LIGJ

Nr.9220, datë 15.4.2004

PËR ADMINISTRIMIN E SHËRBIMIT TË VARRIMIT

(Ndryshuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Shkarkoje te plote ne PDF_1

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Objekti

(Hequr fjala “publik” me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

Objekt i këtij ligji është përcaktimi i rregullave, procedurave e afateve për organizimin dhe funksionimin e shërbimit të varrimit dhe për administrimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Neni 2

Përkufizime

(Ndryshuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Vdekje” është pushimi në mënyrë të parikthyeshme i aktivitetit të të gjitha sistemeve jetësore të organizmit të njeriut.
2. “Kufomë” është trupi i njeriut, i privuar nga funksionet jetësore.
3. “Varr” është vendi i vendosjes së kufomës dhe/ose mbetjeve mortore.
4. “Varrezë” është një parcelë e përcaktuar territori, ku varrosen të vdekurit.
5. “Varrim” është procesi i vendosjes në varr të kufomës dhe/ose mbetjeve mortore, që i bëhet të vdekurit.
6. “Varrezë publike” është vendi ku ndodhen varrezat e një rajoni, të cilat janë pronë e njësisë bazë të qeverisjes vendore.
7. “Varrezë monumentale” është varreza ku prehen personalitete historike, fetare, kulturore, dëshmorë të kombit a njerëz të shquar dhe që mbahet për qëllime historike, përkujtimore, nderimi a vetëdijësimi kombëtar.
8. “Varrezë historike” është varreza ku prehen njerëz, të cilët kanë humbur jetën në kontekstin e ngjarjeve të caktuara historike, e cila mbahet për qëllime historike dhe përkujtimore.
9. “Varrezë fetare” është varreza që ngrihet nga komuniteti fetar dhe shërben për varrimin, si rregull, të besimtarëve të vet.
10. “Varrezë private” është varreza që ngrihet dhe administrohet nga subjekte private të licencuara, sipas kushteve dhe kritereve të këtij ligji.
11. “Mineralizim natyror i kufomës” është dekompozimi i indeve të buta të kufomës.
12. “Mineralizim artificial i kufomës” është transformimi në hi i indeve të buta dhe të forta të kufomës përmes kremimit.
13. “Kremim” është procesi i transformimit të kufomës nëpërmjet trajtimit industrial me nxehtësi të lartë.
14. “Mbetje mortore” janë mbetjet pas mineralizimit natyror të kufomës (eshtrat) dhe/ose pas mineralizimit artificial të kufomës (hiri).
15. “Shërbim i varrimit” është veprimtaria që zhvillohet nga subjektet publike ose private, nga çasti i vdekjes deri në varrimin e kufomës.
16. “Morg” është mjedisi ku kryhen autopsitë anatomo-patologjike dhe mjeko-ligjore të kufomave, si dhe të konservimit të përkohshëm frigoriferik të tyre.
17. “Morg civil” është ambienti ku trajtohen kufomat përpara se të kryhet ceremonia e varrimit.
18. “Zhvarrim” është nxjerrja e kufomës dhe/ose mbetjeve mortore nga varri.
19. “Zhvarrim i zakonshëm” është zhvarrimi që kryhet pas përfundimit të kohës së prehjes.
20. “Zhvarrim i jashtëzakonshëm” është zhvarrimi që kryhet para përfundimit të kohës së prehjes, sipas procedurave ligjore, për ekspertizë kriminalistike, për arsye transferimi në një varr tjetër, pas një periudhe të paracaktuar kohe ose për interes publik.
21. “Periudhë e observimit” është koha e mbikëqyrjes së kufomës para varrimit.
22. “Shenjë funebre” është çdo lloj simboli ose mbishkrimi i vendosur mbi varr nga familjarët.
23. “E drejtë për përdorimin e varrit” është e drejta që buron nga marrëdhënia kontraktore, me të cilën lidhet disponimi mbi varrin konkret.
24. “Kohë e prehjes” është koha gjatë së cilës nuk lejohet zhvarrimi i zakonshëm i kufomës.
25. “Zonë e rezervuar” është zona që nga banesa e fundit e periferisë së qytetit ose fshatit deri te fillimi i varrezave.

KREU II

PROCEDURAT E ZHVILLIMIT TË VARRIMIT

Neni 3

Varrezat publike të njësive bazë të qeverisjes vendore

(Ndryshuar titulli, neni 1, dhe shtuar pika 4/1, me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Çdo njësi bazë e qeverisjes vendore duhet të ketë të paktën një varrezë. Toka e caktuar për ndërtimin e varrezave është pronë publike. Njësitë bazë të qeverisjes vendore garantojnë shërbimin publik të varrimit në njësitë e tyre administrative, duke ndërtuar dhe administruar varreza publike të mjaftueshme.
2. Njësitë bazë të qeverisjes vendore, që përfshijnë disa fshatra, në të cilat transporti i kufomave deri në qendër të njësisë bazë të qeverisjes vendore nuk është i lehtë, për shkak të vështirësive të komunikacionit, duhet të kenë varreza të veçanta për këto fshatra.
3. Njësitë bazë të qeverisjes vendore mund të kenë një varrezë të përbashkët vetëm në qoftë se janë fqinje me njëra – tjetrën. Në këtë rast, me marrëveshje të përbashkët, shpenzimet për shërbimin dhe mirëmbajtjen e varrezave shpërndahen ndërmjet njësive bazë të qeverisjes vendore, në bazë të të dhënave të popullsisë së tyre.
4. Mbështetur në ligjin nr.8652, datë 31.7.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e organeve të pushtetit vendor”, njësitë bazë të qeverisjes vendore sigurojnë mirëmbajtjen, rregullin dhe ruajtjen e varrezave dhe kur varreza është e përbashkët këtë detyrë e kryen njësia bazë të qeverisjes vendore ku ndodhet varreza. Këto veprime kryhen nga shërbimi i varrezave publike vendore ose nga një shoqëri private e licencuar, sipas kritereve të përcaktuara nga ministria që mbulon veprimtarinë e shërbimeve publike.
4/1. Varrimi në varrezat e njësive bazë të qeverisjes vendore bëhet pavarësisht nga besimi fetar i të vdekurit, duke garantuar kushtet për kryerjen e riteve fetare, sa herë kjo kërkohet.
5. Zyrat përgjegjëse të njësisë bazë të qeverisjes vendore duhet të jenë të pajisura me një planimetri me shkallë 1 : 5000 të varrezave ekzistuese, e shtrirë në zonën rrethuese të tyre. Planimetria duhet të azhurnohet çdo vit, duke pasqyruar në të të gjitha ndryshimet e kryera.
6. Njësitë bazë të qeverisjes vendore, për administrimin e varrezave, bashkëpunon edhe me komunitetet fetare.

