LIGJ

Nr.8308, datë 18.3.1998

PËR TRANSPORTET RRUGORE[1]

(I përditësuar)

Në mbështetje të nenit 16, të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI POPULLOR

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Shkarkoje te plote ne PDF_1

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

 

a) Ky ligj do të zbatohet për të gjitha llojet e transportit rrugor të udhëtarëve brenda vendit dhe pjesërisht jashtë territorit tokësor të Republikës së Shqipërisë nga transportues me seli në Republikën e Shqipërisë.

b) Ky ligj do të zbatohet, gjithashtu, për ushtrimin e veprimtarisë në transportin rrugor të mallrave për të tretë, me qira ose për nevojat e veta brenda vendit dhe pjesërisht jashtë territorit tokësor të Republikës së Shqipërisë nga transportues me seli në Republikën e Shqipërisë.

c) Transporti rrugor i mallrave për të tretë dhe me qira ose për nevojat e veta përshin ngarkimin, shkarkimin dhe lëvizjen bosh dhe plot të mjetit.

 

Neni 2

 

a) Transporti brenda territorit tokësor të Republikës së Shqipërisë është i ndaluar për transportuesit e huaj që nuk e kanë selinë në Shqipëri, me përjashtim të rasteve kur ata janë regjistruar në Regjistrin Tregtar Shqiptar dhe punojnë me mjete të regjistruara në Shqipëri.

b) Në përputhje me rregullat e marrëveshjeve ndërkombëtare të nënshkruara në emër të Republikës së Shqipërisë, rregulli i mësipërm mund të mos zbatohet.

 

 

Neni 3

(Ndryshuar me ligjin nr. 9096, datë 3.7.2003)

Shtuar pikat  me ligjin nr. 9760, datë 21.6.2007)

(Shtuar dhe ndryshuar pika 3.21 me ligjin nr. 10 302, datë 15.7.2010)

 (Ndryshuar pika 3.25 me ligjin nr. 10/2016, datë 11.2.2016

 

            Në këtë ligj termat e përdorur kanë këtë kuptim:

3.1. Transportues: person fizik ose juridik, i cili shfrytëzon mjete të transportit rrugor në pronësi në bashkëpronësi ose me qira.

3.2. Ministri: ministria përgjegjëse për veprimtarinë e transporteve.

3.3. Ministër: personi i ngarkuar me detyrën e ministrit përgjegjës për veprimtarinë e transporteve.

3.4. Mjet motorik (mjet): të gjitha mjetet e transportit që shfrytëzojnë pjesërisht a tërësisht fuqinë mekanike motorike si tërheqës ose përfshirë në të, përveç atyre hekurudhore.

3.5. Autobus: mjet motorik i prodhuar vetëm për transportin e udhëtarëve me më shumë e 8 vende të ulura, përveç atij të drejtuesit të automjetit.

3.6. Taksi: mjet motorik i prodhuar vetëm për transportin e udhëtarëve me vende të ulura jo më pak se 4 dhe jo më shumë se 8, përveç atij të drejtuesit të automjetit, që ka jo më pak se katër dyer për autoveturat dhe jo më pak se tre dyer funksionale për mikrobusët dhe është i pajisur me taksimetër.

3.7. Kamion: mjet i destinuar për transportin e mallrave dhe të njerëzve, të caktuar për përpunimin ose transportin e këtyre mallrave.

3.8. Tërheqës: mjet i destinuar për tërheqjen vetëm të rimorkiove ose të gjysëmrimorkiove.

3.9. Drejtues i mjetit motorik: çdo shtetas që ka fituar shkallën e nevojshme të kualifikimit për drejtimin e një mjeti motorik.

3.10. Transport i rregullt udhëtarësh është shërbim i rregullt transporti në itinerare dhe vendqëndrime të pandryshuara, të ofruara nga transportuesi dhe të përcaktuara më parë në rregulloren e udhëtimit. Ky shërbim mund të jetë qytetës, rrethqytetës, ndërqytetës, ndërkombëtar dhe shërbim i rregullt, i specializuar.

3.11. Transport i rastit i udhëtarëve nënkupton shërbimet që nuk përfshihen në shërbimet e rregullta brenda vendit ose ato ndërkombëtare, të përkufizuara në pikën 3.10 të nenit 3, të cilat kryhen në itinerarin, me çmimin, shkallën e shërbimit dhe kushtet e tjera, që përcaktohen në marrëveshjen ndërmjet transportuesit dhe përdoruesit.

3.12. Shërbim taksi: shërbimi publik që siguron një transport të menjëhershëm e të drejtpërdrejtë të udhëtarëve dhe bagazheve të tyre.

3.13. Transport për vete: transporti i mallrave me kamion, në ardhje ose në kthim, vetëm për llogari të veprimtarisë së vet. Në këtë rast transporti është vetëm një veprimtari ndihmëse e veprimtarisë kryesore, e cila vërtetohet sipas ligjeve në fuqi.

3.14. Transport për të tretë dhe me qira: transporti i mallrave me kamion për persona fizikë a juridikë të tjerë ose dhënia e kamionit me qira.

3.15. Transport ndërkombëtar: transporti i mallrave për të tretë me qira ose për llogari të vet (pjesërisht) jashtë territorit tokësor të Republikës së Shqipërisë.

3.16. Organe transporti janë organet dhe zyrat që merren me transportin në ministri e

organet në varësi të saj, si dhe zyrat në qark, bashki.

3.17. Licencë: e drejta për të kryer veprimtari transporti të rregullt udhëtarësh dhe veprimtari transporti mallrash për të tretë e me qira brenda dhe jashtë vendit në përputhje me këtë ligj.

3.18. Certifikatë:

a) dokument që provon mbajtjen e licencës dhe është i vlefshëm për të drejtën e operimit të një mjeti;

b) dokument që i jep të drejtë një mjeti vetëm për transportin e mallrave për vete brenda dhe jashtë vendit, në përputhje me pikën 3.13 të këtij ligji.

c) dokument që i jep të drejtën një mjeti për transportin e udhëtarëve, për llogari të vet, brenda dhe jashtë vendit.

3.19. Leje: dokument që rrjedh nga marrëveshjet ndërkombëtare për të drejtën e kryerjes së transportit ndërkombëtar për udhëtarë ose për mallra.

3.20. Leje operimi: specifikim i të drejtës për operatorët e huaj të transportit të udhëtarëve për  të kryer transport  ndërkombëtar brenda territorit tokësor të Republikës së Shqipërisë siç përmendet në këtë ligj.

3.21. Veprimtaria e operatorit të transportit rrugor të mallrave nënkupton veprimtarinë e çdo ndërmarrjeje, që transporton mallra për të tretë dhe me qira, me anë të mjeteve motorike ose kombinimeve të mjeteve.

3.22. Veprimtaria e operatorit të transportit rrugor të udhëtarëve nënkupton veprimtarinë e çdo ndërmarrjeje, që operon me anë të mjeteve motorike, të konstruktuara dhe të pajisura në mënyrë të tillë, që të jenë të përshtatshme për të transportuar më shumë se nëntë persona, përfshirë drejtuesin e mjetit dhe të destinuara për këtë qëllim, që kryen shërbime transporti udhëtarësh për kategoritë publike ose të veçanta të përdoruesve, kundrejt pagesës nga personi i transportuar ose nga organizatori i transportit.

3.23. Ndërmarrje nënkupton çdo person fizik ose juridik për qëllime fitimi apo jo, çdo shoqatë ose grup individësh, pa personalitet juridik, me qëllim fitimi ose jo, apo çdo organ zyrtar, që ka personalitetin e vet ligjor ose varet nga një organ, që e ka këtë personalitet.

3.24. Taksimetër nënkupton një instrument matës, i cili, në përputhje me karakteristikat e mjetit ku vendoset dhe tarifat për të cilat fiksohet, llogarit, në mënyrë automatike dhe të vazhdueshme, shumën që do të paguhet nga përdoruesi i mjetit publik, i quajtur taksi, në bazë të distancës së përshkuar dhe/ose kohës, për të cilën mjeti është përdorur.

