LIGJ

Nr.10 091, datë 5.3.2009

Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe të kontabilistit të miratuar[1]

(ndryshuar me ligjin nr.10 297, datë 8.7.2010, nr. 47/2016, datë 28.4.2016

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

 Shkarkoje te plote ne PDF_1

KREU I

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Qëllimi dhe objekti

 

1. Ky ligj ka për qëllim përmirësimin dhe forcimin e mbikëqyrjes publike të profesionit të audituesit ligjor, si dhe rregullimin e profesionit të kontabilistit të miratuar.

2. Ky ligj parashikon dispozitat që rregullojnë auditimin ligjor të pasqyrave financiare vjetore, individuale dhe të konsoliduara, organizimin e profesionit të audituesit ligjor, të shoqërive të auditimit, të kontabilistit të miratuar, si dhe rregullimin e organizatave profesionale në fushën e kontabilitetit.

 

Neni 2

Përkufizime

(ndryshuar me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Auditim ligjor” është një auditim i pavarur i pasqyrave financiare vjetore, individuale dhe/ose të konsoliduara, nëse:

a) kërkohet nga ky ligj;

b) kërkohet nga ligje të tjera;

c) kryhet në mënyrë vullnetare, me kërkesë të ortakëve/aksionarëve të njësive ekonomike të biznesit ose nga palë të tjera të interesuara, kur për auditimin ligjor zbatohen standarde dhe kërkesa të legjislacionit, të barasvlershme me ato që kërkohen për një auditim ligjor, sipas shkronjës “a” të kësaj pike.

2. “Auditues ligjor i huaj” është personi fizik, i licencuar për kryerjen e auditimit ligjor të pasqyrave financiare, individuale dhe/ose të konsoliduara të personave juridikë në një shtet tjetër.

3. “Auditues i grupit” është një ose disa auditues ligjorë apo një ose disa shoqëri auditimi, që kryejnë auditimin ligjor të pasqyrave financiare të konsoliduara.

4. “Komision i provimeve të aftësive profesionale” është struktura që merret me testimet e kandidatëve për auditues ligjorë dhe kontabilistë të miratuar, të cilat organizohen në kuadër të provimit përfundimtar dhe me shpalljen e rezultateve.

5. “Komiteti i regjistrimit” është struktura e organizatës profesionale të audituesve ligjorë, që merret me procedurat e regjistrimit dhe çregjistrimit në regjistrin publik të audituesve ligjorë dhe shoqërive të auditimit.

6. “Bordi i Mbikëqyrjes Publike” është organi kolegjial i mbikëqyrjes publike të audituesve ligjorë dhe shoqërive të auditimit, i cili ka, gjithashtu, kompetenca edhe për mbikëqyrjen e organizmave profesionalë të kontabilistëve të miratuar.

7. “Auditues ligjor” është individi i miratuar nga autoritetet kompetente për të kryer auditime ligjore, si dhe i regjistruar në regjistrin publik të audituesve ligjorë dhe shoqërive të auditimit, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

8. “Kandidat” është personi fizik, i cili është pranuar nga organizmi profesional i audituesve ligjorë, për të kryer praktikën profesionale të përgatitjes teoriko-praktike pranë një audituesi ligjor ose një shoqërie auditimi.

9. “Kontabilist i miratuar” është personi fizik, profesionist i lirë, i regjistruar në regjistrin e njërës prej organizatave profesionale të kontabilistëve të miratuar, që kontraktohet nga personi juridik, për të kryer shërbime të kontabilitetit. Ai mund të kryejë edhe shërbime të tjera, të cilat nuk bien në kundërshtim me kërkesat e legjislacionit në fuqi.

10. “Organizata profesionale e audituesve ligjorë” është organizmi profesional, që grupon audituesit ligjorë dhe shoqëritë e auditimit që ushtrojnë veprimtarinë në Republikën e Shqipërisë. “Instituti i Audituesve Ligjorë” është emërtimi i organizatës profesionale të audituesve ligjorë, e cila është regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë me vendimin nr.3573, datë 16.10.1998. Ky emërtim mund të ndryshohet, në përputhje me procedurat statutore të organizatës.

11. “Organizata profesionale të kontabilistëve të miratuar” janë organizimet e profesionistëve kontabilistë, që kanë jo më pak se 50 anëtarë, që e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e shërbimeve të kontabilitetit, të organizuar përkatësisht në njërën nga organizatat profesionale të kontabilistëve, në të cilat përfshihen edhe shoqëritë e kontabilitetit.

12. “Ortaku kryesor i auditimit” është:

a) audituesi ligjor, i cili, në një angazhim auditimi, është ngarkuar nga shoqëria e auditimit me përgjegjësinë kryesore për kryerjen e auditimit ligjor në emër të shoqërisë së auditimit;

b) në rastin e një auditimi të shoqërive të grupit, audituesi ligjor, i cili është ngarkuar nga shoqëria e auditimit me përgjegjësinë kryesore për kryerjen e auditimit të grupit;

c) audituesi ligjor, që nënshkruan raportin e audituesit ligjor të pavarur.

13. “Jopraktikues” është çdo individ me njohuri në fushën e auditimit ligjor dhe në fusha të lidhura me të, i cili, gjatë angazhimit në qeverisjen e sistemit të mbikëqyrjes publike të audituesve ligjorë dhe për periudhën e fundit trevjeçare, përpara këtij angazhimi, nuk ka kryer auditime ligjore, nuk ka pasur të drejtë vote në një shoqëri auditimi, nuk ka qenë anëtar i organit administrativ, mbikëqyrës apo drejtues i një shoqërie auditimi dhe nuk ka qenë i punësuar apo i angazhuar në forma të tjera në një shoqëri auditimi.

14. “Raporti i audituesit ligjor” është raporti që përgatitet nga audituesi ligjor ose shoqëria e auditimit, në pajtim me standardet ndërkombëtare të auditimit (SNA), të publikuara nga Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve.

15. “Regjistri publik i audituesve ligjorë” është regjistri i audituesve ligjorë, audituesve ligjorë të huaj dhe shoqërive të auditimit, vendase e të huaja, të cilat autorizohen të angazhohen në auditimin ligjor të pasqyrave financiare, individuale dhe të konsoliduara të entiteteve, që zhvillojnë veprimtarinë e tyre në Republikën e Shqipërisë.

16. “Rrjet i audituesve ligjorë” është një strukturë e madhe bashkëpunimi, ku marrin pjesë audituesit ligjorë dhe shoqëritë e auditimit, e cila ka për qëllim realizimin e ndarjes së fitimit apo kostos, pronësinë, drejtimin ose kontrollin e përbashkët, përdorimin e politikave dhe procedurave të njëjta të kontrollit të cilësisë, strategji biznesi të përbashkët, përdorimin e të njëjtit emër tregtar ose të një pjese të rëndësishme të burimeve profesionale.

17. “Standardet ndërkombëtare të auditimit” janë standardet e miratuara dhe të publikuara nga bordi i standardeve ndërkombëtare të auditimit dhe të dhënies së sigurisë të Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve (FNK).

18. “Standardet ndërkombëtare të raportimit financiar” janë standardet ndërkombëtare të kontabilitetit (SNK), standardet ndërkombëtare të raportimit financiar (SNRF) dhe interpretimet përkatëse (interpretimet e komitetit të përhershëm) (IKP) dhe interpretimet e komitetit të raportimit financiar ndërkombëtar (IKRFN), të miratuara nga bordi i standardeve ndërkombëtare të kontabilitetit (BSNK – IASB).

19. “Shërbimet e kontabilitetit” janë shërbimet e mbajtjes dhe përgatitjes së librave kontabël, fiskalë dhe të pagave, të kontrollit dhe verifikimit të dokumentacionit kontabël, vlerësimet dhe analizat e kostos dhe kontabilitetit të drejtimit, vlerësimit dhe zbatimit të procedurave kontabël të përgatitjes së pasqyrave financiare, analiza financiare dhe këshillime përkatëse, si dhe shërbime të tjera të ngjashme.

20. “Shoqëri auditimi” është një person juridik, pavarësisht formës së organizimit, i regjistruar në regjistrin publik të audituesve ligjorë dhe shoqërive të auditimit, i miratuar nga autoritetet kompetente për të kryer auditime ligjore dhe që plotëson kriteret e parashikuara në këtë ligj.

21. “Shoqëri audituese e huaj” është personi juridik, i krijuar në përputhje me ligjin e një shteti tjetër, i cili është regjistruar apo licencuar në atë shtet për kryerjen e auditimit të pasqyrave financiare vjetore, individuale dhe/ose të konsoliduara të subjekteve.

22. “Shoqëri e lidhur me shoqërinë audituese” është çdo shoqëri tjetër, që lidhet me shoqërinë audituese nëpërmjet pronësisë, kontrollit, drejtimit të përbashkët.

23. “Njësi ekonomike me interes publik” janë:

a) të gjitha njësitë ekonomike të listuara në bursë;

b) bankat dhe degët e bankave të huaja, si dhe subjektet e tjera financiare jobanka, të licencuara nga Banka e Shqipërisë;

c) shoqëritë e sigurimit dhe të risigurimit, shoqëritë administruese të fondeve të investimeve kolektive, shoqëritë administruese të fondeve të pensionit vullnetar;

ç) shoqëritë e tjera shtetërore ose private, të cilat janë të rëndësishme për interesin e publikut, për shkak të natyrës së biznesit, madhësisë ose numrit të punëmarrësve të tyre, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

KREU II

MBIKËQYRJA PUBLIKE E PROFESIONIT TË audituesit ligjor

DHE SHOQËRIVE AUDITUESE

 

Neni 3

Mbikëqyrja publike

 

1. Mbikëqyrja e profesionit të audituesve ligjorë dhe shoqërive audituese realizohet nga bordi i mbikëqyrjes publike, si drejtpërdrejt, duke mbikëqyrur të gjithë audituesit ligjorë dhe shoqëritë audituese, ashtu edhe përmes mbikëqyrjes së veprimtarisë së organizatës profesionale të audituesve ligjorë.

2. Qëllimi i sistemit të mbikëqyrjes publike të audituesve ligjorë dhe të shoqërive audituese është të rrisë sigurinë, që auditimet ligjore kryhen në një mjedis transparent, të kontrolluar dhe të kujdesshëm e në shërbim të interesit publik.

 

Neni 4

Bordi i Mbikëqyrjes Publike

(Ndryshuar me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

 

1. Për të realizuar mbikëqyrjen publike dhe për të siguruar që audituesit ligjorë dhe shoqëritë e auditimit të jenë subjekt i një sistemi që jep siguri për cilësinë, krijohet Bordi i Mbikëqyrjes Publike, me statusin e një autoriteti rregullator të pavarur.

2. Bordi i Mbikëqyrjes Publike përbëhet nga 5 anëtarë jopraktikues, të cilët kanë njohuri për auditimin ligjor dhe fusha të lidhura me të.

3. Anëtarët e Bordit emërohen nga Ministri i Financave, me një mandat 4-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje jo më shumë se dy herë, si më poshtë:

a) kryetari dhe tre anëtarë propozohen nga Ministri i Financave, njëri prej të cilëve përzgjidhet nga institucionet e arsimit të lartë;

b) një anëtar propozohet nga Komisioni Parlamentar përgjegjës për Ekonominë dhe Financat.

4. Anëtarët e bordit përzgjidhen sipas një procedure transparente dhe duhet të plotësojnë kriteret e mëposhtme:

a) të kenë shtetësi shqiptare;

b) të kenë integritet moral dhe profesional;

c) të mos jenë dënuar penalisht me vendim të formës së prerë;

ç) të zotërojnë, të paktën, diplomë “Master i shkencave” apo të barasvlershëm me to, sipas legjislacionit të arsimit të lartë dhe 10 vite përvojë, ose një gradë apo titull shkencor dhe 7 vite përvojë pune në çështjet e auditimit ligjor dhe të kontabilitetit;

d) të mos kenë lidhje të afërta, deri në shkallë të dytë, me personat në organet e zgjedhura të organizatës profesionale të audituesve ligjorë.

5. Bordi, në ushtrimin e funksioneve të veta mbikëqyrëse, të sigurimit të cilësisë dhe administrative, asistohet nga një strukturë mbështetëse. Punonjësit e kësaj strukture, që do të angazhohen në kontrollin e sigurimit të cilësisë duhet të plotësojnë, të paktën, kriteret e mëposhtme:

a) të kenë përfunduar studimet universitare të ciklit të dytë ose të zotërojnë diplomë universitare të ekuivalentuar me këtë nivel në profilet auditim, kontabilitet ose financë, si dhe të kenë jo më pak se 10 vjet përvojë pune në fushën e auditimit ligjor e të raportimit financiar, kombinuar me trajnime specifike për dhënien e sigurisë së cilësisë;

b) të mos ushtrojnë profesionin e audituesit ligjor dhe të mos jenë të punësuar apo të angazhuar me një auditues ligjor ose shoqëri auditimi;

c) të mos kenë konflikt interesi ndërmjet tyre dhe me audituesin ligjor ose shoqërinë e auditimit. Këta punonjës, përpara nisjes së procesit të sigurimit të cilësisë, plotësojnë një deklaratë me shkrim, ku deklarojnë se nuk janë në konflikt interesi me audituesin ligjor dhe/ose shoqërinë e auditimit, objekt të kontrollit të cilësisë.

