa për informacion shtesë

1. Kur Drejtoria e gjykon jo të plotë informacionin e siguruar nga njoftimi i një plani për ndihmë, sipas nenit 20 të këtij ligji, ajo kërkon nga dhënësi i ndihmës informacionin e nevojshëm shtesë. Drejtoria, brenda 15 ditëve pune, njofton dhënësin e ndihmës për marrjen e përgjigjes.

2. Kur dhënësi i ndihmës nuk e siguron informacionin e kërkuar ose jep informacion jo të plotë, brenda periudhës së përcaktuar, Komisioni merr vendim, në bazë të informacionit në zotërim.

Neni 25

Procedura për ndihmën e paligjshme

 

Kur Komisioni ose Drejtoria ka informacion për një ndihmë që mendohet e paligjshme, i kërkohet dhënësit të ndihmës të paraqesë informacionin e nevojshëm për shqyrtim.

Neni 26

Vendimi për pezullimin e ndihmës së paligjshme

Komisioni mund të marrë një vendim, me anë të të cilit i kërkon dhënësit të ndihmës pezullimin e zbatimit të çdo ndihme të paligjshme, derisa Komisioni të ketë marrë një vendim për lejueshmërinë e kësaj ndihme.

Neni 27

Kthimi i ndihmës

1. Në rastet e ndihmës së paligjshme, kur merret një vendim për moslejimin e saj, Komisioni urdhëron kthimin e ndihmës nga përfituesi.

2. Ndihma që kthehet duhet të përfshijë edhe interesin, me një normë të përshtatshme. Interesi paguhet nga data në të cilën ndihma e paligjshme është në dispozicion të përfituesit, deri në datën e kthimit të saj.

Neni 28

Ekzekutimi i kthimit

l . Vendimi për kthimin e ndihmës së paligjshme përbën titull ekzekutiv.

2. Vlera e kthyer e ndihmës, së bashku me interesin, depozitohen në buxhetin e dhënësit të ndihmës.

Neni 28/1

Autorizimi ex-post i ndihmës

(Shtuar me ligjin nr. 21/2016, datë 10.3.2016)

Kur ndihma horizontale është vënë në zbatim pa njoftuar Komisionin, ky i fundit, në raste të caktuara, mund të japë një autorizim “ex-post” në qoftë se vlerëson se masa është në përputhje me rregullat e ndihmës shtetërore. Komisioni mund të autorizojë një ndihmë “ex-post”, duke përcaktuar kushte dhe afate të veçanta.

Neni 29

Komunikimi i vendimeve

Vendimet e marra nga Komisioni, në përputhje me këtë ligj, i komunikohen dhënësit të ndihmës.

Neni 30

Ankimi

(ndryshuar pika 1, me ligjin nr. 21/2016, datë 10.3.2016)

l. Kundër vendimeve të Komisionit mund të bëhet ankim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë brenda 30 ditëve nga data e marrjes dijeni për vendimin.

2. Ankimi nuk pezullon zbatimin e vendimeve të Komisionit.

Neni 31

Publikimi i vendimeve

Vendimet e marra nga komisioni botohen në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë.

Neni 32

Raportet vjetore

1. Dhënësit e ndihmës detyrohen që, brenda datës 31 mars të vitit pasardhës, të paraqesin pranë Drejtorisë raporte vjetore për të gjitha skemat e ndihmës shtetërore dhe ndihmat individuale të dhëna.

2. Brenda datës 30 qershor, Komisioni paraqet pranë Këshillit të Ministrave raportin vjetor të vitit pararendës për skemat e ndihmës shtetërore dhe ndihmat individuale të dhëna.

Neni 33

Sekreti profesional

Komisioni, Drejtoria dhe dhënësi i ndihmës, nëpunësit e tyre dhe vartës të tjerë, përfshirë ekspertë të caktuar nga Komisioni, janë të detyruar të ruajnë sekretin profesional të informacioneve, që ata kanë arritur të marrin gjatë zbatimit të procedurave të këtij ligji.

KREU IV

DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 34

Ngritja e strukturave të ndihmës shtetërore

1. Komisioni i Ndihmës Shtetërore e fillon ushtrimin e funksioneve të përcaktuara në këtë ligj një muaj pas hyrjes në fuqi të tij.

2. Deri në ngritjen e Komisionit, procedurat në zbatim të këtij ligji, përveç atyre vendimmarrëse, kryhen nga Drejtoria e Ndihmës Shtetërore në ministrinë që mbulon çështjet e ekonomisë.

Neni 35

Fuqia prapavepruese

1. Ngarkohen të gjithë dhënësit e ndihmës që, brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të raportojnë pranë Drejtorisë për të gjitha skemat ekzistuese të ndihmës.

2. Nëse një skemë ekzistuese e ndihmës nuk raportohet brenda periudhës së përcaktuar në pikën l  të këtij neni, zbatohen dispozitat për ndihmën e paligjshme. Kthimi i ndihmës do të bëhet që nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Neni 36

Nxjerrja e akteve nënligjore

Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë rregulloret e përcaktuara në nenet 14, 15 dhe 20.

Neni 37

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi më 1 janar 2006.

Shpallur me dekretin nr.4564, datë 6.5.2005 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë Alfred Moisiu

 


[1] Ndryshuar me ligjet:

-          nr.10 183, datë 29.10.2009,

-          nr. 21/2016, datë 10.3.2016.

FacebookTwitterGoogle+Share

Comments

comments

Share →