Neni 3/a

Varrezat fetare

(Shtuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Varrezat fetare ngrihen nga bashkësitë fetare mbi troje në pronësi të tyre, në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në këtë ligj.
2. Ngritja e varrezave fetare bëhet me miratimin e këshillit të njësisë bazë të qeverisjes vendore.
3. Administrimi i varrezave fetare bëhet nga bashkësia përkatëse fetare ose nga subjekte private, me të cilat organet drejtuese të komunitetit fetar lidhin kontratë për administrimin e varrezës.
4. Varrimi i personave që nuk i përkasin të njëjtit besim në varrezat fetare është në tagrin e bashkësisë fetare që administron varrezën.

Neni 3/b

Varrezat private

(Shtuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Varrezat private ngrihen nga subjekte private mbi troje në pronësi të tyre ose në troje në pronësi shtetërore a të njësisë bazë të qeverisjes vendore, në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në këtë ligj.
2. Ngritja e varrezave private bëhet me miratim të këshillit të njësisë bazë të qeverisjes vendore dhe/ose të Këshillit të Ministrave. Për njësitë bazë të qeverisjes vendore mund të ngrihet vetëm një varrezë private për 100 mijë banorë dhe me sipërfaqe jo më pak se 10 ha.
3. Subjekti privat ushtron veprimtarinë e tij në bazë të marrëveshjes së lidhur, sipas rastit, me kryetarin e njësisë së qeverisjes vendore ose ministrin përgjegjës për çështjet e planifikimit urban, në përputhje me rregullat për funksionimin dhe administrimin e varrezave, që përcaktohen në vendimin e Këshillit të Ministrave. Marrëveshja nuk u nënshtrohet rregullave të legjislacionit në fuqi për koncesionet dhe partneritetin publik privat.
4. Kriteret dhe procedurat për ngritjen e varrezave private përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
5. Varrimi në varrezat private bëhet pavarësisht nga besimi fetar i të vdekurit, duke garantuar kryerjen e riteve fetare, sa herë kjo kërkohet.

Neni 3/c

Varrezat monumentale

(Shtuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Statusin e varrezave monumentale e mbajnë Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, vendvarrimet e veçanta mbisipërfaqësore, sipas nenit 11, të ligjit, si dhe vendvarrimet e personaliteteve të shquara kombëtare historike, kulturore a fetare.
2. Varrezat monumentale ngrihen me vendim të Këshillit të Ministrave, në shenjë nderimi, përkujtimi dhe mirënjohjeje kolektive për personalitetet që prehen në to, me elemente funksionale dhe organizative të dallueshme qartë dhe të përshtatura sipas nevojave të ceremonialit zyrtar dhe pelegrinazhit kolektiv.
3. Rregullat për statusin “Varrezë monumentale”, për personat ose rrethin e personaliteteve që gëzojnë të drejtën e prehjes në to, për administrimin, financimin, kujdesin dhe mirëmbajtjen e tyre, përcaktohen në aktet me të cilin krijohen varrezat monumentale.
4. Administrimi, financimi, ruajtja, përdorimi dhe mirëmbajtja e varrezave monumentale, që kanë statusin monument kulture, bëhet sipas legjislacionit në fuqi për trashëgiminë kulturore dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.
5. Me përjashtim të Varrezave të Dëshmorëve të Atdheut, varrezat monumentale nuk shërbejnë për varrime të reja.

Neni 3/ç

Varrezat historike

(Shtuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Varrezat historike ngrihen me vendim të Këshillit të Ministrave, në shenjë përkujtimi për ngjarje të veçanta historike, me elemente funksionale dhe organizative të dallueshme qartë dhe të përshtatura sipas nevojave të ceremonialit zyrtar dhe pelegrinazhit kolektiv.
2. Në varrezat historike prehen persona që kanë humbur jetën gjatë/dhe për shkak të ngjarjeve që përkujtohen. Varrezat historike nuk shërbejnë për varrime të reja.
3. Rregullat për administrimin, financimin, kujdesin dhe mirëmbajtjen e tyre përcaktohen në aktet me të cilin krijohen varrezat historike.

Neni 3/d
Rregullat teknike, të administrimit dhe mbikëqyrja
(Shtuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Rregullat teknike për projektimin dhe ndërtimin e varrezave përcaktohen me rregullore të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Rregullat për administrimin dhe funksionimin e varrezave publike, fetare dhe private, përcaktohen me rregullore të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Përveç sa përcaktohet në këtë rregullore, njësitë e qeverisjes vendore mund të përcaktojnë rregulla plotësuese në zbatim të saj.
3. Për varrezat fetare, rregullat e ritualit fetar që aplikohen, miratohen nga organet e bashkësisë fetare. Publiku duhet të ketë akses mbi këto rregulla.
4. Kontrolli për mënyrën e administrimit dhe funksionimit të varrezave publike, fetare dhe private, bëhet nga njësitë e qeverisjes vendore.

Neni 3/dh

Tarifat

(Shtuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Varrezat publike, fetare dhe private ofrojnë shërbimet e tyre në bazë të tarifave të shërbimit. Tarifat e shërbimit publikohen. Administrata e varrezës është e detyruar të garantojë aksesin e plotë dhe në çdo kohë të publikut mbi informacionin përkatës.
2. Tarifat e shërbimit për varrezat publike miratohen nga këshilli i njësisë bazë përkatëse të qeverisjes vendore.

Neni 4

Zona e rezervuar

(Ndryshuar pika 1 me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Varrezat duhet të jenë të izoluara nga zonat e banimit nëpërmjet zonës së rezervuar. Ndalohet të bëhen ndërtime brenda zonës së rezervuar.
2. Në qendrat e banuara me popullsi mbi 10 000 banorë, gjerësia e zonës së rezervuar duhet të jetë më e madhe se 100 m nga vija kufizuese e qendrës së banuar dhe për ato me popullsi më të vogël se 10 000 banorë, duhet të jetë më e madhe se 50 m.
3. Këshilli i njësisë bazë të qeverisjes vendore ka të drejtë të zvogëlojë gjerësinë e zonës së rezervuar. Kjo bëhet vetëm me vendim të motivuar të organeve të mësipërme, duke marrë mendimin e inspektoratit sanitar.

