LIGJ

Nr. 112/2013

Për DEKORATAT, TITUJT E NDERIT, MEDALJET DHE TITUJT VENDORË TË NDERIT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

(Ndryshuar me ligjin nr.10/2015, datë 19.2.2015)

Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1, 92 shkronja “ç” dhe 113 pika 1 shkronja “dh” të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Shkarkoje te plote ne PDF_1

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është njohja e përkushtimit ndaj Republikës së Shqipërisë, interesave kombëtarë dhe shoqërisë, nëpërmjet përcaktimit të rregullave për vlerësimin e personave me merita dhe kontribut të veçantë për vendin, si dhe shpërblimin e tyre.

Neni 2

Objekti

Objekt i këtij ligji është përcaktimi i llojeve të dekoratave, titujve të nderit, medaljeve dhe titujve vendorë të nderit, që jepen në Republikën e Shqipërisë, si dhe i autoriteteve shtetërore përgjegjëse, rregullave, procedurave dhe kritereve për propozimin, shqyrtimin, dhënien dhe mbajtjen e tyre.

Neni 3

Parimi i përgjithshëm

1. Dhënia e dekoratave, titujve të nderit, medaljeve dhe titujve vendorë të nderit udhëhiqet nga parimet e vlerësimit të kontributit, meritokracisë, transparencës dhe mirënjohjes publike.
2. Përfitimi i një dekorate, titulli nderi, medaljeje apo titulli vendor nderi nuk është një e drejtë dhe nuk mund të kërkohet si e tillë, në rrugë individuale apo institucionale.
3. Personi që ka marrë një dekoratë nga Presidenti i Republikës nuk mund të përfitojë më vonë në kohë një titull nderi, medalje apo titull vendor nderi.

Neni 4

Shpërblimi

1. Dhënia e dekoratave, titujve të nderit, medaljeve dhe titujve vendorë të nderit mund shoqërohet me një shpërblim financiar, sipas vlerësimit të autoritetit përgjegjës.
2. Masa dhe rregullat për dhënien e shpërblimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrit të Financave.
3. Efektet financiare përballohen nga buxheti vjetor i miratuar për autoritetin përgjegjës përkatës.

Neni 5

Përjashtime

Ky ligj nuk zbatohet për medaljet apo certifikatat që japin autoritetet ushtarake dhe policore për pjesëtarët e Forcave të Armatosura apo të Policisë së Shtetit, të cilat rregullohen me ligj të veçantë.

KREU II

DEKORATAT, TITUJT E NDERIT, MEDALJET

DHE TITUJT VENDORË TË NDERIT

SEKSIONI 1

DEKORATAT DHE TITUJT E NDERIT

Neni 6

Dhënia e dekoratave dhe titujve të nderit

1. Dekoratat dhe titujt e nderit jepen me synim shpërblimin e akteve të veçanta, merite apo trimërie, ndaj kombit shqiptar apo interesave të tij.
2. Presidenti i Republikës është i vetmi autoritet që jep dekorata dhe tituj nderi në nivel kombëtar.
3. Ato përbëhen prej një medaljeje të madhe dhe një medaljeje të vogël, të dyja të arta, sipas specifikimeve konkrete të miratuara nga Presidenti i Republikës.
4. Dekoratat dhe titujt e nderit jepen kryesisht nga Presidenti i Republikës ose me propozim të:
a) Kryetarit të Kuvendit;
b) Kryeministrit;
c) ministrave;
ç) Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese;
d) Kryetarit të Gjykatës së Lartë;
dh) Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit;
e) Shefit të Shtabit të Përgjithshëm;
ë) Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit;
f) Avokatit të Popullit;
g) Kryetarit të Akademisë së Shkencave.