3.25. “Kabotazhi” nënkupton transportin rrugor të brendshëm për të tretë ose kundrejt pagesës, i kryer përkohësisht nga një transportues jorezident, i vendosur në një shtet tjetër, anëtar ose jo i BE-së.

3.26. “Regjistri Elektronik Kombëtar” nënkupton regjistrin, i cili përmban të dhënat e ndërmarrjeve të transportit rrugor në Shqipëri.

3.27. “Sistemet Inteligjente në Transport” ose “SIT” nënkupton sistemet, në të cilat teknologjitë e informacionit dhe komunikimit zbatohen në fushën e transportit rrugor, që përfshin infra-strukturën, mjetet dhe përdoruesit, dhe në menaxhimin e trafikut dhe të lëvizshmërisë, si dhe për lidhjen me metodat e tjera të transportit.

 

Neni 3/1

(Shtuar me ligjin nr. 10137, datë 11.5.2009)

 

Veprimtaritë e transportit ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve dhe mallrave, për të tretë a me qira, të përcaktuara në këtë ligj, përfshihen, respektivisht, në kategoritë VII.1 e VII.2, të shtojcës së ligjit për licencat. Këto veprimtari licencohen sipas ligjit për licencat ose sipas dispozitave në vijim, të këtij ligji. Këshilli i Ministrave vendos për përdorimin e njërës nga këto dy mënyra, sipas ndarjes në nënkategori. Në rastin e dytë nuk zbatohet parimi i miratimit në heshtje. Veprimtaritë e tjera të transportit, të përcaktuara në këtë ligj, licencohen ose autorizohen sipas dispozitave vijuese në të.

 

 

Neni 4

 

Transportuesit që kryejnë veprimtari transporti në, nga dhe nëpër territorit tokësor të Republikës së Shqipërisë janë të detyruar të zbatojnë dispozitat e këtij ligji dhe:

a) Të përdorin mjete transporti që kanë kaluar kontrollin e nevojshëm teknik.

b) Të mbajnë në mënyrë të rregullt regjistrime e dokumente për çdo mjet dhe për veprimtarinë e vet transportuese, si dhe t’i ruajnë ato për 5 vjet nga data e transportimit.

c) Të plotësojnë evidenca statistikore sipas formateve të miratuara nga organet përkatëse dhe t’i raportojnë ato sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.

Përmbajtja, mënyra e regjistrimit, mënyra e raportimit dhe afatet përcaktohen në rregullore të posaçme të ministrit.

ç) Në mjet, gjatë qarkullimit, duhet të jenë dokumentet përkatëse sipas këtij ligji.

 

Neni 5

(Ndryshuar paragrafi i tretë me ligjin nr. 10 302, datë 15.7.2010)

 

Veprimtaria e transportit rrugor për udhëtarë dhe mallra për të tretë dhe me qira, kryhet mbi bazën e licencës. Miratimi i saj në emër të transportuesit bëhet nga ministri ose nga organet e caktuara prej tij.

Licenca është e patjetërsueshme dhe e patransferueshme.

Veprimtaria e transportit të mallrave dhe udhëtarëve për vete  kryhet mbi bazën e certifikatës.

Kriteret, rregullat, afatet dhe dokumentacioni për dhënien e licencës, certifikatës dhe lejes përcaktohen me udhëzim të ministrisë.

Licencat, certifikatat dhe lejet jepen kundrejt pagesës. Tarifat përcaktohen nga Ministria në bashkëpunim me Ministrinë e Financave.

 

Neni 6

(Ndryshuar me ligjin nr. 9760, datë 21.6.2007)

(Ndryshuar me ligjin nr. 10/2016, datë 11.2.2016 )

 

Këshilli i Ministrave me vendim përcakton rregulla të hollësishme, për:

a) pranimin e ndërmarrjeve në veprimtarinë e operatorit të transportit rrugor për të tretë ose me qira, për mallra ose udhëtarë, mbështetur mbi këto kërkesa:

i) reputacionin e mirë;

ii) qëndrueshmërinë e duhur financiare;

iii) kompetencën profesionale;

iv) vendosjen efektive dhe të qëndrueshme në Shqipëri;

b) njohjen e dokumenteve të lëshuara ose të njohura nga shtetet anëtare të BE-së për pranimin në veprimtarinë e transportit rrugor.

 

 

Neni 7

 

Licenca për veprimtarinë e transportit humbet vlerën kur:

a) vdes ose humb zotësinë për të vepruar mbajtësi i saj;

b) mbaron personi juridik, mbajtësi i licencës;

c) mbaron afati i dhënies së saj.

 

Neni 8

(Ndryshuar dhe shtuar paragrafi me ligjin nr. 10 302, datë 15.7.2010)

 

Licenca për veprimtarinë e transportit pezullohet ose hiqet, kur:

a) kërkohet nga mbajtësi i saj;

b) veprimtaria nuk fillon në kohën e përcaktuar në të;

c) mbajtësi i licencës nuk plotëson një ose më shumë nga kërkesat e nenit 6;

ç) mbajtësi i licencës shkel detyrimet e përcaktuara në këtë ligj.

Procedurat për pezullimin dhe heqjen e licencës përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

KREU II

TRANSPORTI I UDHËTARËVE

Neni 9

 

Shteti, nëpërmjet organeve të veta, organizon transportin e udhëtarëve, kur ai kryhet me mjete motorike, përveç atyre të përdorimit vetjak.

Transporti i udhëtarëve lejohet vetëm me mjete origjinale të prodhuara për këtë lloj transporti.

Kushtet që duhet të plotësojnë këto mjete përcaktohen me udhëzim të Ministrisë.

Neni 10

(Shtuar germa “c” me ligjin nr. 37, datë 10.4.2014)

(Shtuar shkronja “ç” me ligjin nr. 10/2016, datë 11.2.2016 )

 

a) Mbajtësi i licencës, pas pagesës së çdo udhëtari që përdor këtë shërbim, është i detyruar të pajisë atë me biletë ose faturë si provë e qenies së një kontrate mes tyre.

Të drejtat dhe detyrimet specifike të palëve janë përcaktuar në dispozitat e Kodit Civil.

b) Tarifat e transportit të udhëtarëve zbatohen mbi bazën e dispozitave të ligjit “Për çmimet dhe tarifat”.

Tarifat e transportit të udhëtarëve me subvencion nga shteti miratohen nga Këshilli i Ministrave.

c) tarifat e biletave të transportit qytetas të udhëtarëve me autobus miratohen me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, sipas nenit 14 të këtij ligji.

ç) Tarifat e biletave të transportit rrethqytetës të udhëtarëve miratohen me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.

 

Neni 11

 

Ndalohet vendosja në mjetet e transportit të udhëtarëve e fotografive dhe objekteve të tjera me karakter pornografik.

 

KREU II.1

TRANSPORTI I UDHËTARËVE BRENDA VENDIT

(Ndryshuar titulli me ligjin nr. 9096, datë 3.7.2003)

Neni 12

(Ndryshuar me ligjin nr. 9096, datë 3.7.2003)

 

Transporti i udhëtarëve brenda vendit kryhet nëpërmjet:

a) shërbimeve në linja të rregullta, transporti qytetës, rrethqytetes dhe ndërqytetës;

b) shërbimeve të rregullta, të specializuara;

c) transporteve për llogari të vet;

ç) transporteve të rastit.

Neni 13

 

Transporti qytetës është një shërbim i veçantë që plotëson nevojat e popullsisë së një qyteti, duke kryer shërbim të rregullt me autobusë brenda vijave kufizuese të tij ose duke lidhur qendra të rëndësishme ekonomike dhe sociale me pjesët e tjera të qytetit.

