L I G J

Nr. 8652, datë 31.7.2000

 

PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E QEVERISJES VENDORE[1]

( i përditësuar)

Në mbështetje të neneve 13, 81, 83 pika 1 dhe 108-115 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I

 

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

V E N D O S I:

Shkarkoje te plote ne PDF_1

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Objekti i ligjit

 

Ky ligj rregullon organizimin dhe funksionimin e njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë, si dhe përcakton funksionet, kompetencat, të drejtat dhe detyrat e tyre dhe të organeve përkatëse.

 

Neni 2

Përkufizime

Shtuar pika 16 me ligjin nr.30/2015

 

Në kuptimin e këtij ligji:

1.”Funksion” është fusha e veprimtarisë për të cilën është përgjegjës një organ i caktuar.

2. “Funksione të deleguara” janë funksione të pushtetit qendror ose të institucioneve të tjera qendrore që me ligj ose me marrëveshje caktohen të realizohen nga njësitë e qeverisjes vendore në mënyrën dhe masën e përcaktuar nga pushteti qendror dhe institucione të tjera qendrore.

3. “Funksione të përbashkëta” janë funksione për të cilat njësia e qeverisjes vendore ka pjesën e saj të përgjegjësisë së dallueshme nga pjesa e përgjegjësisë së dhënë pushtetit qendror, si dhe që bashkëshoqërohen përpjesëtimisht me kompetenca, të cilat i ushtron në mënyrë autonome.

4. “Funksione të veta” janë funksionet e dhëna me ligj njësisë së qeverisjes vendore, për të cilat ajo është përgjegjëse për realizimin, si dhe ka lirinë dhe autoritetin të marrë vendime e të përdorë mjete për realizimin e tyre, brenda hapësirës së normave, kritereve dhe standardeve të pranuara përgjithësisht me ligj, duke zotëruar autoritet të plotë administrativ, shërbimi, investimi dhe rregullator.

5. “Kompetencë” është autoriteti dhënë me ligj një organi për kryerjen e një funksioni.

6. “Kompetenca të veta” janë autoritetet ekskluzive që u janë dhënë me ligj njësive të qeverisjes vendore për realizimin e funksioneve të veta.

7. “Kompetencë administrative” është kompetenca për menaxhimin e strukturave dhe personelit (ngritjen, përmirësimin, shkrirjen e strukturave, si dhe emërimin, shkarkimin, transferimin, kualifikimin, përcaktimin e pagave dhe shpërblimeve të personelit) në përputhje me legjislacionin në fuqi.

8. “Kompetencë e deleguar” është kompetenca e pushtetit qendror që, me ligj ose me marrëveshje, i është dhënë njësisë së qeverisjes vendore.

9. “Kompetencë investimi” është kompetenca për planifikimin, shpërndarjen dhe realizimin e  investimeve.

10. “Kompetencë rregullatore” është kompetenca për krijimin dhe vendosjen e rregullave (dhënie licencash, caktime oraresh, vendosje gjobash ose në përgjithësi dhënie të drejtash ose krijim detyrimesh), duke respektuar standardet dhe legjislacionin në fuqi.

11. “Kompetencë shërbimi” është kompetenca për planifikimin, shpërndarjen dhe realizimin e mirëmbajtjes së objekteve dhe shërbimeve ndihmëse.

12. “Pushtet qendror” është Këshilli i Ministrave, ministritë dhe institucionet e tjera qendrore të shtetit.

13. “Riorganizim” është ndryshimi në ndarjen administrative-territoriale.

14. “Subjekt i kompetencave të përbashkëta” është një komitet, ent, institucion, ndërmarrje ose bord, i krijuar nga dy ose më shumë njësi të qeverisjes vendore ose mes njësive të qeverisjes vendore dhe institucioneve qendrore, me qëllim kryerjen e një shërbimi ose përmbushjen e një detyrimi të përbashkët.

15. “Subsidiaritet” është parimi i kryerjes së funksioneve dhe ushtrimit të kompetencave në një nivel qeverisjeje sa më pranë shtetasve.

16. “Konsultimi” ndërmjet institucioneve të pushtetit qendror dhe njësive të qeverisjes vendore është një proces institucional, transparent dhe i drejtpërdrejtë, për informimin, këshillimin dhe shkëmbimin e opinioneve për politikat, legjislacionin e normat që rregullojnë qeverisjen vendore, i cili zhvillohet rregullisht dhe në mënyrë të vazhdueshme, sipas procedurave dhe një strukture të përcaktuar.

 

Neni 3

Misioni i pushtetit vendor

 

Pushteti vendor në Republikën e Shqipërisë siguron qeverisjen në një nivel sa më  afër shtetasve nëpërmjet:

a) njohjes së ekzistencës së identiteteve dhe vlerave të ndryshme të bashkësive;

b) respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve të sanksionuara në Kushtetutë ose në ligje të tjera;

c) zgjedhjes së llojeve të ndryshme të shërbimeve dhe lehtësirave të tjera publike vendore në dobi të bashkësisë;

ç) ushtrimit efektiv të funksioneve, kompetencave dhe realizimit të detyrave nga  organet e qeverisjes vendore;

d) realizimit të shërbimeve në forma të përshtatshme;

dh) nxitjes efektive të pjesëmarrjes së bashkësisë në qeverisjen vendore.

 

Neni 4

Parime themelore të funksionimit të organeve të njësive të qeverisjes vendore

Ndryshuar pika 2,  me ligjin nr. 30/2015

 

1. Organet e njësive të qeverisjes vendore veprojnë në bazë të parimit të autonomisë vendore.

2. Marrëdhëniet ndërmjet organeve të njësive të qeverisjes vendore dhe institucioneve të qeverisjes qendrore bazohen në parimin e subsidiaritetit, të konsultimit dhe të bashkëpunimit për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta.

3. Në veprimtarinë e tyre organet e njësive të qeverisjes vendore respektojnë Kushtetutën, ligjet dhe aktet e nxjerra në bazë dhe për zbatimin e tyre.

4. Organet  e njësive të qeverisjes vendore janë persona juridikë.

5. Çdo bashki dhe qark është organ qeverisës me vazhdimësi.

 

KREU II

NJËSITË E QEVERISJES VENDORE

Neni 5

Përcaktimi: bashki, qark dhe nënndarjet[2]

Ndryshuar me ligjin nr. 30/2015

1. Bashkia është njësi bazë e qeverisjes vendore.

2. Bashkia përfaqëson një unitet administrativo-territorial dhe bashkësi banorësh. Bashkitë, shtrirja territoriale, emri dhe qyteti qendër i saj përcaktohen me ligj.

3. Bashkia përbëhet nga disa njësi administrative, sipas lidhjeve tradicionale, historike, ekonomike dhe sociale. Njësitë administrative në territorin e një bashkie, shtrirja e tyre territoriale dhe emri përcaktohen me ligj.

4. Njësitë administrative përbëhen nga qytetet dhe/ose fshatrat. Shtrirja territoriale, emri i qyteteve dhe fshatrave, pjesë e çdo njësie administrative, përcaktohen me ligj. Shpallja e qyteteve të reja bëhet me ligj.

5. Qytetet mund të ndahen në njësi më të vogla që quhen lagje. Një lagje mund të krijohet vetëm në territore, që si rregull kanë mbi 20 mijë banorë. Ndarja e qyteteve në lagje dhe shtrirja e tyre territoriale miratohet me vendim të këshillit bashkiak.

6. Qarku është njësi e nivelit të dytë të qeverisjes vendore.

7. Qarku përfaqëson një unitet administrativo-territorial të përbërë nga disa bashki me lidhje gjeografike, tradicionale, ekonomike, sociale dhe interesa të përbashkët. Kufijtë e qarkut përputhen me kufijtë e bashkive që e përbëjnë atë. Qendra e qarkut vendoset në një nga bashkitë që përfshihen në të. Shtrirja territoriale, emri dhe qendra e qarkut përcaktohen me ligj.

 

Neni 6

Organet e njësive të qeverisjes vendore

 

1. Në çdo bashki dhe qark, krijohen organet përfaqësuese dhe organet ekzekutive të qeverisjes vendore.

2. Organi përfaqësues i bashkisë është këshilli bashkiak. Organi ekzekutiv i bashkisë është kryetari i bashkisë.

3. Organ përfaqësues i qarkut është këshilli i qarkut. Funksionet ekzekutive në qark kryhen nga kryetari dhe kryesia e këshillit të qarkut.

4. Organet përfaqësuese dhe ekzekutive në bashki zgjidhen me zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe me votim të fshehtë, sipas mënyrës së parashikuar në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.

5. Organi përfaqësues i qarkut, krijohet me përfaqësues nga organet e zgjedhura të bashkive që e përbëjnë atë, sipas mënyrës së përcaktuar në Kushtetutë dhe në kreun IX të këtij ligji.

6. Kryetari dhe kryesia e këshillit të qarkut zgjidhen nga këshilli i qarkut, sipas mënyrës së përcaktuar në kreun IX të këtij ligji.

 

KREU  III

TË DREJTAT E NJËSIVE TË QEVERISJES VENDORE

Neni 7

Ushtrimi i autoritetit me interes publik vendor

 

1. Organet e njësive të qeverisjes vendore mund të ndërmarrin nisma me interes publik vendor për çdo çështje që nuk u ndalohet me ligj ose që nuk i është dhënë ekskluzivisht me ligj një organi tjetër shtetëror.

2. Organet e njësive të qeverisjes vendore ushtrojnë kompetencat e tyre nëpërmjet vendimeve, urdhëresave dhe urdhrave.

 

Neni 8

Të drejtat e njësive të qeverisjes vendore

Shtuar nënndarja V/I, me ligjin nr. 30/2015

 

 

1. Njësitë e qeverisjes vendore gëzojnë këto të drejta:

I. E drejta e qeverisjes

a) Përcaktojnë masa që ato i gjykojnë të nevojshme për kryerjen e funksioneve dhe ushtrimin e kompetencave.

b) Bazuar në Kushtetutë, në ligje dhe aktet nënligjore të nxjerra në bazë dhe për zbatim të tyre për kryerjen e funksioneve dhe ushtrimin e kompetencave, nxjerrin urdhëresa, vendime dhe urdhra që janë të detyrueshme për të gjitha subjektet e përfshira në akt, në juridiksionin e tyre.

c) Krijojnë struktura administrative për kryerjen e funksioneve dhe ushtrimin e kompetencave të tyre, sipas ligjeve në fuqi.

ç) Krijojnë njësi ekonomike e institucione në varësi të tyre.

d) Krijojnë komitete, borde ose komisione për kryerjen e funksioneve të veçanta sa herë që paraqitet nevoja.

dh) Krijojnë nëndarje administrativo-territoriale brenda juridiksionit për rritjen e efikasitetit në kryerjen e funksioneve të tyre qeverisëse, sipas mënyrës së përcaktuar në këtë ligj.

II. E drejta e pronësisë

a) Njësitë e qeverisjes vendore, ushtrojnë të drejtën e pronësisë. Ato fitojnë, shesin dhe japin në përdorim pronën e paluajtshme ose të luajtshme të tyre, si dhe ushtrojnë të drejta të tjera sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.

b) E drejta e fitimit të pronës nëpërmjet shpronësimeve për interes publik nga ana e njësive të qeverisjes vendore rregullohet me ligj të veçantë.

c) E drejta e pronësisë ushtrohet nga këshilli përkatës, i cili nuk mund t’ia delegojë ushtrimin e kësaj të drejte askujt tjetër.

III. E drejta e mbledhjes së të ardhurave dhe e bërjes së shpenzimeve

a) Krijojnë, mbledhin të ardhura dhe bëjnë shpenzime për përmbushjen e funksioneve të tyre.

b) Vendosin taksa e tarifa për shërbimet si dhe nivelin e tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe interesat e bashkësisë.

c) Hartojnë, miratojnë dhe zbatojnë buxhetin e tyre.

IV. E drejta e kryerjes së veprimtarive ekonomike

a) Për përmbushjen e funksioneve publike në interes të bashkësisë që përfaqësojnë, ushtrojnë veprimtari ekonomike që nuk bie ndesh me orientimet themelore të politikave ekonomike të shtetit.

b) Të ardhurat që përfitohen nga veprimtaria ekonomike përdoren, në pjesën më të madhe, për mbështetjen dhe përmbushjen e funksioneve publike.

c) Veprimtaria ekonomike e njësive të qeverisjes vendore rregullohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

V. E drejta e bashkëpunimit

a) Për kryerjen e shërbimeve specifike në emër dhe në dobi të bashkësive përkatëse, dy ose më shumë njësi të qeverisjes vendore mund të ushtrojnë së bashku çdo funksion që u është dhënë atyre me ligj, nëpërmjet zbatimit të marrëveshjeve ose kontratave të përbashkëta, delegimit të kompetencave dhe përgjegjësive të veçanta njëra-tjetrës ose kontraktimit me një palë të tretë.

b) Bashkëpunojnë me njësi të qeverisjes vendore të vendeve të tjera dhe përfaqësohen në organizata ndërkombëtare të pushteteve vendore në përputhje me legjislacionin në fuqi.

c) Kanë të drejtë të organizohen në shoqata, në përputhje me legjislacionin përkatës për shoqatat.

