LIGJ[1]

Nr.7926, datë 20.4.1995

PËR TRANSFORMIMIN E NDËRMARRJEVE SHTETËRORE NË SHOQËRI TREGTARE

(I përditësuar)

Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI POPULLOR

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

 Shkarkoje te plote ne PDF_1

Neni 1

 

Qëllimi i këtij ligji është transformimi i ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare.

 

Neni 2

 

Për efekt të këtij ligji, me termat vijuese:

a) “Ndërmarrje shtetërore”, që më poshtë do të quhen “ndërmarrje”, kuptohen gjithë personat juridikë publikë të themeluar sipas ligjit nr.7582, datë 13.7.1993 “Për ndërmarrjet shtetërore”.

b) “Shoqëri shtetërore”, që më poshtë do të quhen “shoqëri”, kuptohen gjithë personat juridikë publikë, të cilët do të krijohen si pasojë e transformimit të ndërmarrjeve shtetërore dhe që do të funksionojnë në përputhje me dispozitat e ligjit nr.7638, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare”.

 

Neni 3

 

Të gjitha ndërmarrjet shtetërore do të transformohen në shoqëri anonime ose shoqëri me përgjegjësi të kufizuar dhe do të funksionojnë në përputhje me dispozitat e ligjit nr.7638, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare”, përveç rasteve kur në këtë ligj parashikohet ndryshe.

Çdo ndërmarrje mund të transformohet në një ose disa shoqëri anonime ose me përgjegjësi të kufizuar.

Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar do të krijonë këshill mbikëqyrës.

 

Neni 4

 (Ndryshuar me dekretin nr.1631, datë 1.11.1996, neni 1)

(Ndryshuar me ligjin nr.8237, datë 1.9.1997, neni 2)

(Shtuar paragrafi i dytë me ligjin nr.8482, datë 10.5.1999, neni 1)

(Shtuar pas fjalisë së parë me ligjin nr. 8/2016, datë 11.2.2016)

 

Ministria e Ekonomisë është përfaqësuese e pronarit për pronën shtetërore. Ushtrimi i së drejtës së përfaqësuesit të pronarit të pronës shtetërore, përfshirë edhe të drejtën e emërimit të anëtarëve të këshillave mbikëqyrës, në shoqëritë elektro-energjetike, bëhet në përputhje me përcaktimet e ligjit nr. 43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, dhe në shoqëritë e gazit natyror bëhet në përputhje me përcaktimet e ligjit nr. 102/2015 “Për sektorin e gazit natyror.

Këshilli i Ministrave mund t’ia kalojë këtë të drejtë edhe organeve të qeverisjes vendore.

Ministria e Ekonomisë, përveç të drejtave që rrjedhin nga të qenët përfaqësues i pronarit shtetëror, kryen transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare dhe privatizimin e tyre, drejton punën për hartimin e akteve të themelimit të shoqërive që krijohen nga transformimi i ndërmarrjeve, nënshkruan kapitalin themeltar dhe autorizon regjistrimin e tyre.

Ministritë, departamentet, drejtoritë a institucionet e tjera që varen drejtpërdrejt nga Këshilli i Ministrave, si dhe organet përkatëse të pushtetit lokal, përgjigjen për administrimin e pronës shtetërore që kanë në varësi.

Prona shtetërore në shoqëritë me kapital të përbashkët administrohet nga organi që ka bërë nënshkrimin e pjesës shtetërore të kapitalit, ose, kur kjo nuk është kryer, administrohet nga dikasteri a organi i pushtetit lokal, nga i cili ka pasur varësinë në momentin e nënshkrimit të kontratës. Transferimi i së drejtës së ortakut shtetëror në këto shoqëri (si kapitali i pjesës shtetërore etj.) bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi, sipas kritereve të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave”.

Neni 5

(Shfuqizuar me dekretin nr.1631, datë 1.11.1996, neni 2)

Neni 6

(Shtohet një paragraf me lihjin nr. 8099, datë28.3.1996, neni1)

(Ndryshuar me dekretin nr.1631, datë 1.11.1996, neni 3)

 

Ministria e Privatizimeve drejton punën për hartimin e akteve të themelimit të shoqërive që krijohen nga transformimi i ndërmarrjeve dhe autorizon regjistrimin e tyre.

Neni 7

(Ndryshuar me dekretin nr.1631, datë 1.11.1996, neni 4)

(Shtuar paragrafi i fundit me ligjin nr.9775, datë 12.7.2007, neni 1)

 

Ministri i Privatizimeve ka të drejtë të marrë masa disiplinore deri në largimin nga detyra për çdo drejtues të ndërmarrjes shtetërore, i cili ka penguar transformimin dhe regjistrimin e ndërmarrjes shtetërore në shoqëri tregtare.

Në rastet kur procedurat e privatizimit pengohen pa shkaqe të përligjura nga strukturat përgjegjëse të njësive të qeverisjes vendore apo të institucioneve qendrore, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës i propozon organit ekzekutiv vendimmarrës të njësive të qeverisjes vendore apo titullarit të institucionit qendror marrjen e masave disiplinore për personat përgjegjës.

 

Neni 8

(Shtuar paragraf me ligjin nr.8099, datë 28.3.1996, neni 1)

(Ndryshuar me dekretin nr.1631, datë 1.11.1996, neni 5)

(Ndryshuar me ligjin nr.8237, datë 1.9.1997, neni 3)

(Ndryshuar pjesërisht  me ligjin nr.8333, datë 23.4.1998, neni 1)

(Ndryshuar me ligjin nr.8885, datë 22.4.2002 neni 2)

(Ndryshuar paragrafi i katërt me ligjin nr.10 264, datë 8.4.2010 neni 1)

 

Organet drejtuese të shoqërive anonime janë:

- Këshilli mbikëqyrës,

- Drejtoria.