 

Neni 14

(Ndryshuar me ligjin nr. 9096, datë 3.7.2003)

(Shtuar paragraf me ligjin nr. 37, datë 10.4.2014)

(Shtuar një paragraf pas paragrafit të parë, me ligjin nr. 10/2016, datë 11.2.2016 )

 

Këshilli bashkiak, duke u mbështetur në nevojat e popullsisë për transportin qytetës,

përcakton linjat, organizon, financon dhe vendos për këtë lloj transporti brenda juridiksionit te vet.

Përjashtim nga përcaktimet e nenit 13 dhe shkronjës “a”, të paragrafit të parë, të nenit 15, bën vetëm Bashkia e Tiranës, e cila, me vendim të këshillit bashkiak, mund të shtrijë rrjetin e linjave qytetëse në çdo njësi administrative përbërëse, në kufi me njësitë administrative të qytetit të Tiranës, nëse këto njësi përfaqësojnë qendra të zhvilluara e të rëndësishme urbane dhe/ose industriale.

Tarifa e llojit të biletës në transportin qytetas të udhëtarëve me autobus miratohet nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore, në përputhje me nivelin e standardit të kërkuar për këtë shërbim.

Transporti qytetës kryhet me autobus vetëm nga shoqëritë, të cilat kanë të shprehur në aktet e themelimit, si objekt të veprimtarisë, veprimtarinë e transportit të udhëtarëve.

Licenca për transportin qytetës jepet nga kryetari i bashkisë.

 

Neni 15

(Ndryshuar me ligjin nr. 9096, datë 3.7.2003)

(Shtuar germa “e” me ligjin nr. 9760, datë 21.6.200)

(Ndryshuar  me ligjin nr. 10/2016, datë 11.2.2016)

 

1. Transporti i udhëtarëve në linja rrethqytetëse është shërbim i rregullt transporti, i cili plotëson nevojat e lëvizjes së popullsisë ndërmjet:

a) njësive administrative përbërëse dhe qendrës së bashkisë së cilës i përkasin;

b) njësive administrative përbërëse të së njëjtës bashki;

c) fshatrave me njëri-tjetrin ose fshatrave në drejtim të qendrës së njësisë administrative së cilës i përkasin dhe/ose një njësie administrative tjetër të së njëjtës bashki;

ç) fshatrave dhe njësive administrative përbërëse, të bashkive të ndryshme, por që ndodhen në kufi me njëra-tjetrën.

2. Ky lloj transporti kryhet nga persona juridikë ose fizikë, të pajisur me licencë. Licenca për transportin rrethqytetës jepet nga kryetari i bashkisë ku ka selinë subjekti transportues.

 

 

Neni 16

(Ndryshuar me ligjin nr. 9096, datë 3.7.2003)

(Ndryshuar germa “a” me ligjin nr. 9760, datë 21.6.2007)

(Ndryshuar me ligjin nr. 10/2016, datë 11.2.2016 )

 

Transporti ndërqytetës i udhëtarëve me autobus, si transport i rregullt, kryhet në linjat kryesore dhe linjat ushqyese, të parashikuara në rrjetin e linjave të miratuara nga ministri.

Linjat kryesore shërbejnë për të plotësuar nevojat e lëvizjes së popullsisë që lidhin bashkitë, si më poshtë:

a) bashkitë qendër të qarqeve të ndryshme;

b) një bashki qendër qarku me bashkitë jo qendër qarku të një qarku tjetër ose dy bashki jo qendër qarku të qarqeve të ndryshme.

Transporti në linjat kryesore kryhet pa ndalime ose me ndalime në stacionet e përcaktuara gjatë itinerarit të linjës.

Linjat ushqyese lidhin dy bashki brenda një qarku, me qëndrime në stacionet e përcaktuara gjatë itinerarit të linjës, të përcaktuara në rrjetin e linjave.

Transporti ndërqytetës kryhet nga persona juridikë, të organizuar në shoqëri transporti e të pajisur me licencë.

 

Neni 17

(Ndryshuar me ligjin nr. 9096, datë 3.7.2003)

(Ndryshuar me ligjin nr. 9373, datë 14.4.2005)

(Shfuqizuar paragrafi i tretë me ligjin nr. 10/2016, datë 11.2.2016 )

 

 

Transporti ndërqytetës, rrethqytetës dhe ai qytetës i udhëtarëve, si shërbim i rregullt, kryhet nga shoqëritë ose nga personat fizikë, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, brenda afatit të përcaktuar në licencë.

Për të fituar të drejtën si shoqëri e vetme në një ose disa linja të rregullta, subjekti transportues duhet të ketë numrin e autobusëve, në përputhje me nevojat e linjës.

Shfuqizuar.

Kushtet dhe rregullat për marrjen e licencës dhe të së drejtës si e vetme shoqëri transporti në një ose disa linja të rregullta përcaktohen me udhëzim të Ministrit.

 

Neni 18

(Shtuar dy paragrafë me ligjin nr. 10/2016, datë 11.2.2016 )

 

Autobusët ndërqytetës me kohëzgjatje të lëvizjes në linjë më tepër se 8 orë, detyrimisht duhet të jenë me dy drejtues.

Autobusët, që përdoren në shërbimet e rregullta të transportit të udhëtarëve, janë të pajisur me pajisje regjistrimi (tahograf), në përputhje me aktet në fuqi.

Koha e punës dhe e pushimit të drejtuesve të mjetit rregullohet sipas legjislacionit në fuqi.

Drejtuesit e autobusëve dhe drejtuesit e autoveturave me 8+1 vende, kur e parashikojnë dispozitat e këtij ligji, pajisen me certifikatën e aftësisë profesionale, në përputhje me udhëzimin e ministrit.

 

 

 

Neni 19

(Ndryshuar me ligjin nr. 9096, datë 3.7.2003)

(Ndryshuar me ligjin nr. 9373, datë 14.4.2005)

(Ndryshuar me nr. 9760, datë 21.6.2007)

(Ndryshuar me ligjin nr. 10/2016, datë 11.2.2016 )

 

 

Rrjeti i linjave ndërqytetëse (kryesore dhe ushqyese), stacionet e qëndrimit dhe numri i orareve për secilën linjë miratohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për transportin çdo tre vjet.

Rrjeti i linjave rrethqytetëse, stacionet e qëndrimit dhe numri i orareve, sipas shkronjave “a”, “b” dhe “c”, të nenit 15, miratohen nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore, ndërsa për shkronjën “ç” miratohen nga këshilli i qarkut.

Rrjeti i linjave rrethqytetëse miratohet çdo tre vjet dhe nuk duhet të cenojë rrjetin e linjave qytetëse dhe ndërqytetëse.

Këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore ose i qarkut, respektivisht, miraton linjat në rrjetin e linjave rrethqytetëse, në të cilat lejohet përdorimi i autoveturave me 8+1 vende.

Hartimi i rrjetit të linjave rrethqytetëse dhe ndërqytetëse bazohet mbi të dhënat demografike e gjeografike, gjendjen social-ekonomike, kërkesat për lëvizjen e popullatës, rrjetin rrugor dhe gjendjen e infrastrukturës rrugore.

Hartimi i rrjetit të linjave ndërqytetëse mbësh-tetet në nevojat e lëvizjes së udhëtarëve për në ose nga bashkitë qendër qarku, bashkitë e tjera dhe destinacionet dimërore apo verore dhe qendrat historike.

Në procesin e hartimit të rrjetit të linjave rrethqytetëse merren parasysh lidhjet ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore me qendrat e njësive administrative përbërëse dhe qendrat e njësive administrative përbërëse me fshatrat dhe fshatrat ndërmjet tyre.

 

Neni 20

(Ndryshuar me ligjin nr. 9096, datë 3.7.2003)

(Shfuqizuar me ligjin nr. 10/2016, datë 11.2.2016 )

Shfuqizuar.

Neni 21

 

Shërbimi i transportit të udhëtarëve dhe bagazheve kryhet nëpërmjet agjencive të transportit, rregullat kryesore të veprimtarisë së të cilave përcaktohen me akte të Këshillit të Ministrave.