6. Si përjashtim i shkronjës “b”, të pikës 5, të këtij neni, bordi mund të asistohet nga ekspertë për të kryer kontrolle cilësie specifike, në rastet kur:

a) numri i punonjësve të strukturës mbështetëse, që mbulojnë çështjet e dhënies së sigurisë për cilësinë është i pamjaftueshëm;

b) kur kjo konsiderohet thelbësore për kryerjen, në mënyrën e duhur, të kontrollit të cilësisë.

Ekspertët që angazhohen duhet të plotësojnë kërkesat e pikës 5, të këtij neni, dhe nuk duhet të jenë të përfshirë në qeverisjen ose të punësuar apo të kontraktuar në organizata të tjera profesionale, por mund të jenë anëtarë të këtyre organizatave.

7. Punonjësit që mbulojnë çështjet e sigurimit të cilësisë nuk mund të kryejnë kontroll cilësie për një auditues ligjor ose shoqëri auditimi derisa të kenë kaluar, të paktën, tre vjet që nga momenti që ky person ka pushuar së qeni partner, i punësuar, apo i lidhur me këtë auditues ligjor apo shoqëri auditimi.

8. Organika e strukturës mbështetëse miratohet nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të strukturës mbështetëse rregullohen në përputhje me Kodin e Punës.

9. Këshilli i Ministrave miraton:

a) procedurat e përzgjedhjes dhe rastet e shkarkimit të anëtarëve të bordit;

b) rregullat e organizimit dhe funksionimit të Bordit të Mbikëqyrjes Publike;

c) shpërblimin e anëtarëve të bordit;

ç) mënyrën e funksionimit dhe nivelin e pagave të strukturës mbështetëse.

 

Neni 4/1

Financimi i Bordit të Mbikëqyrjes Publike

(Shtuar me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

1. Financimi i veprimtarisë së Bordit të Mbikëqyrjes Publike bëhet:

a) nëpërmjet të ardhurave të mbledhura nga:

i) pagesa prej 3 për qind, e caktuar mbi shumën e honorarit të faturuar për çdo auditim të njësive ekonomike me interes publik, të paguara nga shoqëritë audituese/audituesit ligjorë, që kryejnë auditime të njësive ekonomike me interes publik;

ii) fonde të tjera, që vijnë nëpërmjet kontributit të organizatave të tjera profesionale, subjekt i mbikëqyrjes nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike;

iii) shumat që u ngarkohen audituesve ligjorë dhe shoqërive audituese, subjekt të masave disiplinore, për të mbuluar shpenzimet e procedurave disiplinore, të cilat vendosen nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike;

iv) teprica të papërdorura nga proceset e provimit përfundimtar të kandidatëve për kontabilistë të miratuar dhe auditues ligjorë;

v) fonde të tjera, nga burime të ligjshme, të pandikuara nga audituesit ligjorë, përfshirë, por pa u kufizuar në to, grantet e akorduara në kuadër të sigurimit të cilësisë dhe mbikëqyrjes së profesionit;

b) nëpërmjet Buxhetit të Shtetit, sipas përcaktimeve në ligjin vjetor të buxhetit.

2. Të ardhurat e siguruara, sipas pikës 1, të këtij neni, përdoren nga bordi për financimin e veprimtarisë e tij, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Teprica e të ardhurave, në fund të vitit buxhetor aktual, kalon në reduktim të masës së financimit nga Buxheti i Shtetit për vitin pasardhës.

3. Procedura dhe rregullat e mbledhjes së të ardhurave të shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij neni, hartohen dhe miratohen nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike.

4. Shuma prej 30 për qind e të ardhurave të arkëtuara nga gjobat derdhet në buxhetin e Bordit të Mbikëqyrjes Publike.

Neni 5

Të drejtat dhe detyrat e Bordit të Mbikëqyrjes Publike

 

1. Bordi ka këto të drejta dhe detyra:

a) harton rregullat e funksionimit të Komisionit të Provimeve të Aftësive Profesionale dhe të komitetit të regjistrimit të audituesve ligjorë dhe shoqërive audituese, të cilat i paraqiten për miratim autoriteteve të parashikuara në këtë ligj;

b) mbikëqyr, monitoron dhe vlerëson zbatimin e procedurave të testimit dhe regjistrimit të audituesve ligjorë dhe të shoqërive audituese;

c) miraton formatin e regjistrit publik të audituesve ligjorë dhe të shoqërive audituese, të regjistruara nga komiteti i regjistrimit, si dhe mbikëqyr respektimin e rregullave, në lidhje me numrin e identifikimit të audituesve ligjorë në regjistër;

ç) miraton kodin e etikës të audituesve ligjorë e të shoqërive audituese, të përgatitur dhe të propozuar nga organizata profesionale e auditueve ligjorë dhe mbikëqyr zbatimin e standardeve të këtij kodi;

d) mbikëqyr kontrollin e cilësisë, që realizohet nga organizata profesionale e audituesve ligjorë;

dh) mbikëqyr programet dhe kualifikimin e vazhdueshëm profesional të audituesve ligjorë;

e) miraton rregulloret e investigimit dhe të procedurave për marrjen e masave disiplinore;

ë) kur e gjykon të nevojshme, kryen investigime shtesë për audituesit ligjorë dhe shoqëritë audituese;

f) shqyrton dhe merr vendim për ankesat e bëra nga kandidatët, në lidhje me regjistrimin e tyre;

g) miraton dhe publikon programet vjetore të punës dhe raportet e veprimtarive të tij;

gj) shqyrton dhe merr vendim për rastet e shkeljeve disiplinore, që janë kompetencë e tij;

h) shqyrton dhe merr vendim për aspekte apo çështje të tjera, të parashikuara në këtë ligj, që janë brenda objektit të veprimtarisë së tij.

2. Bordi miraton statutet e organizatave profesionale në fushën e kontabilitetit dhe mbikëqyr organizimin dhe funksionimin e tyre.

 

Neni 6

Raportimi

(Ndryshuar me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

1. Bordi i dërgon Ministrit të Financave, një herë në vit, brenda 3-mujorit të parë të vitit pasardhës, një raport me shkrim, në të cilin bëhet një përmbledhje e jepen detaje për problemet e hasura nga audituesit ligjorë, masat e marra dhe zgjidhjet e dhëna.

2. Raporti vjetor publikohet në faqen zyrtare të Bordit të Mbikëqyrjes Publike brenda afatit të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni.

 

KREU III

ORGANIZATA PROFESIONALE E audituesve ligjorë

DHE E SHOQËRIVE AUDITUESE

 

Neni 7

Organizimi i audituesve ligjorë dhe i shoqërive audituese

 

l. Profesionistët kontabël, që e ushtrojnë veprimtarinë si auditues ligjorë, grupohen në një organizim të vetëm profesional, që rregullon në mënyrë të drejtpërdrejtë organizimin e veprimtarisë së profesionit të audituesit ligjor dhe që organizohet si person juridik, në përputhje me këtë ligj dhe statutin e tij. Për të gjitha ato çështje që nuk rregullohen në këtë ligj, zbatohen dispozitat e ligjit nr.8788, datë 7.5.2001 “Për organizatat jofitimprurëse”.

2. Organizata profesionale e audituesve ligjorë grupon të gjithë audituesit ligjorë dhe shoqëritë audituese, vendase e të huaja, të cilat janë regjistruar të tilla, për kryerjen e auditimit ligjor të pasqyrave financiare, individuale dhe/ose të konsoliduara, të shoqërive tregtare në Republikën e Shqipërisë.

3. Përveç rregullave të parashikuara nga ky ligj, statuti i organizatës profesionale të audituesve ligjorë përcakton rregulla të hollësishme për organizimin, kriteret e zgjedhjes apo emërimit, funksionimin dhe detyrat e organeve të tij. Statuti miratohet nga Ministri i Financave.

 

Neni 8

Organizimi i organizatës profesionale të audituesve ligjorë

 

Organet e organizatës profesionale të audituesve ligjorë janë:

a) asambleja e përgjithshme e anëtarëve;

b) këshilli drejtues;

c) komiteti i kontrollit të brendshëm;

ç) drejtori ekzekutiv.

 

Neni 9

Asambleja e përgjithshme e anëtarëve

(Ndryshuar me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

1. Organi më i lartë vendimmarrës është asambleja e përgjithshme e anëtarëve, e cila mblidhet të paktën një herë në vit dhe, përveç kompetencave të tjera të parashikuara nga statuti, ka edhe këto kompetenca:

a) me votim të fshehtë zgjedh anëtarët e këshillit drejtues, ndër individët që kanë paraqitur kandidaturën për këto poste, të cilët më pas zgjedhin kryetarin, zëvendëskryetarin dhe drejtorin ekzekutiv, sipas procedurave dhe kritereve të përcaktuara në statutin e organizatës profesionale të audituesve ligjorë.

b) zgjedh anëtarët e komitetit të kontrollit të brendshëm;

c) Shfuqizuar.

2. Asambleja e përgjithshme e anëtarëve mblidhet në përputhje me dispozitat e ligjit nr.8788, datë 7.5.2001 “Për organizatat jofitimprurëse” dhe me dispozitat e statutit të organizatës profesionale të audituesve ligjorë.

 

Neni 10

Këshilli drejtues

(Ndryshuar pika 3, me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

1. Këshilli drejtues kryen drejtimin e veprimtarisë, në pajtim me vendimet e asamblesë së përgjithshme të anëtarëve, së cilës edhe i raporton për veprimtarinë e tij.

Këshilli drejtues përbëhet nga 7 anëtarë dhe organizohet si më poshtë:

a) kryetari;

b) zëvendëskryetari;

c) anëtarë përgjegjës për çështje të tjera, të ndara sipas fushës profesionale.

2. Kryetari i këshillit drejtues është organi që përfaqëson organizatën profesionale të audituesve ligjorë. Ai ka, gjithashtu, kompetencën për thirrjen e asamblesë së përgjithshme të anëtarëve. Në rast pamundësie apo pengimi, zëvendëskryetari mund ta thërrasë mbledhjen e jashtëzakonshme të anëtarëve. Statuti mund të miratojë rregulla të tjera shtesë, për raste të tjera të thirrjes së asamblesë së përgjithshme.

3. Kryetari dhe zëvendëskryetari zgjidhen për një periudhë katërvjeçare, me të drejtë rizgjedhje vetëm një herë.

Anëtarët e tjerë të këshillit drejtues zgjidhen për një periudhë katërvjeçare, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm pas kalimit të një afati katërvjeçar nga përfundimi i mandatit.

4. Kriteret e përzgjedhjes së individëve, që emërohen në këshillin drejtues, të drejtat dhe detyrimet e këshillit drejtues, veprimtaria, si dhe procedurat e vendimmarrjes së këshillit drejtues rregullohen nga statuti i organizatës profesionale të audituesve ligjorë.

 

Neni 11

Administrimi i veprimtarisë së organizimit profesional

të audituesve ligjorë

 

1. Administrimi i përditshëm i veprimtarisë kryhet nëpërmjet organeve administrative, që drejtohen nga drejtori ekzekutiv.

2. Funksionet në organet e zgjedhura nuk rregullohen në bazë të ndonjë kontrate punësimi. Asambleja e përgjithshme e anëtarëve mund të miratojë shpërblime fikse për pjesëmarrje të personave të zgjedhur ose të emëruar në organet drejtuese.

3. Anëtarët e Komisionit të Provimeve të Aftësive Profesionale, të komitetit të regjistrimit dhe anëtarët e komisioneve apo komiteteve, të parashikuara nga ky ligj apo nga statuti i organizatës së audituesve ligjorë, kanë të drejtën e një shpërblimi fiks për ditë të pjesëmarrjes në veprimtarinë e organit përkatës. Masa e këtij shpërblimi miratohet nga bordi, sipas propozimit të këshillit drejtues.

4. Anëtarët e organeve drejtuese të organizatës dhe të autoriteteve apo komisioneve, të përmendura në pikën 3 të këtij neni, gëzojnë të drejtën e rimbursimit të shpenzimeve të kryera prej tyre për shërbime në interes të organizatës, përkundrejt paraqitjes së dokumenteve justifikuese përkatëse.

 

Neni 12

Kompetencat e organizatës profesionale

të audituesve ligjorë

(Ndryshuar shkronja “a” dhe “c” të pikës 2, me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

1. Organizata profesionale e audituesve ligjorë ka për objekt të veprimtarisë të sigurojë ushtrimin e profesionit, në përputhje të plotë me interesat e publikut, mbrojtjen e pavarësisë dhe të nderit të anëtarëve të tij.

2. Organizata profesionale e audituesve ligjorë ka këto të drejta e detyra:

a) harton kurrikulat për programin e përgatitjes dhe trajnimeve profesionale për kandidatët që kërkojnë të hyjnë në profesion, bazuar në standardet e pranuara ndërkombëtare të edukimit të Bordit të Standardeve Ndërkombëtare të Edukimit Kontabël, dhe organizon e monitoron procesin e trajnimit;

b) harton dhe miraton rregullat e praktikës profesionale, ku parashikohen hollësi për komisionin e praktikës profesionale, hyrjen në praktikën profesionale, kualifikimin, ndjekjen, raportimin, kontrollin, testimin paraprak, raportimet periodike, si dhe drejtuesit e praktikës profesionale;

c) harton programet e kualifikimit të vijueshëm të anëtarëve të tij, përcakton rregullat për organizimin dhe monitorimin e kualifikimit të vijueshëm të tyre, ku përfshihen mënyrat dhe format e kryerjes së trajnimit, monitorimi, njohja dhe ekuivalentimi i formave të ndryshme të trajnimit, që realizohen nga palë të treta, si dhe organizon e monitoron kualifikimin e vijueshëm.