Neni 7

Llojet e dekoratave dhe titujve të nderit

Dekoratat dhe titujt e nderit në Republikën e Shqipërisë, sipas rëndësisë, janë:
1. “Dekorata e flamurit kombëtar”, e cila u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja për merita të jashtëzakonshme për lartësimin e shtetit dhe të kombit shqiptar.
2. Dekorata “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, e cila u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja për ndihmesë të qenësishme ose kontribut madhor në mbrojtjen, forcimin apo përparimin e faktorit shqiptar kudo në botë.
3. Dekorata “Nderi i kombit”, e cila u jepet personaliteteve shqiptare që, me veprat dhe emrin e tyre, nderojnë kombin shqiptar brenda dhe jashtë vendit.
4. Dekorata “Nënë Tereza”, e cila u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja për akte të shquara humanizmi ndaj kombit shqiptar dhe njerëzimit.
5. “Dekorata e artë e shqiponjës”, e cila u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja për trimëri në luftën e armatosur dhe për veprimtari ose akte të guximit qytetar në kohë paqeje.
6. Dekorata “Pishtar i demokracisë”, e cila u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja për shërbime të shquara dhe sakrifica të kryera për kombin shqiptar dhe demokracinë.
7. Titulli “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut”, i cili u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja për akte të veçanta heroike në mbrojtjen, forcimin dhe përparimin e Republikës së Shqipërisë.
8. Titulli “Kalorës i urdhrit të flamurit”, i cili u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja për veprimtarinë e tyre në dobi të shtetit dhe kombit shqiptar.
9. Titulli “Martir i demokracisë”, i cili u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja, që janë martirizuar për veprimtarinë e tyre të shquar për lirinë, demokracinë dhe përparimin shoqëror të Republikës së Shqipërisë dhe të kombit shqiptar.
10. Titulli “Mjeshtër i madh”, i cili u jepet punonjësve të fushave të ndryshme të shkencës, artit, sportit, drejtimit, prodhimit dhe biznesit për punë të shquara dhe kontribut thelbësor në zhvillimin e sektorit.
11. Titulli “Naim Frashëri”, i cili u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja, punonjësve të shkencës, artit, kulturës dhe arsimit për veprimtari të çmuara dhe lartësimin e Republikës së Shqipërisë në fushën përkatëse.
12. Titulli “Për merita të veçanta civile”, i cili u jepet personaliteteve shqiptare dhe të huaja për merita të veçanta civile në Republikën e Shqipërisë.

SEKSIONI 2

MEDALJET

Neni 8

Dhënia e medaljeve

1. Me dhënien e medaljeve shpërblehet veprimtaria e shquar në një fushë të veçantë profesionale.
2. Ato përbëhen prej një medaljeje dhe një certifikate, sipas specifikimeve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
3. Medaljet jepen kryesisht, ose me propozim të subjekteve të interesuara, ku përfshihen drejtuesit e institucioneve shtetërore.

Neni 9

Autoriteti përgjegjës

(Shfuqizuar shkronja “c” me ligjin nr.10/2015,datë 19.2.2015)
Autoriteti përgjegjës për dhënien e medaljeve, sipas llojit të tyre, është:
a) Kuvendi;
b) Kryeministri;
c) Shfuqizuar;
ç) ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike;
d) ministri, ku përfshihet çdo ministër i ndryshëm nga ministri përgjegjës për Forcat e Armatosura dhe ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike.

Neni 10

Medalja që jep Kuvendi

Kuvendi, me propozim të 1/5 së deputetëve, jep medaljen “Qytetar nderi i Republikës së Shqipërisë” për personalitete shqiptare ose të huaja, për vepra me efekte të spikatura në historinë dhe kulturën e kombit shqiptar, të cilat njihen si arritje madhore.

Neni 11

(Shfuqizuar me ligjin nr.10/2015,datë 19.2.2015)

Neni 12

Lloji i medaljeve që jep ministri përgjegjës për rendin
dhe sigurinë publike

Ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, kryesisht, ose me propozim të titullarëve të institucioneve të varësisë, jep këto medalje:
1. “Medalja e nderit” u jepet punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe për Shpëtimin dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, punonjësve të shërbimeve mbështetëse, si dhe punonjësve të huaj të policisë, të atashuar në vendin tonë, të cilët shquhen për merita dhe shërbime të veçanta në luftën ndaj krimit, sigurimit të rendit e të qetësisë publike, në ruajtjen dhe administrimin e pronës dhe në ushtrimin e përgjegjësive të tjera të parashikuara nga ligji për Policinë e Shtetit, si dhe në mbështetjen e Policisë së Shtetit.
2. Medalja “Për trimëri” u jepet punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe për Shpëtimin dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të cilët tregojnë cilësi të veçanta, kurajë e guxim në realizimin e detyrave, misioneve dhe zgjidhjen e situatave të jashtëzakonshme.
3. Medalja “Për shpëtim jete” u jepet punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe për Shpëtimin dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të cilët kryejnë akte ose veprime heroike në një konflikt, operacion a situatë të jashtëzakonshme për shpëtimin e jetës së personaliteteve, kolegëve, duke vënë në rrezik jetën e tyre.

