LIGJ

Nr. 9355, datë 10.3.2005

PËR NDIHMËN DHE SHËRBIMET SHOQËRORE[1]

(I përditësuar)

Në mbështetje të neneve  78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

 Shkarkoje te plote ne PDF_1

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

(ndryshuar pika 1, me ligjin nr. 47/2014, datë 24.4.2014)

Ky ligj ka për qëllim:

1. Të përcaktojë ndihmën dhe shërbimet shoqërore për individët dhe grupet në nevojë, të cilët nuk mund të sigurojnë plotësimin e nevojave bazë jetike, zhvillimin e aftësive dhe të mundësive personale dhe ruajtjen e integritetit e përfshirjen shoqërore për shkak të aftësive dhe mundësive të kufizuara ekonomike, fizike, psikologjike e shoqërore.

2. Të zbusë varfërinë dhe përjashtimin shoqëror për individët dhe familjet, si dhe të krijojë mundësi për integrimin e tyre, nëpërmjet sigurimit të një sistemi ndërhyrjesh e shërbimesh për përmirësimin e jetesës së tyre.

 

Neni  2

Ky ligj rregullon marrëdhëniet e financimit e të ofrimit të ndihmës  dhe shërbimeve shoqërore në Shqipëri.

Neni 3

 

Parimet bazë, mbi të cilat funksionon skema e ndihmës dhe e shërbimeve shoqërore, janë:

a) respekti dhe garantimi i vlerave dhe i personalitetit të individit;

b) universaliteti;

c) barazia e mundësive;

ç) e drejta për të përfituar;

d) partneriteti;

dh) transparenca dhe paanshmëria;

e) decentralizimi;

ë) pavarësia, integrimi shoqëror dhe pjesëmarrja në jetën e komunitetit;

f) mosdiskriminimi;

g) karakteri subvencionues;

 

Neni 4

(Ndryshuar me ligjin nr.9602, datë 28.7.2006, shtuar pika 23, me ligjin nr.10 252, datë 11.3.2010, nr.10 399, datë 17.3.2011, ndryshuar pika 13, me ligjin nr. 47/2014, datë 24.4.2014, ndryshuar me ligjin nr. 44/2016, datë 21.4.2016 )

 

Në kuptim të këtij ligji:

1. “Ndihmë ekonomike” është mbështetja, në para, që u jepet familjeve dhe individëve në nevojë, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj.

1/1. “Përfitime në natyrë” është mbështetja në mallra ushqimore dhe të përdorimit të përditshëm e në veshmbathje, që u jepen familjeve dhe individëve në nevojë, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj.

2. “Pagesë për personat me aftësi të kufizuar” është pagesa mujore, në lekë, që u jepet personave me aftësi të kufizuar, sipas përcaktimit të këtij ligji.

3. “Person me aftësi të kufizuar” është individi, të cilit i është kufizuar aftësia, si pasojë e dëmtimit fizik, shqisor, të intelektit, psikiko-mendor, të lindura apo të fituara gjatë jetës nga aksidente, sëmundje të përkohshme ose të përhershme, të cilat nuk vijnë nga shkaqe që lidhen me punësimin.

4. “Invalid pune” është individi që është deklaruar i tillë me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, që përfiton nga ligji nr.7889, datë 14.12.1994 “Për statusin e invalidëve”, i ndryshuar.

5. “Shërbime shoqërore” është tërësia e shërbimeve që u ofrohet individëve dhe grupeve në nevojë, të cilët nuk janë në gjendje të përballojnë, me burimet që kanë, nevojat e tyre jetësore për ruajtjen, zhvillimin dhe rehabilitimin e mundësive individuale, për të kapërcyer nevojat emergjente ose kronike.

6. Bashki/njësi administrative” është institucioni, nën juridiksionin e të cilit subjektet përfituese, sipas këtij ligji, ushtrojnë të drejtën për të kërkuar kompensimin e të ardhurave materiale ose/dhe monetare, të cilat u mungojnë plotësisht ose pjesërisht, si dhe shërbime shoqërore.

7. “Administrator shoqëror” është nëpunësi civil i njësive të vetëqeverisjes vendore, i cili vlerëson, verifikon e administron procesin dhe dokumentacionin për aplikimin e përfitimin e ndihmës ekonomike, pagesës së aftësisë së kufizuar dhe ofrimin e shërbimeve shoqërore për individët në nevojë, nëpërmjet përdorimit të regjistrit elektronik kombëtar.

8. “Familje” është një grup individësh, që lidhen në marrëdhënie bashkëshortore, si dhe marrëdhëniet prindër-fëmijë, marrëdhëniet ndërmjet anëtarëve të familjes dhe ato të kujdestarisë, që jetojnë në të njëjtën strehë.

9. “Familje kujdestare” është një familje alternative, sipas përkufizimit të dhënë në nenin  266  të ligjit nr.  9062, datë 8. 5. 2003 “Kodi i Familjes”.

10. “Kryetar i familjes” është personi, sipas kësaj renditjeje: babai, nëna, anëtari më i madh i familjes, në grup-moshën aktive 18-65 vjeç, anëtari më i ri i familjes, në grup-moshën mbi 65 vjeç, dhe kujdestari, kur të gjithë anëtarët e familjes janë nën moshën 18 vjeç.

11. “Familje në nevojë” është familja që nuk ka të ardhura ose ka të ardhura të pamjaftueshme nga programi i mbrojtjes sociale, remitancat, qiraja, asetet, bujqësia apo të ardhura të tjera.

12. Shfuqizuar.

13. “Të ardhura të familjes” janë të ardhurat e të gjithë anëtarëve të familjes nga çdo lloj burimi, përfshirë dhe ata anëtarë që jetojnë dhe punojnë jashtë shtetit. Nuk përfshihen në të ardhurat e familjes pagesat që marrin anëtarët e familjes me aftësi të kufizuar, në kuptim të këtij ligji dhe të familjes në nevojë sipas pikës 4 të nenit 19.

14. “Jetim” është fëmija, deri në moshën 25 vjeç, sipas përcaktimit të bërë në  ligjin nr. 8153, datë 31.10.1996 “Për statusin e jetimit” .

15. “Shërbime shoqërore në komunitet” janë të gjitha llojet e shërbimeve shoqërore, publike dhe jopublike, që kryhen në nivel vendor në territorin nën juridiksionin e bashkisë ose njësisë administrative.

16. “Person i moshuar” është personi, që ka arritur moshën e pensionit të pleqërisë, sipas legjislacionit në fuqi.

17. “Vendbanim” është vendi ku familja ose personi, për shkak të punës apo të shërbimit të përhershëm, të ndodhjes së pasurisë ose të realizimit të interesave të vet, qëndron zakonisht ose të shumtën e kohës.

18. “Vendqëndrim” është vendi ku banohet për një kohë të caktuar për arsye pune, studimi, trajtimi mjekësor, pushimi, shërbimi të detyruar ushtarak apo vuajtjeje dënimi, si dhe raste të tjera të kësaj natyre.