ç) organizon sistemin e kontrollit të cilësisë së punës së audituesve ligjorë dhe shoqërive audituese, kryen investigimin e nevojshëm të rasteve të shkeljeve të standardeve teknike dhe të etikës profesionale, si dhe zbaton rregulloret e investigimit e të disiplinës për aspekte brenda objektit të vet;

d) merr pjesë në organizatat ndërkombëtare të profesionit dhe udhëheq veprimtarinë për përmbushjen e detyrimeve, që rrjedhin nga anëtarësia;

dh) mban dhe përditëson regjistrin publik të audituesve ligjorë dhe shoqërive audituese;

e) u paraqet organeve dhe institucioneve shtetërore çdo informacion për profesionin, në bazë të të cilit janë organizuar anëtarët e vet, si dhe ka detyrë të paraqitet kur thirret nga këto organe e autoritete për çështje që kanë të bëjnë me këtë profesion;

ë) siguron se anëtarët e tij zbatojnë praktikat më të mira në fushën e standardeve profesionale dhe të etikës;

f) kryen çdo detyrë tjetër, që është brenda objektit të veprimtarisë, të përcaktuar në këtë ligj dhe në statut;

g) përgatit aktet vetërregullatore dhe/ose akte të tjera nënligjore, në zbatim të këtij ligji, të cilat i nënshtrohen miratimit, sipas rastit, nga bordi dhe/ose Ministri i Financave.

3. Statuti parashikon organet e ngarkuara për plotësimin dhe ndjekjen e secilës prej detyrave dhe kompetencave të parashikuara në pikën 2 të këtij neni.

 

Neni 13

Burimet dhe përdorimi i të ardhurave

 

1. Pasuria e organizatës profesionale të audituesve ligjorë përbëhet nga:

a) gjendja e trashëguar nga veprimtaria e Institutit të Audituesve Ligjorë të Autorizuar;

b) të ardhurat nga kuotat, që paguajnë anëtarët e tij, të cilat përcaktohen sipas statutit;

c) shumat e arkëtuara për gjobat dhe penalitetet e vendosura ndaj anëtarëve të tij, në rast të shkeljeve disiplinore;

ç) të ardhurat nga veprimtari të tilla, si publikimi i materialeve, kualifikimi i praktikantëve dhe i vijueshëm, si dhe shërbime që kryen për të tretët;

d) të ardhurat nga investimet e aktiveve;

dh) donacionet, projektet dhe të ngjashme, të dhëna në kuadër të zhvillimit të profesionit;

e) të ardhura të tjera nga burime të ligjshme.

2. Vendimmarrja për përdorimin e fondeve i nënshtrohet dispozitave të statutit të organizatës.

 

Neni 14

Procedurat e investigimit dhe të marrjes së masave disiplinore

 

1. Organizata profesionale e audituesve ligjorë vë në funksionim një sistem efikas investigimi dhe monitorimi të disiplinës, si dhe respekton procedurat e kryerjes së investigimit, me qëllim zbulimin, korrigjimin dhe parandalimin e mangësive, që mund të vërehen gjatë kryerjes së shërbimit të auditimit ligjor dhe të shërbimeve profesionale të tjera dhe të lidhura nga audituesit ligjorë të autorizuar.

2. Rregulloret e investigimit dhe të procedurave për marrjen e masave disiplinore miratohen nga bordi, sipas propozimit të këshillit drejtues. Këshilli drejtues, kur kjo i kërkohet, vë në dispozicion stafin e vet dhe asiston bordin, me cilësinë e sekretariatit teknik.

3. Organizata profesionale e audituesit ligjorë siguron publikimin e masave të marra dhe/ose sanksioneve të dhëna nga bordi ndaj audituesve ligjorë ose shoqërive audituese.

 

KREU IV

audituesi ligjor DHE SHOQËRIA AUDITUESE

Seksioni I

Përgatitja e audituesve ligjorë

Neni 15

Praktika profesionale dhe hyrja në profesion

(Ndryshuar me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

1. Përpara se të testohet në provimin përfundimtar për marrjen e titullit “Auditues ligjor”, me qëllim që të regjistrohet në regjistrin publik të audituesve ligjorë, kandidati duhet të ketë:

a) përmbushur të gjitha kërkesat e parashikuara në këtë ligj për hyrjen në profesion;

b) kaluar me sukses të gjitha testet e parashikuara në programin e përgatitjes profesionale, të hartuara në zbatim të nenit 18 të këtij ligji;

c) kryer gjysmën e praktikës profesionale, e cila zgjat në total 3 vjet, në kushtet e punësimit me kohë të plotë në auditimin e pasqyrave financiare vjetore, individuale dhe/ose të konsoliduara ose pasqyrave financiare të tjera, të ngjashme, pranë një audituesi ligjor ose shoqërie auditimi të njohur në Republikën e Shqipërisë, që dallohet për reputacion të mirë dhe nën udhëheqjen e audituesve ligjorë që kanë garancitë e mjaftueshme për këtë qëllim.

Të paktën, dy të tretat e kësaj praktike profesionale duhet të kryhen pranë një audituesi ligjor ose një shoqërie audituese, të regjistruar në Republikën e Shqipërisë.

2. Kandidati duhet të vërtetojë se gjatë praktikës profesionale me një auditues ligjor apo një shoqëri audituese ka kryer jo më pak se 600 orë pune në vit, si i angazhuar në auditimin ligjor të pasqyrave financiare, individuale dhe/ose të konsoliduara.

3. Organizata profesionale e audituesve ligjorë, sipas kompetencave të parashikuara në statut, siguron që praktika profesionale të kryhet në përputhje me kërkesat e parashikuara në pikën 1 të këtij neni.

4. Audituesi ligjor apo shoqëria audituese, që ka nënshkruar kontratë me kandidatin, i raporton organizatës profesionale të audituesve ligjorë çdo gjashtë muaj për ecurinë e kandidatit dhe përfundimin e praktikës profesionale.

5. Gjatë kryerjes së praktikës profesionale kandidatët duhet të përmbushin detyrimet e praktikës profesionale dhe të punës, të thellojnë njohuritë profesionale, të jenë të bindur e të denjë për profesionin dhe t’i nënshtrohen çdo kontrolli nga ana e organizatës profesionale të audituesve ligjorë për punën e tyre.

6. Përjashtohen vetëm nga detyrimi për të kryer praktikën profesionale, sipas shkronjës “c”, të pikës 1, të këtij neni, individët që, për pesëmbëdhjetë vjet, kanë qenë të angazhuar në veprimtari profesionale, të cilat u kanë dhënë mundësi të fitojnë përvojën e mjaftueshme në fushën e kontabilitetit, auditimit, financës dhe legjislacionit. Këta individë i nënshtrohen të njëjtit proces testimi, të cilit i nënshtrohen edhe kandidatët. Propozimi për çdo rast përjashtimi nga detyrimi i kryerjes së praktikës profesionale bëhet me vendim të këshillit drejtues të organizatës profesionale të audituesve ligjorë dhe miratohet nga bordi i mbikëqyrjes publike. Kopje e vendimit i dërgohet Komisionit të Provimeve të Aftësive Profesionale.

7. Përjashtohen nga detyrimi për kryerjen e praktikës profesionale shtetasit shqiptarë, të cilët kanë fituar titullin CPA apo ACCA në një shtet tjetër dhe që janë anëtarë të një organizmi profesional të audituesve ligjorë në një shtet tjetër.

 

Neni 16

Kushtet e pranimit të kandidatëve në praktikën profesionale

(ndryshuar me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

Për t’u pranuar në praktikën profesionale, kandidati duhet të plotësojë këto kushte:

a) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

b) të mos jetë dënuar penalisht ose me dënim plotësues, të natyrës që vë në dyshim ndershmërinë e tij;

c) Shfuqizuar.

ç) të ketë përfunduar, të paktën, studimet universitare të ciklit të dytë, në nivelin “Master”, ose të zotërojë diplomë universitare të ekuivalentuar me këtë nivel për çdonjerën nga degët e studimit në shkencat ekonomike, si kontabilitet, financë, administrim biznesi, ekonomik apo të barasvlershme me to.

 

Seksioni II

testimi dhe regjistrimi i audituesve ligjorë

 

Neni 17

Komisioni i Provimeve të Aftësive Profesionale

(Ndryshuar me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

1. Për të realizuar testimet, në kuadrin e provimit përfundimtar të aftësive profesionale të kandidatëve për auditues ligjorë, pranë Bordit të Mbikëqyrjes Publike ngrihet dhe funksionon Komisioni i Provimeve të Aftësive Profesionale (KPAP).

2. Komisioni i Provimeve të Aftësive Profesionale përbëhet nga pesë anëtarë, të cilët emërohen nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike për një periudhë katërvjeçare, sipas propozimeve të mëposhtme:

a) kryetari nga Ministri i Financave;

b) dy anëtarë nga organizata profesionale e audituesve ligjorë;

c) një anëtar nga organizmat profesionalë apo Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit;

ç) një anëtar nga profesorati i fushës të universiteteve.

3. Përfaqësuesit e parashikuar në pikën 2, të këtij neni, duhet të kenë përfunduar, të paktën, studimet universitare të ciklit të dytë, në nivelin “Master” ose të zotërojnë diplomë universitare të ekuivalentuar me këtë nivel, si dhe të jenë specializuar në fushat e ekonomisë dhe/ose të jurisprudencës, të lidhura me auditimin, kontabilitetin e financën, me përvojë profesionale jo më të vogël se dhjetë vjet, ose 7 vite përvojë pune, në rast se mbajnë një gradë apo titull shkencor.

4. Komisioni i Provimeve të Aftësive Profesionale merret me zbatimin e procedurave të testimit, në kuadrin e provimit përfundimtar të aftësive profesionale të kandidatëve që kanë përmbushur kërkesat e parashikuara në nenin 15 të këtij ligji.

5. Rregullat e funksionimit të Komisionit të Provimeve të Aftësive Profesionale hartohen dhe miratohen nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike.

6. Rregullat, procedurat e testimit dhe sistemi i vlerësimit për çdo disiplinë të parashikuar në nenin 18, të këtij ligji, propozohen nga organizata e audituesve ligjorë dhe miratohen nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike.

7. Sekretaria teknike për organizimin e provimit përfundimtar kryhet nga organizata profesionale e audituesve ligjorë, nën mbikëqyrjen e Bordit të Mbikëqyrjes Publike.

 

Neni 18

Provimi i aftësive profesionale

(Ndryshuar me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

1. Për të kryer testimet, në kuadrin e provimit përfundimtar të aftësive profesionale, kandidatët duhet t’i drejtojnë kërkesë me shkrim Komisionit të Provimeve të Aftësive Profesionale, e cila depozitohet pranë organizatës profesionale të audituesve ligjorë. Ajo duhet të shoqërohet me dokumentet e nevojshme, që tregojnë përmbushjen e kërkesave dhe pranimin në praktikën profesionale, ose që kandidati ka fituar të drejtën e përjashtimit nga kryerja e praktikës profesionale.

2. Të gjitha testet për njohuritë e aftësive profesionale duhet të jenë në përputhje me kërkesat e standardeve ndërkombëtare të edukimit të Bordit të Standardeve Ndërkombëtare të Edukimit Kontabël (IAESB). Sistemi i provimeve të aftësive teorike profesionale duhet të përfshijë, në veçanti, disiplinat:

a) teori dhe parime të kontabilitetit;

b) kërkesat ligjore dhe standardet për përgatitjen e pasqyrave financiare vjetore dhe të konsoliduara;

c) standardet ndërkombëtare të kontabilitetit;

ç) analizë financiare;

d) kontabilitet kostoje dhe drejtimi;

dh) menaxhim risku dhe kontroll i brendshëm;

e) auditimi dhe aftësitë/zotësitë profesionale;

ë) kërkesat ligjore dhe standardet profesionale për auditimin ligjor dhe audituesit ligjorë;

f) standardet ndërkombëtare të auditimit;

g) etika profesionale dhe pavarësia.

3. Sistemi i testimit duhet të mbulojë, në masën që këto i interesojnë auditimit ligjor, edhe disiplinat e mëposhtme:

a) legjislacioni për shoqëritë tregtare dhe qeverisja e shoqërive tregtare;

b) legjislacioni dhe procedurat e falimentimit;

c) legjislacioni fiskal në Republikën e Shqipërisë;

ç) e drejta civile;

d) legjislacioni për sigurimet shoqërore dhe e drejta e punës në Republikën e Shqipërisë;

dh) teknologjia e informacionit dhe sistemet kompjuterike;

e) ekonomiks;

ë) matematikë dhe statistikë;

f) parimet bazë të menaxhimit financiar.

Programi i përgatitjes profesionale hartohet çdo vit nga organizata profesionale e audituesve ligjorë.

4. Përpara se të marrin pjesë në testimet e parashikuara në kuadrin e provimit përfundimtar të aftësive profesionale, kandidatët duhet të provojnë se kanë kaluar me sukses të gjitha provimet e aftësive teorike profesionale, që përfshihen në programin e miratuar nga organizata profesionale e audituesve ligjorë, të hartuar sipas kërkesave të pikave 2 e 3, të këtij neni. Për të gjitha ato disiplina, që nuk janë trajtuar nga institucionet përkatëse të arsimit të lartë, organizohen provime të veçanta nga organizata profesionale e audituesve ligjorë, në bashkëpunim me institucionet e arsimit të lartë, me të cilat ajo ka nënshkruar marrëveshje.