V/1. E drejta e konsultimit

a) Njësitë e qeverisjes vendore konsultohen, nëpërmjet shoqatave të të zgjedhurve vendorë dhe grupeve të tjera të interesit,  në kohën dhe mënyrën e duhur, që u mundëson prezantimin e opinioneve dhe propozimeve të tyre për politikat dhe legjislacionin që ka ndikim të drejtpërdrejtë në ushtrimin e të drejtave dhe funksioneve të tyre.

b) Procesi i konsultimit zhvillohet sipas procedurave dhe brenda kuadrit të një strukture të përcaktuar. Ngarkohet Këshilli i Ministrave për hartimin e akteve nënligjore që përcaktojnë strukturën, formën, mënyrën e organizimit, funksionimin, natyrën e çështjeve për konsultim dhe frekuencën kohore të procesit të konsultimeve.

VI. E drejta e personit juridik

Si persona juridikë, njësitë e qeverisjes vendore gëzojnë dhe ushtrojnë të gjitha të drejtat e përcaktuara në Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë dhe në legjislacionin në fuqi:

a) të drejtën e lidhjes së kontratës;

b) të drejtën e krijimit të personave të tjerë juridikë;

c) të drejtën e ngritjes së padisë civile;

ç) të drejtën e mbajtjes së llogarive;

d) të drejta të tjera për ushtrimin e funksioneve në bazë dhe në zbatim të ligjeve dhe akteve nënligjore.

VII. Të drejta të tjera

a) Japin tituj nderi dhe stimuj.

b) Vendosin emërtimet e territoreve, objekteve dhe institucio­neve nën juridiksionin e tyre, sipas kritereve të përcaktuara me ligj.

2. Njësitë e qeverisjes vendore kanë vulën dhe simbolet e tyre.

3. Të drejtat e mësipërme ushtrohen nga organet e njësive të qeverisjes vendore, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj.

 

KREU  IV

FUNKSIONET DHE KOMPETENCAT E

BASHKISË DHE QARKUT

Neni 9

Tipat e funksioneve

 

Bashkia dhe qarku kryejnë funksione të veta, të përbashkëta dhe funksione të deleguara.

 

Neni 10

Funksionet e veta të bashkisë

 

1. Bashkitë kanë kompetenca të plota administrative, shërbimi, investimi dhe rregullatore për funksionet e veta të përcaktuara në këtë nen. Këto funksione ato i ushtrojnë në përputhje me afatet e përcaktuara në kreun XI të këtij ligji.

2. Kompetencat për kryerjen e funksioneve të veta, bashkitë i ushtrojnë duke respektuar politikat kombëtare dhe rajonale. Për këto funksione, pushteti qendror mund të vendosë standarde e norma specifike kombëtare me qëllim ruajtjen e interesave kombëtarë. Këto standarde e norma nuk mund të cenojnë ose kufizojnë autonominë e bashkive në çështje me interes vendor. Në rastet kur bashkitë nuk zotërojnë fondet ose mjetet e mjaftueshme për arritjen e standardeve dhe normave kombëtare, pushteti qendror u jep atyre mbështetjen e nevojshme.

3. Bashkitë ushtrojnë këto funksione të veta:

I. Në fushën e infrastrukturës dhe të shërbimeve publike:

a) furnizimi me ujë të pijshëm;

b) funksionimi i sistemit të kanalizimeve të ujërave të bardha, të ujërave të zeza dhe kanaleve mbrojtëse të zonave të banuara;

c) ndërtimi, rehabilitimi dhe mirëmbajtja e rrugëve me karakter vendor, trotuareve dhe shesheve publike;

ç) ndriçimi i mjediseve publike;

d) funksionimi i transportit publik urban;

dh) administrimi i varrezave dhe garantimi i shërbimit të varrimit;

e) shërbimi i dekorit;

ë) administrimi i parqeve, lulishteve dhe zonave të gjelbëruara publike;

f) grumbullimi, largimi dhe përpunimi i mbeturinave;

g) planifikimi urban, menaxhimi i tokës dhe strehimi sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.

II. Shërbimet me karakter social, kulturor e sportiv:

a) Ruajtja dhe zhvillimi i vlerave kulturore dhe historike vendore, organizimi i veprimtarive dhe administrimi i institucioneve përkatëse;

b) organizimi i veprimtarive sportive, çlodhëse e argëtuese dhe administrimi i institucioneve përkatëse;

c) shërbimi social dhe administrimi i institucioneve si çerdhet, azilet, shtëpitë e fëmijëve, etj.

III. Zhvillimi ekonomik vendor:

a) përgatitja e programeve të zhvillimit ekonomik vendor;

b) ngritja dhe funksionimi i tregjeve publike dhe i rrjetit të tregtisë;

c) zhvillimi i biznesit të vogël, si dhe zhvillimi i veprimtarive nxitëse si panaire e reklama në vende publike;

ç) organizimi i shërbimeve në mbështetje të zhvillimit ekonomik vendor si informacioni, struktura dhe infrastruktura e nevojshme;

d) shërbimi veterinar;

dh) ruajtja dhe zhvillimi i pyjeve, kullotave e burimeve natyrore me karakter vendor.

IV. Rendi dhe mbrojtja civile:

a) ruajtja e rendit publik për parandalimin e shkeljeve administrative dhe garantimi i zbatimit të akteve të bashkisë;

b) mbrojtja civile.

 

Neni 11

Funksionet e përbashkëta

 

1. Bashkitë kryejnë secilin nga funksionet e mëposhtme, veçmas ose së bashku me pushtetin qendror, në përputhje me afatet e përcaktuara në kreun XI të këtij ligji.

2. Në rastet kur pushteti qendror i kërkon bashkisë kryerjen e një funksioni të përbashkët ose arritjen e një standardi kombëtar për realizimin e këtij funksioni, ai siguron mbështetje të mjaftueshme financiare dhe materiale.

3. Bashkitë kryejnë këto funksione të përbashkëta për:

a) arsimin parashkollor dhe parauniversitar;

b) sistemin e shërbimit parësor shëndetësor dhe mbrojtjen e shëndetit publik;

c) kujdesin social, zbutjen e varfërisë dhe garantimin e funksionimit të institucioneve përkatëse;

ç) rendin publik dhe mbrojtjen civile;

d) mbrojtjen e mjedisit;

dh) funksione të tjera të përbashkëta, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.

4. Kompetencat e bashkive, për funksionet e parashikuara në këtë nen, rregullohen  në çdo rast me ligj. Raportet mes njësive të qeverisjes vendore dhe të institucioneve qendrore për funksionet e parashikuara në këtë nen, rregullohen me ligj ose me akte nënligjore.

 

Neni 12

Funksione dhe kompetenca të deleguara

 

1. Funksionet dhe kompetencat e deleguara janë të detyrueshme ose jo të detyrueshme.

2. Funksione dhe kompetenca të detyrueshme janë ato të përcaktuara me ligj.

3. Institucionet qendrore, kur lejohet me ligj, autorizojnë bashkinë ose qarkun të kryejnë funksione të caktuara të institucioneve qendrore, duke përcaktuar procedurat e kryerjes dhe të kontrollit për zbatimin e tyre.

4. Institucionet qendrore mund të autorizojnë bashkinë dhe qarkun të ushtrojnë një kompetencë të vetme për një funksion të caktuar.

5. Bashkisë ose qarkut, mund t’u delegohen funksione dhe kompetenca të tjera jo të detyrueshme, mbi bazën e një marrëveshjeje midis njësisë së qeverisjes vendore përkatëse dhe institucionit qendror përgjegjës me ligj për këtë funksion ose kompetencë.

6. Në çdo rast institucionet qendrore u garantojnë njësive të qeverisjes vendore mbështetjen e nevojshme financiare për ushtrimin e funksioneve dhe kompetencave të deleguara.

7. Bashkia ose qarku, me nismën e tyre mund të përdorin burimet e veta financiare për ushtrimin e funksioneve dhe kompetencave të deleguara, me synim ngritjen në nivel më të lartë të shërbimit në interes të bashkësisë.

 

Neni 13

Funksionet e qarkut

 

1. Funksionet e veta të qarkut janë ndërtimi dhe zbatimi i politikave rajonale dhe harmonizimi i tyre me politikat shtetërore në nivel qarku, si dhe çdo funksion tjetër i vet i dhënë me ligj.

2. Qarku ushtron të gjitha funksionet që i delegohen nga një ose më shumë bashki brenda territorit të tij, sipas një marrëveshjeje të lidhur midis palëve.

3. Qarku kryen dhe ushtron kompetencat e deleguara nga pushteti qendror, sipas parimeve të parashikuara në nenin 12 të këtij ligji.

 

Neni 14

Bashkëpunimi për kryerjen e funksioneve

 

1. Çdo njësi e qeverisjes vendore mund të ushtrojë të drejtën e bashkëpunimit, sipas nenit 8 të këtij ligji, duke përdorur një nga këto mënyra:

a) marrëveshjen për kryerjen së bashku të një ose disa funksioneve;

b) kontraktimin me një njësi tjetër të qeverisjes vendore për ushtrimin e një ose disa funksioneve;

c) kontraktimin nga ana e disa njësive me një palë të tretë për ushtrimin e një ose disa funksioneve.

2. Çdo marrëveshje duhet:

a) të përmbajë qëllimin dhe funksionet që do të ushtrohen;

b) të parashikojë mënyrën me anë të së cilës do të plotësohet qëllimi;

c) të përcaktojë shkallën dhe kohëzgjatjen e delegimit të kompetencave;

ç) të përcaktojë mënyrën dhe masën e  ndihmesave dhe të ndarjes së të ardhurave dhe përfitimeve të tjera.

3. Dy ose më shumë njësi të qeverisjes vendore, si dhe njësi të qeverisjes vendore me organe të pushtetit qendror mund të lidhin marrëveshje të përbashkët për krijimin e një personi juridik të ndarë nga palët, të cilit i japin autoritet dhe kompetenca të caktuara. Në kuptimin e këtij ligji, ky person juridik quhet subjekt i kompetencave të përbashkëta. Për secilën palë përcaktohet ndihmesa financiare, ndihmesa me shërbime, ndihmesa me pajisje dhe me punonjës të kualifikuar ose çdo aset tjetër i nevojshëm për realizimin e qëllimit.

4. Pas krijimit të tij subjekti i kompetencave të përbashkëta përgjegjës për administrimin e marrëveshjes, brenda 30 ditësh nga data e krijimit dhe e nënshkrimit të marrëveshjes, njofton zyrtarisht prefektin.

5. Njoftimi zyrtar duhet të përmbajë:

a) emrin e njësive të qeverisjes vendore që janë palë në marrëveshje;

b) datën e hyrjes në fuqi të marrëveshjes;

c) qëllimin e marrëveshjes dhe funksionin që do të ushtrohet;

ç) vendimet e këshillave të njësive të qeverisjes vendore të përfshira në marrëveshje në lidhje me të;

d) ndihmesat e palëve.

6. Pas njoftimit zyrtar që i bëhet prefektit, marrëveshja bëhet e zbatueshme dhe subjekti i kompetencave të përbashkëta merr fuqi ekzekutimi.

 

KREU V

FINANCAT E NJËSIVE TË QEVERISJES VENDORE

Neni 15

Parimet e financimit të njësive të qeverisjes vendore

Ndryshuar pika 5, me ligjin nr. 30/2015

 

 

1. Politikat kombëtare financiare garantojnë funksionimin e njësive të qeverisjes vendore dhe bazohen në parimin e shumëllojshmërisë së burimeve të të ardhurave.

2. Njësitë e qeverisjes vendore financohen nga të ardhurat që sigurohen nga taksat, tarifat dhe të ardhurat e tjera vendore, nga fondet e transferuara nga pushteti qendror dhe fondet që u vijnë drejtpërdrejt atyre nga ndarja e taksave dhe tatimeve kombëtare.

3. Njësive të qeverisjes vendore u garantohet me ligj autoritet i mjaftueshëm për krijimin  e të ardhurave në mënyrë të pavarur.

4. Pushteti qendror u jep njësive të qeverisjes vendore fonde për përmbushjen e të gjitha standardeve dhe kërkesave që ai vendos për funksionet dhe kompetencat e deleguara.