19. “Burime jetese” janë të gjitha mjetet monetare ose të ardhurat në natyrë, të cilat bëjnë të mundur jetesën.

20. Shfuqizuar.

21. Shfuqizuar.

22. “Veprim i qëllimshëm” është çdo veprim që synon të shmangë punësimin e shpërblyer, kualifikimin për punësim dhe për mundësi punësimi, trajtimin mjekësor në rastet e përdoruesit të drogës ose të përdoruesit me tepri të alkoolit, mospërdorimin e kapitalit atje ku është mundësia për të siguruar mjetet e domosdoshme të jetesës, dhënies reale të të ardhurave, si dhe çdo veprim që nxit ndarjen e familjeve, që vërtetohet se kanë të njëjtën strehë, për përfitim nga ndihma ekonomike.

23. “Viktimë e trafikimit”, nënkupton personin fizik, që është objekt i trafikimit të qenieve njerëzore, sipas përkufizimit të shkronjës “e” të nenit  4 të ligjit nr. 9642, datë 20.11.2006 “Për ratifikimin e konventës së Këshillit të Europës “Për masat kundër trafikimit të qenieve njerëzore””.

24. “Paraplegjik” është çdo person që vuan nga paraliza e dy anësive të poshtme.

25. “Tetraplegjik” është  çdo person  që vuan  nga paraliza e katër anësive.

26. “Fëmijë” është fëmija, sipas përcaktimit të dhënë në ligjin nr. 10 347, datë 4.11.2010 “Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës”.

27. “Person mbi moshë pune”  është personi fizik që, në çastin e vlerësimit të kritereve për përfitimin e ndihmës ekonomike, është mbi moshën e përcaktuar për atë vit, për të drejtën e pensionit, sipas nenit 92 të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

28. “Individ në nevojë” është personi fizik që është: jetim, viktimë e trafikimit, viktimë e dhunës në marrëdhëniet familjare.

29. “Viktimë e dhunës në marrëdhëniet familjare” është çdo person, sipas përkufizimit të dhënë në pikën 4 të nenit 3 të ligjit nr. 9969, datë 18.12.2006 “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar, për të cilin është lëshuar urdhër mbrojtjeje ose urdhër mbrojtjeje i menjëhershëm, me vendim të gjykatës.

30. Shfuqizuar.

31. “Kujdestar me pagesë” është personi i caktuar për t’u kujdesur për personin me aftësi të kufizuara, që ofron shërbim për të në veprimtarinë e përditshme, në shtëpi, në udhëtim, në punë, në shkollë  dhe në veprimtaritë shoqërore.

32. “Formula e unifikuar e pikëzimit” është një formulë e pranueshmërisë së familjeve për ndihmë ekonomike, duke përdorur koeficientë dhe ndryshore të përcaktuara qartë, të cilët dalin nga lidhjet reciproke, objektive, me statusin ekonomik dhe me varfërinë.

33. “Vlerësimi biopsikosocial” është një proces vlerësimi i faktorëve të ndryshëm dhe të ndërvarur, të cilët dëmtojnë aftësinë e një individi për të kryer veprimtari të jetës së përditshme dhe për të marrë pjesë në shoqëri në kushte të barabarta me të tjerët. Këta faktorë janë: struktura trupore, funksionet trupore e psikologjike, si dhe faktorë personalë, shoqërorë, ekonomikë dhe kulturorë.

34. “Komisioni shumëdisiplinor i vlerësimit të aftësisë së kufizuar” është një ekip i përzgjedhur, me mjek dhe punonjës social/psikolog, të cilët janë të punësuar pranë drejtorisë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror dhe janë përgjegjës për procesin e vlerësimit biopsikosocial të aplikuesve për përfitimet për shkak të aftësisë së kufizuar, bazuar në dokumentet e përgatitura nga mjekët, informacionin e marrë nga intervistat e zhvilluara dhe verifikimin e informacionit me institucione të tjera.

35. “Ri/integrimi social” është tërësia e veprimtarive të integruara në pagesa dhe shërbime, që synojnë fuqizimin ekonomik të përfituesve të ndihmës ekonomike nëpërmjet punësimit.

 

 

 

KREU II

PËRFITUESIT E NDIHMËS DHE  TË SHËRBIMIT SHOQËROR

Neni 5

(Shtuar pika 4, me ligjin nr.10 252, datë 11.3.2010, ndryshuar me ligjin nr.10 399, datë 17.3.2011, ndryshuar pika 5, me ligjin nr. 47/2014, datë 24.4.2014)

 

Përfituesit e ndihmës ekonomike janë:

1. Familjet në nevojë.

2. Jetimët, të cilët nuk janë në institucione.

3. Prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë.

4. Viktimat e trafikimit, pas daljes nga institucionet e përkujdesit shoqëror, deri në çastin e punësimit të tyre.

5. Viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesjes shoqërore.

Viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare, për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, përfitojnë sipas përcaktimeve të nenit 23, pika 3, të këtij ligji.

 

Neni 6

(Ndryshuar me ligjin nr. 44/2016, datë 21.4.2016)

 

Përfituesit e shërbimeve shoqërore janë fëmijët, të rinjtë, deri në moshën 25 vjeç, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuar, gratë, vajzat në nevojë, azilkërkuesit e mitur, të pashoqëruar, për efekt të përfitimit të shërbimit të kujdestarisë, sipas përcaktimeve të nenit 15, të këtij ligji, si dhe të gjithë ata që janë në rrezik të bëjnë pjesë në grupet në nevojë.

Neni 7

(Shfuqizuar pika 1, me ligjin nr.9602, datë 28.7.2006)

 

Përfitues të pagesës për aftësinë e kufizuar janë:

1. Shfuqizuar.

2.  Paraplegjikët dhe tetraplegjikët, të cilët deklarohen me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë se janë bërë të tillë, pavarësisht nga shkaku dhe mosha.

3.  Personat me aftësi të kufizuar, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë.

4. Personat, të cilët janë deklaruar invalidë pune me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, që përfitojnë pension invaliditeti dhe shtesë mujore mbi të, sipas Statusit të Invalidit të Punës.

 

Neni 8

 

Personat përfitues që përcaktohen në pikat 1, 2, 3 të nenit 7 të këtij ligji, të cilët me vendim të komisioneve mjekësore të posaçme  përcaktohen se kanë nevojë për përkujdesje, përfitojnë edhe  një kujdestar me pagesë.

 

Neni 9

(Shtuar pika 4 dhe 5 me ligjin nr. 47/2014, datë 24.4.2014)

 

Nga ky ligj nuk përfitojnë:

1. Shtetasit shqiptarë që banojnë jashtë vendit si emigrantë, me përjashtim të personave dhe të familjeve të tyre të caktuar me punë pranë përfaqësive tona diplomatike dhe organizmave  ndërkombëtarë.

2. Azilkërkuesit, të cilët nuk kanë marrë statusin e azilit.

3. Shtetasit shqiptarë, shtetasit e huaj ose personat pa shtetësi, të cilët kanë nevojë për ndihmë emergjente, si pasojë e fatkeqësive natyrore dhe e luftërave.