Neni 5

Ndalimi i varrimit në një vend të ndryshëm nga varrezat

(Ndryshuar pika 1 dhe shfuqizuar pika 2, me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Varrosja e kufomave bëhet vetëm në varreza. Me kërkesë të komuniteteve fetare lejohet varrosja në mjediset brenda selive fetare.
2. Shfuqizuar.

Neni 6

Pranimi i kufomave në varreza

(Ndryshuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

Në varrezat pranohen:
a) kufomat dhe/ose mbetjet mortore të personave të vdekur në territorin e njësive bazë të qeverisjes vendore, pavarësisht nga vendi i banimit kur ishin gjallë;
b) kufomat dhe/ose mbetjet mortore të personave të vdekur jashtë territorit të njësive bazë të qeverisjes vendore, por që, kur ishin gjallë, ishin banues të tyre;
c) kufomat dhe/ose mbetjet mortore të personave që nuk banonin në këtë njësi bazë të qeverisjes vendore kur ishin gjallë dhe që kanë vdekur jashtë territorit të kësaj njësie bazë të qeverisjes vendore;
ç) kufomat dhe/ose mbetjet mortore dhe/ose mbetjet mortore të shtetasve të huaj me banim ose jo në Shqipëri, që dëshirojnë të varrosen në këto territore pasi të jenë pajisur me autorizim nga prefekti;
d) Shfuqizuar.
dh) të lindurit të vdekur.

Neni 6/a

Detyrimi për varrim

(Shtuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Për çdo kufomë lind detyrimi për varrim. Këtu bëjnë pjesë dhe të sapolindurit e vdekur dhe fetuset e vdekura në lindje me peshë mbi 500 gramë.
2. Foshnjat e lindura të vdekura dhe fetuset e vdekura gjatë lindjes, me peshë nën 500 gramë, varrosen me shpenzimet e prindërve, kur këtë e kërkon së paku njëri nga prindërit. Kur ngjarja ndodh në institucione mjekësore, atëherë institucioni është i detyruar të informojë prindërit për këtë klauzolë. Në rast se prindi nuk bën kërkesë, atëherë institucioni bën trajtimin e mëtejshëm me shpenzimet e veta dhe në përputhje me procedurat e brendshme spitalore. Këto procedura duhet të garantojnë trajtimin në mënyrë dinjitoze të tyre.
3. Foshnjat dhe fetuset e lindura të vdekura, sipas pikës 2, të këtij neni, që nuk kërkohet të varrosen, lejohet të përdoren vetëm për qëllime shkencore. Për përdorimin për nevoja mësimore-shkencore kërkohet pëlqimi i të dy prindërve. Institucioni shkencor përgjigjet për varrimin e tyre sapo ato të mos jenë më të nevojshëm për veprimtarinë mësimore-shkencore. Nga ky moment institucioni mbart të drejtat dhe detyrimet që ky ligj përcakton për prindin.
4. Pjesët e trupit të amputuara trajtohen në përputhje me procedurat e brendshme spitalore, sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 6/b

Detyrimi për përkujdesje për varrimin

(Shtuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Detyrimi për t’u përkujdesur për varrimin i takon familjarëve të të vdekurit, sipas radhës dhe rastit:
a) bashkëshortit a bashkëshortes ose bashkëjetuesit a bashkëjetueses;
b) fëmijëve në moshë madhore;
c) prindërve;
ç) prindërve të prindërve;
d) vëllezërve e motrave madhore dhe fëmijëve të tyre.
2. Nëse detyrimi, sipas pikës 1, të këtij neni, nuk plotësohet, administrata vendore duhet të urdhërojë kryerjen e varrimit nga shërbimi i varrimit dhe kalimin e shpenzimeve në ngarkim të familjarëve që kanë detyrimin sipas pikës 1, të këtij neni, në rast se kufoma nuk u përcillet shërbimit anatomo-patologjik. Kur detyrimi sipas pikës 1, të këtij neni, është i pamundur, shpenzimet e shërbimit të varrimit kryhen nga njësia bazë e qeverisjes vendore ku ai është i regjistruar.
3. Pika 2, e këtij neni, zbatohet edhe për personat që jetojnë në kushtet e varfërisë, të braktisjes, të mungesës së interesit mes anëtarëve të familjes, ose për të cilët është e pamundur të identifikohen familjarë që bartin detyrimin, sipas pikës 1, të këtij neni. Kur këta persona nuk janë banorë të njësisë së qeverisjes vendore, shërbimi i varrimit kryhet nga njësia bazë e qeverisjes vendore, ku personi ka ndërruar jetë, duke marrë pagesën nga njësia bazë e qeverisjes vendore ku ai është i regjistruar.

Neni 6/c

Llojet dhe mënyrat e varrimit

(Shtuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

Varrimi mund të jetë nëntokësor, mbitokësor ose me kremim dhe bëhet sipas ritualit fetar ose laik. Lloji dhe mënyra e varrimit përcaktohen sipas vullnetit të të vdekurit. Nëse i vdekuri nuk ka lënë vullnet të shprehur për llojin dhe mënyrën e varrimit, atëherë ato përcaktohen nga familjarët, sipas pikës 1, të nenit 6/b, të këtij ligji.

Neni 6/ç

Llojet e varreve

(Shtuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Varrimi, si rregull, bëhet në varre individuale, ku mund të varrosen persona të tjerë vetëm pas kalimit të kohës së prehjes, sipas nenit 7/ç të këtij ligji, dhe vetëm me kërkesën me shkrim të familjarëve të personit të vdekur, për të cilin është lëshuar e drejta e përdorimit. Në këtë rast lidhet kontratë e re përdorimi, e cila nuk anulon kushtet e kontratës së parë të përdorimit.
2. Varrimi mund të bëhet në varre familjare nëntokësore, në përputhje me këtë ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.