Neni 21/1

(Shtuar me ligjin nr. 10/2016, datë 11.2.2016)

 

Terminali i autobusëve është infrastruktura e transportit që plotëson kushtet e nevojshme për mbërritjen dhe nisjen e autobusëve, hipjen ose zbritjen e udhëtarëve e të bagazheve të tyre dhe për shërbime të tjera, që kanë të bëjnë me transportin e udhëtarëve dhe operatorëve të transportit rrugor. Vendndodhja e terminalit të autobusëve caktohet me vendim të këshillit bashkiak.

Kushtet që duhet të plotësojë terminali i autobusëve, kategorizimi, mënyra e mbajtjes së dokumentacionit dhe detyrimet e tjera të terminalit të autobusëve përcaktohen me udhëzim të ministrit.

Operatorët e terminaleve të autobusëve mund të jenë subjekte publike ose private, të pajisura me autorizim nga kryetari i bashkisë, në përputhje me procedurat e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.

Terminali i autobusëve u ofron shërbime në kushte të barabarta të gjithë operatorëve të transportit, që janë të pajisur me licencë për transport udhëtarësh, bazuar në kategorinë e terminalit të autobusëve, sipas tarifave të përcaktuara me udhëzim nga ministria, në bashkë-punim me ministrinë përgjegjëse për financat.

 

 

Neni 21/2

(Shtuar me ligjin nr. 10/2016, datë 11.2.2016)

Çdo udhëtar pajiset me biletë për udhëtimin e përshkruar. Biletat blihen në terminalin e autobusëve, në autobus, në agjenci ose në çdo vend tjetër, të cilit operatori i transportit i ka dhënë të drejtën për shitje.

Udhëtari në autobus paraqet biletën e udhëtimit, me kërkesë të personit të autorizuar nga operatori i transportit ose të organeve të kontrollit në rrugë.

Modeli i biletave të udhëtimit përcaktohet nga ministri përgjegjës për transportin. Biletat mund të jenë me faturë ose elektronike, por, në çdo rast, përmbajnë të paktën:

a) gjatësinë e udhëtimit në km;

b) çmimin për km;

c) numrin e serisë;

ç) emrin e operatorit të transportit;

d) datën dhe kohën e nisjes;

dh) pjesën e biletës (dëshminë/etiketën) për bagazhin e udhëtarit.

Me propozim të ministrit përgjegjës për transportin dhe ministrit përgjegjës për financat, Këshilli i Ministrave përcakton rregullat për prodhimin dhe shpërndarjen e biletave.

 

Neni 22

(Ndryshuar paragrafi i dytë me ligjin nr. 10/2016, datë 11.2.2016)

 

Vendet e nisjes e të mbërritjes së autobusëve dhe të agjencive të transportit të udhëtarëve përcaktohen nga këshilli i bashkisë.

Nuk mund të organizohet transporti me autobusë, si pikënisje nga një qendër e banuar, bashki ose qendër e njësisë administrative përbërëse, në qoftë se aty nuk është organizuar njëkohësisht shërbimi i rregullt me agjenci.

 

Neni 23

(Ndryshuar me ligjin nr. 9096, datë 3.7.2003)

 

Në raste fatkeqësish natyrore ose në raste të gjendjes së jashtëzakonshme, për plotësimin e nevojave te transportit, ministria dhe organet e njësive të vetëqeverisjes vendore, me urdhër, lejojnë përkohësisht ushtrimin e veprimtarisë së transportit jashtë linjave të miratuara më parë.

 

 

Neni 23/1

(Shtuar me ligjin nr. 9096, datë 3.7.2003)

 

Janë, gjithashtu, shërbime të rregullta ato shërbime, që sigurojnë një transportim për kategori të caktuara udhëtarësh, duke përjashtuar udhëtarët e tjerë, përderisa shërbime të tilla kryhen në përputhje me kushtet e përcaktuara në pikën 3.10 të nenit 3.

Shërbimet e rregullta të specializuara janë shërbime, të cilat përfshijnë:

a) transportin shtëpi-punë të punonjësve;

b) transportin shtëpi-institucion shkollor të nxënësve dhe studenteve;

c) transportet qytetëse kufitare, kur lejohen me marrëveshje ndërkombëtare.

Shërbimet e rregullta të specializuara kryhen me autobus.

Për shërbimet sipas shkronjave “a” dhe “b”, dokumentacioni shoqërues i automjetit

përcaktohet me udhëzim të ministrit.

Për shërbimet sipas shkronjës “c” jepet licencë nga ministri, i cili përcakton, me udhëzim, kushtet dhe rregullat për marrjen e kësaj licence.

 

Neni 23/2

(Shtuar me ligjin nr. 9096, datë 3.7.2003)

 

Transporte për llogari të vet quhen transportet e kryera nga një ndërmarrje për punonjësit ose nga një shoqatë, pa qellim fitimi, për anëtarët e vet, në kuadër të veprimtarisë shoqërore, me kusht që:

a) transporti të përbëjë vetëm një veprimtari ndihmëse për ndërmarrjen ose shoqatën;

b) mjetet e përdorura të jenë pronë e ndërmarrjes ose e shoqatës, të jenë blerë me këste nga këto të fundit ose të jenë objekt i një kontrate qiraje afatgjatë dhe të drejtohen nga një punonjës i ndërmarrjes ose anëtar i shoqatës.

Dokumentacioni, që shoqëron automjetin, për transportin për llogari të vet, përcaktohet me udhëzim të ministrit.

 

Neni 24

 

Transportuesi që ngarkohet të kryejë transportin me autobusë duhet të plotësojë kushtet dhe të zbatojë rregullat e përcaktuara me akte të veçanta të Këshillit të Ministrave.

 

KREU II.2

TRANSPORTET E RASTIT ME AUTOBUSE

Neni 25

(Ndryshuar me ligjin nr. 9096, datë 3.7.2003)

Transportet e rastit, sipas përcaktimit të bërë në pikën 3.11 të nenit 3, janë objekt i këtij ligji.

Neni 26

(Ndryshuar me ligjin nr. 9096, datë 3.7.2003)

 

Transportet e rastit janë shërbime që kryhen me autobus dhe përfshijnë:

a) udhëtimet me dyer të mbyllura, domethënë shërbimet e kryera me të njëjtin mjet që transporton një ose më shumë grupe udhëtarësh të formuar më parë, duke e kthyer çdo grup në vendin e nisjes;

b) shërbimet:

i) e kryera për grupe udhëtarësh të formuara më parë, pa kthimin e udhëtarëve në vendin e nisjes gjatë të njëjtit udhëtim dhe kthimin bosh të mjetit në vendin e nisjes;

 

ii) e kryera me mjet bosh në vajtje në vendin e destinacionit, për grupe udhëtarësh të formuara më parë, me kthimin e mjetit me udhëtarë në vendin e nisjes;

c) shërbimet e organizuara me rastin e ngjarjeve të veçanta, si konferenca, seminare ose manifestime kulturore-sportive, që nuk u përgjigjen përkufizimeve të shkronjave “a” dhe “b”.

Grup i formuar më parë do të quajmë një grup:

a) për të cilin një organizëm ose një person përgjegjës është ngarkuar të marrë masa për nënshkrimin e kontratës ose për pagesën kolektive të shërbimit apo për marrjen e të gjitha prenotimeve dhe të pagesave përpara nisjes;

b) që është formuar nga një numër personash:

i) jo më pak se 12 veta;

ii) jo më pak se 40 për qind e kapacitetit të mjetit, pa llogaritur shoferin.

 

Neni 27

(Ndryshuar me ligjin nr. 9096, datë 3.7.2003)

 

 

Transporti turistik, i cili bën pjesë në transportet e rastit, është, gjithashtu, objekt i këtij ligji.

Agjencitë turistike, për kryerjen e veprimtarisë së tyre, kanë të drejtë të marrin autobusë me qira, sipas kontratës me persona fizike a juridike.