4. Personat që, me vendim të formës së prerë të gjykatës, vuajnë dënimin me heqje lirie.

5. Personat që trajtohen në institucionet e përkujdesjes rezidenciale publike, të financuara nga fondet e Buxhetit të Shtetit, për masën e ndihmës ekonomike apo pagesën për aftësinë e kufizuar.

 

KREU III

LLOJET E PËRFITIMIT TË NDIHMËS EKONOMIKE

DHE TË SHËRBIMEVE SHOQËRORE

Neni 10

(Ndryshuar me ligjin nr.10 399, datë 17.3.2011,  nr. 44/2016, datë 21.4.2016)

 

1. Ndihma ekonomike është një pagesë e kufizuar në kohë, që jepet në formën e një shpërblimi mujor në lekë, për kategoritë e përcaktuara në nenin 5 të këtij ligji. Kufizimi në kohë i ndihmës ekonomike bëhet sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave. Masat përjashtuese nga skema e ndihmës ekonomike për familjet, të cilat nuk zbatojnë kërkesat e legjislacionit në fuqi, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Kriteret e përfitimit të ndihmës ekonomike vlerësohen sipas nevojave dhe mbajnë parasysh gjendjen e varfërisë, të cilat vlerësohen bashkërisht, duke u dhënë pesha specifike të qarta, objektive e transparente, si pjesë e një formule të pikëzuar. Kriteret dhe detajet e formulës përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

1/1. Rishikimi i parametrave të programeve të ndihmës ekonomike, duke përfshirë rishikimin e kritereve të vlerësimit për ndihmën dhe aftësinë e kufizuar dhe përditësimin e formulës së unifikuar të pikëzimit, e cila ndihmon në përcaktimin e kritereve të pranueshmërisë së familjeve për përftimin e ndihmës ekonomike, bazuar në ndryshimin e nivelit të varfërisë në vend, realizohet nga autoriteti shtetëror përgjegjës për ndihmën dhe shërbimet shoqërore.

2. Familjet dhe individët në nevojë kanë të drejtë të marrin përfitime në natyrë, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

3. Shfuqizohet.

4. Fëmijët e familjes në nevojë, të cilët përfitojnë ndihmë ekonomike, si dhe jetimët që nuk janë në institucione që ndjekin arsimin e detyrueshëm,  sipas ligjit nr. 7952, datë 21.6.1995 “Për arsimin parauniversitar”, të ndryshuar, marrin një pagesë shtesë, deri në mbarimin e arsimit të detyrueshëm, në masën e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave.

5. Anëtarit të familjes në nevojë, që është person me aftësi të kufizuara, invalid pune, nuk i llogaritet masë ndihme ekonomike në strukturën e masës së ndihmës ekonomike për familjen.

6. Masa mujore e ndihmës ekonomike, sipas strukturës së familjes, procedurave, dokume-ntacionit dhe kritereve që duhet të plotësojnë familjet dhe individët në nevojë për përfitimin e ndihmës ekonomike, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

7. Ministri përgjegjës për çështjet e ndihmës dhe shërbimeve shoqërore nxjerr udhëzim për mënyrën e përllogaritjes së masës së ndihmës ekonomike.

 

Neni 11

(ndryshuar pika 2, me ligjin nr. 47/2014, datë 24.4.2014,  nr. 44/2016, datë 21.4.2016)

 

1. Pagesa për personat me aftësi të kufizuar jepet në formën e një kësti mujor, në lekë.  Masa e pagesës për këta individë dhe për kujdestarët e tyre përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Përfituesve, të klasifikuar me vendim të KMCAP-it në grupet e aftësisë së kufizuar, u ndërpritet pagesa pas 48 muajve punësimi. Procedurat në rastet e rikthimit në skemën e përfitimit të pagesës së aftësisë së kufizuar përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 12

 

Shërbimet shoqërore, sipas natyrës, ndahen në:

a) shërbime të përkujdesit shoqëror;

b) shërbime të përkujdesit shoqëror-mjekësor.

 

Neni 13

 

1. Shërbimet e përkujdesit shoqëror përfshijnë shërbimet që u ofrohen individëve, familjeve, grupeve në nevojë, komuniteteve, të përcaktuara në nenin 6 të këtij ligji, për plotësimin e nevojave të tyre jetësore.

2. Shërbimet e përkujdesit shoqëror-mjekësor ofrohen nga personeli i specializuar në qendra riintegruese dhe rehabilituese rezidenciale, në qendra ditore ose në familje, për individët, të cilët nuk janë në gjendje të jetojnë normalisht, për shkak të përkeqësimeve të përkohshme apo të përhershme fizike, psikike dhe mendore.

 

Neni 14

 

Shërbimet e përkujdesit shoqëror, sipas mënyrës së organizimit dhe të funksionimit, janë:

a) shërbime të përkujdesit rezidencial;

b) shërbime të përkujdesit komunitar.

 

Neni 15

(Shtuar pika 3, 4 dhe 5, me ligjin nr.10 399, datë 17.3.2011)

 

1. Shërbimi në institucionet rezidenciale ofrohet për individë, për të cilët përkujdesi në shtëpi nuk është i mundur. Vendosja e tyre në qendrat e përkujdesit shoqëror bëhet me pëlqimin e personit, pas vlerësimit të gjendjes shoqërore, ekonomike dhe mjekësore të tij.

2. Shërbimet e përkujdesit komunitar ofrohen në qendra ditore, në shtëpitë e individëve ose në familjen kujdestare, sipas nevojave specifike të grupeve përfituese.

3. Procedura e evidentimit të familjes kujdestare organizohet dhe mbikëqyret nga strukturat e ndihmës dhe shërbimeve shoqërore të njësive të vetëqeverisjes vendore, të cilat ngrenë pranë tyre komisionet multidisiplinare për vlerësimin e rasteve. Organizimi dhe funksionimi i komisioneve multidisiplinare përcaktohen në rregulloren e miratuar nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr. 8652, datë 30.7.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të ndryshuar.

4. Kriteret, dokumentacioni dhe procedura që do të ndiqet nga strukturat e ndihmës dhe shërbimeve shoqërore të njësive të vetëqeverisjes vendore, për evidentimin e familjeve kujdestare, si dhe masa e financimit për shpenzimet e fëmijës të vendosur në familje kujdestare përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

5. Ministri përgjegjës për çështjet e ndihmës dhe të shërbimeve shoqërore nxjerr udhëzim për procedurat dhe zbatimin e standardeve të shërbimeve.

 

Neni 16

 

Shërbimet e përkujdesit shoqëror, sipas mënyrës së financimit, klasifikohen në shërbime publike dhe në shërbime private.

Neni 17

(Shtuar një fjali në paragrafin e dytë,  me ligjin nr.10 252, datë 11.3.2010)

 

1. Shërbimet e përkujdesit shoqëror publik përfshijnë shërbimet e përkujdesit shoqëror, që ofrohen në institucionet rezidenciale, ditore ose në shtëpi, për grupet në nevojë.