5. Çdo njësi e qeverisjes vendore miraton, zbaton dhe administron çdo vit buxhetin e vet pa deficit dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi që rregullon menaxhimin e sistemit buxhetor dhe financave vendore në Republikën e Shqipërisë.

 

Neni 16

Të ardhurat e veta të bashkisë

 

1. Bashkitë krijojnë të ardhura nga:

a) taksat dhe tatimet vendore mbi pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe mbi transaksionet e kryera me to;

b) taksat dhe tatimet vendore mbi veprimtarinë ekonomike të biznesit të vogël, të shërbimit hotelier, të restoranteve, bareve dhe të shërbimeve të tjera;

c) taksat dhe tatimet vendore mbi të ardhurat vetjake të krijuara nga dhurata, trashëgimi, testamente ose lotari vendore;

ç) taksa ose tatime të tjera të përcaktuara me ligj.

2. Baza e taksave dhe tatimeve vendore, si dhe kufijtë maksimalë dhe/ose minimalë të nivelit të tyre vendosen me ligj të veçantë. Bashkitë kanë të drejtë të zbatojnë ose jo një taksë ose tatim vendor të përcaktuar. Kur ato e zbatojnë tatimin ose taksën vendore, ato ushtrojnë të drejtën e vendosjes së nivelit, si dhe të mënyrave të mbledhjes dhe administrimit të tyre brenda kufijve dhe kritereve të përcaktuara në ligjin përkatës.

3. Bashkitë krijojnë të ardhura nga tarifat vendore për:

a)  shërbimet publike që ato ofrojnë;

b) të drejtën e përdorimit  të pronave publike vendore;

c) dhënien e licencave, të lejeve, autorizimeve dhe për lëshimin e  dokumenteve të tjera, për të cilat ato kanë autoritet të plotë.

4. Bashkitë vendosin vetë për nivelin, mënyrën e mbledhjes dhe të administrimit të tarifave vendore, në përputhje me politikat dhe parimet e përgjithshme kombëtare, të përcaktuara në aktet normative të pushtetit qendror.

5. Bashkitë marrin hua për qëllime publike vendore, në përputhje me mënyrat e përcaktuara me ligj.

6. Bashkitë krijojnë të ardhura nga veprimtaritë e tyre ekonomike, qiratë dhe shitja e pronave, dhuratat, interesat, gjobat, ndihmat ose donacionet.

 

Neni 17

Të ardhura nga burime kombëtare

 

1. Bashkitë financohen nga këto burime kombëtare:

a) Taksat dhe tatimet e ndara, në të cilat përfshihen një pjesë e tatimit mbi të ardhurat vetjake, si dhe një pjesë e tatimit mbi fitimin e subjekteve ekonomike. Të ardhurat vjetore nga këto taksa e tatime u jepen bashkive në jo më pak se tri transferta në vit. Pjesa e taksës dhe tatimit që shkon në favor të tyre, si dhe mbledhja e administrimi përcaktohen me ligj për çdo taksë ose tatim të ndarë.

b) Transfertat e pakushtëzuara nga Buxheti i Shtetit, që jepen sipas kritereve të përcaktuara me ligj, bazuar në funksionet dhe kompetencat e veta ose të përbashkëta të bashkive, si dhe për arritjen e barazisë së burimeve mes njësive të ndryshme të qeverisjes vendore në raport me mundësitë e tyre për të krijuar të ardhurat e nevojshme.

c)Transfertat e kushtëzuara nga Buxheti i Shtetit.

2. Pushteti qendror, në bashkëpunim me bashkitë, në periudhën e hartimit të projektbuxhetit analizon mjaftueshmërinë dhe stabilitetin e këtyre burimeve për arritjen e qëllimeve të përcaktuara në këtë ligj.

 

Neni 18

Burimet e financimit të qarkut

 

1. Qarku krijon të ardhura nga burimet e veta vendore  dhe nga ndarja e të ardhurave kombëtare.

2. Të ardhurat nga burimet e veta vendore përbëhen nga:

a) transfertat e pakushtëzuara, përfshirë kuotat e anëtarësisë së bashkive përbërëse, të përcaktuara në rregulloren dhe buxhetin vjetor të qarkut për kryerjen e funksioneve të veta dhe të përbashkëta;

b) transfertat e kushtëzuara për kryerjen e funksioneve dhe kompetencave të deleguara përkatëse nga bashkitë përbërëse;

c) taksa dhe tatime të vendosura në nivel qarku, të përcaktuara në përputhje me ligjin;

ç) tarifat për shërbimet publike të kryera nga qarku, si dhe nga burime të tjera të përcaktuara në nenin 16 të këtij ligji.

3. Kriteret dhe normat për krijimin dhe administrimin e të ardhurave nga burimet e veta vendore janë të ngjashme me ato të përcaktuara për të ardhurat nga burimet vendore të bashkive.

4. Të ardhurat e qarkut nga ndarja e të ardhurave kombëtare, krijohen dhe administrohen sipas mënyrës së përcaktuar në nenin 17 të këtij ligji.

 

Neni 19

Buxheti i njësive të qeverisjes vendore

Ndryshuar pikat 4,5,8,9, me ligjin nr. 30/2015

 

 

1. Buxheti i çdo njësie të qeverisjes vendore përfshin të gjitha të ardhurat dhe të gjitha shpenzimet së bashku me pagesat e huas.

2. Transfertat e kushtëzuara, të cilat hyjnë në buxhetin e njësisë së qeverisjes vendore, përdoren vetëm për qëllimin për të cilin janë dhënë në përputhje me rregullat e caktuara nga pushteti qendror.

3. Çdo njësi e qeverisjes vendore ka autoritet të plotë për qëllimet dhe mënyrat e përdorimit të fondeve buxhetore të saj, që nuk janë transferta të kushtëzuara. Kur këto fonde nuk shpenzohen tërësisht gjatë vitit financiar në vazhdim, mbarten në buxhetin e vitit financiar pasardhës.

4. Miratimi i buxhetit të ri dhe mbyllja e buxhetit të vitit të mëparshëm bëhet sipas afateve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi që rregullon menaxhimin e sistemit buxhetor dhe financave vendore në Republikën e Shqipërisë.

5. Buxheti i çdo njësie të qeverisjes vendore miratohet nga këshilli përkatës. Miratimi i buxhetit dhe i bilancit të tij mbyllës, bëhen në afatet e përcaktuara në legjislacionin në fuqi që rregullon menaxhimin e sistemit buxhetor dhe financave vendore në Republikën e Shqipërisë.

6. Buxheti i njësive të qeverisjes vendore synon:

a) përdorimin me efektivitet të burimeve për kryerjen e funksioneve dhe ushtrimin e kompetencave;

b) paraqitjen qartë të situatës financiare të çdo njësie të qeverisjes vendore;

c) dhënien e informacionit të nevojshëm, që u mundëson qytetarëve pjesëmarrjen në vendimmarrje në lidhje me funksionet dhe kompetencat e ushtruara nga njësia e qeverisjes vendore përkatëse.

7. Buxheti i njësive të qeverisjes vendore duhet të përmbajë:

a) pasqyrat e të ardhurave dhe të shpenzimeve buxhetore me treguesit si më poshtë:

i) të ardhurat e detajuara sipas klasifikimit në nenet 16, 17 dhe 18 të këtij ligji;

ii) shpenzimet e detajuara në përputhje me klasifikimin funksional dhe ekonomik;

iii)  fondin rezervë jo më shumë se 3 për qind të shpenzimeve totale;

b) parashikimin e të ardhurave dhe shpenzimeve për dy vitet buxhetore pasardhëse;

c) parashikimin e shpenzimeve për investimet me informacionin e mëposhtëm:

i) qëllimin e investimit;

ii) planin e financimit, përfshirë mënyrat dhe burimet e financimit;

iii) shpenzimet vjetore që duhen për shlyerjen e kredisë, nëse përdoret, si dhe një preventiv të shpenzimeve operative që lindin si pasojë e kryerjes së investimit.

8. Organi ekzekutiv i çdo njësie të qeverisjes vendore përgatit projektbuxhetin e vitit të ri financiar, si dhe projektvendimin për mbylljen e buxhetit të vitit të mëparshëm dhe ia paraqet për miratim këshillit në afatet e parashikuara në legjislacionin në fuqi që rregullon menaxhimin e sistemit buxhetor dhe financave vendore në Republikën e Shqipërisë .

9. Ndryshimet gjatë zbatimit të buxhetit të pavarur në lidhje me transferimin dhe rishpërndarjen e fondeve, si dhe me mënyrën e përdorimit të fondit rezervë, bëhen nga këshilli përkatës, me propozim të kryetarit, në përputhje me kriteret e përcaktuara në legjislacionin në fuqi që rregullon menaxhimin e sistemit buxhetor dhe financave vendore në Republikën e Shqipërisë .

 

Neni 20

Ruajtja e dokumentacionit financiar

 

1. Çdo njësi e qeverisjes vendore merr masa për ruajtjen dhe administrimin e dokumenteve financiare dhe është përgjegjëse për dëmtimin ose humbjen e tyre, në përputhje me legjislacionin për arkivat.

2. Çdo njësi e qeverisjes vendore miraton rregulloren e brendshme për zbatimin e ligjit për arkivat.

 

Neni 21

Kontrolli i brendshëm financiar

 

1. Çdo këshill i njësive të qeverisjes vendore krijon një komision financash, i cili vepron gjatë gjithë periudhës së mandatit.

2. Komisioni i financave kontrollon të ardhurat dhe shpenzimet e kryera nga organi ekzekutiv, në përputhje me buxhetin e miratuar nga këshilli. Organi ekzekutiv i njësisë së qeverisjes vendore i raporton komisionit të financave rregullisht gjatë vitit dhe i dorëzon atij dokumentacionin e kërkuar prej tij. Organi ekzekutiv dhe administrata e tij nuk mund të bëjnë pjesë në këtë komision.

3. Komisioni i financave kontrollon të gjithë dokumentacionin kontabël dhe financiar. Ai ka të drejtë të kërkojë auditim të jashtëm të llogarive të kryer nga ekspertë kontabël të autorizuar.

 

Neni 22

Kontrolli i jashtëm financiar

 

1. Çdo njësi e qeverisjes vendore i nënshtrohet kontrollit të jashtëm financiar të Kontrollit të Lartë të Shtetit për ligjshmërinë e përdorimit të burimeve financiare.

2. Çdo njësi e qeverisjes vendore i nënshtrohet kontrollit të jashtëm financiar nga ana e organeve të pushtetit qendror, sipas mënyrës së parashikuar me ligj.

KREU VI

PËRBËRJA, KRIJIMI, MËNYRA E ORGANIZIMIT, KOMPETENCAT DHE DETYRAT E KËSHILLIT  BASHKIAK

Neni 23

Mënyra e zgjedhjes

 

Këshilli bashkiak përbëhen nga këshilltarë të zgjedhur sipas dispozitave të përcaktuara në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.

Neni 24

Numri i anëtarëve të këshillit bashkiak

Ndryshuar me ligjin nr. 30/2015

 

 

1. Numri i anëtarëve të këshillit bashkiak përcaktohet sipas numrit të popullsisë si më poshtë:

-Bashkitë deri në 20 000 banorë 15 anëtarë;
-Bashkitë nga 20 001 deri në 50 000 banorë 21 anëtarë;
-Bashkitë nga 50 001 deri në 100 000 banorë 31 anëtarë;
-Bashkitë nga 100 001 deri në 200 000 banorë 41 anëtarë;
-Bashkitë nga 200 001 deri në 400 000 banorë 51 anëtarë;
-Bashkitë mbi 400 000 banorë 61 anëtarë.

2. Në zbatim të këtij neni, prefekti përcakton numrin e anëtarëve të këshillit për çdo bashki nën juridiksionin e tij, mbi bazën e numrit të banorëve, sipas evidencave të zyrave të gjendjes civile të datës 1 janar të vitit kur zhvillohen zgjedhjet.

 

Neni 25

Papajtueshmëria e funksionit të këshilltarit

 

1. Funksioni i këshilltarit është i papajtueshëm me:

a) funksionin e kryetarit, zëvendëskryetarit të bashkisë;

b) funksionin e sekretarit të këshillit bashkiak;

c) funksionin e nëpunësit të administratës së bashkisë përkatëse;

ç) funksionin e deputetit.

2. Një person nuk mund të zgjidhet në të njëjtën kohë në më shumë se një këshill bashkiak.

3. Nuk mund të jenë anëtarë të të njëjtit këshill personat që janë me njëri-tjetrin bashkëshortë, prindër e fëmijë, vëlla e motër, si dhe vjehrri e vjehrra me nusen dhe dhëndrin.