Neni 28

(Ndryshuar me ligjin nr. 9096, datë 3.7.2003)

Dokumentacioni, me të cilin duhet të jetë i pajisur autobusi në transportet e rastit, caktohet me udhëzim të ministrit.

KREU II.3

TRANSPORTI NDËRKOMBËTAR ME AUTOBUS

Neni 29

(Ndryshuar me ligjin nr. 9096, datë 3.7.2003)

 

Transporti rrugor ndërkombëtar i udhëtareve me autobus kryhet në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe me marrëveshjet ndërkombëtare, të nënshkruara nga Republika e Shqipërisë.

Transporti rrugor ndërkombëtar i udhëtarëve kryhet nëpërmjet:

1. shërbimeve të rregullta;

2. shërbimeve të rregullta, të specializuara;

3. shërbimeve vajtje-ardhje.

Me “shërbime vajtje-ardhje” kuptohen shërbimet, që organizohen për të transportuar grupe udhëtarësh të formuara më parë nga e njëjta zonë nisjeje dhe me të njëjtën zonë mbërritjeje, me udhëtime të përsëritura vajtje dhe ardhje. Të tilla grupe, të përbëra nga udhëtarë që kanë kryer udhëtimin e vajtjes, rikthehen në zonën e nisjes me anën e një udhëtimi pasues, ku:

a) asnjë udhëtar nuk mund të merret ose të zbritet gjatë udhëtimit;

b) udhëtimi i parë në ardhje dhe i fundit në vajtje në një sërë udhëtimesh vajtje-ardhje bëhet bosh;

4. shërbimeve të rastit.

Përveç shërbimeve vajtje-ardhje, përkufizimet e shërbimeve të transportit rrugor

ndërkombëtar përkojnë respektivisht me nenin 3 pikat 3.10 dhe 3.11 të këtij ligji.

Në rast se nuk janë përfunduar marrëveshje me Shtete të veçanta, transporti rrugor ndërkombëtar me autobus kryhet në përputhje me këtë ligj dhe rregullat e përcaktuara në aktet përkatëse të organizmave ndërkombëtare, në të cilët Republika e Shqipërisë ka aderuar.

 

Neni 30

(Shfuqizuar e shtuar fjalët me ligjin nr. 10137, datë 11.5.2009)

 

Transporti rrugor ndërkombëtar i udhëtarëve me autobus kryhet nga persona juridikë ose persona fizikë tregtarë të organizuar në shoqëri transporti dhe i nënshtrohet sistemit të licencimit.

Sistemi i certifikimit (neni 3, pika 3.18 a, b) dhe të lejeve (pika 3.19) i nënshtrohet edhe transporti vajtje-ardhje i disa grupeve të formuara më parë, ku detyrimisht udhëtimi i parë në kthim dhe udhëtimi i fundit në vajtje kryhet bosh, si dhe lëvizja e autobusit bosh për të marrë një grup udhëtarësh.

Transporti ndërkombëtar transit me autobus kryhet  në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara në emër të Republikës së Shqipërisë.

 

Neni 31

 

Transportuesit që nuk e kanë selinë në Republikën e Shqipërisë,  kryejnë transport për/dhe nga territorit tokësor të Republikës së Shqipërisë, sipas rregullave të përcaktuara në marrëveshjet ndërkombëtare e të nënshkruara në emër të Republikës së Shqipërisë.

Transporti brenda territorit tokësor të Republikës së Shqipërisë nga transportues që nuk e kanë selinë në Republikën e Shqipërisë, është i ndaluar. Përjashtimi bëhen vetëm me leje të lëshuar nga ministri.

Mënyra e dhënies ose e shkëmbimit të lejeve dhe lejeve të operimit, rregullat dhe organet që ndjekin zbatimin e tyre, për secilin lloj transporti ndërkombëtar me autobusë, si dhe lejimi i kalimit pa leje përcaktohen në marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara në emër të Republikës së Shqipërisë.

 

Neni 32

(Shfuqizuar me ligjin nr. 10137, datë 11.5.2009)

 

 

Neni 33

 

Çmimet e biletave të linjave ndërkombëtare të transportit me autobus dhe të bagazheve miratohen nga Ministria në bashkëpunim me organin kompetent të shtetit tjetër, në çastin e lidhjes së marrëveshjes ose të dhënies së licencës.

 

Neni 34

 

Organet doganore të pikave kufitare ku bëhet kalimi i autobusëve që kryejnë transportin ndërkombëtar, detyrohen të bëjnë kontrollin e dokumentacionit përkatës në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij.

 

KREU II.4

TRANSPORTI I UDHETAREVE ME TAKSI

(Ndryshuar titulli me ligjin nr. 9096, datë 3.7.2003)

 

Neni 35

(Ndryshuar me ligjin nr. 8908, date 6.6.2002)

(Ndryshuar me ligjin nr. 9096, datë 3.7.2003)

(Ndryshuar me ligjin nr. 9373, datë 14.4.2005)

(Ndryshuar me ligjin nr. 9760, datë 21.6.2007)

(Ndryshuar paragrafi i parë dhe i tretë dhe shfuqizuar paragrafi i dytë me ligjin nr. 10 302, datë 15.7.2010)

 

Këshilli bashkiak përcakton mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të këtij shërbimi brenda juridiksionit të vet.

Shfuqizuar

Licenca për shërbimin taksi jepet nga kryetari i bashkisë përkatëse, në përputhje me rregullat e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Licenca për shërbimin taksi jepet me afat 5 vjet, me të drejtë rinovimi automatikisht, kur subjekti ka përmbushur detyrimet e përcaktuara në këtë ligj.

 

Neni 36

(Ndryshuar me ligjin nr. 8908, date 6.6.2002)

(Ndryshuar me ligjin  nr. 9096, datë 3.7.2003)

(Ndryshuar me ligjin  nr. 9373, datë 14.4.2005)

(Ndryshuar me ligjin  nr. 9760, datë 21.6.2007)

(Ndryshuar me ligjin  nr. 10 302, datë 15.7.2010)

 

 

Rregullat dhe kushtet për kërkesa te veçanta për taksitë, si dhe për zbatimin e tarifave dhe të çmimeve, përcaktohen me udhëzim të ministrit.

Këshilli bashkiak përcakton nivelet e diferencuara të çmimeve dhe të tarifave brenda juridiksionit të vet, në përputhje me udhëzimin e përbashkët të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Ministrisë së Financave.

Niveli dysheme i tarifave të shërbimit taksi, për të gjitha llojet e taksive, nuk mund të jetë më pak se dyfishi i çmimeve të shërbimeve të njëjta me autobus (për shërbimet në linja të rregullta, qytetëse, rrethqytetëse dhe ndërqytetëse).

 

 

Neni 36/1

(Shtuar me ligjin nr. 9760, datë 21.6.2007)

Taksimetrat duhet të jenë në përputhje me rekomandimet e Organizatës Ndërkombëtare të Metrologjisë Ligjore (OIML), për sa u përket specifikimeve të përgjithshme e të veçanta dhe/ose në përputhje me kushtet e vendosura në standardet e BE-së për tipin e miratuar.

Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë dhe Kalibrimit, si autoriteti përgjegjës, në përputhje me paragrafin e mësipërm, për tipin e miratuar kryen verifikimin fillestar të taksimetrit.

Taksimetri duhet të jetë i kalibruar dhe i vulosur nga autoriteti përkatës, si dhe duhet të jetë në gjendje të rregullt pune dhe i vendosur në vend të dukshëm.

 

Neni 37

(Shtuar paragrafi i dytë me ligjin nr. 9760, datë 21.6.2007)

 

 

Transporti i udhëtarëve me taksi në linjë të rregullt është i ndaluar.