Këto shërbime financohen nga buxheti qendror dhe nga buxhetet e pavarura të njësive të vetëqeverisjes vendore. Shërbimi Social Shtetëror administron shërbime shoqërore për individët në nivel kombëtar.

Bashkitë ose njësitë administrative administrojnë të gjitha shërbimet shoqërore për  individë, që janë banorë të atij qyteti  apo njësie administrative.

Qarku administron shërbime kur ato ofrohen për individë, që u përkasin disa njësive vendore në atë qark.

2. Shërbimet e përkujdesit shoqëror privat përfshijnë shërbimet e përkujdesit shoqëror, që ofrohen në qendrat rezidenciale, në qendrat ditore ose në shtëpi, të financuara privatisht.

 

Neni 18

(Ndryshuar pika 1, me ligjin nr.10 137, datë 11.5.2009)

 

1. Veprimtaritë e përkujdesit shoqëror, të përcaktuara në këtë ligj, përfshihen në kategorinë X.1 të shtojcës së ligjit për licencat. Licencimi i këtyre veprimtarive bëhet sipas ligjit për licencat.

2. Shërbimet e përkujdesit shoqëror publik, që financohen me fondet e buxhetit  qendror apo vendor prokurohen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore tek ofruesit privatë të tyre, sipas legjislacionit në fuqi për prokurimin publik.

3. Njësitë e vetëqeverisjes vendore lidhin kontratë me personat juridikë privatë fitues, për shërbimet që ato ofrojnë  në juridiksionin e territorit të tyre.

4. Ministria përgjegjëse për çështjet e ndihmës dhe shërbimeve shoqërore harton standardet e shërbimeve të përkujdesit shoqëror dhe kontrollon zbatimin e tyre.  Standardet e shërbimeve të përkujdesit shoqëror miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

KREU IV

KRITERET E PËRFITIMIT DHE PROCEDURA E DHËNIES SË NDIHMËS EKONOMIKE DHE TË OFRIMIT TË SHËRBIMEVE SHOQËRORE

 

Neni 19

(Shtuar pikat 4 dhe 5, me ligjin nr.10 399, datë 17.3.2011, nr. 44/2016, datë 21.4.2016)

 

Ndihma ekonomike, që përfitojnë familjet dhe individët në nevojë, është e plotë.

1. Ndihmë ekonomike të plotë përfitojnë familjet ose individët që nuk kanë të ardhura ose kanë të ardhura të pamjaftueshme nga programi i mbrojtjes sociale, remitancat, qiraja, asetet, bujqësia apo të ardhura të tjera.

2. Shfuqizuar.

3. Shfuqizuar.

4. Përjashtohen nga llogaritja e të ardhurave, sipas pikës 3 të këtij neni, familjet në nevojë kur:

a) nuk kanë kryefamiljarë, për arsye të vdekjes së të dy prindërve, të cilët kanë pasur fëmijët në ngarkim;

b) njëri prej prindërve është duke vuajtur dënimin me burgim, për vepra penale, me vendim gjykate të formës së prerë, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton, të cilët kanë pasur fëmijët në ngarkim;

c) njërit prind i është hequr e drejta prindërore me vendim gjykate, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton, në gjendjen familjare të të cilit ka fëmijë;

ç) kanë si kryefamiljar një person me aftësi të kufizuara, fizike e mendore, i verbër, paraplegjik/tetraplegjik ose invalid pune, dhe anëtarët e tjerë të familjes së tij janë fëmijë ose persona mbi moshë pune, të cilët nuk përfitojnë pension;

d) kanë si kryefamiljar nënën, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton, si dhe kur anëtarët e familjes së tij janë fëmijë ose persona mbi moshë pune, të cilët nuk përfitojnë pension;

dh) kanë si kryefamiljar një pjesëtar të familjes që është mbi moshë pune dhe, kur anëtarët e familjes së tij janë fëmijë dhe persona mbi moshë pune, pavarësisht nga të ardhurat, nga pensioni apo toka;

e) janë familje të mbyllura në shtëpi, si pasojë e gjakmarrjes;

ë)  janë familje që i përkasin minoritetit rom;

f) janë familje nën nivelin e varfërisë, sipas listës së përcaktuar në aktet nënligjore përkatëse.

5. Këshilli i Ministrave, kur e sheh të nevojshme, parashikon edhe raste të tjera të përjashtimit nga llogaritja e të ardhurave, përveç atyre të parashikuara në pikën 4 të këtij neni.

 

 

Neni 20

(Ndryshuar me ligjin nr.10 399, datë 17.3.2011, me ligjin nr. 47/2014, datë 24.4.2014, nr. 44/2016, datë 21.4.2016)

 

1. Ndihma ekonomike shpërndahet një herë në muaj, me vendim të strukturave rajonale të Shërbimit Social Shtetëror. Bashkia/njësia administrative njofton kërkuesit për përfitimin e ndihmës ekonomike brenda 24 orëve nga marrja e njoftimit për vendimin e drejtorisë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, nëpërmjet publikimit të tij, dhe kryen veprimet financiare për pagesën.

1/1. Pagesa e personave me aftësi të kufizuar shpërndahet një herë në muaj, me vendim të këshillit bashkiak.

2. Kërkesa për të përfituar ndihmë ekonomike bëhet me shkrim nga:

a) kryetari i familjes ose njëri nga anëtarët madhorë të familjes;

b) secili prej bashkëshortëve, në rastet kur ata janë në proces zgjidhjeje martese dhe nuk ka ende vendim gjykate të formës së prerë.

Kërkesa dhe dokumentacioni për të përfituar ndihmë ekonomike paraqiten tek administratori shoqëror në njësinë e vetëqeverisjes vendore.

Kriteret, procedura dhe dokumentacioni për përfitimin e ndihmës ekonomike, si dhe nivelet minimale dhe maksimale të masës për përfitimin e saj përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

3. Kërkesa dhe dokumentacioni për të përfituar pagesë për personat me aftësi të kufizuar paraqiten tek administratori shoqëror në njësitë e vetëqeverisjes vendore. Kriteret, procedura dhe dokumentacioni për përfitimin e pagesës për personat me aftësi të kufizuara, si dhe të kujdestarëve të tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

4. Kërkesa dhe dokumentacioni për të përfituar shërbime të përkujdesit shoqëror paraqiten tek administratori shoqëror në njësitë e vetëqeverisjes vendore. Kriteret, procedurat dhe dokumentacioni i pranimit në institucionet e përkujdesit shoqëror dhe për shërbimet në komunitet përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 21

(Ndryshuar me ligjin nr.10 399, datë 17.3.2011, nr. 44/2016, datë 21.4.2016)

 

Këshilli bashkiak ka të drejtë të miratojë dhënien e ndihmës ekonomike për familjet aplikuese, të cilat nuk janë shpallur përfituese nga sistemi i pikëzimit, bazuar në vlerësimin social-ekonomik, të kryer nga administratori shoqëror. Këto familje në nevojë do të trajtohen nga fondi i kushtëzuar për bllok-ndihmën ekonomike deri në 6 për qind dhe/ose me fonde të buxhetit vendor, sipas përcaktimeve që do të bëhen nga ministri përgjegjës për çështjet sociale.