 

Neni 26

Mbledhja  e parë e këshillit bashkiak

 

1. Këshilli bashkiak zhvillon mbledhjen  e  tij të parë jo më vonë se 20 ditë nga shpallja e rezultatit të zgjedhjes nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

2. Mbledhja  e parë e këshillit thirret nga sekretari i këshillit bashkiak. Në mungesë të tij, nismën për thirrjen e mbledhjes së parë e merr prefekti.

3. Në rast se asnjë nga subjektet e sipërpërmendura nuk e ushtron këtë  të drejtë brenda afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni, atëherë këshilli mblidhet vetë brenda 10 ditëve.

4. Mbledhja  e parë e këshillit është e vlefshme kur në të marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve të tij, të shpallur nga komisioni i zgjedhjeve për qeverisjen vendore. Nëse nuk mblidhen më shumë se gjysma e anëtarëve të këshillit, mbledhja nuk zhvillohet  dhe ajo thirret tri ditë më vonë, por jo më shumë se tri herë. Në rastet kur edhe pas tri herë thirrje nuk sigurohet pjesëmarrja e kërkuar, këshilli konsiderohet i shpërndarë.

5. Mbledhja  e parë e këshillit, deri në zgjedhjen e kryetarit të tij, drejtohet nga këshilltari më i vjetër në moshë.

6. Në mbledhjen  e parë të këshillit bashkiak:

a) zgjidhet komisioni i mandateve;

b) miratohen mandatet e anëtarëve të këshillit;

c) këshilltarët bëjnë betimin;

ç) zgjidhet kryetari dhe zëvendëskryetari i këshillit;

d) zgjidhen anëtarët që do të përfaqësojnë këshillin bashkiak në këshillin e qarkut dhe pajisen ata me mandatin e përfaqësimit.

7. Këshilli konstituohet pas vërtetimit të mandateve të më shumë se gjysmës së anëtarëve të tij.

 

Neni 27

Mandati i këshilltarit

 

1. Mandati i jepet  këshilltarit me vendim të këshillit.

2. Dhënia dhe heqja e mandatit bëhet me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit.

3. Këshilltari nuk voton për mandatin e tij.

4. Mandati i këshilltarit mbaron përpara afatit, me propozimin e komisionit të mandateve kur:

a) ndryshon vendbanimin;

b) jep dorëheqjen;

c) krijohen kushte të papajtueshmërisë, të përcaktuara në nenin 25 të këtij ligji;

ç) mandati nga ana e tij është marrë në mënyrë të parregullt;

d) humbet zotësinë juridike për të vepruar me vendim gjykate;

dh) vdes;

e) nuk merr pjesë në mbledhjet e këshillit për një periudhë 6-mujore;

ë) dënohet për kryerjen e një vepre penale me vendim gjykate të formës së prerë;

f) këshilli shpërndahet nga organi kompetent.

 

Neni 28

Betimi

 

1. Pas verifikimit të mandateve nga komisioni përkatës, këshilltarët betohen përpara këshillit me formulën e mëposhtme:

“Betohem, në emër të zgjedhësve që përfaqësoj, të mbroj Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe ligjet e saj. Betohem se në të gjithë veprimtarinë time do të udhëhiqem nga interesat e shtetasve të bashkisë (emri i bashkisë përkatëse) dhe do të punoj me ndershmëri e përkushtim për zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies së tyre.”

2. Këshilltari që nuk pranon të bëjë dhe të nënshkruajë betimin, quhet se jep dorëheqjen dhe atij nuk i jepet mandati.

 

Neni 29

Të drejtat e këshilltarit

 

1. Këshilltari nuk përgjigjet për mendime të shprehura, lidhur me çështje zyrtare gjatë ushtrimit të detyrës.

2. Këshilltari shpërblehet për punën që kryen. Masa e shpërblimit vendoset nga këshilli përkatës mbi bazën e kritereve të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.

3. Me kërkesën e tij, këshilltari informohet dhe i vihet në dispozicion  në çdo kohë nga administrata e  bashkisë përkatëse, çdo lloj dokumentacioni për njohje të problemeve  të juridiksionit të saj.

4. Këshilltari ka të drejtën e kualifikimit profesional, sipas programit të miratuar nga këshilli. Financimi për këto raste bëhet sipas rregullave të legjislacionit në fuqi.

 

Neni 30

Konflikt interesi

 

1. Këshilltari nuk merr pjesë në shqyrtimin dhe miratimin e aktit të këshillit kur ai vetë ose bashkëshorti, prindërit, fëmijët, vëllezërit, motrat, vjehrri, vjehrra, dhëndëri  e nusja e tij, kanë interes pasuror ose çdo interes tjetër me çështjen që diskutohet në këshill.

2. Në çdo rast konflikti interesash zbatohen dispozitat skualifikuese të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë.

 

Neni 31

Funksionimi i këshillit bashkiak

Shtuar fali në pikën 5, me ligjin nr.9208/2004

 

1. Këshilli bashkiak ushtron funksionet e tij qysh nga krijimi, sipas nenit 26, deri në krijimin e këshillit të ri pasardhës.

2. Mbledhjet e radhës të këshillit bashkiak zhvillohen si rregull, sipas përcaktimit që bën vetë këshilli, por jo më pak se një herë në muaj.

3. Këshilli mblidhet jashtë radhe:

a) me kërkesën e kryetarit të bashkisë;

b) me kërkesën e 1/3 së anëtarëve të tij;

c) me kërkesën e motivuar të prefektit për çështje që lidhen me ushtrimin e funksioneve të tij.

4. Thirrja për mbledhjen e këshillit bëhet nga kryetari i këshillit dhe njoftimi për mbledhjen bëhet, si rregull, jo më pak se 5 ditë para datës së zhvillimit të saj. Njoftimi përmban datën e mbledhjes, orën, vendin dhe rendin e ditës.

5. Rendi i ditës miratohet nga këshilli. Në rendin e ditës përfshihen, me përparësi, propozimet për vendime të kryesive të fshatrave nën juridiksionin e bashkisë përkatëse.

6. Në periudhën nga data e zgjedhjeve e deri në konstituimin e këshillit të ri, këshilli i mëparshëm bashkiak ushtron funksione të kufizuara dhe merr vendime vetëm në raste të situatave emergjente.

7. Mbledhja e këshillit  bashkiak quhet e vlefshme kur në të merr pjesë shumica e të gjithë  anëtarëve të këshillit, me përjashtim të rasteve kur kërkohet një shumicë tjetër për marrjen e vendimeve, sipas përcaktimeve në nenin 33 të këtij ligji.

8. Kur këshilli nuk mblidhet për shkak të mungesës së anëtarëve të tij gjatë tre muajve, duke filluar nga data e mbledhjes së fundit të tij, këshilli quhet i vetëshpërndarë. Vetëshpërndarja pasohet me zgjedhje të reja për këshillin përkatës dhe sekretari i këshillit bashkiak, brenda 10 ditëve nga përfundimi i afatit 3-mujor, njofton prefektin.

9. Mbledhjet e këshillit fiksohen në procesverbalin e mbledhjes. Mënyra e mbajtjes së procesverbalit dhe e vërtetimit të tij, përcaktohen në rregulloren e brendshme të funksionimit të këshillit.

 

Neni 32

Detyrat dhe kompetencat e këshillit bashkiak

 

Këshilli bashkiak ka këto detyra dhe kompetenca:

a) Miraton statutin e bashkisë, si dhe rregulloren e brendshme të funksionimit të vet.

b) Zgjedh dhe shkarkon kryetarin dhe zëvendëskryetarin e këshillit.

c) Emëron dhe shkarkon sekretarin e këshillit bashkiak.

ç) Miraton nivelin e pagave dhe shpërblimeve të punonjësve e të personave të tjerë të zgjedhur ose të emëruar, në përputhje me legjislacionin në fuqi .

d) Miraton aktet e themelimit të ndërmarrjeve, shoqërive tregtare, si dhe të personave të tjerë juridikë që krijon vetë ose është bashkëthemelues.

dh) Miraton buxhetin dhe ndryshimet e tij. Në vendimin për miratimin e buxhetit miraton, gjithashtu, edhe numrin e maksimal të punonjësve të bashkisë, si dhe të njësive e institucioneve buxhetore në varësi të bashkisë.

e) Miraton tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve.

ë) Organizon dhe mbikëqyr kontrollin e brendshëm të bashkisë.

f) Vendos për taksat e tarifat vendore, si dhe nivelin e tyre.

g) Vendos për marrjen e kredive dhe shlyerjen e detyrimeve ndaj të tretëve.

gj) Vendos për krijimin e institucioneve të përbashkëta me njësi të tjera të qeverisjes vendore, përfshi subjektin e kompetencave të përbashkëta ose me persona të tretë.

h) Vendos për fillimin e procedurave gjyqësore për çështje të kompetencës së vet.

i) Zgjedh përfaqësuesit e këshillit bashkiak në këshillin e qarkut.

j) Vendos për dhënien ose heqjen e mandatit të këshilltarit.

k) Miraton norma, standarde e kritere për rregullimin dhe disiplinimin e funksioneve që i janë dhënë atij me ligj, si dhe për mbrojtjen dhe garantimin e interesit publik.

l) Vendos për simbolet e bashkisë.

ll) Vendos për emërtimin e rrugëve, të shesheve, të territoreve, të institucioneve dhe të objekteve në juridiksionin e bashkisë.

m) Jep tituj nderi dhe stimuj.

n) Vendos për rregullat, procedurat dhe mënyrat e realizimit të funksioneve të deleguara, në bazë dhe për zbatim të ligjit me të cilin bëhet ky delegim te bashkia.

 

 

Neni 33

Votimi

Ndryshuar me ligjin nr.9208/2004

 

1. Votimi në këshill bëhet i hapur ose i fshehtë. Këshilli vendos për rastet kur votimi bëhet i fshehtë. Aktet me karakter individual miratohen kurdoherë me votim të fshehtë.

2. Vendimet e këshillit merren me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje.

3. Vendimet, për rastet e parashikuara në shkronjat “b”, “c”, “d”, “dh”,  “f”‘, “g”, “gj”, “i” dhe ” j” të nenit 32 të këtij ligji, merren me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit.

4. Vendimet merren me tre të pestat të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit për rastet e parashikuara në nenin 32 shkronja “e” të këtij ligji.

5. Në rastet e votimit për kryetarin, zëvendëskryetarin dhe sekretarin e këshillit, kur nuk sigurohet shumica e kërkuar, votimi ribëhet midis dy kandidatëve, që në raundin  e parë kanë fituar numrin më të madh të votave.

6. Aktet e këshillit shpallen brenda 10 ditëve nga data e miratimit të tyre dhe hyjnë në fuqi 10 ditë pas shpalljes. Aktet me karakter individual hyjnë në fuqi në datën e njoftimit të tyre subjekteve që përfshihen në to.

 

Neni 34

Mbledhjet e hapura

 

1. Mbledhjet e këshillit janë të hapura për publikun. Çdo qytetar lejohet të ndjekë mbledhjet e këshillit, sipas mënyrës së përcaktuar në rregulloren e këshillit.

2. Njoftimi për mbledhjen e këshillit bëhet publik në vende të caktuara nga këshilli dhe në media. Njoftimi përmban datën, vendin, orën dhe rendin e ditës së mbledhjes.

3. Këshilli, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve, vendos për rastet kur mbledhja bëhet e mbyllur.

 

Neni 35

Seancat e këshillimeve me bashkësinë dhe e drejta e publikut për t’u informuar

Shtuar pika 2/1, me ligjin nr. 9208/2004

Ndryshuar pika 3, me ligjin nr. 30/2015

 

 

1. Këshilli bashkiak, përpara shqyrtimit dhe miratimit të akteve, zhvillon seanca këshillimi me bashkësinë. Seancat e këshillimit janë të detyrueshme për rastet e parashikuara në nenin 32 shkronjat “dh”, “e”, “f” dhe “k” të këtij ligji.

2. Këshillimi me bashkësinë, në çdo rast, bëhet sipas mënyrës së përcaktuar në rregulloren e këshillit, duke përdorur një nga format e nevojshme si takimet e hapura me banorët, takime me specialistë, me institucione të interesuara dhe organizata joqeveritare ose nëpërmjet marrjes së nismës për organizimin e referendumeve vendore.

2/1. Për këshillat bashkiakë janë të detyrueshme seancat e këshillimit me kryetarët dhe kryesinë e fshatrave nën juridiksion, në përputhje me përcaktimet e bëra në shkronjat “ç”, “dh”, “e”, “f”, “k” dhe “ll” të nenit 32 të ligjit. Seancat e këshillimit, në këtë rast, shënohen në procesverbal.