Neni 13
Lloji i medaljeve që japin Kryeministri dhe ministrat

Kryeministri dhe ministrat, kryesisht, ose me propozim të titullarëve të institucioneve të varësisë, japin këto medalje:
1. Medalja “Mirënjohje publike”, për personalitete të shquara ose personalitete shqiptare dhe të huaja me kontribut të veçantë në fushën e veprimtarisë brenda përgjegjësisë së tyre.
2. Medalja “Vlerësim profesional”, për personalitete të shquara, në veprimtarinë profesionale, në fushën e veprimtarisë brenda përgjegjësisë së tyre.

SEKSIONI 3
TITUJT VENDORË TË NDERIT

Neni 14

Dhënia e titujve vendorë të nderit

1. Titujt vendorë të nderit jepen për shpërblimin e veprimtarisë së shquar brenda juridiksionit të njësive të qeverisjes vendore ose për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të komunitetit brenda territorit vendor.
2. Ato përbëhen prej një rrethi të argjendtë dhe një certifikate, sipas specifikimeve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 15

Autoritetet përgjegjëse

1. Autoritetet përgjegjëse për dhënien e titujve vendorë të nderit janë:
a) këshilli komunal ose bashkiak;
b) këshilli i qarkut.
2. Titujt vendorë të nderit jepen, kryesisht, ose me propozimin e:
a) çdo anëtari të këshillit komunal ose bashkiak;
b) kryetarit të komunës ose bashkisë;
c) çdo anëtari të këshillit të qarkut;
ç) kryetarit të këshillit të qarkut.

Neni 16

Llojet e titujve vendorë të nderit

1. Titulli “Qytetar nderi” i jepet nga këshilli komunal apo bashkiak çdo personaliteti shqiptar ose të huaj për veprimtari të shquar në dobi të komunës apo bashkisë përkatëse ose për veprimtari për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të saj.
2. Titulli “Nderi i qarkut” i jepet nga këshilli i qarkut çdo personaliteti shqiptar ose të huaj për veprimtari të shquar në dobi të qarkut përkatës apo për veprimtari për mbrojtjen dhe promovimin e interesave të tij.

KREU III
PROCEDURA E DHËNIES SË DEKORATAVE, TITUJVE TË NDERIT, MEDALJEVE OSE TITUJVE VENDORË TË NDERIT

Neni 17

Komisioni këshillimor

1. Çdo autoritet përgjegjës për dhënien e dekoratave, titujve të nderit, medaljeve ose titujve vendorë të nderit krijon pranë tij një komision këshillimor, të përbërë prej 5 anëtarësh, ku 3 anëtarë duhet të jenë punonjës nën varësinë e tij dhe 2 anëtarët e tjerë personalitete të jashtme.
2. Në rastin e medaljes “Qytetar nderi i Republikës së Shqipërisë”, funksionet e komisionit këshillimor ushtrohen nga njëri prej komisioneve të përhershme të Kuvendit, i cili mbulon fushën që përfshin aktin për të cilin është propozuar dhënia e medaljes.
3. Të gjitha propozimet për dhënien e dekoratave, titujve të nderit, medaljeve dhe titujve vendorë të nderit i dërgohen autoritetit përgjegjës për dhënien e tyre, i cili i përcjell menjëherë për vlerësim në komisionin këshillimor.
4. Komisioni këshillimor shpreh mendimin e tij edhe nëse nisma për dhënien e dekoratës, titullit të nderit, medaljeve ose titujve vendorë të nderit ndërmerret kryesisht nga autoriteti përgjegjës për dhënien e tyre.
5. Mbledhjet e komisionit këshillimor zhvillohen kur janë të pranishëm shumica e anëtarëve të tij.
6. Rregullat e hollësishme për funksionimin e komisionit këshillimor përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Në rastin e komisionit këshillimor për dhënien e dekoratave dhe titujve të nderit, rregullat miratohen nga Presidenti i Republikës.