Në rastin kur autovetura taksi kryen shërbime jashtë territorit të rrethit ku është e regjistruar, ajo lejohet të marrë në kthim:

a) udhëtarë vetëm në rrethin e regjistrimit të saj;

b) të njëjtët udhëtarë, të cilët e kanë pronotuar dhe/ose rezervuar më parë në vajtje dhe që kanë hipur në rrethin e regjistrimit të saj.

Nuk lejohet krijimi i stacioneve të taksive në stacionet qytetëse dhe ndërqytetëse të autobusëve, për të kryer transport të udhëtarëve në linja të rregullta.

Neni 38

 

Shërbimi me taksi pa licencë dhe me mjete të tjera jashtë atyre të përcaktuara në nenin 3, pika 3.6, është i ndaluar.

Kushtet dhe rregullat e përgjithshme për kryerjen e këtij lloj shërbimi përcaktohen me udhëzim të ministrit.

KREU III

TRANSPORTI I MALLRAVE

Neni 39

            Transporti i mallrave brenda vendit dhe ai ndërkombëtar është transporti që kryhet nga shoqëri transporti, persona fizikë ose filiale të shoqërive tregtare, shoqëruar me dokumentet përkatëse dhe ato  suplementare që përcaktohen me dispozita të veçanta të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 39/1

(Shtuar me ligjin nr. 10/2016, datë 11.2.2016)

 

Drejtuesit e mjeteve me peshë të përgjithshme të lejuar me ngarkesë mbi 6 tonë ose kur ngarkesa e lejuar, përfshirë rimorkion ose gjysmërimorkion, i kalon 3,5 tonë në transportin e mallrave, pajisen me certifikatën e aftësisë profesionale, në përputhje me udhëzimin e ministrit.

 

Neni 40

(Shfuqizuar me ligjin nr. 10137, datë 11.5.2009)

KREU III.1

TRANSPORTI I MALLRAVE ME QIRA DHE PËR TË TRETË

Neni 41

 

Transporti i mallrave me qira dhe për të tretë është i ndaluar të kryhet pa licencën përkatëse.

 

Neni 42

 

Kur transporti  i mallrave për të tretë dhe me qira kryhet me pagesë, ky çmim të mbështetet në dispozitat e ligjit “Për çmimet dhe tarifat”.

 

Neni 43

(Ndryshuar me ligjin nr. 9760, datë 21.6.2007)

 

Dispozitat e këtij ligji do të zbatohen vetëm për ndërmarrjet që kryejnë transport mallrash për të tretë dhe me qira, brenda vendit, me anë të mjeteve motorike ose të kombinimeve të mjeteve.

Kapaciteti maksimal i lejuar i transportimit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Neni 44

 

Llojet e transportit të mallrave me qira dhe për të tretë, të cilat mund të kryhen pa licencë, përcaktohen me udhëzim të veçantë të Ministrisë.

KREU III.2

TRANSPORTI I MALLRAVE PËR VETE

Neni 45

 

Transporti i mallrave për nevojat e veta brenda vendit është i ndaluar të kryhet pa certifikatë.

 

Neni 46

(Ndryshuar ligjin nr. 10 302, datë 15.7.2010)

 

 

Dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen për mjetet me kapacitet transportues nën 1500 kg.

 

Neni 47

 

Llojet e mallrave për transport brenda vendit për nevojat e veta që nuk kanë nevojë për certifikatë, përcaktohen me udhëzim të veçantë të Ministrisë.

KREU III.3

TRANSPORTI NDËRKOMBËTAR I MALLRAVE

Neni 48

 

a) Ky ligj do të zbatohet edhe për transportin rrugor ndërkombëtar të mallrave, për aq sa nuk shprehet ndryshe në marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara në emër të  Republikës së Shqipërisë.

b) Transporti ndërkombëtar i mallrave me qira dhe për të tretë është i ndaluar të kryhet pa licencë.

c) Transporti ndërkombëtar i mallrave për nevojat e veta është i ndaluar të kryhet pa certifikatë.

 

Neni 49

 

Transporti ndërkombëtar i mallrave me qira, për të tretë dhe për nevojat e veta, kryhet me mjete, kapaciteti i të cilave përcaktohet me udhëzim të ministrit.

 

Neni 50

 

a) Mjetet që kryejnë transport ndërkombëtar të mallrave, duhet të jenë të pajisur me dokumente të përcaktuara nga ministri dhe dokumente të kërkuara nga marrëveshjet  ndërkombëtare të nënshkruara në emër të Republikës së Shqipërisë, me përjashtim të rasteve të përcaktuara ndryshe në këto marrëveshje.

b) Formati i dokumenteve të përcaktuara si më sipër miratohet dhe jepet nga ministri ose organet e autorizuara prej tij.

c) Ministri ose organe të tjera kompetente do të sigurojnë  informacionin e nevojshëm.

 

KREU IV

TRANSPORTI I MALLRAVE NGA TRANSPORTUES QË NUK KANË SELINË NË SHQIPËRI

Neni 51

 

Transporti i mallrave nga, për në dhe përmes Republikës së Shqipërisë nga transportues që nuk e kanë selinë në të, është i ndaluar.

Kjo pengesë hiqet vetëm në zbatim dhe në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara në emër të Republikës së Shqipërisë.

 

Neni 52

 

Një transportues që nuk e ka selinë në Republikën e Shqipërisë, ndalohet të kryejë transport ndërkombëtar në territorin tokësor  të Republikës së Shqipërisë.

Kjo pengesë mund të hiqet vetëm me leje të lëshuar nga Ministria.

Neni 52/1

(Shtuar me ligjin nr. 10 302, datë 15.7.2010)

(Ndryshuar pika 2, me ligjin nr. 10/2016, datë 11.2.2016)

 

1. Pa cenuar dispozitat e nenit 2 të këtij ligji, ministri lejon kryerjen e transportit brenda territorit të Republikës së Shqipërisë nga një transportues i huaj (kabotazh), që nuk e ka selinë në Shqipëri, edhe kur nuk parashikohet në marrëveshjen ndërkombëtare me shtetin, ku transportuesi i huaj ka selinë, vetëm për arsye të emergjencës civile dhe zgjat për sa kohë zgjatet gjendja e emergjencës.

2. Rregullat dhe kushtet për kryerjen e operacioneve të kabotazhit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me marrëveshjet dypalëshe ose shumëpalëshe, të cilat e parashikojnë atë.

Neni 53

 

Këshilli i Ministrave nxjerr aktet përkatëse në lidhje me:

1. kushtet, me të cilat jepet ose hiqet leja;

2. mundësinë e përjashtimit nga leja;

3. mundësinë e refuzimit të hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë.

KREU V

TRANSPORTI I MALLRAVE TË RREZIKSHME

(Shfuqizuar me ligjin nr. 118, datë 13.12.2012)

KREU VI

KONTROLLI SHTETËROR DHE MBIKËQYRJA E KUALIFIKUAR NË TRANSPORTIN RRUGOR

Neni 64

(Shtuar me ligjin nr. 21, datë 14.2.2013)

 

Kontrollin shtetëror dhe mbikëqyrjen e kualifikuar në transportin rrugor e kryejnë organet e specializuara të kontrollit të transportit, sipas nenit 3, pika 3.16.

Gjatë kësaj veprimtarie këto organe verifikojnë nëse transportuesit përmbushin detyrat e përcaktuara në këtë ligj dhe e ushtrojnë atë sipas licencave, lejeve dhe certifikatave.

Inspektimi për verifikimin e respektimit të kërkesave ligjore bëhet në përputhje me këtë ligj dhe ligjin nr. 10 433, datë 16.6.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”

Neni 65

(Ndryshuar me ligjin nr. 21, datë 14.2.2013)

 

 

Personat e ngarkuar me detyrën e kontrollit/inspektimit shtetëror janë të autorizuar nga organi i specializuar i kontrollit dhe pajisen me dokumentin përkatës të identitetit si kontrollor/inspektor. Ata e ushtrojnë veprimtarinë sipas këtij ligji, duke verifikuar të gjithë dokumentacionin dhe evidencat që i takojnë transportit rrugor.