3. Aktet e këshillit afishohen në vende publike të caktuara nga këshilli, brenda territorit të bashkisë dhe, sipas mundësive, këshilli cakton edhe forma të tjera të publikimit të tyre. Informimi i publikut në çdo bashki bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtën e informimit dhe për njoftimin e konsultimin publik, si dhe me rregullat e përcaktuara nga vetë këshilli përkatës për këtë qëllim.

 

Neni 36

Kryetari i këshillit bashkiak

 

1. Kryetari dhe zëvendëskryetari i këshillit bashkiak, zgjidhen nga radhët e anëtarëve të këshillit. Propozimi për shkarkimin e tyre bëhet nga të paktën një e treta e anëtarëve të këshillit.

2. Kryetari i këshillit kryen këto detyra:

a) thërret mbledhjen e këshillit në përputhje me nenin 31 të këtij ligji;

b) drejton mbledhjet e këshillit në përputhje me rregulloren e tij;

c) nënshkruan aktet që nxjerr këshilli;

ç) kryen detyra të tjera të përcaktuara në rregulloren e këshillit.

3. Në mungesë të kryetarit të këshillit, detyrat e tij i kryen zëvendëskryetari.

Neni 37

Sekretari i këshillit bashkiak

 

1. Sekretari i këshillit emërohet dhe shkarkohet nga këshilli bashkiak, mbi bazën e propozimit të kryetarit të këshillit, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve. Shkarkimi i sekretarit mund të propozohet edhe nga 1/3 e anëtarëve të këshillit.

2. Sekretari i këshillit bashkiak është përgjegjës për:

a) mbajtjen e dokumenteve zyrtare të këshillit;

b) ndjekjen e punës për përgatitjen  e materialeve të mbledhjeve sipas rendit të ditës;

c) njoftimin për zhvillimin e  mbledhjeve të këshillit;

ç) shpalljen dhe publikimin e njoftimeve dhe akteve të nxjerra nga këshilli bashkiak;

d) përgatitjen e seancave të këshillimit me bashkësinë;

dh) mbikëqyrjen e respektimit të rregullores së funksionimit të këshillit.

3. Sekretari i këshillit bashkiak kryen çdo funksion tjetër që i caktohet nga vetë këshilli.

Neni 38

Shpërndarja e parakohshme e këshillit bashkiak

 

1. Këshilli bashkiak shpërndahet para kohe me vendim të Këshillit të Ministrave kur:

a) nuk mblidhet për një periudhë të vazhdueshme tremujore;

b) nuk arrin të marrë vendim për miratimin e buxhetit brenda tre muajve nga data e përcaktuar në nenin 19 të këtij ligji;

c) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose ligjeve.

2. Këshilli bashkiak shpërndahet edhe kur bëhet riorganizim me ndryshim kufijsh, sipas nenit 70 të këtij ligji.

3. Në rast të lënies në fuqi të vendimit të shpërndarjes nga organi kompetent, në bashkinë përkatëse organizohen zgjedhjet për këshillin, në përputhje me Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.

 

KREU VII

KRYETARI I BASHKISË

Neni 39

Kryetari i bashkisë

Ndryshuar pika 1, me ligjin nr. 30/2015

 

 

1. Çdo bashki ka kryetarin e saj, të zgjedhur çdo katër vjet në zgjedhje të përgjithshme, të drejtpërdrejta dhe me votim të fshehtë, sipas mënyrës së parashikuar në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.

2. Kryetari i bashkisë, në kryerjen e funksioneve dhe ushtrimin e kompetencave të tij, ndihmohet nga një ose më shumë zëvendëskryetarë. Numri i zëvendëskryetarëve caktohet nga këshilli bashkiak. Emërimi dhe shkarkimi i tyre bëhet nga kryetari i bashkisë.

 

 

 

 

Neni 40

Mandati i kryetarit të bashkisë

 

1. Mandati i kryetarit të bashkisë vërtetohet nga gjykata në juridiksionin e së cilës përfshihet bashkia përkatëse, brenda 20 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjes së tij.

2. Deklarimi i pavlefshmërisë së mandatit të kryetarit bëhet kur vërehet se nuk plotësohen kushtet sipas nenit 45 të Kushtetutës dhe nenit 10 të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.

3. Shpallja e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të bashkisë bëhet në mbledhjen më të parë të këshillit bashkiak përkatës, ku kryetari bën betimin sipas formulës së përcaktuar në nenin 28 të këtij ligji dhe e nënshkruan atë.

4. Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari  pasardhës.

5. Në rast se këshilli bashkiak nuk mblidhet brenda 30 ditëve nga data e shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, prefekti organizon ceremoninë e betimit të kryetarit të bashkisë ose mjedisin e bashkisë dhe në praninë e banorëve të njësisë përkatëse.

 

Neni 41

Përfundimi para kohe i mandatit të kryetarit të bashkisë

 

1. Mandati i kryetarit të bashkisë përfundon përpara afatit në rastet kur kryetari:

a) nuk pranon të bëjë betimin;

b) jep dorëheqjen;

c) nuk është më banor i përhershëm i bashkisë, ku është zgjedhur;

ç) shkarkohet nga organi kompetent, sipas nenit 42 të këtij ligji;

d) kandidon ose zgjidhet deputet;

dh) humbet zotësinë juridike për të vepruar me vendim gjykate të formës së prerë;

e) vdes.

2. Kryetari i bashkisë në rastet e dorëheqjes e depoziton atë pranë këshillit bashkiak përkatës. Sekretari i këshillit, për ndjekjen e procedurave të nevojshme, njofton prefektin për dorëheqjen e kryetarit.

3. Për rastet e përfundimit të mandatit të kryetarit përpara afatit, këshilli bashkiak, njofton Këshillin e Ministrave nëpërmjet prefektit.

4. Në rastet e përfundimit të parakohshëm të mandatit, organizohen zgjedhjet për kryetarin e bashkisë në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.

5. Me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë sipas këtij neni, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen zëvendëskryetari i bashkisë. Në rastet kur ka më shumë se një zëvendëskryetar bashkie, këshilli përkatës, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, cakton një nga zëvendëskryetarët të kryejë funksionet e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.

6. Në rastin kur vendi i kryetarit të bashkisë mbetet vakant gjatë 6 muajve të fundit të mandatit të tij, këshilli përkatës zgjedh nga radhët e veta një kryetar të ri me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, i cili ushtron funksionet deri në përfundim të mandatit.

 

 

Neni 42

Shkarkimi i kryetarit të bashkisë

 

Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur:

a) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve;

b) dënohet për kryerjen e një vepre penale me vendim të formës së prerë nga gjykata;

c) propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.

 

 

 

Neni 43

Simboli i kryetarit të bashkisë

 

1. Simboli dallues i kryetarit të bashkisë është një shirit me ngjyrat e flamurit kombëtar, me gjerësi 111 mm, i ndarë në tre sektorë me gjerësi të njëjtë, i kuq – i zi- i kuq.

2. Simboli dallues vendoset krahëqafë, nga supi i djathtë në ijen e majtë.

3. Kryetari mban detyrimisht këtë shirit në mbledhjet solemne, pritjet zyrtare, ceremonitë publike dhe në ceremonitë e lidhjes së martesave.

 

Neni 44

Kompetencat dhe detyrat e kryetarit të bashkisë

Ndryshuar shkronjat “ç”, “f”, dhe shtuar shkronjat “i” dhe “j”, me ligjin nr. 30/2015

 

Kryetari i bashkisë:

a) ushtron të gjitha kompetencat në kryerjen e funksioneve të bashkisë, me përjashtim të atyre që janë kompetencë vetëm e këshillit përkatës;

b) zbaton aktet e këshillit;

c) merr masa për përgatitjen e materialeve të mbledhjeve për këshillin bashkiak, në përputhje me rendin e ditës të përcaktuar nga këshilli, si dhe për probleme që kërkon ai vetë;

ç) raporton në këshill për gjendjen ekonomiko-financiare të bashkisë dhe njësive administrative përbërëse, të paktën çdo 6 muaj ose më shpesh, sa herë kërkohet nga këshilli.

d) raporton para këshillit sa herë kërkohet prej tij për probleme të tjera që kanë të bëjnë me funksionet e  bashkisë;

dh) është anëtar i këshillit të qarkut;

e) emëron dhe shkarkon zëvendës­kryetarin/zëvendës­krye­tarët e  bashkisë;

ë) emëron dhe shkarkon drejtuesit e ndërmarrjeve dhe institucioneve në varësi.

f) emëron dhe shkarkon punonjësit e tjerë jodrejtues të strukturave dhe njësive në varësi të bashkisë, përveç kur parashikohet ndryshe në legjislacionin në fuqi për nëpunësit civilë;

g) ushtron të drejtat dhe siguron plotësimin e të gjitha detyrimeve që i janë ngarkuar bashkisë si person juridik;

gj) merr masa për kualifikimin dhe trajnimin e personelit të administratës, të institucioneve arsimore, sociale, kulturore e sportive;

h) kthen për rishqyrtim jo më shumë se një herë në këshill vendime, kur vëren se ato cënojnë interesa të bashkësisë.

i)miraton strukturën organizative dhe rregulloret bazë të administratës së bashkisë dhe të njësive e institucioneve buxhetore në varësi të bashkisë;

j) emëron dhe shkarkon administratorët e njësive administrative/lagjeve.

 

KREU VIII

DREJTIMI DHE FUNKSIONIMI I NJËSISË ADMINISTRATIVE

Ndryshuar titulli me ligjin nr. 30/2015

Neni 44/1

Administrata e njësisë administrative

Shtuar me ligjin nr. 30/2015

1. Në njësitë administrative funksionon administrata që drejtohet nga administratori.

2. Administratori emërohet dhe shkarkohet nga kryetari i bashkisë dhe është përgjegjës para tij për funksionimin dhe veprimtarinë e admini-stratës. Administratori duhet të ketë vend-banimin në njësinë administrative përkatëse.

3. Struktura dhe organika e administratës së njësive administrative, është pjesë e strukturës dhe organikës së administratës së bashkisë.

 

Neni 44/2

Detyrat e administratës së njësisë administrative

Shtuar me ligjin nr. 30/2015

 

1. Administrata e njësisë administrative brenda juridiksionit të caktuar territorial kryen këto detyra:

a) është zyrë e shërbimit për të gjitha proce-durat administrative në kompetencën e  bashkisë;

b) mbikëqyr territorin për zbatimin e ligjit në të gjitha fushat në kompetencën e bashkisë dhe njofton strukturat kompetente të bashkisë në rast të konstatimit të veprimeve në kundërshtim me ligjin;

c) mbështet punën e strukturave kompetente të bashkisë;

ç) bazuar në vendimin e këshillit të bashkisë mund të administrojë parqet, lulishtet dhe zonat e gjelbëruara;

d) bazuar në vendimin e këshillit të bashkisë mund të administrojë tregjet publike;

dh) bazuar në vendimin e këshillit të bashkisë mund të administrojë këndet e lojërave, terrenet sportive, bibliotekat, shtëpitë dhe klubet e rinisë;

e) përgatit dhe i propozon kryetarit të bashkisë planin për investimet nën juridiksionin e saj territorial si dhe mbikëqyr, pas miratimit,  zbatimin e tyre sipas ligjit;

ë) propozon, sipas ligjit, emërtimin e rrugëve, shesheve, institucioneve dhe objekteve që janë nën juridiksionin e saj territorial;

f) mbështet, koordinon dhe mbikëqyr veprim-tarinë e kryetarëve dhe kryesive të fshatrave;

g) i propozon kryetarit të bashkisë dhënien e titujve të nderit dhe stimujve për personat nën juridiksionin e saj territorial;

gj) propozon marrjen e nismave në dobi të komunitetit brenda juridiksionit të saj territorial;

h) kryen çdo funksion tjetër të deleguar nga kryetari apo këshilli i bashkisë.

2. Administratori i njësisë administrative është organi kompetent për konstatimin dhe shqyrtimin e kundërvajtjeve administrative, të përcaktuara si të tilla me akte të këshillit bashkiak, brenda juridiksionit të caktuar territorial.

3. Administratori mund t’i delegojë kompetencën e parashikuar në pikën 2, të këtij neni, nëpunësve të administratës në varësi.

 

Neni 45

Drejtimi i fshatit

Ndryshuar me ligjin nr. 9208/2004

Ndryshuar titulli dhe pikat 4, 5, me ligjin nr. 30/2015

 

1. Fshati drejtohet nga kryetari dhe kryesia e fshatit. Anëtarët e kryesisë së fshatit zgjidhen në mbledhjen e fshatit, me shumicën e votave të pjesëmarrësve, me të drejtë vote, në mbledhje. Në rastet kur fshati përbëhet nga disa lagje, secila nga ato zgjedh një anëtar kryesie. Mënyrat dhe rregullat e votimit përcaktohen nga këshilli bashkiak përkatës.