5. Provimi përfundimtar i aftësive profesionale garanton shkallën e nevojshme të njohurive teorike rreth disiplinave që lidhen me auditimin ligjor dhe aftësinë për të vënë në praktikë njohuri të tilla. Ai realizohet nëpërmjet jo më pak se 4 testeve me shkrim dhe përfshin vlerësimin e aftësive të kandidatëve për auditues ligjorë, për të zbatuar në praktikë e për të bërë gjykime profesionale në një shkallë të avancuar, në fushat e mëposhtme:

a) raportimi dhe përgatitja e pasqyrave finan-ciare, sipas standardeve kombëtare e ndër-kombëtare të raportimit financiar;

b) zbatimi në praktikë i legjislacionit mbi të drejtën civile, të drejtën penale, legjislacionit tregtar dhe të drejtën e punës në Republikën e Shqipërisë, në masën që këto i interesojnë profesionit të auditimit ligjor të pasqyrave financiare;

c) zbatimi në praktikë i kërkesave të legjislacionit të tatimeve dhe taksave në Republikën e Shqipërisë;

ç) zbatimi në praktikë i kërkesave të etikës profesionale dhe procedurat e punës për auditimin e pasqyrave financiare, sipas kërkesave të standardeve ndërkombëtare të auditimit;

d) zbatimi i modeleve të duhura të organizimit, drejtimit, qeverisjes dhe kontrollit të brendshëm të njësive ekonomike të biznesit (personave juridikë);

dh) përdorimi i sistemeve të informacionit dhe të informatikës.

6. Testimet, në kuadër të provimit përfundimtar të aftësive profesionale, zhvillohen, të paktën, një herë në vit, në datat e miratuara nga Komisioni i Provimeve të Aftësive Profesionale.

7. Kandidatët që kanë fituar titullin “Kontabilist i miratuar”, pasi kanë kaluar testet e provimit përfundimtar të aftësive profesionale, që parashikohen në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 5, të këtij neni, kalojnë drejtpërdrejt në testet e disiplinave të tjera të provimit përfundimtar të aftësive profesionale, të parashikuara në shkronjat “ç”, “d”, dhe “dh”, të pikës 5, të këtij neni, nëse kanë plotësuar kërkesat e parashikuara në nenin 15, pika 1, shkronjat “a”, “b” dhe “c”, dhe kushtet dhe programi i provimeve të dhëna nuk kanë pësuar ndryshime të konsiderueshme, për shkak të ndryshimeve thelbësore të legjislacionit të përfshirë në këto nënndarje.

8. Kostot administrative të organizimit të testimit përballohen nga kandidatët.

9. Shtetasit shqiptarë apo të huaj, të cilët kanë kaluar një provim universitar apo ekuivalent, ose kanë një diplomë universitare apo kualifikim ekuivalent në një apo më shumë nga disiplinat e përcaktuara në pikat 2 e 3, të këtij neni, mund të përjashtohen nga testimi i aftësive teorike profesionale për disiplinat e mbuluara nga këto provime ose diploma.

10. Përjashtohen nga kryerja e praktikës profesionale dhe detyrohen të kryejnë vetëm testimet, në kuadrin e provimit përfundimtar të aftësive profesionale, në disiplinat e legjislacionit fiskal, të shoqërive tregtare, sigurimeve shoqërore, të drejtën e punës dhe të drejtën civile, në masën që këto i interesojnë auditimit ligjor, shtetasit shqiptarë dhe të huaj që kanë fituar titullin “Auditues ligjor” apo ekuivalentin e tij dhe janë të regjistruar për të ushtruar veprimtarinë si anëtarë të një organizate profesionale të audituesve ligjorë në një shtet tjetër, kur programi i përgatitjes së tyre vlerësohet nga organizata profesionale e audituesve ligjorë se është në pajtueshmëri, në masën jo më pak se 75 për qind, me programin e përgatitjes së audituesve ligjorë në Shqipëri.

11. Rregullat, procedurat dhe dokumentacioni që paraqitet për përjashtimin nga testet e provimit përfundimtar të aftësive profesionale miratohen nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike, me propozimin e organizatës profesionale të audituesve ligjorë.

 

Neni 19

Komiteti i regjistrimit

(Ndryshuar me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

1. Organizata profesionale e audituesve ligjorë krijon një komitet për zbatimin e procedurave të regjistrimit në regjistrin publik të audituesve ligjorë dhe të shoqërive të auditimit, vendas/e dhe të huaj/a.

2. Komiteti i regjistrimit përbëhet nga pesë anëtarë, të cilët emërohen nga këshilli drejtues i organizatës profesionale të audituesve ligjorë për një periudhë katërvjeçare, sipas propozimeve të mëposhtme:

a) tre anëtarë, nga këshilli drejtues i organizatës profesionale të audituesve ligjorë;

b) dy anëtarë, respektivisht nga ministria përgjegjëse për financat dhe ministria përgjegjëse për ekonominë, me profil në fushën e ekonomisë dhe/ose jurisprudencës, si dhe me njohuri në fushën e kontabilitetit, auditimit dhe financës.

3. Rregullat e hollësishme të funksionimit të komitetit të regjistrimit dhe procedurat e marrjes së vendimeve e të miratimit të regjistrimit hartohen nga organizata profesionale e audituesve ligjorë dhe miratohen nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike.

4. Administrimi i procesit të regjistrimit bëhet nga organizata profesionale e audituesve ligjorë. Kostot e regjistrimit përballohen nga kandidatët që kërkojnë regjistrim, të cilët paguajnë një tarifë për regjistrim dhe çregjistrim, masa e së cilës përcaktohet nga organizata profesionale e audituesve ligjorë, bazuar në kostot mesatare të regjistrimit. Tarifa e regjistrimit është e ndryshme për kërkesat për regjistrim si shoqëri auditimi dhe për ato si auditues ligjor.

5. Komiteti i regjistrimit mblidhet një herë në dy muaj, në javën e parë të muajit pasardhës.

 

Neni 20

Regjistrimi i audituesve ligjorë

 

1. Regjistrimi i audituesve ligjorë është procesi i përfshirjes së tyre në regjistrin publik të audituesve ligjorë.

2. Kërkesa e kandidatit për regjistrim i adresohet, me shkrim, komitetit të regjistrimit, përmes organizatës profesionale të audituesve ligjorë. Kërkesa duhet të shoqërohet me dokumentet e nevojshme, që tregojnë për përfundimin me sukses të provimeve të aftësisë profesionale, si dhe të deklaratës së lëshuar në përgjegjësinë personale të individit, për dhënien fund të papajtueshmërive, që kërkohen për ushtrimin e profesionit në praktikë dhe për garancitë etike e morale.

3. Audituesit ligjorë të regjistruar nga komiteti i regjistrimit përfshihen në regjistrin publik, që mbahet dhe përditësohet nga organizata profesionale e audituesve ligjorë. Vetëm pas kësaj përfshirjeje, ata kanë të drejtë të kryejnë veprimtarinë e auditimit ligjor të pasqyrave financiare, individuale dhe/ose të konsoliduara të shoqërive tregtare, si edhe të kryejnë shërbime të tjera apo shërbime të lidhura, kur ato nuk bien ndesh me kërkesat e parashikuara në këtë ligj, me standardet profesionale dhe me kodin e etikës.

 

Neni 21

Regjistrimi i shoqërive audituese

 

Komiteti i regjistrimit e regjistron një shoqëri audituese për kryerjen e auditimit ligjor të pasqyrave financiare, individuale dhe/ose të konsoliduara të shoqërive tregtare, që veprojnë në Republikën e Shqipërisë, në qoftë se shoqëria audituese plotëson kushtet e mëposhtme:

a) është themeluar në përputhje me kërkesat e ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” dhe, kur është e huaj, është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit;

b) shumica e të drejtave të votës në kapitalin e shoqërisë zotërohen nga shoqëri audituese, vendase ose të huaja, ose nga auditues ligjorë;

c) shumica deri në maksimumin 75 për qind e anëtarëve të organit drejtues ose administrativ të shoqërisë audituese janë auditues ligjorë, vendas ose të huaj, të njohur nga komiteti i regjistrimit dhe të regjistruar në regjistrin publik të audituesve ligjorë. Kur organi drejtues ose administrativ nuk ka më shumë se dy anëtarë, të paktën njëri prej këtyre anëtarëve duhet të plotësojë kushtet e përmendura në këtë shkronjë;

ç) shoqëria angazhon auditues ligjorë, vendas ose të huaj, të cilët janë të regjistruar në regjistrin publik të audituesve ligjorë;

d) shoqëria gëzon reputacion të mirë.

 

Neni 22

Regjistrimi i audituesve ligjorë të huaj

 

1. Për t’u regjistruar në regjistrin publik, audituesi ligjor i huaj fillimisht i drejtohet, me një kërkesë me shkrim, për dhënien e provimit të aftësive profesionale, Komisioni i Provimeve të Aftësive Profesionale, duke paraqitur dokumentacionin e nevojshëm, që tregon për titullin e marrë në një shtet tjetër.

2. Përmbajtja e dokumentacionit, që paraqitet për regjistrimin e audituesit ligjor të huaj dhe të shoqërive të huaja audituese në regjistrin publik të audituesve ligjorë, përcaktohet nga bordi dhe miratohet nga Ministri i Financave.

3. Këshilli drejtues i organizatës profesionale bën vlerësimin e pajtueshmërisë së kushteve të përgatitjes së audituesit ligjor të huaj me kushtet e përgatitjes së audituesve ligjorë vendas dhe i dërgon një raport komitetit të regjistrimit.

4. Testi kryhet në gjuhën shqipe ose në atë angleze dhe mbulon njohuritë e mjaftueshme, që i nevojiten audituesit ligjor, për ligjet dhe rregullat që zbatohen në Republikën e Shqipërisë në masën që ato kanë lidhje me kontabilitetin e auditimin ligjor.

 

Neni 23

Pezullimi i veprimtarisë dhe riregjistrimi në regjistrin publik

të audituesve ligjorë

 

1. Audituesi ligjor i autorizuar, me një kërkesë për pezullimin e ushtrimit të veprimtarisë, mund të kërkojë të tërhiqet përkohësisht nga ushtrimi i profesionit.

2. Kërkesa për pezullim i drejtohet me shkrim komitetit të regjistrimit, përmes organizatës profesionale të audituesve ligjorë. Ajo duhet të jetë e motivuar dhe të tregojë veprimtarinë e re, që do të ndërmarrë i interesuari, si dhe periudhën për të cilën kërkohet pezullimi apo, kur kjo periudhë nuk mund të identifikohet, datën, në të cilën kërkohet të fillojë pezullimi.

3. Komiteti i regjistrimit e shqyrton kërkesën në mbledhjen më të parë dhe, nëse çmon se veprimtaria e tij e re nuk është e natyrës që u sjell dëm interesave etikë e moralë të profesionit, e miraton kërkesën dhe vendos fshirjen e përkohshme të të interesuarit nga regjistri publik i audituesve ligjorë. Kopje e vendimit i dërgohet regjistrit publik të audituesve ligjorë.

4. Audituesi ligjor ka të drejtë të nisë veprimtarinë e re përpara marrjes së vendimit nga komiteti i regjistrimit, me kusht që të informojë për këtë, me shkrim, organizatën profesionale të audituesve ligjorë, të paktën dhjetë ditë më parë, të ketë shlyer derdhjen e kuotave të tij dhe të ketë pushuar veprimtarinë si auditues ligjor. Në rastet kur audituesi ligjor ka nisur veprimtarinë e re përpara marrjes së vendimit nga komiteti i regjistrimit dhe komiteti i regjistrimit vëren, gjatë shqyrtimit, se veprimtaria e tij e re është e natyrës, që u sjell dëm interesave etikë e moralë të profesionit, vendos çregjistrimin e audituesit ligjor nga regjistri publik i audituesve ligjorë.

5. Nga data e njoftimit të vendimit, që shpall fshirjen e përkohshme nga regjistri publik, i interesuari nuk është më anëtar i organizatës profesionale. Ai nuk mund të ushtrojë në emër të tij dhe nën përgjegjësinë e vet profesionin e audituesit ligjor dhe as ta përdorë këtë titull.

6. Fshirja e përkohshme nga regjistri publik, me kërkesën e audituesit ligjor, nuk ka efekt mbi procedurat disiplinore, të nisura për shkeljet e kryera prej tij përpara fshirjes.

7. Anëtari i tërhequr përkohësisht nga ushtrimi i profesionit mund të kërkojë riregjistrimin e tij. Riregjistrimi nga komiteti i regjistrimit bëhet nëse audituesi ligjor ka përmbushur të gjitha detyrimet e kualifikimit të vijueshëm profesional edhe gjatë kohës kur ai nuk e ka ushtruar profesionin.

Neni 24

Heqja e së drejtës për të kryer shërbimin e auditimit ligjor

për shoqëritë audituese dhe audituesit ligjorë

 

1. E drejta për ushtrimin e veprimtarisë si shoqëri audituese hiqet nga bordi, në rastet kur shkelen kushtet dhe/ose kur ndryshojnë rrethanat e parashikuara në këtë ligj, të cilat konsiderohen të domosdoshme për autorizimin e regjistrimit.

2. Bordi, në vend të heqjes së të drejtës për ushtrimin e veprimtarisë, mund të përcaktojë një kohë të arsyeshme, për të rregulluar gjendjen e pjesëmarrjes në kapital apo të pjesëmarrjes në organet drejtuese. Nëse edhe pas kalimit të afatit të përcaktuar nga bordi, gjendja nuk është rregulluar, bordi vendos heqjen e së drejtës për ushtrimin e profesionit dhe çregjistrimin nga regjistri publik.