Neni 7

Shërbimi i varrimit

(Ndryshuar pika 1 dhe 2, me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Pranë çdo varreze publike, fetare ose private, funksionon shërbimi i varrimit, sipas parashikimeve të këtij ligji dhe rregullores së administrimit dhe funksionimit të varrezës. Shërbimi i varrimit mund të kontraktojë të tretë për kryerjen e shërbimeve dhe për mallra të caktuara.
2. Shfuqizuar.
3. Çdo shërbim varrimi regjistrohet në dy regjistra të njëjtë, numri i faqeve të të cilave vërtetohet nga kryetari ose sekretari i njësisë bazë të qeverisjes vendore. Në regjistër shënohen:
a) varrimet që janë kryer, duke saktësuar emrin, mbiemrin, moshën, vendin dhe datën e lindjes (siç rezulton nga leja e varrimit), vitin, ditën dhe orën e varrimit, numrin e gurit të varrit dhe numrin rendor të faturës së varrimit;
b) çdo ndryshim që ka ndodhur si pasojë e zhvarrosjeve.
Regjistri nënshkruhet në çdo fletë nga përgjegjësi i shërbimit. Modeli i tij përcaktohet në udhëzimin e ministrit që mbulon veprimtarinë e shërbimeve publike.
4. Njëra prej kopjeve të regjistrit dorëzohet çdo fund viti në arkivin e njësisë bazë të qeverisjes vendore, ndërsa kopja tjetër mbetet në ruajtje pranë shërbimit të varrimit.
5. Rakordimi i regjistrave me zyrat e gjendjes civile bëhet çdo tremujor.
6. Regjistrat e përmendur në pikën 3 të këtij neni paraqiten pranë organeve të kontrollit të njësisë vendore pas çdo kërkese të tyre.

Neni 7/a

Kushtet për lejimin e varrimit

(Shtuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Kufomat lejohet të varrosen vetëm pasi është lëshuar leja e varrimit nga zyra e gjendjes civile e njësisë bazë përkatëse të qeverisjes vendore. Shërbimi i varrimit merr në dorëzim dhe ruan për çdo varrim lejen e varrimit.
2. Kur vdekja ndodh në ditët e pushimit javor ose të festave zyrtare dhe nuk mund të sigurohet leja e varrimit, përgjegjësi i shërbimit kërkon dokumentet që vërtetojnë vdekjen, në përputhje me nenin 54, të ligjit nr. 10 129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile”, të ndryshuar, dhe me këto dokumente bën deklarimin e vdekjes në zyrën e gjendjes civile në ditën e parë të punës.
3. Për kufomat, që transportohen nga një shtet tjetër, shërbimi i varrimit merr në dorëzim dhe ruan bashkë me certifikatën e vdekjes, të lëshuar sipas formës dhe modaliteteve në fuqi në shtetin tjetër, edhe lejen për transportimin e kufomës (pasaportën e kufomës), të lëshuar nga autoritetet konsullore shqiptare. Kur certifikata e vdekjes, si më sipër, mungon, atëherë certifikata e vdekjes u kërkohet autoriteteve shqiptare, sipas procedurave në fuqi në Republikën e Shqipërisë.
4. Rregullat e detajuara për aktin e vdekjes, deklarimin e vdekjes, lëshimin e lejes së varrimit, vërtetimin e vdekjes, si dhe për organet e personat përgjegjës përcaktohen nga legjislacioni në fuqi për gjendjen civile.

Neni 7/b

Kushte të veçanta për varrimin me kremim

(Shtuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Kufomat lejohet të varrosen me kremim vetëm nëse:
a) njihet identiteti i personit të vdekur;
b) është lëshuar leja e varrimit, sipas nenit 7/a, të këtij ligji;
c) dokumenti që vërteton vdekjen konfirmon se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrore dhe se shkaku i vdekjes është konstatuar jashtë çdo lloj dyshimi;
ç) ekziston vullneti i shprehur i personit të vdekur.
2. Nëse rrethanat, sipas pikës 1, të këtij neni, nuk plotësohen, atëherë varrimi me kremim mund të zhvillohet vetëm nëse organi i prokurorisë autorizon me shkrim kryerjen e tij.

Neni 7/c

E drejta për përdorimin e varrit

(Shtuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. E drejta për përdorimin e varrit fitohet me anën e kontratës së përdorimit, të lidhur me shërbimin e varrezës. Kontrata e përdorimit të varrit nuk sjell pronësinë mbi të.
2. Kontrata e përdorimit lidhet nga vetë personi përpara vdekjes (prenotim varri) ose nga familjarët para ose pas vdekjes së personit.
3. Kontrata lidhet sipas kushteve, kritereve dhe tarifave të përcaktuara në rregulloren e administrimit dhe funksionimit të varrezës. Në kontratë përcaktohen identiteti i personit ose i personave që lejohet të varrosen në varrin, objekt kontrate, mënyra e veshjes dhe dekorimit të varrit, shenjat funebre që do përdoren, rregullat për kujdesin dhe mirëmbajtjen, lloji dhe mënyra e varrimit, kohëzgjatja e së drejtës së përdorimit, shërbimet që do të prenotohen, çmimet përkatëse dhe mënyra e pagesës.

Neni 7/ç

Koha e prehjes dhe afati për përdorimin e varrit

(Shtuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Koha e prehjes për të gjitha varrezat publike, fetare ose private, është e barabartë me 15 vjet. E drejta e përdorimit të varrit gjatë kohës së prehjes është pa shpërblim. Këtu nuk përfshihen shërbimet që ofron varreza, për të cilat ka tarifa të miratuara.
2. Afati për kohëzgjatjen e së drejtës së përdorimit të varrit është, në minimumin e tij, sa afati, sipas pikës 1, të këtij neni, dhe, në maksimumin e tij, i përhershëm. Për çdo varr, afati i përdorimit përcaktohet në kontratën e përdorimit, sipas nenit 7/c, të këtij ligji. Për periudhën përtej afatit minimal kontrata mund të parashikojë shpërblim, nëse për këtë qëllim ka tarifa të miratuara.

Neni 7/d

Shërbimi anatomo-patologjik

(Shtuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Shërbimi anatomo-patologjik pranon kufoma në kuadër të veprimtarisë mësimore-shkencore, për të cilat është lëshuar leja e varrimit, sipas nenit 7/a të këtij ligji.
2. Shërbimi anatomo-patologjik ka për detyrë të sigurojë që kufomat e administruara prej tij të mos bëhen burim për përhapjen e sëmundjeve.
3. Shërbimi anatomo-patologjik përgjigjet për varrimin e kufomës sapo ajo të mos jetë më e nevojshme për veprimtarinë mësimore- shkencore. Nga ky moment ai mbart të drejtat dhe detyrimet që ky ligj përcakton për familjarin.

Neni 7/dh

Përpunimi i të dhënave personale

(Shtuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Gjatë ushtrimit të funksioneve të veta shërbimi i varrimit ka të drejtë të përpunojë të dhëna personale. E drejta për përpunimin e të dhënave personale lidhet sidomos me mbajtjen e regjistrit të personave të varrosur, të klientëve dhe kontratave apo të të punësuarve.
2. Mbajtja, kontrolli, përpunimi dhe fshirja e të dhënave personale bëhen në përputhje me legjislacionin në fuqi për të dhënat personale.