 

Neni 22

(Nryshuar me ligjin nr. 47/2014, datë 24.4.2014)

 

1. Personat, që kanë nevojë për shërbime të përkujdesit shoqëror, pranohen në institucionet rezidenciale publike pa pagesë, nëse familjet e  tyre nuk kanë asnjë të ardhur.  Shpenzimet e tyre mbulohen nga Buxheti i Shtetit duke përfshirë edhe shpenzimet e shërbimit shëndetësor/mjekësor.

2. Përfituesit e shërbimeve shoqërore, të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, përfshihen në kategorinë e personave ekonomikisht joaktivë, në kuptim të skemës së sigurimeve të detyrueshme të kujdesit shëndetësor. Kontributi në fondin e sigurimeve të detyrueshme shëndetësore për këto kategori paguhet nga Buxheti i Shtetit.

 

 

Neni 23

 

1. Personat, që kanë nevojë për shërbime të përkujdesit shoqëror dhe kanë të ardhura personale, pranohen në institucionet publike të përkujdesit, kundrejt një pagese në raport me të ardhurat e tyre mujore ose të ardhurat e individëve të tjerë përgjegjës.  Masa e kontributit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Pagesa e personave me aftësi të kufizuar, sipas nenit 7 të këtij ligji, nuk përfshihet në llogaritjen e të ardhurave personale  të personave, që vendosen në institucionet publike të përkujdesit shoqëror.

3. Përfituesve të shërbimeve të përkujdesit shoqëror, që vendosen në institucionet e përkujdesit, u jepet në dorë një shumë në lekë për shpenzime personale.  Kjo shumë përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 24

 

Nivelet e kuotave të shpenzimeve të përkujdesit shoqëror në institucionet publike rezidenciale dhe komunitare miratohen nga ministria përgjegjëse për çështjet e ndihmës dhe shërbimeve shoqërore.  Nivelet e kuotave të shpenzimeve në institucionet private nuk mund të jenë më të ulëta se ato në institucionet publike.

 

Neni 25

(Shfuqizuar me ligjin nr. 44/2016, datë 21.4.2016)

 

KREU V

DREJTIMI DHE ADMINISTRIMI I SKEMËS SË NDIHMËS DHE SHËRBIMEVE SHOQËRORE

Neni 26

(Ndryshuar me ligjin nr.10 399, datë 17.3.2011, ndryshuar pika 2 me ligjin nr. 25/2013, datë 14.2.2013,  nr. 44/2016, datë 21.4.2016)

 

1. Ministria përgjegjëse për çështjet e ndihmës dhe shërbimeve shoqërore është autoriteti përgjegjës për hartimin e politikave, të legjislacionit, programimin e fondeve të ndihmës ekonomike, pagesës për personat me aftësi të kufizuar dhe të shërbimeve shoqërore, normave dhe standardeve të shërbimeve, si dhe  kontrollin e zbatimit të tyre në të gjitha nivelet e strukturave qendrore dhe vendore, në sektorin publik dhe privat.

2. Shfuqizuar.

3. Shfuqizuar.

4. Ministria përgjegjëse për çështjet e ndihmës dhe shërbimeve shoqërore grumbullon informacione, statistika dhe raporte nga njësitë vetëqeverisjes vendore, me qëllim vlerësimin dhe monitorimin e zbatimit të politikave, arritjen e standardeve për ndihmën ekonomike, kryerjen e pagesës për personat me aftësi të kufizuar dhe shërbimet e përkujdesit shoqëror.  Përmbajtja, që do të kenë informacionet  dhe raportet e njësive të vetëqeverisjes vendore, treguesit statistikorë, që do të mblidhen, periodiciteti i mbledhjes së tyre, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 27

(Ndryshuar me ligjin nr.10 399, datë 17.3.2011, shtuar pika 6 dhe 7, me ligjin nr. 25/2013, datë 14.2.2013, nr. 44/2016, datë 21.4.2016)

 

1. Shërbimi Social Shtetëror është institucion publik, në varësi të ministria përgjegjëse për çështjet e ndihmës dhe shërbimeve shoqërore.

2. Organizimi dhe funksionimi i Shërbimit Social Shtetëror miratohet me vendim të  Këshillit të Ministrave.

3. Shfuqizuar.

4.  Shfuqizuar.

5. Shërbimi Social Shtetëror përgjigjet për zbatimin e politikave të ministrisë përgjegjëse për çështjet e ndihmës dhe shërbimeve shoqërore në fushën e  ndihmës dhe të shërbimeve të përkujdesit shoqëror për:

a) programimin dhe kontrollin e përdorimit të fondeve të Buxhetit të Shtetit për ndihmën ekonomike, pagesën e personave me aftësi të kufizuar dhe shërbimet e përkujdesit shoqëror;

b) monitorimin e standardeve të shërbimeve dhe propozimin për miratim të shërbimeve të reja;

c) përcaktimin dhe miratimin e dokumentacionit unik të nevojshëm për aplikuesit dhe  përfituesit e shërbimeve shoqërore, sipas këtij ligji.

dh) ngre dhe administron regjistrin elektronik kombëtar, i cili përfshin aplikantët dhe përfituesit e ndihmës ekonomike, të pagesës së aftësisë së kufizuar dhe të shërbimeve të përkujdesit shoqëror.

e) kontrollin e veprimtarisë e të zbatimit të legjislacionit në strukturat dhe institucionet në varësi të tij dhe pranë pushtetit vendor, për ndihmën dhe shërbimet shoqërore. Procedura e kryerjes së kontrollit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

6. Kontrolli për verifikimin e respektimit të kërkesave ligjore në fushën e shërbimeve shoqërore bëhet nga inspektorati që mbulon këtë fushë, në përputhje me këtë ligj dhe ligjin nr. 10 433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.

7. Organizimi dhe funksionimi i inspektoratit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me ligjin për inspektimin.

 

Neni 27/1

(Shtuar me ligjin nr. 44/2016, datë 21.4.2016)

 

Strukturat rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, për ndihmën ekonomike, kanë këto përgjegjësi:

1. Verifikimin e të dhënave të regjistruara nga administratori shoqëror në regjistrin kombëtar elektronik të të dhënave dhe në autoritetet shtetërore përgjegjëse për familjet/individët në nevojë, të cilët janë propozuar me vendim të këshillit bashkiak, që të trajtohen me ndihmë ekonomike.