3. E drejta për ushtrimin e profesionit të një audituesi ligjor apo të një shoqërie audituese, mund të hiqet, nëse reputacioni është dëmtuar ndjeshëm. Bordi, në vend të heqjes së të drejtës për ushtrimin e profesionit, mund të vendosë pezullimin e ushtrimit të profesionit, duke vënë në dispozicion një periudhë kohe të arsyeshme, e cila është e barabartë me pezullimin, një listë të kërkesave që duhen plotësuar, për të siguruar kthimin e reputacionit të mirë. Nëse edhe pas kalimit të afatit të përcaktuar nga bordi kërkesat nuk janë plotësuar, bordi vendos heqjen e së drejtës për ushtrimin e profesionit dhe çregjistrimin nga regjistri publik.

 

Neni 25

Kualifikimi i vijueshëm profesional

(Shtuar pikat 7 dhe 8,  me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

1. Audituesit ligjorë i nënshtrohen kualifikimit të vijueshëm profesional, i cili është i detyrueshëm dhe zgjat, të paktën, 40 orë. Periodiciteti i kryerjes së kualifikimit të vijueshëm profesional vendoset nga organizata profesionale.

2. Përveç organizimit nga organizata profesionale e audituesve ligjorë, kurset për kualifikimin e vijueshëm profesional mund të organizohen edhe nga:

a) institucione të arsimit të lartë;

b) qendra të tjera të kualifikimit profesional, të cilat kanë mjediset dhe personelin e duhur për garantimin e një kualifikimi cilësor, në përputhje me programet e miratuara për kualifikimin e vazhdueshëm profesional;

c) shoqëri audituese, të cilat kanë kapacitete për të organizuar kualifikimin për të punësuarit e vet.

3. Institucionet e arsimit të lartë, qendrat e kualifikimit profesional dhe punëdhënësit e përmendur në shkronjën “c” të pikës 2 të këtij neni, që dëshirojnë të organizojnë kurset e kualifikimit të vijueshëm profesional, vënë në dijeni bordin e mbikëqyrjes publike për këtë fakt, përpara fillimit të kësaj veprimtarie, në përputhje me vendimin e marrë në organet e veta vendimmarrëse.

4. Në përfundim të çdo kursi, audituesi ligjor pajiset me vërtetimin e plotësimit të detyrimit, si dhe të vlerësimit të marrë. Vërtetimi depozitohet pranë organizatës profesionale të audituesve ligjorë.

5. Këshilli drejtues i organizatës profesionale të audituesve ligjorë miraton mënyrën e monitorimit dhe të vlerësimit të procesit të kualifikimit të vijueshëm të anëtarëve të tij. Si pjesë e procesit të vlerësimit, këshilli drejtues mund të miratojë organizimin e testimit të njohurive të marra gjatë kualifikimeve të vijueshme, i cili duhet të bëhet jo më shpesh se një herë në tre vjet dhe jo më rrallë se një herë në pesë vjet.

6. Në përfundim të një procedure të nisur monitorimi, organizata profesionale e audituesve ligjorë publikon rezultatet e monitorimit dhe ia dërgon ato bordit të mbikëqyrjes publike. Bordi i shqyrton dhe merr vendim për masat që duhen ndërmarrë për rregullimin e situatës. Bordi, gjithashtu, merr vendim për pezullimin e ushtrimit të profesionit nga audituesit ligjorë, që nuk kanë arritur të marrin provimet e lidhura me kualifikimin e vijueshëm, apo çregjistrimin e audituesve ligjorë, të cilët kanë depozituar vërtetime të pavërteta për kryerjen e kurseve të kualifikimit të vazhdueshëm. Kopje të vendimeve i dërgohen komitetit të regjistrimit, i cili reflekton ndryshimet në regjistër.

7. Organizata profesionale e audituesve ligjorë propozon për miratim, pranë Bordit të Mbikëqyrjes Publike, rregullat e kualifikimit të vijueshëm, të shoqëruara me sanksione, të cilat nisin me gjobë dhe përfundojnë me heqjen e së drejtës së ushtrimit të profesionit deri në tre vjet, për mosplotësimin e kërkesës së edukimit të vazhdueshëm.

8. Regjistrimi i audituesve ligjorë për të ushtruar profesionin është i përvitshëm. Mospërmbushja e detyrimeve të kualifikimit të vijueshëm është kusht për mosregjistrimin e audituesve ligjorë në listën e publikueshme për të gjithë vitin pasardhës.

 

Neni 26

Çregjistrimi i audituesve ligjorë nga regjistri publik

(ndryshuar pika 2, me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

1. Audituesi ligjor fshihet përfundimisht nga regjistri publik i audituesve ligjorë në rastet kur:

a) heq dorë nga e drejta për ushtrimin e profesionit. Heqja dorë bëhet nëpërmjet deklarimit me shkrim, kopje të të cilit i dërgohen organizatës profesionale dhe bordit të mbikëqyrjes publike;

b) konstatohen parregullsi në:

i) dokumentet e nevojshme, të lidhura me provimet e aftësisë profesionale;

ii) deklarimet, të cilat rezultojnë të pavërteta, në lidhje me dhënien fund të papajtueshmërive, që kërkohen për ushtrimin e profesionit në praktikë dhe për garancitë etike e morale, të dorëzuara në çastin e bërjes së kërkesës për regjistrimin e parë në regjistrin publik;

iii) dokumentet e në faktet e deklaruara gjatë procedurave të mundshme të pezullimit të përkohshëm të ushtrimit të profesionit;

c) në përfundim të një procedure disiplinore ndaj tij, është marrë masa disiplinore e çregjistrimit nga regjistri publik;

ç) është hequr e drejta e ushtrimit të profesionit, për shkak të ndryshimit të kushteve të domosdoshme për regjistrim, të lidhura me pjesëmarrjen në kapital;

d) për shkak të shkeljeve dhe masave disiplinore të përsëritura, reputacioni i të regjistruarit është cenuar ndjeshëm;

dh) në përputhje me dispozitat e këtij ligji, bordi ka vendosur çregjistrimin nga regjistri publik;

e) individi i regjistruar në regjistrin e audituesve ligjorë arrin moshën 65 vjeç, me përjashtim të audituesve ligjorë me titull shkencor “Doktor i shkencave” apo me titull më të lartë, të cilët çregjistrohen kur arrijnë moshën 68 vjeç;

ë) vdes.

2. Organizata profesionale e audituesve ligjorë publikon, në një aneks të veçantë të regjistrit publik të audituesve ligjorë, të gjithë invididët e parashikuar në pikën 1, shkronja “e”, të këtij neni. Këta invidivë mund ta ushtrojnë profesionin e audituesit ligjor vetëm nëse janë të punësuar ose të angazhuar në një shoqëri auditimi, të regjistruar në regjistrin publik të audituesve ligjorë, që ka jo më pak se dy ortakë angazhimi dhe nën përgjegjësinë e kësaj të fundit.

3. Shoqëria audituese fshihet përfundimisht nga regjistri publik i audituesve ligjorë në rastet kur:

a) përfundon afatin e ushtrimit të veprimtarisë së parashikuar në statutin e vet;

b) e drejta për ushtrimin e veprimtarisë si shoqëri auditimi hiqet nga bordi.

 

Seksioni III

Regjistri publik

 

Neni 27

Organizimi i regjistrit publik

 

1. Organizata profesionale e audituesve ligjorë është struktura përgjegjëse që siguron:

a) mbajtjen dhe përditësimin e regjistrit publik të audituesve ligjorë dhe shoqërive audituese;

b) identifikimin e audituesit ligjor dhe të shoqërisë audituese në regjistrin publik, me një numër individual.

2. Informacioni për regjistrimin mbahet në format elektronik dhe vihet në dispozicion të publikut nëpërmjet publikimit në faqen zyrtare të organizatës profesionale të audituesve ligjorë. Për nevojat e veta, organizata profesionale e audituesve ligjorë mund të mbajë edhe regjistër në formë dokumentare.

3. Formati i regjistrit publik të audituesve ligjorë të autorizuar miratohet nga bordi dhe ai duhet të parashikojë të paktën dy seksione, të organizuara, përkatësisht, si seksioni i audituesve ligjorë dhe seksioni i shoqërive të auditimit.

4. Të dhënat e regjistrit i vihen në dispozicion Qendrës Kombëtare të Licencimit, në përputhje me legjislacionin e fushës.

 

Neni 28

Seksioni i audituesve ligjorë

 

Seksioni i audituesve ligjorë në regjistrin publik duhet të përmbajë, të paktën, informacionin e mëposhtëm, në lidhje me audituesin ligjor:

a) emrin, adresën dhe numrin e regjistrimit;

b) sipas rastit, emrin, adresën dhe numrin e regjistrimit të shoqërisë audituese, që ka punësuar audituesin ligjor të autorizuar, ose me të cilën ai ka lidhje ortakërie apo një formë lidhjeje tjetër;

c) të gjitha regjistrimet e tjera si auditues ligjor i regjistruar në vende të tjera, duke përfshirë emrin e komitetit të regjistrimit, numrin dhe datat e regjistrimit;

ç) masat disiplinore, të dhëna në adresë të audituesit ligjor apo vendimet e mëparshme, të marra nga autoritetet përgjegjëse, të cilat kanë pasur pasoja në regjistër;

d) shkarkimet e mëparshme.

Neni 29

Seksioni i shoqërive audituese

 

Seksioni i shoqërive audituese në regjistrin publik duhet të përmbajë, të paktën, informacionin e mëposhtëm:

a) emrin, adresën dhe numrin e regjistrimit;

b) formën ligjore;

c) informacione kontakti, të dhëna për administratorët kryesorë të subjektit apo për personin kryesor të kontaktit, si dhe adresën e faqes së internetit;

ç) adresën e çdo zyre në Shqipëri;

d) emrin dhe numrin e regjistrimit të të gjithë audituesve ligjorë, të punësuar nga kjo shoqëri auditimi dhe/ose të atyre që kanë lidhje ortakërie ose çdo lidhje tjetër me këtë shoqëri;

dh) emrat dhe adresat e biznesit të të gjithë ortakëve ose aksionarëve të shoqërisë;

e) emrat dhe adresat e biznesit të të gjithë anëtarëve të organeve të drejtimit ose administrimit;

ë) nëse është e mundur, anëtarësinë e rrjetit;

f) të gjitha regjistrimet e tjera si shoqëri audituese me autoritetet kompetente në vende të tjera, përfshirë komitetin e regjistrimit dhe numrin e datat e regjistrimit;

g) vendimet e mëparshme, të marra nga autoritetet përgjegjëse, në adresë të shoqërisë audituese, të audituesve ligjorë të punësuar prej saj, të cilat kanë pasur pasoja në regjistër;

gj) rastet e mëparshme të zgjidhjes së parakohshme të kontratës për auditim ligjor.

 

Neni 30

Përditësimi i informacionit të regjistrit publik

 

1. Audituesi ligjor dhe shoqëria audituese njoftojnë organizatën profesionale të audituesve ligjorë për ndryshimin e informacionit të detyrueshëm për publikim dhe të regjistruar në regjistrin publik sapo ndryshimi të ketë ndodhur.

2. Regjistri publik përditësohet menjëherë pas marrjes së njoftimit për ndryshimin e informacioneve të detyrueshme për publikim.

 

Neni 31

Gjuha e regjistrit publik

 

Regjistri publik mbahet dhe publikohet në gjuhën shqipe.

 

Seksioni IV

Etika profesionale, pavarësia dhe sekreti profesional

 

Neni 32

Etika profesionale dhe papajtueshmëritë

(ndryshuar me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

1. Organizata profesionale e audituesve ligjorë siguron që anëtarët t’i nënshtrohen zbatimit të rregullave të parashikuara në kodin e etikës, i cili hartohet në pajtim me kodin e etikës së Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve dhe miratohet nga bordi.

2. Audituesi ligjor mund ta ushtrojë profesionin:

a) në mënyrë individuale;

b) si një ortak/aksionar pjesëmarrës në kapitalin e një shoqërie audituese.

c) i punësuar te një tjetër auditues ligjor.

3. Funksioni i audituesit ligjor është i papajtueshëm me çdo angazhim, si i punësuar, me përjashtim të:

a) rasteve të parashikuara në pikën 2 të këtij neni;

b) ushtrimit të veprimtarisë së mësimdhënies me kohë të pjesshme;

c) pjesëmarrjes në seminare, konferenca apo veprimtari të ngjashme me to.

 

Neni 33

Konflikti i interest

(shtuar pika 4/1 dhe 7, me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

1. Audituesi ligjor ose shoqëria audituese, gjatë kryerjes së auditimit, duhet të jenë të pavarur nga personi juridik që auditohet dhe nuk duhet të marrin pjesë në vendimmarrjen e këtij entiteti.

2. Nëse pavarësia e audituesit ligjor ose shoqërisë audituese cenohet nga kërcënime apo presione, që lidhen me konflikte interesi, si interesi personal, familjariteti, frikësimi apo mosbesimi, audituesi ligjor ose shoqëria audituese duhet të marrë masa mbrojtëse, me qëllim që të pakësojë ose të eliminojë efektin e këtyre rrethanave në kryerjen e auditimit.

3. Nëse shkalla e kërcënimeve, në krahasim me masat mbrojtëse, është e tillë, që të rrezikohet pavarësia, audituesi ligjor ose shoqëria audituese duhet të heqë dorë nga auditimi ligjor.

4. Audituesi ligjor ose shoqëria audituese nuk duhet ta kryejnë auditimin nëse ekziston ndonjë lidhje, e drejtpërdrejtë ose e tërthortë, financiare, biznesi ose punësimi ndërmjet audituesit, shoqërisë audituese, apo rrjetit të audituesve dhe personit juridik që auditohet, kur kjo lidhje shkel pavarësinë e audituesit ligjor ose të shoqërisë audituese.