Neni 18

Propozimi për dhënien e dekoratave, titujve të nderit, medaljeve
dhe titujve vendorë të nderit

1. Propozimi duhet të dërgohet jo më vonë se 90 ditë kalendarike përpara datës së propozuar për dhënien e dekoratës, titullit të nderit, medaljes ose titullit vendor të nderit, me përjashtim të rasteve të veçanta kur respektimi i këtij afati është bërë objektivisht i pamundur.
2. Në aktin e propozimit përcaktohen:
a) autoriteti propozues dhe baza ligjore për propozimin;
b) emri, mbiemri dhe prezantimi i personit të propozuar;
c) arsyet e hollësishme që çojnë në propozimin e personit;
ç) lloji i dekoratës, titullit të nderit, medaljes ose titullit vendor të nderit;
d) elementet që vërtetojnë përmbushjen e kritereve përkatëse për dhënien e dekoratës, titullit të nderit, medaljes ose titullit vendor të nderit;
dh) vërtetimi se personi i propozuar nuk është dënuar ndonjëherë për shkelje të rënda të ligjit ose nuk është nën hetim;
e) në rastin e dekoratave, vërtetimi se personit të propozuar nuk i është dhënë më parë një dekoratë e njëjtë ose më e lartë se ajo e propozuar.

Neni 19

Shqyrtimi i propozimit

1. Komisioni këshillimor verifikon nëse akti i propozimit përmban të gjitha elementet e kërkuara nga ky ligj.
2. Nëse propozimi nuk është i plotë, komisioni këshillimor kërkon me shkrim, brenda 15 ditëve kalendarike nga data e marrjes së propozimit, plotësimin e tij nga autoriteti propozues. Plotësimi i propozimit bëhet jo më vonë se 15 ditë kalendarike nga data e marrjes së njoftimit.
3. Nëse propozimi është i plotë, komisioni këshillimor paraqet mendimin e tij pranë autoritetit përgjegjës brenda 30 ditëve nga data e marrjes së propozimit.
4. Procedurat për shqyrtimin e dhënies së një dekorate, medaljeje ose titulli nderi nuk mund të zgjasin më shumë se 60 ditë kalendarike.
5. Procesi i shqyrtimit të propozimit mund të shtyhet apo të pezullohet përkohësisht për rrethana të paparashikuara, që dëmtojnë reputacionin dhe vlerën e aktit të dekorimit, dhënies së titullit të nderit, medaljes ose titullit vendor të nderit në opinionin publik, deri në sqarimin e këtyre rrethanave.

Neni 20

Miratimi i propozimit

1. Propozimi miratohet:
a) me dekret, në rastin e dekoratave dhe titujve të nderit;
b) me vendim, në rastin e medaljes së dhënë nga Kuvendi;
c) me urdhër, në rastin e medaljeve të dhëna nga Kryeministri dhe ministrat;
ç) me vendim, në rastin e titujve vendorë të nderit.
2. Në rast se propozimi miratohet, dekreti, urdhri ose vendimi i dërgohet komisionit këshillimor, me qëllim përgatitjen e medaljeve, rrathëve të argjendta dhe certifikatave përkatëse.
3. Pas përgatitjes së medaljeve, rrathëve të argjendta dhe certifikatave përkatëse, komisioni këshillimor njofton autoritetin propozues për miratimin e propozimit dhe njofton për organizimin e ceremonisë për dhënien e dekoratës, titullit të nderit, medaljes ose titullit vendor të nderit, duke dërguar të dhëna për programin, kohën dhe vendin ku do të zhvillohet ceremonia.

Neni 21

Refuzimi i propozimit

1. Kur propozimi për dekorim, dhënien e titullit të nderit, medaljes, titullit vendor të nderit nuk miratohet, komisioni këshillimor i bën njoftimin autoritetit propozues për mosmiratimin.
2. I njëjti propozim nuk mund të bëhet pa kaluar 1 vit kalendarik nga njoftimi i refuzimit të propozimit.