2. Vendimmarrjen për:

a) caktimin e familjes/individëve në nevojë, përfitues të ndihmës ekonomike, që plotësojnë kriteret e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, si dhe masën e përfitimit të tyre. Për familjen në proces zgjidhjeje martese, kur nuk ka ende një vendim të formës së prerë, masa e përfitimit caktohet e ndarë për të dy bashkëshortët;

b) refuzimin e kërkesës për caktimin e përfitimit të ndihmës ekonomike, për familjet/individët në nevojë, të cilët nuk plotësojnë kriteret e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

3. Dërgimin e vendimit, për rastet e parashikuara në shkronjat “a” e “b”, të pikës 2, të këtij neni, kryetarit të bashkisë:

a) për të njoftuar kërkuesit për përfitimin e ndihmës ekonomike;

b) për të kryer veprimet financiare për pagesën, për përfituesit e ndihmës ekonomike.

 

 

Neni 28

 

Ministria përgjegjëse për çështjet e ndihmës dhe shërbimeve shoqërore harton dhe paraqet pranë Ministrisë së Financave nevojat për fonde nga buxheti për ndihmën ekonomike, pagesën për personat me aftësi të kufizuar dhe  për shërbimet e përkujdesit shoqëror.

 

Neni 29

(shtuar një paragraf në pikën 7 me ligjin nr.10 399, datë 17.3.2011, nr. 44/2016, datë 21.4.2016)

 

Këshilli bashkiak ka  këto përgjegjësi:

1. Merr vendimin për propozimin që familja/ individët në nevojë të trajtohen me ndihmë ekonomike dhe parashikon masën përkatëse të përfitimit. Ky vendim i përcillet menjëherë, zyrtarisht, strukturës rajonale të Shërbimit Social Shtetëror.

2. Miraton fondin për pagesën e personave me aftësi të kufizuar.

3. Miraton fondin për shërbimet e përkujdesit shoqëror.

4. Harton planin për zhvillimin e shërbimeve të përkujdesit shoqëror, bazuar në burimet, nevojat  dhe përparësitë vendore.

5. Miraton dhe mbështet zhvillimin e shërbimeve të përkujdesit në bazë të vlerësimit të  nevojave e përparësive vendore.

6. Merr vendime për personat, familjet, llojet e shërbimeve shoqërore që do të ofrohen bazuar në:

a) vlerësimin e nevojave të individëve dhe familjeve, të kryera nga administratori shoqëror;

b) mundësitë financiare për ofrimin e këtyre shërbimeve.

7. Shfuqizuar.

8. Autorizon strukturat e njësitë e vetëqeverisjes vendore të kontraktojnë me ofrues shërbimesh shoqërore private të licencuara edhe në rastet kur këto shërbime  ofrohen nga shërbime shoqërore publike.

9. Shfuqizuar.

10. Shfuqizuar.

11. Shfuqizuar.

12. Miraton programe bashkëpunimi  me OJF-të, institucionet e kultit dhe  përfaqësuesit e shoqërisë civile, në përputhje me nevojat dhe planet kombëtare e rajonale të ndihmës dhe shërbimeve të përkujdesit shoqëror.

 

Neni 30

 

Për administrimin e skemës së ndihmës dhe të shërbimeve shoqërore, pranë qarqeve, bashkive ose komunave ngrihen strukturat përkatëse.  Detyrat dhe përgjegjësitë e këtyre strukturave, në zbatim të këtij ligji, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

 

Neni 30/1

(Shtuar me ligjin nr. 44/2016, datë 21.4.2016)

 

Struktura përgjegjëse për shërbimet sociale në bashki, për efekt të ndihmës ekonomike dhe pagesave të aftësisë së kufizuar, kryen këto detyra:

1. Harton projektvendimin për familjet/ individët në nevojë, nën juridiksionin e bashkisë, për trajtim me ndihmë ekonomike dhe përllogarit fondin për mbulimin e tyre.

2. Paraqet në këshillin bashkiak projektvendimin për propozimin për familjet/individët në nevojë që do të trajtohen me ndihmë ekonomike dhe masën e përfitimit për këto familje/individë në nevojë.

3. Harton projektvendimin për përfituesit e pagesave të aftësisë së kufizuar;

4. Harton kërkesën për buxhetin dhe projektbuxhetin për vitin pasardhës për ndihmën ekonomike dhe pagesat për personat me aftësi të kufizuar.

5. Grumbullon dhe përgatit informacione e statistika, të cilat i dërgon pranë strukturave rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, mban regjistrin e përfituesve dhe  ndjek shpenzimet për ndihmën ekonomike, pagesën e personave me aftësi të kufizuar.

Neni 31

(Ndryshuar me ligjin nr. 44/2016, datë 21.4.2016)

 

Administratorët shoqërorë në bashki ose njësi administrative kanë për detyrë:

a) të identifikojnë familjet që kanë nevojë për ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuar dhe nevojat e individëve për shërbime të përkujdesit shoqëror;

b) të verifikojnë gjendjen shoqërore e ekonomike të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike dy herë në vit dhe, për familjet që shpallen përfituese për herë të parë, verifikimi i parë të kryhet brenda tre muajve;

c) të paraqesin pranë strukturës përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki të dhënat për familjet/individët në nevojë, që kanë aplikuar për ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuar dhe personat që do të trajtohen me shërbime të përkujdesjes shoqërore;

ç) të ndihmojnë në përgatitjen e dokumentacionit për personat që aplikojnë për përfitimin e ndihmës ekonomike, pagesës së aftësisë së kufizuar dhe për shërbimet e përkujdesit shoqëror si edhe të administrojë këtë dokumentacion;

d) Shfuqizohen.

dh) Shfuqizohen.

e) të hartojnë kërkesën për bllok-ndihmën dhe fondin e pagesës së personave me aftësi të kufizuar çdo dymujor për njësi të vetëqeverisjes vendore;

ë) të bashkëpunojnë  për hartimin e planeve vendore dhe rajonale në mbështetje të personave në nevojë;

f) të vlerësojnë nevojat e individëve ose familjeve që kërkojnë të marrin shërbime shoqërore, në përputhje me përparësitë kombëtare dhe vendore, mundësitë financiare për mbulimin e këtyre shërbimeve, të përgatisin dokumentacionin dhe propozimet për miratim në këshillin bashkiak;

g) të grumbullojnë dhe të hartojnë informacione, statistika dhe të mbajnë regjistrin e përfituesve, të ndjekin shpenzimet për ndihmën ekonomike, pagesën e personave me aftësi të kufizuar dhe të personave që kanë nevojë për shërbime të përkujdesit shoqëror;

gj) të grumbullojnë informacione për rrjetet e shërbimeve publike dhe private që veprojnë në territorin e bashkisë ose njësisë administrative.

h) të hedhin në regjistrin elektronik kombëtar të dhënat e deklaruara nga aplikuesit për ndihmë ekonomike;

i) të kontribuojnë në procesin e hartimit të projektvendimit për propozimin që familja /individët në nevojë të trajtohen me ndihmë ekonomike si dhe të listës së personave me aftësi të kufizuar;

j) të raportojnë pranë bashkisë të dhëna statistikore për numrin dhe fondin për familjet /individët përfitues të ndihmës ekonomike dhe pagesave të aftësisë së kufizuar.