4/1. Audituesi ligjor dhe shoqëria e auditimit, krahas auditimit ligjor, mund të kryejë edhe shërbimet e kontabilitetit, shërbimet e rishikimit e të dhënies së sigurisë ose shërbime të tjera, sipas përcaktimeve të bëra për to në standardet dhe deklaratat e Bordit të Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit dhe Sigurisë (IAASB), kur ato janë në pajtim me natyrën e profesionit dhe me kërkesat e legjislacionit në fuqi. Në të gjitha këto raste duhet të zbatohen dispozitat e këtij ligji për ruajtjen e pavarësisë dhe shmangien e konfliktit të interesit.

5. Për shoqëritë e listuara në bursë, bankat ose shoqëritë e sigurimeve, audituesi ligjor ose shoqëria audituese mund të ofrojë, përveç auditimit, edhe shërbime të tjera, që nuk janë auditim ligjor, për sa kohë që një palë e tretë objektive, e arsyeshme dhe e mirinformuar nuk arrin në përfundimin se shkelet pavarësia. Ankimimi, në rast shkeljeje, bëhet pranë bordit, i cili, pasi e shqyrton rastin, vendos për pretendimin e ngritur dhe urdhëron veprimet e mëtejshme.

6. Organizata profesionale e audituesve ligjorë siguron që audituesit ligjorë ose shoqëritë audituese dokumentojnë në fletët e tyre të punës së auditimit të gjitha kërcënimet/presionet e konsiderueshme, që lidhen me pavarësinë e tyre, si dhe masat e marra për shmangien e tyre.

7. Tarifa e auditimit ligjor nuk duhet të jetë influencuar apo përcaktuar në funksion të kryerjes së shërbimeve të tjera për njësinë ekonomike të audituar dhe nuk mund të jetë bazuar në ndonjë formë tjetër kushtëzimi.

Neni 34

Konfidencialiteti dhe sekreti profesional

(shtuar një fjali në pikën 3, me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

1. Informacionet dhe dokumentet që përdoren ose mbi të cilat merret dijeni nga audituesi ligjor apo shoqëria audituese, gjatë kryerjes së auditimit, mbrohen nga konfidencialiteti dhe sekreti profesional.

2. Rregullat e konfidencialitetit dhe të ruajtjes së sekretit profesional, që lidhen me audituesit ligjorë ose shoqëritë audituese, nuk përbëjnë pengesë për zbatimin e dispozitave të këtij ligji, për zbatimin e standardeve dhe as bien ndesh me kërkesat ligjore të ligjeve të tjera, të zbatueshme në Republikën e Shqipërisë, të cilat parashikojnë marrjen e këtyre informacioneve edhe kur ato mbrohen si konfidenciale dhe pjesë të sekretit profesional.

3. Në rast zëvendësimi të audituesit ligjor ose të shoqërisë audituese, pa përfunduar angazhimi i auditimit ligjor, audituesi ligjor apo shoqëria audituese e zëvendësuar duhet të vënë në dispozion të pasardhësit të gjithë evidencën përkatëse të auditimit të mbledhur, në lidhje me atë entitet. Bordi i Mbikëqyrjes Publike miraton rregullat për transferimin e informacionit, në rastet e zëvendësimit të audituesit ligjor ose të shoqërisë audituese, pa përfunduar angazhimi i auditimit ligjor.

4. Audituesi ligjor ose shoqëria audituese, që ka ndërprerë angazhimet në një auditim të caktuar, ose një ish- audituesi ligjor ose ish-shoqëri audituese, do të vazhdojnë t’u nënshtrohen dispozitave të pikave 1 e 2 të këtij neni, në lidhje me auditimet e kryera.

 

 

Neni 35

Pavarësia dhe objektiviteti

 

1. Pronarët, ortakët ose aksionarët e një shoqërie audituese, si dhe anëtarët e organeve të drejtimit apo administrimit të kësaj shoqërie ose të një shoqërie të lidhur me të, nuk lejohen të ndërhyjnë në kryerjen e një auditimi në çdo lloj mënyre, që rrezikon pavarësinë dhe objektivitetin e audituesit ligjor, që kryen auditimin.

2. Në funksion të ushtrimit të detyrës se vet, audituesi ligjor ka të drejtën:

a) të marrë dokumente dhe të bëjë verifikime;

b) të marrë deklarata nga drejtuesit e shoqërisë për çështjet që i nevojiten;

c) të heqë dorë apo të refuzojë kryerjen e një angazhimi.

Neni 36

Rregullat e auditimit

 

1. Rregullat për programin dhe kohën e punës përcaktohen në mënyrë që të sigurohet respektimi i standardeve ndërkombëtare të auditimit.

2. Për shërbimin e auditimit ligjor, organizata profesionale e audituesve ligjorë i paraqet bordit treguesit, në lidhje me afatet kohore të auditimit ligjor.

 

Seksioni V

Standardet e punës dhe raportimi i auditimit

 

Neni 37

Standardet e auditimit

 

1. Audituesit ligjorë dhe shoqëritë audituese i kryejnë auditimet në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit.

2. Standardet ndërkombëtare të auditimit përkthehen dhe publikohen në gjuhën shqipe, në pajtim me politikën e përkthimit të bordit të standardeve ndërkombëtare të auditimit e dhënies së sigurisë (IAASB) të Federatës Ndërkombëtare të Kontabilistëve (IFAC).

3. Organizata profesionale e audituesve ligjorë siguron përkthimin, përditësimin dhe publikimin në kohën e duhur të standardeve ekzistuese, të standardeve të reja ose atyre të rishikuara.

 

Neni 38

Sistemet e dhënies së sigurisë për cilësinë

(ndryshuar me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

1. Sistemi i dhënies së sigurisë për cilësinë përfshin dy hallka:

a) kontrollin e cilësisë, që organizohet brenda shoqërisë së auditimit;

b) kontrollin e cilësisë që organizohet nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike. Bordi i Mbikëqyrjes Publike mund të delegojë kryerjen e kontrollit të cilësisë për auditimet e njësive ekonomike që nuk janë me interes publik, tek organizata profesionale e audituesve ligjorë. Organizata profesionale e audituesve ligjorë duhet të përmbushë këto kritere:

i) të demonstrojë që ka kapacitetet e duhura për të kryer këtë detyrë;

ii) të shqyrtojë çështjen e konfliktit të interesit para çdo kontrolli cilësie.

Bordi mbikëqyr këtë proces dhe revokon delegimin, kur e vlerëson të nevojshme.

2. Audituesi ligjor ose shoqëria audituese i nënshtrohet një sistemi kontrolli, që ka për qëllim dhënien e sigurisë për cilësinë e punës audituese.

3. Personat që realizojnë kontrollin e cilësisë brenda shoqërisë së auditimit duhet të jenë auditues ligjorë.

4. Sistemi i dhënies së sigurisë për cilësinë, që kryhet nga organizata profesionale e audituesve ligjorë, nëpërmjet delegimit, organizohet në mënyrë që të jetë i pavarur nga audituesit ligjorë apo shoqëritë e auditimit, të cilat kontrollohen.

5. Bordi miraton rregulla të hollësishme për organizimin e kontrollit të cilësisë për auditimet e njësive ekonomike jo me interes publik.

6. Bordi i Mbikëqyrjes Publike miraton metodologjinë e kontrollit të cilësisë për strukturën mbështetëse.

7. Audituesit ligjorë dhe shoqëritë e auditimit, që kryejnë auditime ligjore të njësive ekonomike me interes publik, si dhe të njësive ekonomike që nuk janë me interes publik, janë objekt i kontrollit të cilësisë nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike apo nga organizata profesionale e audituesve ligjorë në rastet kur kryerja e kontrollit të cilësisë i delegohet kësaj të fundit.

 

Neni 39

Procedura e kontrollit të cilësisë

(ndryshuar me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

1. Përzgjedhja e personave për kontrollin e cilësisë bëhet në bazë të një procedure objektive, e cila jep garanci se nuk ka konflikt interesash ndërmjet kontrollorit dhe audituesit ligjor ose shoqërisë audituese që kontrollohet.

2. Kontrolli i cilësisë realizohet përmes kontrollit të dosjeve të përzgjedhura të auditimit dhe përfshin një vlerësim të përputhshmërisë me standardet e zbatueshme të auditimit dhe kërkesat e etikës e pavarësisë, të cilësisë dhe sasisë së burimeve të shpenzuara, të tarifave të auditimit të ngarkuara dhe një vlerësim të sistemit të brendshëm të kontrollit të cilësisë të shoqërisë audituese.

3. Kontrolli i cilësisë shoqërohet me përgatitjen e një raporti nga kontrolluesi, që përmban konkluzionet kryesore të kontrollit të kryer. Ky raport i paraqitet komitetit të kontrollit të cilësisë. Në rast mosmarrëveshjeje ndërmjet kontrolluesit dhe të kontrolluarit, arbitrimi bëhet nga komisioni i kontrollit të cilësisë, pasi audituesi ligjor i kontrolluar, ka paraqitur, formalisht, qëndrimet e tij.

4. Kontrolli i cilësisë kryhet në bazë të një analize risku, të paktën një herë në çdo tre vjet, për audituesit ligjorë dhe shoqëritë e auditimit që auditojnë njësitë ekonomike me interes publik, dhe një herë në çdo gjashtë vjet, për audituesit ligjorë dhe shoqëritë e auditimit që auditojnë njësitë e tjera ekonomike. Për audituesit ligjorë, me jo më shumë se pesë vjet përvojë pune në profesion, ky kontroll kryhet, të paktën, një herë në dy vjet, derisa arrihet eksperienca e kërkuar.

5. Organizata profesionale e audituesve ligjorë raporton çdo vit, pranë Bordit të Mbikëqyrjes Publike, për rezultatet e sistemit të kontrollit të cilësisë për auditimet e njësive ekonomike që nuk janë me interes publik, në rastet kur ia ka deleguar bordi. Rezultatet e përgjithshme të sistemit të kontrollit të cilësisë publikohen çdo vit nga Bordi i Mbikëqyrjes Publike.

6. Rekomandimet e dhëna në përfundim të procesit të kontrollit të cilësisë duhet të ndiqen për t’u zbatuar nga audituesi ligjor ose shoqëria e auditimit, brenda një periudhe kohe të arsyeshme.

 

Neni 40

Përgjegjësia për dëmin e shkaktuar

 

Audituesi ligjor ose shoqëria audituese, gjatë ushtrimit të auditimit, ka përgjegjësinë dhe detyrimin e zhdëmtimit të pasojave financiare, që vijnë drejtpërdrejt nga gabimi apo faji i tij në punë. Pa iu shmangur kësaj përgjegjësie, audituesi ligjor apo shoqëria audituese, nga njëra anë dhe klienti i tyre, nga ana tjetër, mund të bien dakord për kufizimin e kësaj përgjegjësie, deri në një shumë të paracaktuar, në letrën e tyre të angazhimit.

 

KREU V

AUDITIMI LIGJOR I PASQYRAVE FINANCIARE, EMËRIMI DHE SHKARKIMI I audituesit ligjor DHE SHOQËRISË AUDITUESE

Neni 41[2]

Personat juridikë që detyrohen për auditimin ligjor

të pasqyrave financiare

(ndryshuar me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

Detyrohen të kryejnë auditimin ligjor të pasqyrave financiare vjetore, përpara publikimit të tyre, nga auditues ligjorë ose shoqëri audituese:

a) të gjitha shoqëritë tregtare, pavarësisht nga forma e tyre, të cilat zbatojnë standardet ndërkombëtare të raportimit financiar;

b) të gjitha shoqëritë aksionare, të cilat zbatojnë për raportimin financiar standardet kombëtare të kontabilitetit;

c) shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, të cilat zbatojnë për raportimin financiar standardet kombëtare të kontabilitetit, kur, në mbyllje të periudhës kontabël, për dy vite radhazi, tejkalojnë dy prej tre treguesve të mëposhtëm:

i) totali i aktiveve të bilancit, në mbyllje të periudhës kontabël përkatëse, arrin ose e kalon shumën prej 50 milionë lekësh;

ii) shuma e të ardhurave nga veprimtaria ekonomike (qarkullimi) në atë periudhë kontabël arrin ose e kalon shumën prej 100 milionë lekësh;

iii) ka, mesatarisht, 30 të punësuar gjatë periudhës kontabël.

 

 

Neni 42

Emërimi i audituesve ligjorë ose i shoqërive audituese

(ndryshuar pika 2, me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

1. Audituesi ligjor ose shoqëria audituese emërohet çdo vit, nga mbledhja e përgjithshme e aksionarëve, për shoqëritë aksionare, ose nga asambleja e ortakëve, për shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar.

2. Shoqëritë tregtare, të parashikuara në shkronjat “a” e “b”, të nenit 41, të këtij ligji, janë të detyruara të emërojnë për auditimin ligjor të pasqyrave financiare të tyre, të paktën, një shoqëri auditimi, që ka të regjistruar jo më pak se dy auditues ligjorë; ose dy auditues ligjorë, persona fizikë; një auditues ligjor person fizik dhe një shoqëri auditimi, që ka të regjistruar, të paktën, një auditues ligjor; apo dy shoqëri auditimi, që kanë të regjistruar, përkatësisht, vetëm një auditues ligjor.