2. Numri i anëtarëve të kryesisë së fshatit përcaktohet nga këshilli bashkiak (kur në përbërje të këtij të fundit ka fshatra) mbi bazën e numrit të banorëve të fshatit dhe lagjeve përbërëse të tij.

3. Kryetari i fshatit zgjidhet nga radhët e kryesisë së fshatit me votim të fshehtë me jo më pak se dy kandidatura.

4. Zgjedhjet e kryesisë dhe të kryetarit të fshatit bëhen një herë në katër vjet pas zgjedhjeve për këshillin bashkiak dhe jo më vonë se tre muaj pas këtyre zgjedhjeve.

5. Në rastet e krijimit të vendit vakant për kryetarin e fshatit ose për anëtar të kryesisë zhvillohen procedurat e mësipërme të zgjedhjes për vendin vakant. Mandati i të zgjedhurit të ri vazhdon deri në përfundim të periudhës së mbetur të afatit katërvjeçar .

6. Procesi i zgjedhjes dhe veprimtaria e kryesisë dhe kryetarit të fshatit, mbikëqyret nga këshilli bashkiak përkatës.

7. Kryesia e fshatit merr nisma për probleme të ndryshme për interesin e komunitetit, të cilat ia propozon për shqyrtim këshillit bashkiak.

Neni 46

Detyrat dhe të drejtat e kryetarit dhe të kryesisë së fshatit

Ndryshuar pika 2 dhe 5, me ligjin nr. 9208/2004

 

1. Kryetari dhe kryesia e fshatit kryejnë dhe mbështesin funksionet qeverisëse të bashkisë në fshatin e tyre, si dhe kujdesen për zhvillimin ekonomik, për përdorimin e burimeve të përbashkëta dhe sigurimin e harmonisë sociale.

2. Këshilli bashkiak, për të realizuar funksionet e veta, mund t’i ngarkojë kryetarit ose kryesisë së fshatit detyrat e mëposhtme:

a) kujdesjen për parandalimin e ndërhyrjeve të paligjshme në sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm;

b) marrjen e masave në rastet e ndërhyrjeve të paligjshme në sistemin e kanalizimeve të ujërave të bardha, të ujërave të zeza dhe kanaleve mbrojtëse të zonave të banuara;

c) marrjen e masave në rastet e ndërhyrjeve të paligjshme dhe të çdo lloj dëmtimi në rrugët, trotuaret dhe sheshet publike të fshatit;

ç) marrjen e masave për ndriçimin e mjediseve publike;

d) administrimin e varrezave dhe garantimin e shërbimit të varrimit;

dh) mbarëvajtjen e shërbimit të dekorit në fshat;

e) administrimin e lulishteve dhe të zonave të gjelbëruara publike;

ë) marrjen e masave për grumbullimin dhe largimin e mbeturinave;

f) kujdesjen për mbledhjen e taksave dhe të tarifave;

g) ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave kulturore dhe historike vendore, organizimin e veprimtarive dhe administrimin e institucioneve përkatëse;

gj) përmirësimin e shërbimit social dhe administrimin e institucioneve, si çerdhet etj.;

h) përmirësimin e shërbimit veterinar;

i) kujdesjen për ruajtjen e pyjeve, të kullotave dhe të burimeve natyrore;

j) përkujdesjen për institucionet e arsimit dhe të shëndetit parësor;

k) detyrat e tjera të parashikuara në rregulloret e këshillit;

1) vënien e gjobave kur vërehen shkelje në përputhje me rastet e përcaktuara në shkronjat “a”, “b”, “c”, “ç”, “d”, “dh”, “e”, “ë”, “h”, “i” të këtij neni.

3. Kryetari pajiset me vulë dhe ka autoritetin të lëshojë vërtetime për fakte e të dhëna për banorët ose territorin e fshatit të tij, për të cilat ai është në dijeni, sa herë që kjo kërkohet nga bashkia, nga vetë banorët, ose nga çdo institucion tjetër në përputhje me ligjin.

4. Urdhëresat, vendimet dhe urdhrat e organeve të zgjedhura të bashkisë përkatëse janë të detyrueshme për zbatim nga kryetari dhe kryesia e fshatit.

5. Kryetari i fshatit dhe kryesia e fshatit shpërblehet për punën që kryen sipas kritereve të përcaktuara nga këshilli bashkiak.

6. Kryetari i fshatit thirret në mbledhjet e këshillit bashkiak ose merr pjesë në to me nismën e tij pa të drejtë vote. Ai ka të drejtë të shprehë mendimin e tij në mbledhje për çështje që janë të lidhura me fshatin përkatës.

 

Neni 47

Administrimi i lagjes

Ndryshuar titulli dhe pika 1, me ligjin nr. 30/2015

 

 

1. Në rastin e krijimit të lagjeve, sipas pikës 5, të nenit 5, të këtij ligji, në secilën lagje krijohet dhe funksionon administrata e lagjes, që drejtohet nga administratori i lagjes. Administratori i lagjes emërohet dhe shkarkohet nga kryetari i bashkisë. Nëpunësit e tjerë të administratës trajtohen sipas legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil.

2. Administrata e lagjes kryen të gjitha detyrat administrative të ngarkuara nga kryetari i bashkisë dhe këshilli, si dhe kujdeset për zhvillimin ekonomik, për përdorimin e burimeve të përbashkëta dhe sigurimin e harmonisë sociale në lagjen përkatëse. Detyrat e saj më të hollësishme përcaktohen në aktet e nxjerra nga këshilli bashkiak dhe kryetari i bashkisë.

 

Neni 48

Struktura administrative në rreth

Shfuqizohet me ligjin nr. 30/2015

 

KREU IX

PËRBËRJA, KRIJIMI, MËNYRA E ORGANIZIMIT DHE KOMPETENCAT

E KËSHILLIT TË QARKUT

Neni 49

Përbërja e këshillit të qarkut

1. Këshilli i qarkut përbëhet nga përfaqësues të bashkive që bëjnë pjesë në qark.

2. Kryetarët e bashkive, që bëjnë pjesë në qark, janë kurdoherë anëtarë të këshillit të qarkut.

3. Numri i anëtarëve të këshillit të qarkut përcaktohet  sipas nenit 50 të këtij ligji.

4. Funksioni i anëtarit të këshillit të qarkut është i papajtueshëm me çdo funksion në administratën e qarkut.

 

Neni 50

Përcaktimi i numrit të anëtarëve të këshillit të qarkut

Ndryshuar pikat 1 dhe 2, me ligjin nr. 30/2015

 

 

1. Numri i përfaqësuesve të bashkive në këshillin e qarkut caktohet në përpjesëtim me numrin e popullsisë si më poshtë:

- Bashkitë me popullsi deri në 20 000 banorë

2 përfaqësues.- bashkitë me popullsi 20 001 deri në 50 000 banorë

4 përfaqësues.- bashkitë me popullsi 50 001 deri në 100 000 banorë

5 përfaqësues.- bashkitë me popullsi mbi

100 000 banorë5 + nga një përfaqësues shtesë për çdo

1 deri në 50 000 banorë mbi 100 000 banorë.

2. Brenda numrit të përfaqësuesve për çdo bashki, sipas pikës 1, përfshihet kryetari i bashkisë, si dhe përfaqësuesit e tjerë që zgjidhen nga këshilli i bashkisë.

3. Prefekti përcakton numrin e përfaqësuesve të çdo bashkie që përfshihen në territorin e qarkut, duke u bazuar në të dhënat e numrit të popullsisë, sipas evidencave të zyrave të gjendjes civile të datës 1 janar të vitit të zgjedhjeve.

4. Vendimet e këshillave bashkiake për përfaqësuesit e tyre në këshillin e qarkut i dërgohen prefektit brenda 10 ditëve nga data e marrjes së tyre.

 

Neni 51

Mbledhja  e parë e këshillit të qarkut

 

1. Këshilli i qarkut zhvillon mbledhjen  e tij të parë  jo më vonë se 50 ditë nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve vendore.

2. Mbledhja  e parë thirret nga kryetari i bashkisë, qendër e qarkut, ose nga një e treta e anëtarëve të këshillit të qarkut. Njoftimi për mbledhjen e këshillit të qarkut i dërgohet me shkrim të gjithë anëtarëve të këshillit të qarkut jo më vonë se 10 ditë para datës së mbledhjes.

3. Mbledhja  e parë e këshillit është e vlefshme kur në të  marrin pjesë jo më pak se gjysma e anëtarëve të tij.

4. Mbledhja  e parë e këshillit, deri në zgjedhjen e kryetarit të këshillit të qarkut, drejtohet nga kryetari i bashkisë, qendër e qarkut.

5. Në mbledhjen e tij të parë këshilli i qarkut:

a) zgjedh komisionin e mandateve, i cili verifikon mandatet e anëtarëve të këshillit;

b) vërteton mandatet e anëtarëve të këshillit;

c) zgjedh kryetarin, zëvendëskryetarin dhe kryesinë e këshillit të qarkut.

6. Këshilli i qarkut konstituohet pas vërtetimit të mandateve të jo më pak se gjysmës së anëtarëve të tij.

7. Nëse nuk sigurohet pjesëmarrja e gjysmës së anëtarëve të këshillit të qarkut, mbledhja anulohet dhe thirret çdo dhjetë ditë, derisa të sigurohet shumica e nevojshme.

8. Në rast se këshilli i qarkut nuk konstituohet deri 90 ditë pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve vendore, prefekti ushtron të gjitha funksionet dhe kompetencat e këtij këshilli deri në çastin e konstituimit.

 

Neni 52

Mandati i këshilltarit të qarkut

 

1. Mandatin e këshilltarit të qarkut e fitojnë të gjithë kryetarët e bashkive përbërëse të tij, menjëherë me marrjen e mandatit përkatës.

2. Zgjedhja e anëtarëve të këshillit të qarkut përfaqësues nga radhët e këshillit bashkiak, në përputhje me nenin 26 të këtij ligji, bëhet me votim liste shumemërore kandidatësh dhe shpallen fitues kandidati ose kandidatët që kanë marrë me shumë vota.

3. Anëtarit të këshillit të qarkut i mbaron mandati kur:

a) humbet mandatin si kryetar i bashkisë;

b) mandati i anëtarit hiqet nga këshilli bashkiak përkatës;

c) vërtetohet se mandati është fituar në mënyrë të paligjshme.

4. Në rastin e krijimit të vendit vakant, që lidhet me humbjen e mandatit të anëtarit të këshillit të qarkut nga një anëtar i këshillit të një bashkie, ai zëvendësohet nga këshilli bashkiak përkatës.

5. Në rast se vendi vakant krijohet nga humbja e mandatit të anëtarit të këshillit të qarkut  nga një kryetar bashkie në 6 muajt e fundit të mandatit, vendin e tij e zë kryetari i zgjedhur nga këshilli bashkiak përkatës.

 

Neni 53

Funksionimi i këshillit të qarkut

 

1. Këshilli i qarkut ushtron kompetencat nga çasti i konstituimit të tij deri në konstituimin e këshillit pasardhës.

2. Mbledhja e radhës e këshillit të qarkut bëhet jo më pak se një herë në tre muaj.

3. Mbledhjet zhvillohen sipas programit të punës që bën këshilli.

4. Këshilli i qarkut mblidhet jashtë radhe me kërkesë:

a) të kryetarit të tij;

b) të kryesisë së këshillit;

c) të një të tretës së anëtarëve të këshillit;

ç) të prefektit për çështje që lidhen me ushtrimin e funksioneve të tij.

5. Thirrja e mbledhjes së këshillit bëhet nga kryetari.

6. Njoftimi për mbledhjen e këshillit bëhet si rregull jo më pak se 10 ditë para datës së zhvillimit të mbledhjes. Njoftimi përmban datën e mbledhjes, orën, vendin dhe rendin e ditës.