 

 

KREU VI

FINANCIMI I NDIHMËS DHE SHËRBIMEVE TË PËRKUJDESIT SHOQËROR

Neni 32

 

Shteti ofron shërbime të përkujdesit shoqëror dhe forma të tjera të mbështetjes për personat në nevojë, sipas mundësive të Buxhetit të Shtetit.

 

Neni 33

 

Financimi i programeve të ndihmës ekonomike, pagesës për personat me aftësi të kufizuar dhe shërbimeve shoqërore përballohet  nga Buxheti i Shtetit dhe buxhetet e qeverisjes vendore.

 

Neni 34

 

Burimet e financimit të ndihmës dhe pagesës së personave me aftësi të kufizuar përbëhen nga:

a) fondet e Buxhetit qendror të Shtetit;

b) fondet nga taksat dhe tarifat vendore.

 

Neni 35

(Ndryshuar me ligjin nr.10 399, datë 17.3.2011)

 

Ministria përgjegjëse për çështjet e ndihmës dhe shërbimeve shoqërore programon fondet për bllok-ndihmën ekonomike dhe pagesën e personave me aftësi të kufizuar, në përputhje me vlerësimin e kërkesave të ardhura nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe detajon që në fillim të vitit për çdo njësi të vetëqeverisjes vendore.

Kriteret dhe treguesit, që përdoren për programimin e bllok-ndihmës, përcaktohen në bazë të treguesve të vlerësimit të varfërisë dhe rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 36

(Ndryshuar me ligjin nr.10 399, datë 17.3.2011 nr. 44/2016, datë 21.4.2016)

 

Ministria përgjegjëse për çështjet e ndihmës dhe shërbimeve shoqërore transferon çdo dy muaj fondin e bllok-ndihmës ekonomike në bashki.

Neni 37

 

Burimet e financimit për shërbimet e përkujdesit shoqëror, që realizohen nga institucionet publike dhe jopublike në nivel qarku, bashkie ose njësie administrative, në institucionet rezidenciale, në qendrat ditore, në familje ose shërbime të lëvizshme në komunitet  përbëhen nga:

a) fondet e deleguara nga Buxheti qendror i Shtetit;

b) fondet e caktuara nga taksat dhe tarifat vendore;

c) të ardhurat e caktuara nga pasuritë dhe veprimtari të tjera të bashkisë ose njësisë administrative;

ç) kontributet e përfituesve të shërbimeve të përkujdesit shoqëror, të përcaktuara në nenin 23 të këtij ligji;

d) dhurimet, sponsorizimet dhe financime të tjera nga organizata, persona fizikë ose juridikë apo individë të tjerë, që nuk përfshihen në shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “ç” të këtij neni.

 

Neni 38

(Shtuar dy paragrafë, me ligjin nr.10 252, datë 11.3.2010 dhe ndryshuar me ligjin nr.10 399, datë 17.3.2011)

 

Fondet nga Buxheti Qendror për financimin e shërbimeve të përkujdesit shoqëror transferohen nga ministria përgjegjëse për çështjet e ndihmës dhe shërbimeve shoqërore në bashki, njësi administrative ose qark që në fillim të vitit, në përputhje me vlerësimin e nevojave dhe me mundësitë e Buxhetit të Shtetit.  Metodologjia e llogaritjes dhe e shpërndarjes së këtyre fondeve përcaktohet nga ministria përgjegjëse për çështjet e ndihmës dhe shërbimeve shoqërore në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

Ministria përgjegjëse për çështjet e ndihmës dhe shërbimeve shoqërore parashikon në buxhetin e vet fonde për financimin e shërbimeve të përkujdesit shoqëror për viktimat e trafikimit, të cilat u transferohen njësive të vetëqeverisjes vendore ku funksionojnë këto shërbime të përkujdesit shoqëror.

Shërbimet e përkujdesit shoqëror do të përfitojnë financimin, vetëm nëse ato kanë një marrëveshje trepalëshe me Shërbimin Social Shtetëror dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore ku ofrojnë shërbimin. Në marrëveshje përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve, si dhe struktura pranë shërbimeve të përkujdesit shoqëror që do të mbikëqyrë administrimin.

 

Neni 39

 

Për mbështetjen e shërbimeve të reja të përkujdesit shoqëror dhe zhvillimin e politikave sociale, ministria përgjegjëse për çështjet e ndihmës dhe shërbimeve shoqërore krijon Fondin Shoqëror, i cili  përbëhet nga:

a) një pjesë e fondeve të  programuara për  shërbimet e përkujdesit shoqëror;

b) financime jashtëbuxhetore nga organizata, persona fizikë ose juridikë apo individë të tjerë;

c) të ardhurat e tjera, që sigurohen nga zbatimi i drejtpërdrejtë i  marrëveshjeve dy ose shumëpalëshe, që Republika e Shqipërisë lidh me shtetet e tjera;

ç)  të ardhurat nga burimet e veta dhe nga pasuritë që zotëron ministria përgjegjëse për çështjet e ndihmës dhe shërbimeve shoqërore.

Rregullat e përdorimit të Fondit Shoqëror përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 40

(Shtuar me ligjin nr.10 399, datë 17.3.2011)

 

Kontrolli për përdorimin e fondeve të ndihmës, pagesës për personat me aftësi të kufizuar dhe të shërbimeve të përkujdesit shoqëror bëhet nga organet e specializuara të kontrollit, në përputhje  me ligjin nr. 9009, datë 13. 2. 2003 “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik” dhe ligjin nr. 9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë.

 

KREU VII

Neni 41

Sanksionet

(Ndryshuar me ligjin nr.10 399, datë 17.3.2011, nr. 44/2016, datë 21.4.2016)

 

Shkeljet e detyrimeve të përcaktuara në nenet 27/1, 30/1 dhe 31, të këtij ligji, dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij, kur nuk përbëjnë vepër penale:

a) përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë, sipas ligjit nr. 10 279, datë 20.5.2010 “Për kundërvajtjet administrative”;

b) ndëshkohen me masë disiplinore.

2. Struktura përgjegjëse për zbatimin e legjislacionit për ndihmën ekonomike, pagesën për personat me aftësi të kufizuara, për shkeljet e detyrimeve të përcaktuara në nenet 31 e 42/1 të këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, konstaton kundërvajtjen administrative dhe i propozon, për shkelësit, kryetarit të njësisë së vetëqeverisjes vendore/Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Social Shtetëror vendosjen e:

a) gjobës nga 50 mijë lekë deri në 100 mijë lekë;

b) masës disiplinore;

c) shpërblimin e dëmit, nëse është shkaktuar një i tillë.

3. Struktura përgjegjëse për zbatimin e legjislacionit për ndihmën ekonomike, pagesën për personat me aftësi të kufizuara, kur vlerëson se janë konsumuar elementet e veprës penale nga personat e ngarkuar për zbatim, bën kallëzimin penal pranë autoriteteve kompetente për shkelësit e ligjit.

4. Çdo shkelje e menaxhimit të fondeve buxhetore, që programohen dhe përdoren për ndihmën ekonomike, pagesën e aftësisë së kufizuar e shërbimet e përkujdesit shoqëror, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë, sipas përcaktimeve të nenit 71 të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë.