3. Procedurat e emërimit të audituesit ligjor apo shoqërisë audituese përcaktohen, sipas rastit, nga rregullat për qeverisjen e shoqërive tregtare, nga ligjet përkatëse, kur shoqëritë veprojnë në sektorë të rregulluar, ose nga autoritetet e mbikëqyrjes së tyre apo aktet që rregullojnë funksionimin e tyre.

4. Autoritetet mbikëqyrëse të tregjeve të rregulluara me ligj të veçantë mund të parashikojnë kritere apo provime shtesë, që duhet të përmbushin audituesit ligjorë, që auditojnë personat juridikë të mbikëqyrur prej tyre.

5. Audituesi ligjor, që është person fizik dhe audituesi ligjor apo ortaku kryesor në një shoqëri audituese, që është audituesi ligjor përgjegjës për kryerjen e auditimit, në emër të shoqërisë së auditimit, duhet të zëvendësohet për kryerjen e auditimit brenda një periudhe maksimale prej 7 vjetësh nga data e caktimit si auditues ligjor dhe mund të rimarrë pjesë në auditimin e shoqërisë pas mbarimit të një afati kohor prej, të paktën, dy vjetësh.

6. Dispozitat e parashikuara në këtë nen nuk zbatohen në rast se ligji i fushës, që rregullon persona juridikë të caktuar, ka parashikuar ndryshe.

 

Neni 43

Auditimi ligjor i pasqyrave financiare të konsoliduara

 

Në rastin e auditimit ligjor të pasqyrave financiare të konsoliduara të një grupi sipërmarrjesh, audituesi ligjor i grupit:

a) mban përgjegjësi të plotë për auditimin e pasqyrave financiare të konsoliduara dhe raportin e auditimit;

b) kryen kontroll të auditimit, të bërë nga audituesit ligjorë të tjerë, si edhe në një juridiksion tjetër, për qëllimet e auditimit të grupit.

 

Neni 43/1

Raporti i auditimit

(shtuar me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

Kur shoqëria e auditimit kryen auditim ligjor, raporti i auditimit do të nënshkruhet dhe datohet nga, të paktën, njëri prej audituesve ligjorë që kryejnë auditimin ligjor në emër të shoqërisë audituese.

 

Neni 44

Shkarkimi dhe dorëheqja

 

1. Audituesi ligjor ose shoqëria audituese mund të shkarkohet përpara përfundimit të auditimit vetëm kur ka arsye të mjaftueshme. Papajtueshmëria e mendimeve për trajtimet kontabël, raportimin financiar ose procedurat e auditimit nuk përbëjnë arsye të vlefshme për shkarkim.

2. Bordi i mbikëqyrjes publike është autoriteti i shqyrtimit të ankesave për rastet e shkarkimit të audituesit ligjor apo shoqërisë audituese nga shoqëria tregtare, përpara përfundimit të angazhimit të auditimit ligjor.

3. Shoqëria tregtare, subjekt i auditimit të pasqyrave financiare dhe audituesi ligjor apo shoqëria audituese, subjekt i një kërkese për shkarkim, në mënyrë të pavarur, informojnë organizatën profesionale të audituesve ligjorë dhe japin shpjegime të mjaftueshme për arsyet. Për çdo rast të paraqitur, organizata profesionale i përgatit një relacion bordit, për shkarkimin gjatë kohës së angazhimit të auditimit ligjor.

4. Audituesi ligjor ose shoqëria audituese, në rast dorëheqjeje nga detyra e auditimit, njofton, me shkrim, organizatën profesionale për motivet e dorëheqjes. Në këtë rast, funksionin dhe përgjegjësinë e ndërmjetësimit apo shqyrtimit të konfliktit për rastin e ka kryetari i këshillit drejtues të organizatës profesionale të audituesve ligjorë.

 

KREU VI

Dispozita të posaçme për auditimin ligjor të njësive ekonomike me interes publik

(ndryshuar titulli me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

Neni 45

Raporti për transparencën

(ndryshuar me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

Audituesi ligjor ose shoqëria audituese, që kryen auditimin ligjor të njësive ekonomike me interes publik, brenda tre muajve pas mbylljes së vitit financiar, publikon në faqen zyrtare të internetit një raport për transparencën, ku përfshihen të paktën:

a) përshkrimi i strukturës ligjore dhe i pronësisë;

b) përshkrimi i rrjetit, kur shoqëria e auditimit i përket një rrjeti;

c) përshkrimi i strukturës drejtuese të shoqërisë së auditimit;

ç) përshkrimi i sistemeve të kontrollit të brendshëm të cilësisë së shoqërisë së auditimit;

d) informacioni për kryerjen e kontrollit të fundit të cilësisë;

dh) lista e njësive ekonomike me interes publik, për të cilat është kryer auditimi ligjor gjatë vitit të fundit nga shoqëria e auditimit;

e) deklaratat e praktikave të pavarësisë së shoqërisë audituese;

ë) deklarata për politikën e ndjekur nga shoqëria audituese, për kualifikimin e vijueshëm profesional të audituesve ligjorë;

f) informacioni financiar, në të cilin tregohet rëndësia e shoqërisë së auditimit, përfshirë qarkullimin, gjithsej, të ndarë në të ardhurat nga tarifat e auditimit ligjor, nga tarifat për shërbimet e tjera, nga këshillimet tatimore dhe shërbime të tjera joauditimi.

g) informacion në lidhje me bazat për shpërblimin e ortakëve të angazhimit.

Neni 46

Komiteti i auditimit të personave juridikë

(ndryshuar me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

1. Njësitë ekonomike me interes publik kanë një komitet auditimi, të përbërë nga disa ose të gjithë anëtarët joekzekutivë të organit administrativ ose anëtarët e bordit mbikëqyrës të entitetit. Të paktën njëri nga anëtarët e komitetit të auditimit është i pavarur dhe ka njohuri në kontabilitet ose auditim.

2. Komiteti i auditimit, përveç sa parashikohet në dispozita të tjera, kryen këto funksione:

a) monitoron proceset e raportimit financiar;

b) monitoron efektshmërinë e kontrollit të brendshëm të entitetit, auditimin e brendshëm;

c) angazhon dhe mbikëqyr auditimin ligjor;

ç) rishikon dhe monitoron pavarësinë e audituesit ligjor ose të shoqërisë audituese.

3. Audituesi ligjor ose shoqëria audituese raportojnë çdo vit përpara komitetit të auditimit për çështjet më të rëndësishme, që dalin nga auditimi ligjor dhe ndihmojnë komitetin në përmbushjen e detyrave të tij.

4. Shkronjat “b” dhe “c” të pikës 2 të këtij neni nuk janë të zbatueshme për bankat e licencuara në Republikën e Shqipërisë.

 

Neni 47

Pavarësia

(ndryshuar me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

1. Përveç detyrimeve të tjera, të parashikuara në këtë ligj, audituesi ligjor ose shoqëria audituese, që kryen auditimin ligjor të pasqyrave financiare të një njësie ekonomike me interes publik:

a) konfirmon çdo vit pavarësinë e vet nga subjekti i audituar;

b) paraqet çdo vit pranë komitetit të auditimit shërbimet e tjera shtesë, që i ka ofruar subjektit të audituar;

c) diskuton me komitetin e auditimit mbi kërcënimet për pavarësinë dhe masat mbrojtëse të sigurisë, të marra kundrejt tyre.

2. Audituesi ligjor ose ortaku kryesor, që kryen auditimin ligjor në emër të një shoqërie auditimi, nuk ka të drejtë të pranojë ose të kryejë funksione të rëndësishme drejtimi në njësinë ekonomike të audituar pa kaluar një periudhë kohe prej, të paktën, një viti, ose, në rastin e auditimit të njësive ekonomike me interes publik, të paktën, 2 vitesh, nga koha kur ka dhënë dorëheqjen si auditues ligjor ose ortak kryesor nga angazhimi i auditimit.

 

KREU VII

KONTABILISTI I MIRATUAR DHE

SHOQËRIA E KONTABILITETIT

Neni 48

Kontabilisti i miratuar dhe shoqëria e kontabilitetit

 

1.  Shërbimet e kontabilitetit janë përgjegjësi e drejtimit të shoqërive tregtare dhe të subjekteve të tjera, që detyrohen nga ligji ta marrin këtë shërbim.

2.  Përveçse përmes punonjësve të angazhuar me një kontratë punësimi, të hartuar në përputhje me Kodin e Punës në Republikën e Shqipërisë, shërbimet e kontabilitetit mund të realizohen edhe nga persona fizikë, të kualifikuar si kontabilistë të miratuar, ose nga shoqëritë e kontabilitetit, që angazhojnë kontabilistë të miratuar, të cilët janë certifikuar nga Komisioni i Provimeve të Aftësive Profesionale, sipas dispozitave të parashikuara në këtë ligj. Kontabilistët e miratuar mund të kryejnë edhe shërbime të tjera, që nuk bien në kundërshtim me kërkesat e legjislacionit në fuqi.

3. Shoqëritë e kontabilitetit organizohen si shoqëri tregtare, në përputhje me ligjin e fushës dhe duhet të administrohen nga një ose më shumë persona, të cilët janë pajisur me certifikatën e kontabilistit të miratuar.

4. Përveç dispozitave të parashikuara në këtë kre, anëtarët e organizatave profesionale të kontabilistëve të miratuar u nënshtrohen edhe rregullave të statutit apo rregullave të tjera të brendshme. Rregullat e brendshme të organizatës profesionale të kontabilistëve të miratuar miratohen nga mbledhja e përgjithshme e anëtarëve dhe parashikojnë rregulla për vendosjen dhe zbatimin e masave disiplinore.

 

Neni 49

Kriteret e përzgjedhjes dhe të regjistrimit të kontabilistit të miratuar

 

Titulli profesional i kontabilistit të miratuar i jepet personit fizik që dëshmon se plotëson këto kritere:

a) është pajisur me një diplomë të shkollës së lartë, sipas parashikimit të shkronjës “d” të pikës 1 të nenit 16 të këtij ligji;

b) ka, të paktën, tre vjet përvojë profesionale në fushën e kontabilitetit, të financës, kontrollit financiar dhe në fusha të ngjashme;

c) ka kryer kursin e kualifikimit në fushën e standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare të kontabilitetit dhe raportimit financiar, të organizuar ose të monitoruar nga organizata profesionale e kontabilistëve të miratuar, në të cilën individi dëshiron të anëtarësohet;

ç) kalon me sukses provimet e aftësisë profesionale.

 

Neni 50

Provimi i aftësive profesionale

(ndryshuar me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

1. Për të fituar titullin “Kontabilist i miratuar”, kandidatët që plotësojnë kriteret e parashikuara në nenin 49, të këtij ligji, i nënshtrohen provimit përfundimtar të aftësive profesionale vetëm për testet, të cilave u nënshtrohen edhe audituesit ligjorë, të parashikuar në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 5, të nenit 18, të këtij ligji.

2. Statuti i organizatës profesionale të kontabilistëve mund të parashikojë edhe provime të tjera, si kusht për anëtarësimin në organizatën respektive.

 

Neni 51

E drejta e ushtrimit të profesionit

 

1. Profesioni i kontabilistit të miratuar nga personat, që kanë kaluar provimin e aftësisë profesionale, ushtrohet vetëm pas anëtarësimit të tyre në një organizatë profesionale të kontabilistëve të miratuar, të njohur nga bordi, e cila angazhohet për ndjekjen e standardeve profesionale, cilësisht të larta dhe për zbatimin e një kodi etike, që është në pajtim me kodin e etikës të IFAC-së.

2. Organizmat profesionalë të kontabilistëve të miratuar mbajnë dhe publikojnë regjistrin e anëtarëve, i cili ndahet në katër seksionet e mëposhtme:

a) anëtarë, persona fizikë aktivë;

b) anëtarë, persona fizikë joaktivë;

c) kandidatë;

ç)   shoqëri të kontabilistëve të miratuar.

3. Organizmat hartojnë rregullat e tyre të brendshme dhe statutin, i cili është subjekt i miratimit nga bordi.

 

Neni 52

Kualifikimi i vijueshëm profesional

 

1. Dispozitat e këtij ligji, të parashikuara për kualifikimin e vijueshëm profesional të audituesve ligjor duhet të zbatohen nga organizmat profesionalë edhe për kontabilistët e miratuar, për aq sa i takon fushës, për të cilën ata janë testuar, në çastin e hyrjes në profesion.

2. Organizatat profesionale të kontabilistëve të miratuar hartojnë rregullat e brendshme për kualifikimin e vijueshëm profesional, si dhe rregullat për regjistrimin e çregjistrimin e anëtarëve.

 

Neni 53

Regjistrimi i kontabilistëve të miratuar

 

1. Regjistrimi i kontabilistëve të miratuar dhe i shoqërive të kontabilitetit, si dhe mbajtja e regjistrit e përditësimi i tij bëhen nga vetë organizmat profesionalë të kontabilistëve të miratuar.

2. Regjistri mbahet në format elektronik dhe është i hapur për personat e interesuar.

 

KREU VIII

SHKELJET DHE SANKSIONET

Neni 54

Fusha e zbatimit

 

Ky kre zbatohet vetëm për anëtarët e organizatës profesionale të audituesve ligjorë.

 

Neni 55

Shkeljet dhe masat disiplinore

(ndryshuar me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

1. Masat disiplinore për audituesit ligjorë dhe shoqëritë e auditimit janë:

a) vërejtje me shënim në regjistrin publik;

b) gjobë;

c) pezullim i përkohshëm, për një kohë jo më shumë se pesë vjet;

ç) fshirje e përhershme nga regjistri publik, e cila përmban ndalimin, përgjithmonë, të ushtrimit të profesionit.