 

Neni 66

 

Transportuesi është i detyruar t’i paraqesë kontrollorit gjithë dokumentet e kërkuara dhe t’i krijojë atij të gjitha lehtësitë për ushtrimin e kompetencave sipas këtij ligji.

 

Neni 67

Mbikëqyrjen superiore shtetërore në të gjitha problemet e transportit rrugor e kryen Ministria. Mbikëqyrësi superior shtetëror kontrollon punën e mbikëqyrësit të kualifikuar shtetëror të përcaktuar në udhëzimin e ministrit.

Në detyrat e mbikëqyrësit superior shtetëror përfshihen edhe ato të përcaktuara në nenin 65.

 

Neni 68

(Ndryshuar me ligjin nr. 9096, datë 3.7.2003)

 (Ndryshuar me ligjin nr. 10 302, datë 15.7.2010)

(Ndryshuar shkronja “ç” dhe shtuar shkronja “d”, me ligjin nr. 10,  datë 11.2.2016)

 

Shkeljet e dispozitave te këtij ligji, kur nuk përbejnë vepër penale, përbejnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë e me masa plotësuese të pezullimit licencës (ose të certifikatës) dhe të lejes së qarkullimit.

Për shkelje të dispozitave të parashikuara në nenet:

a) 5, II, 23/l shkronjat “a” dhe “b”, 23/2, 30, 31 dhe 38 dënohen me gjobë nga 5 000 deri në 100000 lekë dhe me masën plotësuese të pezullimit të lejes së qarkullimit nga 1 deri në 3 muaj;

b) 10 shkronja “b”, 21, 23/l shkronja “c”, 25, 26, 27, 28, 36 paragrafi i tretë dhe 37 dënohen me gjobë nga 50 000 deri në 200 000 leke, si dhe me masën plotësuese të pezullimit licencës ose të certifikatës nga 3 deri në 6 muaj.

c) 54 shkronja “c”, 56, 57, 60 dhe 61 dënohen me gjobë nga 50 000 deri në 200 000 lekë, si dhe me masën plotësuese të pezullimit licencës ose të certifikatës nga 3 deri në 6 muaj.

ç) 52/1, shkelja e rregullave të kabotazhit në transportin e mallrave dënohet sipas rastit:

i) me gjobë nga 100 000 deri në 200 000 lekë;

ii) me heqjen e lejes përkatëse, kur operacionet e kabotazhit parashikohen të kryhen me leje;

iii) me refuzimin e hyrjes në territorin e Republikës së Shqipërisë.

d) 18, me gjobë nga 50 000 deri në 200 000 lekë.

Neni 69

(Ndryshuar me ligjin nr. 9096, datë 3.7.2003)

 

Gjashtëdhjetë për qind e të ardhurave nga të gjitha gjobat, për shkeljet e parashikuara nga ky ligj, i kalojnë organit që konstaton shkeljen, i cili i përdor për përmirësimin e shërbimit në zbatim të këtij ligji, kurse dyzet për qind e të ardhurave i kalojnë Buxhetit të Shtetit.

Neni 70

(Ndryshuar me ligjin nr. 21, datë 14.2.2013)

 

 

Kundërvajtjet administrative konstatohen, shqyrtohen dhe ndëshkohen nga personat e ngarkuar me detyrën e kontrollit/inspektimit shtetëror të transportit, në përputhje me këtë ligj dhe me ligjin për inspektimin.

Ndaj vendimit që konstaton kundërvajtjen administrative mund të bëhet ankim në përputhje me ligjin për inspektimin.

 

Neni 71

(Ndryshuar me ligjin nr. 9096, datë 3.7.2003)

(Shfuqizuar paragrafi i dytë me ligjin nr. 21, datë 14.2.2013)

 

 

Për shkeljet, të cilat nuk janë parashikuar në nenin 68 të këtij ligji, organet e kontrollit në Rrugë kanë të drejtë të gjobisin në vend kundërvajtësit me gjobë nga 250 deri në 5 000 lekë.

Shfuqizuar.

Neni 72

(Shfuqizuar me ligjin nr. 21, datë 14.2.2013)

 

Neni 73

 

Një person fizik ose juridik, interesat e të cilit janë të lidhura me një vendim të marrë sipas këtij ligji ose akteve në zbatim të tij, me përjashtim të dënimeve për kundërvajtjet administrative, mund të ankohet  kundër këtij vendimi brenda tridhjetë ditëve nga koha që ai vendim i është bërë i njohur atij tek ministri përkatës.

Kundër vendimit të ministrit, subjekti mund të ankohet në gjykatë.

Neni 74

(Ndryshuar me ligjin nr. 9096, datë 3.7.2003)

 

Kur organet e policisë rrugore. gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, konstatojnë shkelje të këtij ligji, bashkëpunojnë me organet e specializuara për kontrollin dhe mbikëqyrjen e transportit dhe marrin masat përkatëse, sipas kompetencave që ka ky organ.

 

Neni 75

 

Organet e doganës në kufirin shtetëror kontrollojnë nëse drejtuesi i mjetit që kalon kufirin ka dokumentet e parashikuara për kryerjen e transportit ndërkombëtar.

Për mjetet e huaja që hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë verifikohet pajisja me dokumentet dhe me lejet përkatëse të kërkuara nga ky ligj dhe nga marrëveshjet ndërkombëtare.

 

Neni 76

 

Organet e doganës kontrollojnë në kufirin shtetëror nëse drejtuesi i mjetit që transporton mallra të rrezikshme, është i pajisur me dokumentet e nevojshme sipas dispozitave të këtij ligji dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.

Në rast të kundërt organet e doganës ndalojnë qarkullimin e mjetit në hyrje ose dalje të kufirit shtetëror.

Gjuha e dokumenteve përcaktohet në marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara në emër të Republikës së Shqipërisë.

 

Neni 77

 

Ministria u bën të njohura organeve të kontrollit të kalimit kufitar modelet e dokumenteve me të cilat duhet të jenë të pajisura mjetet e transporteve ndërkombëtare dhe përparësitë e kalimit të tyre.

 

Neni 77/1[2]

(Shtuar me ligjin nr. 10,  datë 11.2.2016)

 

 

Të gjitha ndërmarrjet e transportit rrugor të vendosura në Shqipëri janë të detyruara të regjistrohen në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Transportit Rrugor, që mbahet nga organi i përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.      Të dhënat përkatëse, të përfshira në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Transportit Rrugor, do të jenë të aksesueshme për të gjitha autoritetet kompetente, sipas përcaktimeve në aktet nënligjore.

Pas licencimit të subjektit transportues, organi që e ka licencuar atë dërgon informacion te mbajtësi i Regjistrit Elektronik Kombëtar të Transportit Rrugor për ndërmarrjen e transportit dhe çdo ndryshim që mund të ndodhë gjatë ushtrimit të veprimtarisë.

Për mbledhjen, përpunimin, shpërndarjen dhe përdorimin e të dhënave në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Transportit Rrugor zbatohen dispozitat në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

Rregulla të hollësishme për kategoritë e të dhënave që mbahen në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Transportit Rrugor, si dhe mënyra e mbajtjes së tij përcaktohen me udhëzim të ministrit, në përputhje me detyrimet e legjislacionit në fuqi për bazat e të dhënave shtetërore.

 

Neni 77/2[3]

(Shtuar me ligjin nr. 10,  datë 11.2.2016)

 

Teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, pjesë përbërëse e sistemeve inteligjente në transport, zbatohen në fushën e transportit rrugor, duke përfshirë infrastrukturën, mjetet e përdoruesit dhe menaxhimin e trafikut dhe të lëvizshmërisë.

Aplikimet dhe shërbimet e sistemeve inteligjente në transport (SIT) në fushën e transportit rrugor, si dhe lidhjet me metodat e tjera të transportit zbatohen pa cenuar çështjet që lidhen me sigurinë kombëtare dhe interesat e mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë.