Neni 22

Organizimi i ceremonisë

1. Ceremonia e dhënies së dekoratave, titujve të nderit, medaljeve dhe titujve vendorë të nderit organizohet nga autoriteti që ka bërë propozimin, në bashkëpunim me autoritetin përgjegjës për dhënien e tyre.
2. Dhënia e dekoratave, titujve të nderit, medaljeve ose titujve vendorë të nderit bëhet në çdo rast me ceremoni, e cila mund të jetë publike ose jopublike, sipas vlerësimit të autoritetit përgjegjës.
3. Ceremonia e dhënies së dekoratës, titullit të nderit, medaljes ose titullit vendor të nderit bëhet brenda 30 ditëve kalendarike nga miratimi i tij/i saj.
4. Si rregull, dhënia e dekoratave, titujve të nderit, medaljeve dhe titujve vendorë të nderit është e lidhur me përvjetorë e ngjarje të rëndësishme historike e aktuale, si dhe me festat kombëtare.
5. Dekoratën, titullin e nderit, medaljen ose titullin vendor të nderit e jep autoriteti përgjegjës ose një person i autorizuar prej tij.
6. Dekorata, titulli i nderit, medalja ose titulli vendor i nderit i jepet vetë personit. Në rast se nderimi bëhet pas vdekjes, dekorata, titulli i nderit, medalja ose titulli vendor i nderit u jepet familjarëve më të afërt të personit.
7. Në raste të veçanta, për personalitete me merita shumë të spikatura, ceremonia organizohet në selinë e autoritetit përgjegjës dhe dekorata, titulli i nderit, medalja ose titulli vendor i nderit jepet nga titullari i autoritetit përgjegjës.
8. Çasti i dorëzimit të dekoratës, titullit të nderit, medaljes ose titullit vendor të nderit mund të shtyhet apo të pezullohet përkohësisht, nëpërmjet të njëjtit akt, me të cilin është dhënë fillimisht, për rrethana të paparashikuara, që dëmtojnë reputacionin dhe vlerën e aktit të dekorimit, dhënies së titullit të nderit, medaljes ose titullit vendor të nderit në opinionin publik, deri në sqarimin e këtyre rrethanave.

Neni 23

Mbajtja e medaljeve

(Ndryshuar pika 3 me ligjin nr.10/2015,datë 19.2.2015)

1. Personeli ushtarak i Forcave të Armatosura, në raste ceremoniale, vendos në uniformën ceremoniale dekoratat dhe medaljet që i jepen, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
2. Medaljet e dhëna nga ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike mbahen në uniformën e punonjësit të policisë dhe në uniformën ceremoniale.
3. Rregullat e hollësishme për mbajtjen dhe përdorimin e dekoratave dhe medaljeve përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike.

KREU IV

DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 24

Dispozitë kalimtare

Dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit, që janë dhënë përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, njihen.

Neni 25

Shfuqizime

Ligji nr. 8113, datë 28.3.1996 “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ligji nr. 9215, datë 1.4.2004 “Për medaljet për personelin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, pika 1 e nenit 124 dhe pikat 1 dhe 3 të nenit 125 të ligjit nr. 9749, datë 4.6.2007 “Për Policinë e Shtetit”, si dhe çdo akt tjetër ligjor apo nënligjor, që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohet.

 

Neni 26

Aktet nënligjore

(Ndryshuar pika 2 me ligjin nr.10/2015,datë 19.2.2015)

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore, të dala në bazë dhe për zbatim të pikës 2 të nenit 4, të pikës 2 të nenit 8, të pikës 2 të nenit 14 dhe të pikës 5 të nenit 17 të këtij ligji.
2. Ngarkohet ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike që, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojnë aktin nënligjor, të dalë në bazë dhe për zbatim të pikës 3 të nenit 23 të këtij ligji.

Neni 27

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Miratuar në datën 4.4.2013

Shpallur me dekretin nr. 8092, datë 8.4.2013 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani

FacebookTwitterGoogle+Share

Comments

comments

Share →