2. Masa disiplinore e përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni, jepet në rastet kur shkelja e konstatuar nuk plotëson kriteret për marrjen e masave disiplinore të parashikuara në shkronjat “b”, “c” dhe “ç”, të pikës 1, të këtij neni.

3. Dënimi me gjobë në masën nga 50 000–100 000 lekë jepet në rastet kur audituesi ligjor ka bërë kërkesë për çregjistrim, me arsyen e fillimit të një veprimtarie të re, dhe e ka nisur veprimtarinë e re, që u sjell dëm interesave etikë e moralë të profesionit, përpara marrjes së vendimit nga komiteti i regjistrimit, sipas afateve të parashikuara në rregulloren e miratuar, sipas nenit 29 të këtij ligji.

4. Dënimi me gjobë në masën 50 000–200 000 lekë jepet në rast se, në përfundim të procesit të kontrollit të cilësisë, rezulton që puna audituese nuk është kryer në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit dhe me kërkesat e këtij ligji e akteve nënligjore.

5. Dënimi me gjobë në masën 50 000–150 000 lekë jepet në rastin e mosdhënies së informacionit apo dokumentacionit të kërkuar nga autoritetet përgjegjëse, në kuadër të procesit të kontrollit të cilësisë.

6. Dënimi me gjobë në masën 100 000–500 000 lekë jepet në rast të mosndjekjes së rregullave dhe procedurave të auditimit, që kanë sjellë dhënien e një opinioni të mangët ose të gabuar për pasqyrat financiare subjekt auditimi.

7. Dënimi me gjobë në masën 50 000–150 000 lekë jepet në rast se nuk respektohen kërkesat e parashikuara nga neni 34, i këtij ligji, për mbrojtjen e konfidencialitetit.

8. Dënimi me gjobë në masën 50 000–100 000 lekë jepet në rastin kur informacionet vjetore statutore, të paraqitura pranë organizatës profesionale të audituesve ligjorë, janë të pasakta.

9. Masa disiplinore e përcaktuar në shkronjën “c”, të pikës 1, të këtij neni, jepet në rastet kur:

a) ka përsëritje të shkeljes, më shumë se dy herë, të pikave 4, 5, 7 e 8 të këtij neni;

b) audituesi ligjor, gjatë funksioneve të tij, kryen edhe funksionin e të punësuarit apo funksione të tjera, që janë në papajtueshmëri me profesionin e audituesit ligjor;

c) marrja përsipër e misionit të auditimit është bërë pa respektuar procedurat e emërimit të tij, të parashikuara nga dispozitat e këtij ligji, si dhe nga rregullat e auditimit apo nga statuti;

ç) vërtetohet se raporti i auditimit nuk bazohet në dokumentacionin që përmban dosja e auditimit;

d) nga rezultatet e kontrollit të cilësisë rezulton vlerësimi “dobët”;

dh) ka mospërputhje të konsiderueshme ndërmjet deklarimit vjetor të kohës, sipas angazhimeve të kryera, dhe kohës në dispozicion të llogaritur, duke mbajtur parasysh bashkëpunëtorët dhe të punësuarit e deklaruar, si dhe mosdeklarimin e bashkëpunëtorëve e të punësuarve.

10. Masa disiplinore e përcaktuar në shkronjën “ç”, të pikës 1, të këtij neni, jepet në rastet kur:

a) shërbimet e auditimit të pasqyrave financiare bazohen, në një masë të madhe, te rezultatet e rishikimeve periodike të pasqyrave financiare të përmbledhura dhe të auditimit të brendshëm, që janë kryer nga vetë audituesi ligjor apo shoqëria audituese;

b) audituesit ligjorë dhe shoqëritë e auditimit përfshihen në shërbime të dhënies së sigurisë për pasqyrat financiare, që përgatiten për qëllime të klientit, kur verifikohet se këto të fundit janë informale dhe të ndryshme nga pasqyrat financiare për qëllime të përgjithshme;

c) shkelja e përcaktuar në pikën 6 dhe shkeljet e përcaktuara në pikën 9, të këtij neni, përsëriten më shumë se dy herë.

11. Pezullimi i përkohshëm shoqërohet me ndëshkimin plotësues të moszgjedhjes në organet drejtuese të organizatës profesionale ose në organe të tjera, të parashikuara në këtë ligj. Pezullimi mund të jetë i përgjithshëm ose i kufizuar, në një apo disa kategori shoqërish e shërbimesh.

12. Bordi i Mbikëqyrjes Publike miraton rregulloren për procedurat disiplinore, e cila detajon procedurat për fillimin dhe shqyrtimin e shkeljeve disiplinore, përcaktimin e masës së gjobës dhe rastet e ngarkimit të audituesve ligjorë ose shoqërive të auditimit me detyrimin e mbulimit të shpenzimeve të procedurës disiplinore.

 

Neni 56

Masat disiplinore

(shfuqizuar me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

Neni 57

Kompetenca në marrjen e masave disiplinore

 

1. Kompetenca e marrjes së masave disiplinore i takon bordit të mbikëqyrjes publike.

2. Komisioni i disiplinës, i cili funksionon pranë organizatës profesionale të audituesve ligjorë, apo çdo person, i cili vihet në dijeni të rasteve, që bien në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji apo të akteve nënligjore, të nxjerra në zbatim të tij, ka të drejtën t’i drejtohet bordit të mbikëqyrjes publike, duke i vënë në dispozicion edhe dokumentacionin përkatës që vërteton shkeljen.

 

 

Neni 57/1

E drejta e ankimit

(shtuar me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

Kundër vendimit të Bordit të Mbikëqyrjes Publike, audituesi ligjor ose shoqëria e auditimit mund të bëjë ankim në gjykatën administrative kompetente, brenda 45 ditëve nga data e njoftimit të vendimit.

Neni 57/2

Shlyerja e gjobave

(shtuar me ligjin nr. 47/2016, datë 28.4.2016)

 

Në rastin e masës disiplinore me gjobë, audituesi ligjor ose shoqëria e auditimit duhet të shlyejë, brenda 2 muajve, masën e gjobës. Në të kundërt, zbatohet masa disiplinore e pezullimit të përkohshëm, deri në çastin e shlyerjes së saj.

 

Neni 58

Ushtrimi i profesionit të audituesit ligjor dhe shoqërisë audituese pa qenë i regjistruar

(shfuqizuar me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr.3, datë 5.2.2010 dhe ndryshuar me ligjin nr.10 297, datë 8.7.2010)

 

1. Ushtrimi i profesionit të audituesit ligjor apo përdorimi i emërtimeve si shoqëri audituese, pa qenë i regjistruar më parë në regjistrin publik të audituesve ligjorë, si dhe përdorimi i çfarëdo titulli, që synon të krijojë ngjashmëri ose konfuzion me këta tituj profesionalë apo emërtime, përbën  kundërvajtje  administrative  dhe  dënohet  me  gjobë  nga  5 000 000  deri  në  10 000 000 lekë.

2. Vendimi për vendosjen e gjobës merret nga bordi i mbikëqyrjes publike.

3. Vendosja e dënimit administrativ, sipas këtij ligji, nuk ndalon paraqitjen e kallëzimit penal në prokurori.

 

KREU IX

DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT

Neni 59

Dispozita kalimtare

 

1. Audituesit ligjorë të autorizuar, që e kanë fituar titullin në përputhje me rregullat e parashikuara në vendimin nr.150, datë 30.3.2000 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave për organizimin e profesionit të ekspertëve kontabël të autorizuar” të ndryshuar, konsiderohen mbajtës të këtij titulli edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe regjistrohen në regjistrin publik të audituesve ligjorë.

2. Kontabilistët e miratuar, që e kanë fituar titullin në përputhje me rregullat e organizimit dhe të testimit të kontabilistëve, të parashikuara në udhëzimin e Ministrit të Financave, konsiderohen mbajtës të këtij titulli edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe regjistrohen në regjistrin e organizatës profesionale ku bëjnë pjesë.

3. Praktikantët të cilët e kanë filluar praktikën profesionale përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, konsiderohen njësoj edhe në kuptim të këtij ligji dhe vijojnë me përfundimin e praktikës profesionale, sipas afateve të parashikuara më parë.

 

Neni 60

Hartimi i akteve nënligjore

 

1. Ngarkohet Ministri i Financave që, brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të paraqesë për miratim në Këshillin e Ministrave rregullat e organizimit dhe të funksionimit të bordit të mbikëqyrjes publike, si dhe shpërblimin e anëtarëve të tij dhe, brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të ketë përfunduar ngritjen e bordit të mbikëqyrjes publike.

2. Ngarkohet Ministri i Financave që, brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë udhëzimin për rregullat për organizimin dhe funksionim e Komisionit të Provimeve të Aftësive Profesionale dhe, brenda katër muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të ketë përfunduar emërimin e anëtarëve të Komisionit.

3. Ngarkohet Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës që, brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë udhëzimin për rregullat për organizimin dhe funksionimin e komitetit të regjistrimit dhe, brenda katër muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të ketë përfunduar emërimin e anëtarëve të Komitetit.

4. Ngarkohet Bordi i Mbikëqyrjes Publike që, brenda dy muajve nga data e konstituimit të parë të tij, të miratojë të gjitha aktet e parashikuara në këtë ligj, që janë kompetencë e tij.

5. Ngarkohet Instituti i Audituesve Ligjorë të Autorizuar që, brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të organizojë funksionimin e tij, në përputhje me dispozitat e këtij ligji, si dhe të bëjë të gjitha ndryshimet në statut e në rregulloret e brendshme të veprimtarisë së tij, të rregullores së organizimit e funksionimit të Bordit të Mbikëqyrjes Publike dhe komisioneve të provimeve të aftësive profesionale e të regjistrimit, si dhe të marrë të gjitha masat, për t’ua kaluar dokumentacionin dhe veprimtaritë përkatëse këtyre organeve.

6. Ngarkohet Instituti i Audituesve Ligjorë të Autorizuar që, brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të ketë përfunduar procesin e programimit dhe të plotësimit të regjistrit publik të audituesve ligjorë dhe shoqërive audituese, në përputhje me dispozitat e këtij ligji.

7. Ngarkohen organizatat profesionale të kontabilistëve të miratuar që, brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të kenë përfunduar procesin e programimit dhe të plotësimit të regjistrit të anëtarëve, në përputhje me kërkesat e këtij ligji.

 

 

DISPOZITA KALIMTARE ME LIGJIN NR. 47/2016, DATË 28.4.2016

Dispozita kalimtare

 

1. Kryetari dhe anëtarët e Bordit të Mbikëqyrjes Publike, të zgjedhur në këtë funksion para hyrjes në fuqi të këtij ligji, qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e bordit të ri.

2. Ministri i Financave miraton anëtarët e rinj të bordit brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

3. Struktura mbeshtetëse e bordit krijohet brenda një muaji, nga konfigurimi i bordit të ri. Deri në krijimin dhe fillimin e funksionimit të strukturës mbështetëse, funksionet e saj kryhen nga organizata profesionale e audituesve ligjorë.

4. Kryetari dhe anëtarët e autoritetit të regjistrimit, të zgjedhur në këtë funksion para hyrjes në fuqi të këtij ligji, qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e komitetit të regjistrimit.

5. Anëtarët e rinj të komitetit të regjistrimit emërohen brenda dy muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

6. Kryetari dhe anëtarët e zgjedhur të Autoritetit të Certifikimit, të emëruar në këtë funksion para hyrjes në fuqi të këtij ligji, qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e anëtarëve të Komisionit të Provimit të Aftësive Profesionale.

7. Anëtarët e rinj të Komisionit të Provimit të Aftësive Profesionale emërohen brenda dy muajve nga konstituimi i Bordit të ri të Mbikëqyrjes Publike.

8. Deri në ngritjen e strukturave të parashikuara në nenin 4, të këtij ligji, kontrolli i cilësisë do të vazhdojë të kryhet sipas sistemit ekzistues, përpara hyrjes në fuqi të ndryshimeve.

9. Praktikantët, të cilët e kanë filluar praktikën profesionale përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, vijojnë me procedurat e praktikës profesionale, të parashikuara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji.

10. Kufizimet e ripërtëritjes së mandateve të organeve të drejtimit të organizatës profesionale të audituesve ligjorë llogariten që nga koha kur organi përkatës është ngritur dhe ka funksionuar për herë të parë. Anëtarët e organeve të zgjedhura të organizatës profesionale të audituesve ligjorë përfundojnë mandatin, sipas afateve të parashikuara në këtë ligj.

11. Për të siguruar vazhdimësinë në përbërjen dhe punën e Këshillit Drejtues të Organizatës Profesionale të Audituese Ligjorë, pas përfundimit të mandatit aktual, tre prej anëtarëve të Këshillit Drejtues, të përcaktuar me short, u shtyhet mandati për një periudhë 2-vjeçare.

 

Neni 61

Shfuqizime

 

Vendimi nr.150, datë 30.3.2000 i Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave për organizimin e profesionit të ekspertëve kontabël të autorizuar”, i ndryshuar, shfuqizohet.

 

Neni 62

Hyrja në fuqi

 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

 

Shpallur me dekretin nr.6101, datë 19.3.2009 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,

Bamir Topi


[1] Ndryshuar titulli, me ligjin nr.47/2016, datë 28.4.2016.

[2] Ndryshimet e parashikuara në nenin 41, të këtij ligji, zbatohen për herë të parë mbi raportimin financiar të vitit 2016.

 

FacebookTwitterGoogle+Share

Comments

comments

Share →