Rregullat për zbatimin e sistemeve inteligjente në fushën e transportit rrugor dhe lidhjet me mënyrat e tjera të transportit përcaktohen me udhëzim të ministrit.

Ky nen zbatohet në përputhje me detyrimet e ligjit nr. 10 325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”.

KREU VII

DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 78

 

Ministria është organi më i lartë shtetëror që përfaqëson Republikën e Shqipërisë në marrëveshjet a konventat dypalëshe dhe shumëpalëshe për transportet rrugore.

Kur si pasojë e zbatimit të marrëveshjeve ose konventave lëshohen leje të llojeve të ndryshme për transportet rrugore, ato administrohen nga Ministria, e cila ka të drejtë ta delegojë administrimin.

Çmimi i lejeve caktohet nga Ministria në bashkëpunim me Ministrinë e Financave.

Neni 79

 

Transportuesit që organizohen në shoqata, pa qëllim fitimi, për shprehjen dhe mbrojtjen e interesave të tyre, sipas dispozitave të Kodit Civil,  krijojnë marrëdhënie me ministrinë në zbatim të këtij ligji.

Ministri, sipas karakterit të objektit të shoqatës transportuese, mund t’i delegojë asaj funksione të kufizuara dhe të kontrolluara prej tij.

 

Neni 80

 

Shteti nuk mban përgjegjësi për dëmet që u shkaktohen subjekteve gjatë veprimtarisë së transportit rrugor, të cilat vijnë si pasojë e mosnjohjes dhe e mosrespektimit të këtij ligji, si dhe të akteve në zbatim të tij.

Transportuesit janë të detyruar t’ua bëjnë të ditur ato gjithë punonjësve të tyre.

 

Neni 81

 

Mosmarrëveshjet ndërmjet palëve të lindura në zbatim të këtij ligji dhe në interes të tyre, zgjidhen në rrugë gjyqësore.

 

Neni 82

 

Kur nga shkelja e dispozitave të këtij ligji dhe akteve në zbatim të tij rrjedhin vepra penale, personat përgjegjës mbajnë përgjegjësi penale, sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

 

Neni 83

 

Në zbatim të nenit 3, pika 3.10 të këtij ligji, transportuesi është i detyruar të hartojë rregulloren e udhëtimit, e cila duhet të ndodhet në mjet dhe pjesë të rëndësishme të saj, duhet të afishohen në vende të dukshme të mjetit. Kriteret bazë për hartimin e rregullores përcaktohen me udhëzim të Ministrisë.

 

Neni 84

 

Transportuesit janë të detyruar të njohin dhe zbatojnë gjithë kuadrin ligjor, me të cilin lidhen problemet e transportit në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo, si Kodin Rrugor, Kodin e Punës, Kodin Doganor, ligjin “Për çmimet dhe tarifat”, marrëveshjet qeveritare me shtetin a shtetet, për të cilat ai është i interesuar të operojë etj.

 

 

Neni 85

(Shtuar paragrafi fundit me ligjin nr. 37, datë 10.4.2014)

 

Është e detyrueshme të kryhet përkujdesja dhe transporti me përparësi, kundrejt të gjitha lehtësive që jep ligji, për të gjitha subjektet që i përfitojnë këto lehtësi në transportin qytetës dhe jashtë qytetit, duke përcaktuar me shënim të veçantë edhe vendet e ndenjjes për ta.

Udhëtarët që përfitojnë lehtësi me ligje të veçanta, duhet të paraqesin në çdo rast udhëtimi dokumentin që përcakton ligji për ta.

Fondet për kompensimin e tarifës së transportit të kategorive të personave, që përfitojnë nga legjislacioni në fuqi për transportin qytetas, përballohet nga institucionet përgjegjëse, sipas ligjit. Masa, kriteret dhe procedurat për kompensimin e kësaj tarife përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave

 

Neni 86

 

1. Në Ministri krijohet komisioni i transportit rrugor.

2. Përbërja e komisionit vendoset me akt të veçantë të Këshillit të Ministrave. Qëllimi, detyrat dhe çdo hollësi tjetër përkatëse që lidhet me funksionimin e këtij komisioni, caktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

3. Kryetar i komisionit caktohet zëvendësministri përkatës.

4. Anëtarë të komisionit caktohen edhe përfaqësues të shoqatave të transportuesve shqiptarë rrugorë.

5. Ministri cakton një sekretari që siguron mbarëvajtjen e punës së komisionit.

 

Neni 87

 

1. Licencat e lëshuara para daljes së këtij ligji, janë të vlefshme deri në afatin e përcaktuar në to. Ato mund të rinovohen vetëm kur mbajtësi i licencës plotëson kushtet e përcaktuara  në dispozitat e këtij ligji dhe aktet në zbatim të tij.

2. Nëse vlefshmëria e licencës zgjat për një periudhë më pak se dymbëdhjetë muaj nga data e hyrjes në fuqi të ligjit, ministri mund të lejojë një periudhë kalimtare vlefshmërie për licencën, në mënyrë që mbajtësi i licencës të përshtatet me detyrimet e këtij ligji.

3. Periudha kalimtare nuk mund të jetë më shumë se dymbëdhjetë muaj.

 

Neni 88

 

Këshilli i Ministrave dhe ministritë e ngarkuara për zbatimin e këtij ligji të marrin masa për nxjerrjen e vendimeve e të udhëzimeve përkatëse brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e tij.

 

DISPOZITË E PARASHIKUAR

ME LIGJIN NR. 118/2012, DATË 13.13.2012, (neni 60)

 

5. Subjektet e angazhuara në transportin e mallrave të rrezikshme, në bazë të ligjit nr. 8308, datë 18.3.1998 “Për transportet rrugore”, të ndryshuar do të vazhdojnë të ushtrojnë veprimtarinë e tyre, në përputhje me dispozitat e këtij ligji brenda një viti nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

 

DISPOZITË E PARASHIKUAR

ME LIGJIN NR. 21/2013, DATË 14.2.2013 (neni 5)

 

Organi ekzistues inspektues vazhdon të ushtrojë funksionin e vet sipas organizimit aktual deri në krijimin e organit të ri, sikurse parashikohet në ndryshimet e bëra në këtë ligj.

 

 

DIZPOZITA TË PRARASHIKUARA

ME LIGJIN NR. 10/2016, DATË 11.2.2016 (neni 18)

 

1. Ministri përgjegjës për transportin miraton rrjetin e ri të linjave ndërqytetëse, brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

2. Licencat për transportin ndërqytetës, të lëshuara nga bashkitë, dhe licencat e transportit rrethqytetës, të lëshuara nga bashkitë ose komunat, para hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të vlefshme deri në ditën e lëshimit të licencave, në përputhje me këtë ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, por jo më vonë se data 1 janar 2017.

3. Këshilli i Ministrave dhe ministritë e ngarkuara për zbatimin e këtij ligji të marrin masat për nxjerrjen e vendimeve e të udhëzimeve përkatëse brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

 

Neni 89

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas shpalljes në Fletoren Zyrtare.

 

Shpallur me dekretin nr.2034, datë 3.4.1998 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani

 


[1] Ndryshuar me ligjet:

-           nr. 8908, datë 6.6.2002,

-           nr. 9096, datë 3.7.2003,

-          nr. 9373, datë 14.4.2005,

-           nr. 9760, datë 21.6.2007,

-          nr. 10137, datë 11.5.2009,

-          nr. 10 302, datë 15.7.2010,

-          nr. 118/2012, datë 13.12.2012,

-          nr. 21, datë 14.2.2013,

-          nr. 37, datë 10.4.2014,

-          nr. 10/2016, datë 11.2.2016

[2] Neni 77 hyn në fuqi në datën 1 janar 2017.

[3] Neni 78 hyn në fuqi në datën 1 janar 2017.

FacebookTwitterGoogle+Share

Comments

comments

Share →