Këshilli mbikëqyrës përbëhet nga 3-9 anëtarë, të cilët nuk janë të punësuar në shoqëri.

Anëtarët e këshillave mbikëqyrës të shoqërive aksionare shtetërore caktohen si më poshtë:

a) 2/3 e numrit të anëtarëve caktohen nga përfaqësuesi i pronarit, për pronën shtetërore;

b) 1/3 e numrit të anëtarëve propozohet nga ministri i linjës administrative apo nga organi i qeverisjes vendore, që përfaqëson shtetin, për shoqërinë shtetërore përkatëse.

Drejtoria emërohet dhe shkarkohet nga Këshilli Mbikëqyrës kur për të bien dakord jo më pak se 2/3 e tij.

Shpërblimi i veçantë për pjesëmarrje në këshillin mbikëqyrës dhe shpërblimet e jashtëzakonshme për shërbimet a detyrat që u besohen anëtarëve të këshillit, rregullohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 109 i ligjit nr.7638, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare” nuk zbatohet për aq kohë sa shteti do të jetë aksionar i vetëm”.

 

Neni 9

 

Shoqëria që krijohet si pasojë e transformimit të ndërmarrjes, merr përsipër të gjitha detyrimet që ndërmarrja ka pasur përpara transformimit dhe përgjigjet ndaj të tretëve me pasurinë e saj.

Të gjitha kontratat e lidhura me të tretët nga ndërmarrja përpara transformimit mbeten në fuqi edhe për shoqërinë që krijohet.

 

Neni 10

 

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji dhe për sa kohë që shteti do të jetë i vetmi aksionar ose ortak i shoqërive, organet drejtuese të ndërmarrjeve a shoqërive nuk kanë të drejtë të autorizojnë ose të kryejnë shitje të pasurive të paluajtshme dhe të makinerive e pajisjeve, të marrin hua dhe kredi, si dhe të krijojnë shoqëri të përbashkëta.

Kjo dispozitë nuk zbatohet për ndërmarrjet që janë parashikuar në paragrafin e dytë të nenit 3 të ligjit nr.7512, datë 10.8.1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”.

 

Neni 11

 

Këshilli i Ministrave miraton statusin tip, aktet e tjera tip të themelimit si dhe kriteret e vlerësimit të kapitalit themeltar të shoqërive që do të krijohen si pasojë e transformimit të ndërmarrjeve.

 

Neni 12

 

Shpenzimet për procesin e transformimit të ndërmarrjeve në shoqëri, si dhe regjistrimi i tyre sipas dispozitave në fuqi, përballohen nga vetë ndërmarrja.

 

Neni 13

 

Neni 191 dhe pika 4 e nenit 297 të ligjit nr.7638, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregare”, nuk zbatohen për shoqëritë shtetërore.

 

Neni 14

 

Nenet 94 dhe 95 të ligjit nr.7638, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare” shfuqizohen.

 

 

 

Neni 15

 

Ligji nr.7582, datë 13.7.1992 “Për ndërmarrjet shtetërore”, do të ketë fuqi për sa kohë që ndërmarrjet nuk janë transformuar në shoqëri, me përjashtim të rasteve kur në këtë ligj është parashikuar ndryshe.

Neni 16

 

Ky ligj nuk zbatohet për bankat shtetërore të nivelit të dytë dhe për institutet e sigurimeve shtetërore.

 

Neni 17

 

Të gjitha ndërmarrjet ekonomike me kapital tërësisht shtetëror që do të krijohen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të themelohen e regjistrohen si shoqëri.

 

Neni 18

 

Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet përkatëse për zbatimin e këtij ligji.

 

Dispozitë e shtuar me dekretin nr.1631, datë 1.11.1996 i miratuar me ligjin nr.8158,

datë 7.11.1996.

 

Prona shtetërore që ka filluar procesin e privatizimit para hyrjes në fuqi të këtij dekreti vazhdon privatizimin pa ripërsëritur etapat e privatizimit që i ka kryer sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi në atë kohë.

Për shoqëritë tregtare të regjistruara në gjykatë në bazë të ligjit nr.7638, datë 19.11.1992 “Për shoqëritë tregtare”, përfaqësues i pronarit për aksionet dhe pjesët e kapitalit shtetëror do të jetë Ministria e Ekonomisë, sipas përcaktimit të nenit 1.

 

Dispozitë e shtuar me ligjin nr.10 264, datë 8.4.2010 neni 2, e miratuar me dekretin nr.6522,

datë 28.4.2010

 

Ngarkohen titullarët e ministrive që preken nga ky ligj që, brenda 2 muajve nga hyrja në fuqi e tij, të bëjnë ndryshimet në këshillat mbikëqyrës të shoqërive aksionare shtetërore.

 

Neni 19

 

Ky ligj hyn në fuqi më 15 maj 1995.

 

Shpallur me dekretin nr.1090, datë 4.5.1995 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha

 


[1] Ndryshuar me ligjet:

nr.8099, datë 28.3.1996;

me dekretin nr.1631, datë 1.11.1996;

ligjin nr.8237, datë 1.9.1997;

nr.8333, datë 23.4.1998;

nr.8482, datë 10.5.1999;

nr.8885, datë 22.4.2002;

nr.9775, datë 12.7.2007;

nr.10 264, datë 8.4.2010,

nr. 8/2016, datë 11.2.2016

FacebookTwitterGoogle+Share

Comments

comments

Share →