 

Neni 41/1

Ankimi

(Shtuar me ligjin nr.10 399, datë 17.3.2011 dhe ndryshuar me ligjin nr. 44/2016, datë 21.4.2016 )

1. Aplikuesi për përfitimin e ndihmës ekonomike, kur gjykon se vendimi zyrtar i organit përkatës është i padrejtë, mund të paraqesë ankesë, me shkrim, pranë bashkisë/njësisë administrative, brenda 10 ditëve kalendarike nga marrja e njoftimit. Struktura vendore shqyrton ankesën dhe njofton, me shkrim, ankuesin, brenda 7 ditëve kalendarike nga marrja e ankesës.

2. Aplikuesi për përfitimin e ndihmës ekonomike ka të drejtë të paraqesë ankesë me shkrim pranë strukturës rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, brenda 10 ditëve kalendarike nga marrja e përgjigjes nga struktura vendore, pas ezaurimit të ankimit, të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni.

3. Struktura rajonale e Shërbimit Social Shtetëror, pas shqyrtimit dhe verifikimit të ankesave, njofton me shkrim të interesuarin dhe njësinë e vetëqeverisjes vendore brenda 10 ditëve pune, nga marrja e ankesës.

4. Aplikuesit për përfitimin e ndihmës ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar, që pretendojnë se u është shkelur dhe/ose mohuar një e drejtë ligjore, gëzojnë të drejtën për të ngritur padi në gjykatë, në përputhje me përcaktimet e bëra në ligjin nr. 49/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative.

 

 

Neni 42

Dispozita kalimtare

(Ndryshuar me ligjin nr.10 399, datë 17.3.2011, nr. 44/2016, datë 21.4.2016)

 

1. Përdorimi i regjistrit elektronik kombëtar të të dhënave për aplikuesit dhe përfituesit e pagesës së aftësisë së kufizuar dhe të shërbimeve të përkujdesjes shoqërore do të pilotohet në njësitë e vetëqeverisjes vendore, të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.

2. Për njësitë e vetëqeverisjes vendore, në të cilat nuk do të kryhet pilotimi, do të zbatohet legjislacioni në fuqi për aftësinë e kufizuar dhe shërbimet shoqërore.

Neni 42/1

(Shtuar me ligjin nr.10 399, datë 17.3.2011, nr. 47/2014, datë 24.4.2014, shfuqizuar me ligjin nr. 44/2016, datë 21.4.2016)

Shfuqizuar.

Neni 42/2

(Shtuar me ligjin nr.10 399, datë 17.3.2011, shfuqizuar me ligjin nr. 44/2016, datë 21.4.2016 )

Shfuqizuar.

Neni 42/3

(shtuar me ligjin nr. 44/2016, datë 21.4.2016)

 

Në njësitë e vetëqeverisjes vendore, në të cilat do të kryhet pilotimi i regjistrit elektronik kombëtar dhe modeli biopsikosocial i vlerësimit të aftësisë së kufizuar me grup/komision vlerësimi shumë-disiplinor, për të gjithë personat, të cilët kërkojnë të vlerësohen/rivlerësohen për aftësinë e kufizuar, do të ndiqen këto procedura:

1. Kërkesa dhe dokumentacioni për vlerësimin e aftësisë së kufizuar paraqiten pranë zyrës së vlerësimit të aftësisë së kufizuar, në drejtorinë rajonale të Shërbimit Social Shtetëror, e cila hedh të dhënat e aplikuesit në regjistrin elektronik kombëtar, administron dokumentacionin, kryen verifikimin dhe vlerësimin e individëve dhe merr vendimin për aftësinë e kufizuar.

2. Drejtoria rajonale e Shërbimit Social Shtetëror pajis me dokumentin përkatës personin me aftësi të kufizuar dhe i dërgon kryetarit të bashkisë vendimin përfundimtar për të gjithë përfituesit e pagesës së aftësisë së kufizuar, për të kryer veprimet financiare.

3. Masa, kriteret, procedurat dhe dokumentacioni për vlerësimin dhe përfitimin e aftësisë së kufizuar dhe ndihmësit personal, si dhe strukturat përgjegjëse dhe detyrat e tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 42/4

(shtuar me ligjin nr. 44/2016, datë 21.4.2016 )

 

1. Regjistri elektronik kombëtar për aplikuesit dhe përfituesit e shërbimeve shoqërore do të pilotohet në njësitë e vetëqeverisjes vendore, sipas përcaktimeve me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Kriteret, procedurat dhe dokumentacioni për përfitimin e shërbimeve shoqërore përcaktohen me vendime të Këshillit të Ministrave.

Neni 42/5

(shtuar me ligjin nr. 44/2016, datë 21.4.2016 )

 

1. Familjet/individët përfitues të ndihmës ekonomike, të përcaktuar në nenin 5, të këtij ligji, të cilët janë në moshë pune, përfshihen në programe të ri/integrimit social.

2. Kriteret, procedurat dhe dokumentacioni që duhet të plotësojnë personat që do të përfshihen në programe të ri/integrimit social përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

3. Miratimi i programeve të ri/integrimit social bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

 

Neni 43

(ndryshuar me ligjin nr.10 399, datë 17.3.2011)

 

Ngarkohet Këshilli i Ministrave për nxjerrjen e akteve nënligjore në zbatim të neneve 10, 11, nenit 15 pika 4, 18, 19, 20, nenit 22 pika 1, 23, 26, 27, 29, 30, 35, 38 dhe 39 të këtij ligji.

Ngarkohet ministri përgjegjës për çështjet e ndihmës dhe shërbimeve shoqërore të nxjerrë udhëzime në zbatim të neneve 10 pika 7 dhe 15 pika 5.

 

Neni 44

 

Ligji nr. 7710, datë 18. 5. 1993 “Për ndihmën dhe përkujdesin shoqëror”, i ndryshuar, vendimet e Këshillit të Ministrave në zbatim të tij dhe neni 2 i ligjit nr. 8626, datë 22. 6. 2000 “Për statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”  shfuqizohen.

 

DISPOZITË KALIMTARE E LIGJIT NR. 25/2013, DATË 14.2.2013

 

Organi ekzistues inspektues vazhdon të ushtrojë funksionin e vet sipas organizimit aktual deri në krijimin e organit të ri, sikurse parashikohet në ndryshimet e bëra në këtë ligj.

 

 

Neni 45

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

Shpallur me dekretin nr.4520, datë 25.3.2005 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu


[1] Ndryshuar me ligjet:

-          nr.9602, datë 28.7.2006,

-          nr.10 137, datë 11.5.2009,

-          nr.10 252, datë 11.3.2010,

-          nr.10 399, datë 17.3.2011,

-          nr. 25/2013, datë 14.2.2013,

-          nr. 47/2014, datë 24.4.2014,

-          nr. 44/2016, datë 21.4.2016

FacebookTwitterGoogle+Share

Comments

comments

Share →