KREU III

NORMAT TEKNIKE PËR NDËRTIMIN E VARREZAVE

Neni 8

Projektimi i varrezave

(Ndryshuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Çdo projekt për zgjerimin e varrezave ekzistuese dhe ndërtimin e varrezave të reja bëhet në bazë të një studimi të plotë të zonës, të miratuar nga këshilli i njësisë bazë të qeverisjes vendore, veçanërisht, për sa i përket vendndodhjes, shtrirjes së tokës e natyrës fiziko-kimike të saj, thellësisë dhe drejtimit të shtresës hidrike, kushteve teknike të ndërtimit të varrezave.
1/1. Zgjerimi i varrezave ekzistuese dhe ngritja e varrezave të reja është pjesë përbërëse e planit të përgjithshëm vendor. Plani për zhvillimin e varrezave hartohet mbështetur në kapacitetet ekzistuese, nevojat e planifikuara, sipas rritjes së popullsisë, në prirjet e zhvillimit territorial, si dhe sipërfaqet e lira dhe përshtatshmërinë funksionale të tyre. Plani konsultohet me komunitetet fetare dhe subjektet e interesuara.
1/2. Në planin për zhvillimin e varrezave duhet të përcaktohen edhe parashikimet për mbylljen apo prishjen e varrezave ekzistuese dhe destinacioni i tyre. Si rregull, destinacioni i varrezave të prishura duhet të jetë sipërfaqe e gjelbër. Përdorimi për qëllime të tjera mund të justifikohet vetëm për motive të interesit publik.
2. Ndërtimi, zgjerimi, mbyllja apo prishja e varrezave apo parcelave të varrezave bëhen në pajtim me planin për zhvillimin e varrezave, planin e përgjithshëm vendor dhe vlerësimin strategjik të ndikimit në mjedis. Në projektet e ndërtimit të varrezave të reja mund të parashikohen edhe parcela të ndara sipas komuniteteve fetare, në funksion të përbërjes fetare të popullsisë së rajonit.
2/1. Në projektimin e varrezave mbahen parasysh rregullat në fuqi për rendin dhe sigurinë publike, si dhe ato për shëndetin publik.
2/2. Natyra fiziko-kimike e tokës dhe thellësia dhe drejtimi i shtresave hidrike duhet të dokumentohen shkencërisht.
3. Shfuqizuar.

Neni 9

Vendmbajtja e përbashkët e eshtrave

Çdo varrezë ka vendmbajtjen e eshtrave, që përbëhet nga një ndërtesë e destinuar për mbledhjen e eshtrave, që vijnë nga zhvarrimet dhe që nuk janë kërkuar nga familjarët për destinacion tjetër në varreza. Vendmbajtja e eshtrave duhet ndërtuar në mënyrë të tillë që eshtrat të mos shihen nga publiku. Vendmbajtja e eshtrave lejohet edhe brenda selive të komuniteteve fetare, pas marrjes së lejes nga njësia bazë e qeverisjes vendore.

Neni 10

Mjediset për ceremonitë e varrimit

(Ndryshuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Në varreza ngrihen, në hyrje ose në afërsi të territorit të tyre, mjedise të mjaftueshme pritjeje ose për zhvillimin e ceremonive në nderim të personave të vdekur apo për zhvillimin e ritualeve fetare. Mjediset shërbejnë për ceremoni varrimi dhe përkujtimore.
2. Këto mjedise dhe shërbimet e lidhura me to vihen në dispozicion kundrejt pagesës. Çmimi për njësi kohe, sipas kësaj pike, bëhet publik. Administrata e varrezës është e detyruar të garantojë aksesin e plotë dhe në çdo kohë të publikut mbi informacionin përkatës. Për varrezat private ky çmim është i liberalizuar.
3. Për kryerjen e riteve fetare mjediset duhet të organizohen dhe të pajisen, sipas kërkesave të komuniteteve fetare, në bazë të parimit të barazisë për të gjithë.

Neni 10/a

Impiantet e kremimit

(Shtuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

Impiantet e kremimit ngrihen brenda ose në afërsi të varrezave pas miratimit nga këshilli i njësisë bazë të qeverisjes vendore, sipas legjislacionit në fuqi.

KREU IV

VARRIMET JASHTË VARREZAVE

Neni 11

Varrime të veçanta mbisipërfaqësore

Varrimi i veçantë mbisipërfaqësor i kufomave ose mbetjeve mortale në vende të ndryshme nga varrezat autorizohet me dekret të Presidentit të Republikës, duke respektuar normat e përcaktuara në këtë ligj. Autorizimi për këtë lloj varrimi bëhet kur ekzistojnë motive të justifikueshme për nderime të veçanta.

KREU V

PRISHJA E VARREZAVE

Neni 12

Mbyllja dhe prishja e varrezave

(Ndryshuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Varreza ose pjesë të caktuara të saj mund të mbyllen për varrime të reja, në rast se kjo nevojë lind për një shkak ose interes publik. Kjo dispozitë zbatohet edhe për lloje të veçanta varrimi apo varresh.
2. Për të drejtat e përdorimit, të cilat nuk janë ushtruar deri në momentin e mbylljes, me mirëkuptimin e palës, bëhet zëvendësimi me të drejta të reja përdorimi në pjesë të tjera të varrezës apo, sipas rastit, në varreza të tjera, ose bëhet kthimi i pagesave, në rastet kur është bërë prenotimi i varrit.
3. Vendimi për mbylljen e varrezës merret nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore dhe bëhet publik.
4. Kur mbyllja e varrezës bëhet për shkak të nevojës për ndërtime me destinacion tjetër, atëherë varreza i nënshtrohet procedurës së prishjes. Prishja kryhet në përfundim të afatit sipas nenit 13 të ligjit. Prishja e varrezës vendoset nga një komision i posaçëm, i ngritur nga këshilli i njësisë bazë të qeverisjes vendore, i cili harton dokumentin përkatës për verifikimin e gjendjes së plotë të varrezës, pasi është marrë mendimi i strukturës rajonale të shëndetit publik.
5. Vendimi për prishjen e varrezës merret nga këshilli i njësisë së qeverisjes vendore dhe bëhet publik.
6. Për të drejtat e përdorimit, të cilat janë në fuqi deri në momentin e prishjes, bëhet zëvendësimi me të drejta të reja përdorimi në pjesë të tjera të varrezës apo, sipas rastit, në varreza të tjera. Në këtë rast, të vdekurit zhvendosen në varre të reja. Shpenzimet për zhvendosjen, rivarrimin dhe veshjen e dekorimin e ri të varreve nuk u ngarkohen familjarëve.