7. Mbledhja e këshillit të qarkut quhet e vlefshme, kur në të merr pjesë shumica e të gjithë anëtarëve të tij.

 

Neni 54

Detyrat dhe kompetencat e këshillit të qarkut

 

 

Këshilli i qarkut ushtron këto kompetenca dhe detyra:

a) miraton statutin e qarkut, si dhe rregulloren e brendshme të funksionimit të vet;

b) vendos për nivelin e ndihmesave financiare të detyrueshme të çdo bashkie përbërëse në buxhetin e qarkut;

c) zgjedh dhe shkarkon nga anëtarët e këshillit kryetarin, zëvendëskryetarin dhe anëtarët e kryesisë;

ç) emëron dhe shkarkon sekretarin e këshillit të qarkut;

d) miraton strukturën organizative dhe rregulloret bazë të administratës së qarkut, të njësive e institucioneve buxhetore në varësi të qarkut, si dhe numrin e personelit të tyre, kërkesat për kualifikim, pagat dhe mënyrat e shpërblimit të punonjësve dhe të personave të tjerë të zgjedhur ose të emëruar në përputhje me legjislacionin në fuqi;

dh) miraton aktet e themelimit të ndërmarrjeve, shoqërive tregtare, si dhe të personave të tjerë juridikë që krijon vetë ose është bashkëthemelues;

e) miraton buxhetin dhe ndryshimet e tij;

ë) miraton tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve;

f) organizon dhe mbikëqyr kontrollin e brendshëm;

g) vendos për taksat e tarifat në kompetencë të qarkut, si dhe për nivelin e tyre;

gj) vendos për marrjen e kredive dhe shlyerjen e detyrimeve ndaj të tretëve;

h) vendos për krijimin e institucioneve të përbashkëta me njësi të tjera të qeverisjes vendore, përfshi subjektin e kompetencave të përbashkëta ose me persona të tretë;

i) emëron dhe shkarkon drejtuesit e ndërmarrjeve dhe institucioneve në varësi të tij;

j) vendos për fillimin e procedurave gjyqësore për çështje të kompetencës së vet;

k) vendos  për vërtetimin dhe heqjen e mandatit të këshilltarit të qarkut;

l) miraton norma, standarde e kritere për rregullimin dhe disiplinimin e funksioneve që i janë dhënë atij me ligj, si dhe për mbrojtjen dhe garantimin e interesit publik në nivel qarku;

ll) vendos për simbolet e qarkut;

m) jep tituj nderi dhe stimuj;

n) vendos për rregullat, procedurat dhe mënyrat e realizimit të funksioneve të deleguara në bazë dhe në zbatim të ligjit me të cilin bëhet ky delegim në qark;

nj) miraton ose shfuqizon vendimet e kryesisë së qarkut.

 

Neni 55

Votimi

 

1. Vendimet e këshillit të qarkut merren me shumicën e votave të anëtarëve të tij të pranishëm në mbledhje, me përjashtim të rasteve të përcaktuara në nenin 54 shkronjat  “b”, “e”, “ë”,”g”, gj”, “ll” të këtij ligji, që kërkojnë votat e më shumë se gjysmës së numrit të përgjithshëm të anëtarëve të këshillit.

2. Në rastet e votimit për kryetarin, zëvendës­kryetarin dhe  sekretarin e këshillit, kur nuk sigurohet shumica e kërkuar, votimi ribëhet midis dy kandidatëve, që në raundin  e parë kanë fituar numrin më të madh të votave.

3. Vendimet e këshillit shpallen brenda 10 ditëve nga data e marrjes së tyre dhe hyjnë në fuqi 10 ditë pas shpalljes. Vendimet me karakter individual hyjnë në fuqi në datën e njoftimit të tyre subjekteve që përfshihen në to.

 

Neni 56

Mbledhjet e hapura, seancat e këshillimeve dhe e drejta

e publikut për t’u informuar

 

Këshilli i qarkut zhvillon mbledhje të hapura për publikun, zhvillon seanca këshillimi me organet përfaqësuese dhe ekzekutive të bashkive dhe me bashkësitë përkatëse, si dhe respekton të drejtën e publikut për t’u informuar sipas përcaktimeve në nenet 34 dhe 35 të këtij ligji.

 

 

Neni 57

Konflikt interesi

 

1. Këshilltari i qarkut nuk merr pjesë në shqyrtimin dhe miratimin e aktit të këshillit kur ai vetë ose bashkëshorti, prindërit, fëmijët, vëllezërit, motrat, vjehrri, vjehrra, dhëndri  e nusja e tij kanë interes pasuror ose çdo interes tjetër me çështjen që diskutohet në këshill.

2. Në çdo rast konflikti interesash, zbatohen dispozitat skualifikuese të parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë.

 

Neni 58

Kryesia e këshillit të qarkut

Ndryshuar pika 1, me ligjin nr. 30/2015

 

 

1. Kryesia e këshillit të qarkut përbëhet nga kryetari, zëvendëskryetari dhe nga 3 deri në 5 anëtarë të tjerë.

2. Kryetari dhe zëvendëskryetari zgjidhen e shkarkohen me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje. Kur nuk arrihet shumica e kërkuar, kalohet në rivotim ndërmjet dy kandidatëve që kanë fituar numrin më të madh të votave në raundin e parë.

3. Anëtarët e tjerë të kryesisë së këshillit të qarkut zgjidhen dhe shkarkohen me votim, me listë shumemërore kandidatësh dhe shpallen fitues kandidatët që kanë marrë më shumë vota.

4. Kryesia e këshillit të qarkut thirret në mbledhje nga kryetari, jo më pak se një herë në muaj.

5. Mbledhjet e kryesisë janë të vlefshme kur marrin pjesë më shumë se gjysma e anëtarëve.

6. Funksionet e kryetarit, zëvendëskryetarit dhe sekretarit të këshillit të qarkut janë të papajtueshme me funksionin e kryetarit të bashkisë.

Neni 59

Kompetencat e kryesisë së këshillit të qarkut

 

1. Kryesia e këshillit të qarkut për realizimin e funksioneve të qarkut dhe në zbatim të vendimeve të këshillit të tij:

a) ushtron të gjitha kompetencat, me përjashtim të atyre që i janë dhënë shprehimisht këshillit të qarkut;

b) miraton projektaktet dhe materialet e tjera për mbledhjen e këshillit të qarkut, në përputhje me rendin e ditës të përcaktuar nga këshilli, si dhe për probleme që kërkon ajo vetë;

c) raporton në këshill për gjendjen ekonomiko-financiare të paktën çdo 6 muaj ose më shpesh, sa herë kërkohet nga këshilli;

ç) raporton në këshill sa herë kërkohet prej tij për probleme të tjera që kanë të bëjnë me funksionet e qarkut;

d) ushtron të drejtat dhe siguron plotësimin e të gjitha detyrimeve që i janë ngarkuar qarkut si person juridik.

2. Në ushtrimin e kompetencave të saj, kryesia e këshillit të qarkut nxjerr vendime, të cilat miratohen nga shumica e anëtarëve të pranishëm. Vendimet marrin fuqi detyruese për t’u zbatuar nga të gjitha organet dhe personat e ngarkuar, pasi shpallen publikisht ose u bëhen të njohura subjekteve të interesuara.

3. Vendimet e kryesisë duhet të miratohen në mbledhjen më të afërt të këshillit të qarkut dhe në rast se nuk miratohen, e humbasin fuqinë e tyre që nga fillimi.

Neni 60

Kryetari i këshillit të qarkut

Ndryshuar me ligjin nr. 30/2015

 

1. Kryetari i këshillit të qarkut, përfaqëson këshillin e qarkut në marrëdhënie me organe shtetërore, me organet e njësive të qeverisjes vendore, me persona fizikë dhe juridikë vendas ose të huaj, si dhe ushtron këto kompetenca:

a) kryeson mbledhjet e këshillit të qarkut dhe të kryesisë së tij;

b) nënshkruan të gjitha aktet e këshillit dhe të kryesisë së këshillit, si dhe procesverbalet e mbledhjeve të këshillit dhe të kryesisë;

c) siguron zbatimin e vendimeve të këshillit të qarkut dhe të kryesisë së tij;

ç) në përputhje me tematikën e mbledhjeve të këshillit të qarkut dhe të kryesisë përgatit raportet, projektvendimet dhe materialet e tjera të nevojshme;

d) drejton administratën e këshillit të qarkut dhe përgjigjet para këshillit për funksionimin e saj;

dh) emëron dhe shkarkon personelin e administratës së këshillit të qarkut, përveç rasteve të parashikuara ndryshe në legjislacionin në fuqi për nëpunësit civilë.

e) garanton kryerjen e funksioneve që i janë dhënë me ligj këshillit të qarkut;

ë) merr masa dhe siguron funksionim normal të të gjitha strukturave të këshillit, të mbledhjeve të këshillit dhe të kryesisë së tij;

f) ushtron kompetenca të tjera që i ngarkohen atij me ligj, nga këshilli i qarkut ose nga kryesia e tij.

2. Në ushtrimin e kompetencave të tij, kryetari i këshillit të qarkut nxjerr urdhra me karakter individual.

3. Në mungesë të kryetarit, funksionet e tij kryhen nga zëvendëskryetari.

 

Neni 61

Sekretari i këshillit të qarkut

 

Sekretari i këshillit të qarkut kryen detyrat e tij njëlloj me ato të sekretarit të këshillit bashkiak, të përcaktuara në nenin 37 të këtij ligji.

 

Neni 62

Kufizimi i autoritetit të qarkut

 

1. Vendimet e organeve të qarkut nuk mund të cenojnë autonominë e bashkive përbërëse.

2. Vendimet e organeve të qarkut duhet të synojnë shpërndarjen sa më të drejtë të burimeve dhe përfitimeve në favor të bashkive përbërëse.

 

KREU X

RIORGANIZIMI I ADMINISTRATIVO-TERRITORIAL I PUSHTETIT VENDOR

Neni 63

Riorganizimi administrativo-territorial

 

Ndarja administrativo-territoriale në fuqi mund të riorganizohet me ose pa ndryshim kufijsh ekzistues të njësive të qeverisjes vendore, në përputhje me interesat ekonomike e sociale, traditën, kulturën, lidhjet tradicionale dhe vlera të tjera vendore, për realizimin në një nivel më të lartë të funksioneve në përfitim të bashkësisë vendore ose për zbatimin e politikave të zhvillimit vendor, rajonal dhe më gjerë.

 

Neni 64

Riorganizimi me ndryshim kufijsh

 

Riorganizimi me ndryshim kufijsh bëhet kur:

a) një njësi e qeverisjes vendore ndahet në mënyrë të plotë në dy a më shumë njësi më vete të qeverisjes vendore;

b) dy ose më shumë njësi të qeverisjes vendore shkrihen për të formuar së bashku në territorin tyre një njësi të vetme të qeverisjes vendore;

c) një pjesë e territorit të një njësie të qeverisjes vendore kalon në territorin dhe administrimin e një njësie tjetër të qeverisjes vendore;

ç) kërkohet një kombinim i rasteve të mësipërme.

 

Neni 65

Riorganizimi pa ndryshim kufijsh

 

Riorganizimi pa ndryshim kufijsh bëhet në rastet e ndryshimit të emërtimit të njësisë së qeverisjes vendore ose në rastet  e ndryshimit të vendndodhjes së qendrës të saj.

 

Neni 66

Mbështetja ligjore dhe propozuesi i riorganizimit

 

Riorganizimi i ndarjes administrativo-territoriale me ose pa ndryshim kufijsh bëhet me ligj të veçantë.

 

Neni 67

Argumentimi dhe dokumentimi i riorganizimit nga propozuesi

 

Propozimi për riorganizimin e një ose më shumë njësive të qeverisjes vendore, për çdo rast të veçantë, i paraqitet Kuvendit së bashku me këto fakte dhe argumente:

a) Arsyet ekonomike, sociale, kulturore, demografike, administrative për nevojën dhe avantazhet e riorganizimit.

b) Mënyrat dhe materialet ose dokumentet e përdorura për informimin e publikut mbi riorganizimin dhe çështjet që lidhen me të.

c) Mendimin e popullatës që banon në njësitë e qeverisjes vendore që do të riorganizohen, si dhe mendimin “pro” dhe “kundër” këtij riorganizimi, sipas çdo rasti të veçantë nga subjekte ose grupe të interesuara drejtpërdrejt ose jodrejtpërdrejt në këtë riorganizim.

ç) Mënyrat e marrjes së mendimeve në mbledhje të hapura, seanca këshillimi me publikun, dëgjime publike, sondazhe opinioni të çertifikuara nga organe kompetente ose qendrim i shprehur nëpërmjet referendumit vendor ose në ndonjë mënyrë tjetër të përshtatshme dhe të besueshme.

d) Hartat administrativo-territoriale në të cilat pasqyrohen edhe ndryshimet që rrjedhin  nga riorganizimi.

dh) Efektet e parashikuara të karakterit ekonomik, financiar, social, demografik, si dhe detyrimet civile dhe administrative që rrjedhin, mbarten ose ndahen.

e) Mënyrat e parashikuara të rregullimit të çështjeve financiare, pasurore, të detyrimeve ndaj të tretëve ose ndaj njëra-tjetrës të njësive të qeverisjes vendore të përfshira në riorganizim.