Neni 13

Përdorimi i varrezës së prishur

1. Toka e një varreze, për të cilën është vendosur prishja, nuk destinohet për përdorim tjetër pa kaluar 15 vjet nga varrimi i fundit që bëhet në të. Gjatë kësaj periudhe, kjo varrezë mbetet nën mbikëqyrjen e njësisë bazë të qeverisjes vendore, e cila organizon mirëmbajtjen e saj.
2. Përpara se të përdoret për qëllim tjetër, nga toka e varrezës duhet të hiqen me kujdes eshtrat në një thellësi jo më të madhe se 2 m dhe ato vendosen në ndërtesën e përbashkët të vendosjes së eshtrave ose në varrezën e re.

Neni 14

Materialet dhe shenjat funebre të varrezës së prishur

(Shfuqizuar pika 3 me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Materialet mbitokësore të varrezave, monumentet dhe shenjat funebre, të vendosura mbi varret që do të prishen, mbeten në pronësi të familjarëve, të cilët mund t’i transportojnë ato në varrezën e re.
2. Në rastet kur familjarët refuzojnë ta bëjnë këtë, këto materiale kalojnë në pronësi të njësisë bazë të qeverisjes vendore.
3. Shfuqizuar.

KREU VI

MËNYRA E VARRIMIT

Neni 15

Varrimi nëntokësor

(Ndryshuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Varrimi nëntokësor bëhet në gropa të gërmuara dhe më pas të mbuluara me dhe. Kufomat duhet të vendosen në arkivole të mbyllura druri ose materiali tjetër të ngjashëm, që të dekompozohen me lehtësi, me përjashtim të rasteve kur kufoma transportohet nga jashtë njësisë bazë të qeverisjes vendore për në vendvarrim me arkivol metalik. Çdo varr dallohet nga bordura anësore, pllaka e varrit, sipas një numri progresiv dhe identifikimi i kufomës.
2. Fushat e destinuara për këtë lloj varrimi shtrihen në toka të përshtatshme nga pikëpamja e strukturës gjeologjike dhe mineralogjike për vetitë mekanike dhe fizike, si dhe për nivelin e shtresës hidrike sipas rregullave teknike për ndërtimin dhe projektimin e varrezave.
3. Shfuqizuar.

Neni 16

Varrimi mbitokësor

(Shfuqizuar pika 4 me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Varrimi mbitokësor ka të bëjë me vendosjen e kufomës në një dhomë të mbyllur hermetikisht me mur ose me pllaka guri. Në këtë mënyrë mund të vendosen edhe kufomat e balsamosura.
2. Kufomat e destinuara për varrim mbitokësor duhet të vendosen në arkivole me mure të dyfishta, njëri prej druri dhe tjetri prej metali.
3. Në arkivolin e jashtëm vendoset pllaka metalike, ku shënohen emri, mbiemri, data e lindjes dhe e vdekjes së kufomës.
4. Shfuqizuar.

Neni 16/a

Varrimi me kremim

(Shtuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Varrimi me kremim bëhet në varreza, sipas parashikimeve të rregullores për administrimin dhe funksionimin e varrezave.

2. Zhvarrimi i urnës mund të bëhet vetëm pas kalimit të afatit të përdorimit. Pas zhvarrimit, urna administrohet sipas rregullores së administrimit dhe funksionimit të varrezës.
3. Nuk lejohet marrja e urnës nga familjarët. Nuk lejohet administrimi i saj jashtë procedurave të parashikuara nga ky ligj.

Neni 16/b

Konservimi dhe balsamimi i kufomave

(Shtuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Kufomat që i nënshtrohen varrimit nëntokësor lejohet të konservohen ose të balsamosen vetëm nëse varrezës i është lejuar varrimi i kufomave të tilla. Kjo mënyrë nuk zbatohet kur kufomat transportohen jashtë shtetit.
2. Nuk lejohet konservimi ose balsamimi i kufomave pa u lëshuar certifikata e vdekjes.

KREU VII

MËNYRAT E ZHVARRIMIT

Neni 17

Zhvarrime të zakonshme nga nëntoka

(Ndryshuar afati në pikat 1 dhe 2, me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Zhvarrimet e zakonshme nga nëntoka kryhen pas një periudhe 15-vjeçare nga viti i varrimit. Varret e liruara nga mbeturinat e arkivolit përdoren për varrime të reja.
2. Në rastet kur vërtetohet se pas periudhës 15-vjeçare nuk sigurohet mineralizimi i plotë i kufomave, bëhet zgjatja e kësaj periudhe me miratim të mjekut ligjor dhe, në mungesë të tij, të mjekut anatomo-patolog. Në rast se edhe pas kësaj periudhe nuk realizohet mineralizimi i plotë i kufomave, Ministria e Shëndetësisë vendos për transferimin ose jo të varrezave.
3. Kur vërtetohet se në një varrezë, për shkak të kushteve të veçanta të përbërjes apo strukturës së tokës, mineralizimi i kufomave kryhet për një periudhë më të shkurtër, mjeku ligjor dhe, në mungesë të tij, mjeku anatomo-patalog autorizon shkurtimin e kësaj periudhe jo më pak se 5 vjet.
4. Kryetari i njësisë bazë të qeverisjes vendore lëshon lejet për zhvarrimet e zakonshme nga nëntoka, të cilat kryhen nga shërbimi i varrezave që administron varrezat.

Neni 18

Zhvarrime të jashtëzakonshme nga nëntoka

1. Kufomat mund të zhvarrosen përpara periudhës së caktuar, me urdhër të gjyqtarit ose prokurorit, në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale ose me autorizimin paraprak të kryetarit të njësisë bazë të qeverisjes vendore, për t’i transportuar në varr tjetër.
2. Për zhvarrimet e jashtëzakonshme nga nëntoka, të urdhëruara nga gjyqtari ose prokurori, kufomat duhet të transportohen në sallat e autopsisë, duke respektuar kërkesat e bëra nga këto organe.
3. Të tilla zhvarrime duhet të kryhen në prani të grupit të mjekëve ligjorë, përfaqësues të organeve që e kanë kërkuar zhvarrimin dhe të të ngarkuarit me shërbimin e varrezave.

Neni 19
Rastet kur nuk mund të kryhen zhvarrime të jashtëzakonshme nga nëntoka

Përveç rasteve të urdhëruara nga gjyqtari ose prokurori, nuk kryhen zhvarrime të jashtëzakonshme nga nëntoka:
a) në muajt maj, qershor, korrik, gusht dhe shtator, duke përjashtuar rastet kur kemi të bëjmë me varreza malore, ku lejohen procedurat e zhvarrimeve edhe në muajt e mësipërm;
b) në rastet e kufomave të personave të vdekur nga sëmundje infektive, përveç rasteve kur ka kaluar 2 vjet nga data e varrimit dhe kur zhvarrimi kryhet në përputhje me masat për mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit publik.

Neni 20
Depozitimi i eshtrave të zhvarrosura nga nëntoka

1. Eshtrat, që mblidhen si rezultat i zhvarrimeve të zakonshme, duhet të grumbullohen në vendin e tyre të përbashkët, me përjashtim të rasteve kur varrosen në një parcelë të veçantë.
2. Eshtrat, si rezultat i zhvarrimeve të zakonshme, mund të groposen në të njëjtin varr me një kufomë tjetër, sipas kërkesës së familjarëve.
3. Të gjitha mbeturinat e varrezave konsiderohen si mbeturina të veçanta dhe duhet të asgjësohen.

Neni 21

Zhvarrime të zakonshme mbitokësore

1. Zhvarrimet mbitokësore kryhen në mbarim të periudhës së lejes, që varion nga 5 deri në 20 vjet dhe bëhen me autorizim të kryetarit të njësisë bazë të qeverisjes vendore.
2. Arkivolet e zhvarrosura varrosen nën tokë, pasi arkivolit t’i hapen disa të çara të përshtatshme, për të lejuar fillimin e procesit të mineralizimit të kufomës.
3. Kur kufomat e zhvarrosura gjenden në kushtet e një mineralizimi të plotë, me miratimin e mjekut anatomo-patolog, nga ndërmarja që administron varrezat mund të merren masa për mbledhjen e eshtrave në kasën e tyre.

Neni 22

Ndalimi i zvogëlimit të përmasave të kufomave

(ndryshuar pika 2 me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Ndalohet çdo veprim që ka të bëjë me zvogëlimin e përmasave të kufomës së varrosur mbi tokë, për ta futur në një arkivol me përmasa më të vogla se ato fillestare të arkivolit, me të cilin është varrosur.
2. Për rastet e parashikuara si vepër penale nga neni 118 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, shërbimi i varrimit të varrezave bën kallëzim për ndjekje penale dhe ndërkohë vë në dijeni kryetarin e njësisë bazë të qeverisjes vendore.

Neni 23

Zhvarrimet e jashtëzakonshme mbitokësore

(ndryshuar pika 2 me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Kryetari i njësisë bazë të qeverisjes vendore autorizon zhvarrimin mbitokësor të arkivoleve të destinuara për t’u transportuar në një vend tjetër pas çdo periudhe kohe dhe në çdo muaj të vitit, me kusht që, pas hapjes së varrit mbitokësor, autoriteti sanitar vendor të verifikojë gjendjen e rregullt të arkivolit dhe të deklarojë se transferimi i tij nuk përbën asnjë rrezik për shëndetin publik.
2. Kur autoriteti sanitar i sipërpërmendur vëren se arkivoli nuk është në gjendje të rregullt, mund të lejojë transferimin e tij, vetëm pasi të sistemohet në mënyrë të përshtatshme, sipas normave të përcaktuara në zbatim të këtij ligji dhe rregullores së administrimit dhe funksionimit të varrezave.

KREU VIII

TRANSPORTIMI I KUFOMËS

Neni 24

Transportimi i kufomës në varrezë

(ndryshuar pika 3 me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Transportimi i kufomës nga vendi i vdekjes deri në morg ose në varrezë bëhet me automjete të mbyllura dhe nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e policisë bashkiake ose komunale.
2. Ndalohet të kryhet transportimi i kufomave përpara periudhës së observimit, të këshilluar nga grupi mjekësor, gjatë së cilës mund të shfaqen raste eventuale të kthimit në jetë.
3. Automjetet e varrimit duhet të plotësojnë kushte të veçanta, të cilat përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.

Neni 25

Leja për transportimin e kufomave

1. Transportimi i kufomave nga një njësi bazë e qeverisjes vendore në një tjetër autorizohet nga kryetari i njësisë bazë të qeverisjes vendore, ku ka ndodhur vdekja.
Kryetari i njësisë bazë të qeverisjes vendore pritëse duhet të lajmërohet për ardhjen e kufomës. Autorizimi i dorëzohet përgjegjësit të shërbimit të varrezave.
2. Për rastet kur kërkohet vendosja e kufomës në njësinë bazë të qeverisjes vendore të tjera ndërmjetëse, për kryerjen e nderimeve të veçanta, autorizimi i lëshuar nga kryetari i njësisë bazë të qeverisjes vendore u njoftohet edhe kryetarëve të njësive vendore ndërmjetëse.
3. I ngarkuari për transportimin e kufomës jashtë njësisë bazë të qeverisjes vendore pajiset me autorizimin e kryetarit të njësisë bazë të qeverisjes vendore, ku ka ndodhur vdekja.
4. Nëse transportimi kryhet me hekurudhë, anije ose avion, autorizimi i mësipërm duhet t’i dorëzohet transportuesit gjatë kryerjes së transportit.

Neni 26

Transportimi i mbetjeve mortore

(ndryshuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Transportimi i mbetjeve mortore, përveç autorizimit të përmendur në nenin 25, të ligjit, shoqërohet edhe me autorizimin e strukturës rajonale të shëndetit publik.
2. Mbetjet mortore futen në çdo rast në kaseta zinku, me trashësi jo më të vogël se 0,6 mm, dhe mbyllen me saldim. Mbi kasetë shënohen emri dhe mbiemri i kufomës.
3. Në rast se mbetjet mortore janë të gjetura dhe nuk është i mundur identifikimi i tyre, në kasetë shënohen vendi dhe data e gjetjes.