 

Neni 68

Detyrimi për të shprehur mendimin

 

1. Këshillat bashkiakë dhe të qarqeve, që janë të përfshira drejtpërdrejt në riorganizim, si dhe kryetarët e tyre japin mendimin e tyre zyrtar dhe, nëse ka, edhe mendimin “kundër” të një pjesë të këshilltarëve të këshillit përkatës.

2. Këshilli i Ministrave, kur ky i fundit nuk është propozues dhe institucione të tjera shtetërore qendrore që nuk varen nga Këshilli i Ministrave, të interesuara për riorganizimin përkatës, japin mendimin e tyre të argumentuar “pro”, “kundër” ose “abstenim” ndaj  këtij riorganizimi.

3. Organet e mësipërme japin mendimin brenda 60 ditësh nga marrja e kërkesës për shprehje mendimi nga ana e propozuesit.

 

Neni 69

Rregullimi i të drejtave dhe detyrimeve të njësive të riorganizuara

 

1. Në çdo rast, kur riorganizimi prek çështje të të drejtave financiare, pasurore, të detyrimeve ndaj të tretëve dhe të drejta të tjera civile të njësive të qeverisjes vendore, ato rregullohen sipas legjislacionit në fuqi si të drejta dhe detyrime të personave juridikë, si rregull, nëpërmjet marrëveshjes mes palëve.

2. Në rast mosmarrëveshjesh për problemet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni,  konfliktet zgjidhen në rrugë gjyqësore.

 

 

Neni 70

Garantimi i vazhdimit të funksioneve bazë qeverisëse

Shtuar pika 3, me ligjin nr. 30/2015

 

1. Në rastin e riorganizimit me ndryshim kufijsh, që krijon njësi të reja të qeverisjes vendore ose kur ky riorganizim shkakton papajtueshmëri të mandatit të shumicës së anëtarëve të këshillit të njësisë së qeverisjes vendore, të cilës i largohet një pjesë e territorit, në këto njësi kryhen zgjedhje vendore të pjesshme, sipas mënyrave dhe afateve të parashikuara në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.

2. Organet e reja të qeverisjes vendore, si dhe organet e tjera shtetërore qendrore dhe vendore kompetente marrin menjëherë masat e nevojshme që njësitë e qeverisjes vendore të krijuara ose të prekura nga riorganizimi, të funksionojnë normalisht, sipas këtij ligji, duke garantuar kryerjen e shërbimeve bazë publike për popullatën përkatëse për periudhën tranzitore.

3. Procedurat dhe masat për transferimin e të drejtave dhe detyrimeve, aktiveve të trupëzuara dhe të patrupëzuara, të arkivave dhe çdo dokumentacioni tjetër shtetëror në njësitë e qeverisjes vendore, të krijuara ose të prekura nga riorganizimi përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

KREU XI

DISPOZITA KALIMTARE  DHE TË FUNDIT

Neni 71

Zbatimi i ligjit

 

Funksionimi i njësive të qeverisjes vendore sipas mënyrës së përcaktuar në këtë ligj realizohet në përputhje me afatet kohore të përcaktuara në nenet e këtij kreu.

 

Neni 72

Funksionimi dhe organizimi i njësive të qeverisjes vendore

 

1. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, këshillat bashkiake dhe qarqeve ushtrojnë të drejtat dhe kompetencat e tyre të plota për:

a) miratimin e vendimeve, urdhrave dhe urdhëresave për organizimin e tyre, sipas mënyrës së përcaktuar në këtë ligj;

b) të drejtën e kompetencës fiskale;

c) të drejtën për të ndërmarrë nisma në interes të bashkësive përkatëse;

ç) miratimin e rregulloreve dhe procedurave për personelin;

d) ushtrimin e çdo të drejte ose kompetence tjetër të përcaktuar në këtë ligj dhe ligje të tjera që kanë lidhje me pronësinë dhe kryerjen e funksioneve.

2. Bashkitë dhe qarqet fitojnë pronësinë mbi pronat vendore në përputhje dhe sipas afateve të përcaktuara me ligj të veçantë.

3. Bashkitë dhe qarqet fitojnë pronësinë mbi ndërmarrjet publike, sipas afateve të përcaktuara me ligj të veçantë, si dhe ushtrojnë të drejtën për krijimin e personave juridikë, në përputhje me këtë ligj.

4. Duke filluar nga 1 janari 2001, bashkitë janë tërësisht përgjegjëse për kryerjen e funksioneve të veta të mëposhtme:

I. Në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike:

a) ndërtimin, rehabilitimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve me karakter vendor, të trotuareve dhe shesheve publike;

b) sigurimin e ndriçimit të mjediseve publike;

c) funksionimin e transportit publik urban;

ç) administrimin e varrezave dhe garantimin e shërbimit të varrimit;

d) shërbimin e dekorit;

dh) administrimin e parqeve, lulishteve dhe zonave të gjelbëruara publike;

e) grumbullimin, largimin dhe përpunimin e mbeturinave.

II. Në fushën e shërbimeve me karakter social, kulturor e sportiv:

a) ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave kulturore dhe historike vendore, organizimin e veprimtarive dhe administrimin e institucioneve përkatëse;

b) organizimin e veprimtarive sportive, çlodhëse e argëtuese dhe administrimin e institucioneve përkatëse;

c) shërbimin social dhe administrimin e institucioneve si çerdhet, azilet, shtëpitë e fëmijëve, etj.

III. Në fushën e zhvillimit ekonomiko-vendor:

a) përgatitjen e programeve të zhvillimit ekonomiko -vendor;

b) ngritjen dhe funksionimin e tregjeve publike dhe të rrjeteve tregtare;

c) zhvillimin e biznesit të vogël, si dhe zhvillimin e veprimtarive nxitëse si panaire, reklama në vende publike etj;

ç) organizimin e shërbimeve në mbështetje të zhvillimit ekonomik vendor si informacioni, struktura dhe infrastruktura përkatëse;

d) shërbimin veterinar;

dh) ruajtjen dhe zhvillimin e pyjeve, kullotave dhe burimeve natyrore me karakter vendor.

5. Duke filluar nga 1 janari 2002, bashkitë janë plotësisht përgjegjëse për kryerjen e funksioneve të veta të mëposhtme:

I. Në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike:

a) furnizimin me ujë të pijshëm;

b) funksionimin e sistemit të kanalizimeve të ujërave të bardha, të ujërave të zeza dhe të kanaleve mbrojtëse të zonave të banuara;

c) planifikimin urban, menaxhimin e tokës dhe strehimin, sipas mënyrës së përcaktuar me ligj, me përjashtim të kompetencës për miratimin e shesheve dhe lejeve të ndërtimit, e cila i kalon bashkive nga 1 janari 2001.

II. Në fushën e rendit dhe të mbrojtjes civile:

a) Ruajtja e rendit publik për parandalimin e shkeljeve administrative dhe garantimin e zbatimit të akteve të bashkisë;

b) mbrojtja civile.

6. Duke filluar nga 1 janari 2002, me ligj do të përcaktohet masa dhe mënyra e ndarjes së funksioneve dhe kompetencave të përbashkëta të mëposhtme:

a) Funksionimi i arsimit parashkollor dhe parauniversitar;

b) funksionimi i sistemit të shërbimit parësor shëndetësor dhe mbrojtjes së shëndetit publik;

c) kujdesi social, zbutja e varfërisë dhe garantimi i funksionimit të institucioneve përkatëse;

ç) funksione të caktuara për rendin publik dhe mbrojtjen civile;

d) mbrojtja e mjedisit.

7. Bashkitë do të ushtrojnë edhe funksione të tjera, të ndara sipas mënyrës së përcaktuar me ligj.

8. Jo më vonë se 1 janari 2001, qarqet  kryejnë të gjitha funksionet dhe  ushtrojnë të gjitha kompetencat e dhëna me këtë ligj.

Neni 73

Kompetencat fiskale të njësive të qeverisjes vendore

 

1. Duke filluar nga 1 janari 2001, bashkitë dhe qarqet ushtrojnë të drejtën e vendosjes së taksave dhe tarifave vendore, të përcaktuara me ligj të veçantë.

2. Duke filluar nga 1 janari 2001, bashkitë dhe qarqet kanë autonomi të plotë për vendosjen e tarifave vendore për kategoritë e mëposhtme:

a) Tarifa për shërbimet publike;

b) tarifa për përdorimin e të mirave publike, me përjashtim të atyre që prodhohen nga pushteti qendror;

c) tarifa administrative për licenca, autorizime, certifikata dhe dokumentacionin zyrtar.

3. Bashkitë dhe qarqet ushtrojnë të drejtën e tjetërsimit dhe dhënies në përdorim të pronave dhe përdorimin e të ardhurave që krijohen në përputhje me ligjet përkatëse të pronave vendore.

4. Duke filluar nga 1 janari 2002, bashkitë dhe qarqet kanë të drejtë të kërkojnë kredi për investime në përputhje me procedurat dhe kriteret e përcaktuara me ligj të veçantë.

5. Duke filluar nga 1 janari 2002, bashkitë dhe qarqet kanë të drejtë të marrin financime, të përcaktuara me ligj të veçantë, nga burimet e mëposhtme:

a) Transferta të pakushtëzuara të përgjithshme dhe barazuese;

b) ndarja e taksave kombëtarë;

c) transferta të kushtëzuara për arritjen e objektivave kombëtarë;

ç) fonde të trasferuara nga pushteti qendror bashkive dhe qarqeve për kryerjen e funksioneve të deleguara.

6. Duke filluar nga 1 janari 2001, këshillat bashkiakë dhe të qarqeve  miratojnë buxhetin e tyre, duke u bazuar në parimin e autonomisë vendore dhe standardet unike kombëtare të kontabilitetit me deficit buxhetor zero.

7. Duke filluar nga 1 janari 2001, bashkitë dhe qarqet institucionalizojnë kontrollin e brendshëm financiar.

8. Duke filluar nga 1 janari 2001, bashkitë derdhin kontributet e tyre në buxhetin e qarkut.

 

Neni 74

Detyrat e Këshillit të Ministrave

 

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave për hartimin e projektligjeve dhe akteve nënligjore me qëllim respektimin e afateve të përcaktuar në këtë kre.

2. Ky detyrim realizohet nëpërmjet një procesi bashkëpunimi dhe këshillimi me përfaqësuesit e njësive të qeverisjes vendore, bashkësitë vendore dhe shoqërinë civile në përgjithësi.

 

Neni 75

Shkrirja e këshillave të rretheve

 

1. Këshillat e rretheve shkrihen në datën e kryerjes së zgjedhjeve vendore të vitit 2000. Administrata e këshillit të rrethit kalon në varësi të prefektit.

2. Prefekti është përgjegjës për kryerjen e funksioneve të ish-këshillave të rretheve të cilat nuk i janë transferuar bashkive sipas këtij kreu.

 

Neni 75/1

Shtuar me ligjin nr. 30/2015

 

Organet e njësive të qeverisjes vendore, të konstituuara pas zgjedhjeve vendore të vitit 2011 dhe me juridiksion territorial, sipas ndarjes administrativo-territoriale, të përcaktuar me ligjin nr. 8653, datë 31.7.2000, “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe me ligjin nr. 8654, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Bashkisë së Tiranës”, vazhdojnë funksionimin e tyre deri në konstituimin e organeve përfaqësuese dhe ekzekutive të njësive të qeverisjes vendore në zgjedhjet e vitit 2015.

 

Neni 75/2

 

Deri në datën 31 dhjetor 2017, në çdo njësi administrative funksionon administrata e njësisë administrative. Nga 1 janari 2018, këshilli i bashkisë ka kompetencën të vendosë për riorga-nizimin e administratave të njësive adminis-trative, të cilat mund të mbulojnë territorin e një ose më shumë njësive administrative brenda bashkisë, sipas nevojave të komuniteteve vendore dhe efektshmërisë administrative.

 

Neni 76

Shfuqizime

 

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, ligji nr. 7572, datë 10.6.1992 “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit lokal”, me ndryshimet dhe plotësimet e mëvonshme dhe çdo dispozitë tjetër që bie në kundërshtim me të, shfuqizohen.

 

Neni 77

Hyrja në fuqi

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

Shpallur me dekretin nr.2729, datë 7.8.2000 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani.


[1] Ndryshuar me ligjet:

-          nr. 9208, 18.3.2004

-          nr. 30/2015, datë 2.4.2015.

[2] Me ligjin nr. 30/2015, neni 1, kudo në ligj, fjalët “komunë”, “kryetar komune” e “këshilli i komunës” hiqen.

FacebookTwitterGoogle+Share

Comments

comments

Share →