Neni 27

Transportimi i kufomave dhe/ose mbetjet mortore për dhe nga jashtë shtetit

(ndryshuar me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Kufomat dhe/ose mbetjet mortore, që transportohen për dhe nga jashtë shtetit, duhet të jenë të shoqëruara nga një dokument i veçantë. Ky dokument lëshohet nga prefekti, për kufomat që nxirren nga territori shtetëror dhe nga autoriteti përgjegjës i shtetit nga sillet kufoma, për kufomat që hyjnë në territorin shtetëror.
2. Për futjen në vend të kufomave dhe/ose mbetjeve mortore, që vijnë nga shtetet e tjera, i interesuari për transportimin e kufomës duhet të paraqesë, nëpërmjet autoriteteve përkatëse ose personalisht, në autoritetin konsullor shqiptar, në shtetin ku ka ndodhur vdekja:
a) kërkesën për lejen e transportimit të kufomës dhe/ose mbetjet mortore për në Shqipëri;
b) certifikatën e vdekjes, të lëshuar nga autoritetet përgjegjëse;
c) certifikatën e organeve përgjegjëse, që vërteton se janë respektuar të gjitha kushtet sanitare për trasportimin e kufomës dhe/ose mbetjet mortore.
Dokumentacioni i mësipërm paraqitet nga i interesuari me rrugë postare ose me faks.
Për shtetet ku Republika e Shqipërisë nuk ka përfaqësi diplomatike, kërkesa e mësipërme dërgohet në përfaqësinë, nga e cila mbulohet ai shtet.
3. Autoriteti konsullor shqiptar, pasi kontrollon rregullsinë e dokumentacionit të paraqitur dhe pasi bën verifikimin në autoritetet përkatëse që kanë lëshuar dokumentet e mësipërme, lëshon lejen për futjen e kufomës në Republikën e Shqipërisë. Leja i lëshohet drejtpërdrejt të interesuarit dhe autoritetit përkatës me postë ose me faks. Autoriteti konsullor shqiptar njofton Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme, ministrinë që mbulon veprimtarinë e shërbimeve publike dhe prefektin e qarkut ose kryetarin e njësisë vendore ku do të çohet kufoma dhe/ose mbetjet mortore.
4. Për ekstradimin nga vendi të kufomave dhe/ose mbetjet mortore për në një shtet tjetër, i interesuari duhet t’i drejtojë një kërkesë prefektit të qarkut, ku ndodhet kufoma dhe/ose mbetjet mortore, të shoqëruar me dokumentet e mëposhtme:
a) miratimin për futjen e kufomës dhe/ose mbetjet mortore nga autoriteti konsullor i shtetit, në të cilin do të çohet kufoma;
b) certifikatën e organeve shëndetësore përgjegjëse, ku vërtetohet se janë respektuar të gjitha kushtet sanitare për transportimin e kufomës dhe/ose mbetjet mortore.
5. Prefekti, pasi merr kërkesën, të shoqëruar me dokumentacionin e nevojshëm, lëshon autorizimin, duke njoftuar prefektin e qarkut të pikës kufitare nga do të kalojë kufoma dhe/ose mbetjet mortore.
6. Masa e shpenzimeve, procedura që do të ndiqet, institucioni që do të ngarkohet për përballimin e shpenzimeve të varrimit, për shtetasit shqiptarë që vdesin jashtë vendit, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 28

Kushtet e veçanta për transportimin e kufomave

1. Kufomat e destinuara për ekstradim jashtë territorit të vendit ose që duhet të transportohen në njësitë bazë të qeverisjes vendore dhe me mjetin e zgjedhur të transportit mund të arrijnë vetëm pas 24 orëve, ose kur transportimi kryhet pasi kanë kaluar 48 orë nga çasti i vdekjes, duhet t’i nënshtrohen trajtimit antiprishje, duke injektuar në trupin e kufomës të paktën 500 cc formalinë, pasi të ketë kaluar periudha e observimit.
2. Kufomat që janë balsamosur nuk u nënshtrohen këtyre kushteve.

Neni 29

Transportimi i të vdekurve me sëmundje infektive

Kur vdekja ka ardhur si pasojë e një sëmundjeje infektive, ngjitëse, që bën pjesë në listën e veçantë të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, trasportimi i kufomës u nënshtrohet rregullave të veçanta, të përcaktuara me udhëzim të ministrit që mbulon këtë veprimtari.

KREU IX

SANKSIONET NDAJ SHKELËSVE

Neni 30

(Ndryshuar shkronja “b” e pikës 1 dhe pika 2 me ligjin nr. 80/2014, datë 17.7.2014)

1. Në kuptim të këtij ligji, kur shkeljet nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë si më poshtë:
a) për shkelje të nenit 5 të këtij ligji, gjoba është në vlerën 30 000 lekë;
b) për shkelje të neneve 4 pikat 1 dhe 2, 7/a, 16 pikat 1 dhe 2, 17, 18 pika 3, 19 shkronjat “a” dhe “b”, gjoba është në vlerën 20 000 lekë;
c) për shkelje të nenit 24 pikat 1 dhe 3, 25 pika 1, 28 pika 1, gjoba është në vlerën 25 000 lekë.
2. Policia bashkiake dhe policia komunale janë organet që vendosin gjobën dhe bëjnë ekzekutimin e saj, në përputhje me përcaktimet e legjislacionit në fuqi për kundërvajtjet administrative.
3. Në rast përsëritjeje të shkeljeve, policia bashkiake ose komunale bën pezullimin ose ndërprerjen e veprimtarisë për subjektet shkaktare.
4. Kur këto shkelje përbëjnë vepër penale, policia bashkiake ose komunale bën kallëzim për ndjekje penale.

Neni 31

Ankimi

1. Ankimi kundër vendimit të policisë bashkiake ose policisë komunale bëhet te kryetari i njësisë bazë të qeverisjes vendore, brenda 10 ditëve nga marrja e njoftimit. Kryetari i njësisë bazë të qeverisjes vendore duhet t’i përgjigjet ankimit brenda afatit kohor prej 30 ditësh.
2. Ankimi kundër vendimit të kryetarit të njësisë bazë të qeverisjes vendore apo kur ky i fundit nuk kthen përgjigje brenda afatit kohor të përcaktuar më sipër, bëhet brenda 30 ditëve nga marrja ose jo e njoftimit në gjykatën e rrethit.

Neni 32

Aktet nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 27 të këtij ligji.
2. Ngarkohet ministri që mbulon veprimtarinë e shërbimeve publike që, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të neneve 7 pika 3, 8, 15 pika 3 dhe 16 pika 4.
3. Ngarkohen ministri që mbulon veprimtarinë e shërbimeve publike, ministri që mbulon veprimtarinë e transportit dhe Ministri i Shëndetësisë të nxjerrin aktet nënligjore në zbatim të nenit 24 të këtij ligji.
4. Ngarkohet Ministri i Shëndetësisë të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 29 të këtij ligji.

Neni 33

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.4225, datë 14.5.2004 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu

FacebookTwitterGoogle+Share

Comments

comments

Share →